Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR.03/L-132 PĖR PROTOKOLLIN E SHTETIT TĖ REPUBLIKĖS SĖ KOSOVĖS
Qer 01 2009
LIGJI NR.03/L-132 PĖR PROTOKOLLIN E SHTETIT TĖ REPUBLIKĖS SĖ KOSOVĖS
e hėnė . 01 qershor 2009

 

LIGJI  NR. 03/L-132

PËR PROTOKOLLIN E SHTETIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

 

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

 

Me qëllim të vendosjes së rregullave ligjore për protokollin e shtetit të Republikës së Kosovës,

 

Miraton

 

LIGJ PËR PROTOKOLLIN E SHTETIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

Neni 1

 

1.  Me këtë ligj në Ministrinë e Punëve të Jashtme themelohet Zyra e Protokollit të Shtetit, e cila ka për detyrë:

 

1.1. organizimin dhe realizimin e të gjitha angazhimeve protokollare të Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, për të gjithë veprimtarinë e tyre brenda dhe jashtë vendit.

 

1.2. bashkërendimin e veprimtarisë protokollare të Qeverisë dhe titullarëve të institucioneve të larta qendrore;

 

1.3. bashkërendimin dhe zbatimin e programit të vizitave të delegacioneve të huaja të nivelit të lartë.

2.  Veprimtaria e Zyrës së Protokollit të Shtetit rregullohet me akte të veçanta ligjore ose nënligjore."

 

 

KREU   I

 

Neni 2

PROTOKOLLI I SHTETIT

 

1. Protokolli i Shtetit përfaqëson përmbledhjen institucionale të kritereve që rregullojnë çdo aspekt të natyrës formale dhe joformale të marrëdhënieve zyrtare. Për zbatimin e këtyre kritereve është kompetent Protokolli i Shtetit. Protokolli i Shtetit është zyra kompetente që përcakton dhe trajton në Republikën e Kosovës protokollin dhe ceremonialin zyrtar.

 

2. Protokolli i Shtetit kryen detyrën e zbatimit të ceremonialit zyrtar dhe veprimtarisë protokollare të Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme për veprimtaritë e tyre brenda dhe jashtë vendit.

 

 

Neni 3

Kompetencat e Protokollit të Shtetit

 

1.  Protokolli i Shtetit kryen këto funksione:

 

1.1.  zbaton me saktësi radhën e përparësisë të rangjeve zyrtare të Republikës së Kosovës, Misioneve Diplomatike si dhe e përcakton atë në rastet e veçanta të paparashikuara në këtë ligj. Kriteri themelor i funksionimit të kësaj strukture është respektimi i rangut zyrtar.

 

1.2.  organizon dhe ndjek ceremonitë e pritjes e të përcjelljes së delegacioneve të huaja të rangut: President, Kryetar i Kuvendit, Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme; harton në bashkëpunim me kabinetet e Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme programin e vizitës së tyre dhe përgjigjet për zbatimin e tij.

 

1.3.  përgatit anën protokollare për vizitat zyrtare jashtë shtetit të Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe të Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Protokolli i Shtetit, në bashkëpunim me përfaqësitë Diplomatike të Republikës së Kosovës dhe me institucionin homolog të shtetit pritës, përpunon programin e vizitës së personaliteteve të mësipërme.

 

1.4.  përgjigjet për organizimin e ceremonive për festat zyrtare, memorialë, shtetërorë dhe lokale, në rastet kur ato janë jubilare dhe kur për organizimin e të cilave formohet me vendim të Qeverisë të Republikës së Kosovës një komision shtetëror.

 

1.5.  përcakton mënyrën e përdorimit të simboleve shtetërore, flamurit, himnit, stemës dhe shenjave të tjera zyrtare sipas Ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës.

 

1.6. bashkërendon takimet e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Ministrave tjerë me përfaqësuesit diplomatikë të akredituar në Republikën e Kosovës.

 

2. Institucionet qendrore apo lokale, si dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës janë të detyruara t'i ofrojnë Protokollit të Shtetit informacionin e kërkuar kur ai lidhet drejtpërdrejt ose jo me aktivitetin e tij, me normativat e Protokollit të Shtetit, të konventave të Vjenës "Për marrëdhëniet diplomatike" dhe "Për marrëdhëniet konsullore", si dhe për zbatimin e reciprocitetit.

 

 

Neni 4

Zyra të tjera protokolli

 

1.  Institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës kanë veçoritë dhe specifikat e tyre në zbatimin e protokollit zyrtar. Pranë tyre funksionojnë zyrat përkatëse të protokollit që trajtojnë drejtpërsëdrejti praktikat protokollare dhe ceremoniale të titullarëve të tyre.

 

2.  Zyra e protokollit të shtetit mbanë lidhje të ngushta me zyrat e protokolleve të institucioneve qendrore e lokale, komunikon praktikat protokollare, shkëmben informacione, organizon takime konsultative dhe shërben si strukturë qendrore e unifikimit të praktikave protokollare në Republikën e Kosovës.

 

3.  Zyrat përkatëse pranë institucioneve të shtetit, përgjigjen për aktivitetin zyrtar të titullarëve përkatës, jetën e përditshme me karakter formal ose jo të tyre, lëvizjet brenda territorit të Kosovës, inaugurime, pritje dhe vizita, takime dhe evenimente të ndryshme publike.

 

4.  Protokolli i Kuvendit përgjigjet për zbatimin e ceremonialit të brendshëm të këtij institucioni, aktivitetit parlamentar dhe rregullimin e aspekteve të ndryshme të marrëdhënieve me trupin diplomatik, marrëdhënieve publike të institucionit dhe takimet e parlamentarëve me delegacionet e huaja.

 

5. Protokolli i Ministrisë së Forcës së Sigurisë ka kompetencën e organizimit të ceremonive respektive ushtarake në kuadër të këtij institucioni dhe reparteve ushtarake, në përputhje me normat themelore të Protokollit të Republikës së Kosovës dhe rregulloret ushtarake në fuqi.

 

 

 

 

 

 

 

KREU  II

 

 

Neni 5

CEREMONIALI DIPLOMATIK

 

1. Ceremoniali diplomatik përcakton:

 

1.1.  raportet protokollare midis Republikës së Kosovës dhe shteteve tjera;

 

1.2.  rregullat, praktikat administrative dhe përparësitë që gëzojnë përfaqësitë diplomatike në Kosovë në përputhje me Ligjin për statusin, imunitetin dhe privilegjet e misioneve diplomatike dhe në përputhje me konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe marrëdhëniet konsullore;

 

1.3.  marrëveshjet dy dhe shumëpalëshe mbi bazën e reciprocitetit.

 

2.  Ceremoniali diplomatik përmbledh formalitetet që respektohen për ardhjen dhe largimin nga  Republika e Kosovës të funksionarëve diplomatikë, veçoritë e statusit të tyre, imunitetet, privilegjet e trupit diplomatik, modalitetet e sigurimit të tyre. Është detyrë ekskluzive e Protokollit të Shtetit të drejtojë dhe t'i respektojë këto procedura.

 

 

Neni 6

Paraqitja e kredencialeve Presidentit të Republikës

 

1.  Protokolli i Shtetit njofton ambasadën përkatëse për datën, orën dhe vendin e paraqitjes së kredencialeve Presidentit të Republikës nga ana e ambasadorit të ri.

 

2.  Ai e shoqëron ambasadorin në një dhomë pritjeje të veçantë, ku ambasadori nënshkruan Librin e Miqve dhe qëndrojnë për disa çaste për një bisedë të shkurtër. Më pas Drejtori i Protokollit e drejton atë në sallën kryesore të ceremonisë.

 

 

Neni 7

Lidhjet me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe institucionet qendrore

 

1.  Përfaqësitë diplomatike mbajnë lidhje me administratën shtetërore të Republikës së Kosovës nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme. Për takimet që dëshirojnë të mbajnë me administratën shtetërore dhe që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe ose çështje me interes të përbashkët, duhet që paraprakisht të vënë në dijeni Protokollin e Shtetit dhe drejtorinë përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

 

2.  Diplomatët, specialistët dhe ekspertët e huaj mund të komunikojnë drejtpërdrejt me homologët e tyre Kosovar në administratën shtetërore, kur bëhet fjalë për marrëdhënie shoqërore, kortezie ose probleme të veçanta midis ekspertësh.

 

3.  Përfaqësitë diplomatike të akredituara në Republikën e Kosovës, për pritjet zyrtare me rastin e festës zyrtare dhe memoriale si dhe për çdo veprimtari tjetër festive, politike, shkencore e sociale që organizojnë, ftesat drejtuar Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, Ministrit të Punëve të Jashtme duhet t'i dorëzojnë pranë Protokollit të Shtetit. Është ky institucion që përgjigjet për shpërndarjen e tyre në destinacion. Protokolli i Shtetit sugjeron nivelin e përfaqësimit. Ministrat si rregull nuk marrin pjesë në pritje pa njoftimin e Protokollit të Shtetit.

 

 

Neni 8

Hapja e një përfaqësie të re diplomatike

 

Zyrtari i huaj që vjen në Kosovë për të hapur një përfaqësi diplomatike mund të jetë diplomat i saj ose një diplomat tjetër i ngarkuar me ketë detyrë. Me të mbërritur, ai merr takim në Ministrinë e Punëve të Jashtme me drejtorinë përkatëse dhe Protokollin e Shtetit, të cilët i informon për qëllimin e misionit të tij.

 

 

Neni 9

Ndihma për diplomatët

 

1.  Protokolli i Shtetit ndihmon Misionin Diplomatik për çështje të ndryshme. Brenda kuadrit të lejuar, ai ndihmon diplomatët dhe familjet e tyre nga dita e ardhjes deri në ditën e largimit të tyre.

 

2.  Zyra përkatëse e protokollit i informon diplomatët për vendet më të përshtatshme për banim, për treg, mësimin e gjuhës, udhëtimet, aktivitetet artistike, shërbimin shëndetësor, shkollat për arsimimin e fëmijëve dhe rekomandime të tjera sipas kërkesës së tyre.

 

3. Protokolli i Shtetit shërben si mbështetje për çështje që përfaqësitë e huaja kanë me institucionet e tjera të Republikës së Kosovës,  publike ose private dhe me individë të veçantë.

 

 

Neni 10

Pjesëmarrja në ceremonitë zyrtare dhe memoriale

 

1.  Shefi i përfaqësisë njoftohet që në fillim të ardhjes së tij me një notë verbale, ku pasqyrohen festat zyrtare dhe memoriale të Republikës së Kosovës dhe orari i punës së zyrave të administratës publike.

 

2.  Misioni Diplomatik ftohet të marrë pjesë në këto ceremoni kryesore zyrtare dhe memoriale që janë të përcaktuar në ligjin për festat zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

 

 

Neni 11

Përfundimi i detyrës dhe largimi i shefit të misionit

 

1.  Kur shefi i një përfaqësie largohet përfundimisht nga Republika e Kosovës, ai/ajo njofton paraprakisht me notë verbale Ministrinë e Punëve të Jashtme për largimin e tij/saj, si dhe për emrin e diplomatit që do ta zëvendësojë në drejtimin e misionit si i ngarkuar me punë.

 

2.  Protokolli i Shtetit i jep atij/asaj ndihmën e duhur për të realizuar takimet e lamtumirës me Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Ministrin e Punëve të Jashtme dhe personalitete të tjera që ai shpreh dëshirën për t'i takuar.

 

 

Neni 12

Vdekja e një diplomati

 

1.  Sapo Ministria e Punëve të Jashtme vihet në dijeni nga përfaqësia diplomatike për vdekjen e shefit të përfaqësisë ose të ndonjë diplomati tjetër ofron ndihmën dhe bashkëpunimin e saj në formë asistence dhe orientimi.

 

2.  Drejtoria përkatëse përgatit një letër ngushëllimi që Ministri i Punëve të Jashtme do t'i dërgojë familjes së diplomatit të ndjerë dhe telegramin e ngushëllimit që do t'i dërgohet Ministrit të Punëve të Jashtme të shtetit të të ndjerit.

 

3.  Në rastin e vdekjes së një diplomati të Republikës së Kosovës në detyrë, arkivoli i tij/saj pritet në aeroport nga Protokolli i Shtetit dhe përfaqësues të tjerë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Funerali niset nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe shpenzimet e tij mbulohen nga institucioni.

 

 

Neni 13

Flamuri shtetërorë në përfaqësitë diplomatike

 

1.  Përfaqësitë e huaja diplomatike të akredituara në Kosovë mund të mbajnë të shpalosur në ndërtesën ose territorin e selisë flamurin e tyre shtetërorë.

 

2.  Ato duhet të ngrenë flamurin shtetërorë të Republikës së Kosovës krahas flamurit të tyre vetëm në rastin kur atje shkon për vizitë Presidenti i Republikës së Kosovës. Flamuri mbetet i ngritur deri në largimin e kreut të shtetit.

 

 

KREU  III

 

Neni 14

SIMBOLET E REPUBLIKËS

 

Simbolet kryesore përfaqësuese të Republikës së Kosovës janë flamuri, himni dhe stema e Republikës së Kosovës. Përdorimi i simboleve në Kosovë rregullohet me anë të Ligjit për përdorimin e simboleve shtetërore të Republikës së Kosovës.

 

Neni 15

Flamuri shtetërorë

 

1.  Shpalosja e flamurit shtetërorë është një e drejtë e përgjithshme në Republikën e Kosovës. Dimensionet e tij janë orientative dhe shprehen të fiksuara në raportin 1:1,4. Kur flamuri shpaloset në lartësi mbi 10m nga toka, rekomandohen përmasa jo më tepër se 350cm x 490cm. Për rastet kur shpaloset në ballkon ose deri në 10m lartësi, sugjerohet përmasa 200cm x 280cm. Në mjedise të brendshme (salla, zyra) rekomandohen përmasa 1.07 x 1.50 ose 150cm x 210cm në një shtizë 2.5 m të gjatë, në varësi nga hapësira e mjedisit. Flamuri i tavolinës duhet të ketë përmasat 16 x 23cm.

 

2.  Në mjediset e jashtme flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës qëndron i ngritur mbi ose pranë selive të institucioneve qendrore dhe lokale qeveritare, në pikat kufitare si dhe përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, njëzetekatër (24) orë dhe i ndriçuar drejtpërdrejtë gjatë natës. Në rastet e festave zyrtare dhe memoriale flamuri ngritët edhe në vende të tjera me autorizimin e Kryeministrit, për evenimente shtetërorë ose të kryetarit të Komunës, për evenimente lokale.

 

 

Neni 16

Ceremonia e ngritjes ose uljes së flamurit

 

1.  Gjatë ceremonisë së uljes ose ngritjes së flamurit, apo parakalimit të tij, të pranishmit marrin drejtqëndrim duke ndjekur me shikim lëvizjen e flamurit.

 

2.  Ushtarakët nderojnë ushtarakisht të drejtuar nga flamuri. Kur flamuri nuk duket, drejtqëndrimi mbahet nga banda. Të huajt prezent marrin drejtqëndrim. Kjo ceremoni nuk zbatohet vetëm në rastet kur transmetohet në televizion ose në radio.

 

Neni 17

Himni shtetërorë

 

Himni shtetërorë intonohet kurdoherë në prezencën e flamurit shtetërorë. Intonimi i himnit në ceremonitë zyrtare dhe memoriale përcaktohet me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës.

 

 

Neni 18

Stema e Republikës

 

1.  Përdorimi i stemës së Republikës është e drejtë ekskluzive e organeve shtetërore. Dimensionet e stemës së Republikës janë orientative dhe shprehen në raportin 1:1,5.

 

2. Zyrtarisht njihen edhe stemat e niveleve të ndryshme të pushtetit lokal, të enteve publike, shenjat dalluese të armëve të ndryshme të ushtrisë, të policisë dhe të universiteteve të miratuara nga Protokolli i Shtetit.

 

3. Përdorimi dhe vendosja e stemës së Republikës së Kosovës përcaktohet me Ligjin për përdorimin e simboleve shtetërore të Kosovës.

 

 

 

KREU  IV

CEREMONIALI ZYRTAR I AUTORITETEVE MË TË LARTA TË SHTETIT

 

Neni 19

Rregulla të përgjithshme

 

1. Rangjet e Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, për shkak të funksioneve që kanë, rolit që luajnë dhe detyrave që zgjidhin, dallohen në radhën e përparësisë dhe të privilegjeve ceremoniale.

 

2. Ceremonitë ku marrin pjesë këto autoritete organizohen sipas specifikave të aktivitetit nga Protokolli i Shtetit, zyrat e protokollit të brendshëm të tyre, institucione të ndryshme, ministri, organe komunale.

 

3. Përgatitja e aktivitetit bëhet paraprakisht. Organizatorët kanë për detyrë të njoftojnë Protokollin e Shtetit kur në ceremoni marrin pjesë edhe personalitete të huaja, të paktën 1-2 javë para datës së caktuar. Ata janë të detyruar të informojnë për qëllimin, programin e plotë të aktivitetit, mënyrën e organizimit, masat e marra, listën e të ftuarve, kohën dhe vendin e caktuar.

 

4. Protokolli i Shtetit vihet ne dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit.

 

5.  Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri kryejnë vizita të nivelit të lartë jashtë shtetit. Protokolli i Shtetit merret me procedurat zyrtare të organizimit të vizitave, nga përgatitja deri në përfundimin e tyre. Në funksion të këtij programi bashkëpunohet me kabinetet përkatëse.

 

6. Ceremonia e pritjes së homologut të huaj bëhet në aeroport ose në selinë e personalitetit të lartë. Kjo përcaktohet paraprakisht në bisedimet e Protokollit të Shtetit me protokollin e palës së huaj. Ceremonia kryhet sipas skemave të miratuara të Protokollit të Shtetit.

 

 

Neni 20

Presidenti/ja i/e Republikës

 

1.  Presidenti/ja i/e Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit në Kosovë, që është shprehje e unitetit të popullit. Ushtrimi i mandatit të tij shoqërohet gjatë gjithë periudhës nga një ceremonial i veçantë për të gjitha aspektet zyrtare dhe jozyrtare të jetës dhe aktivitetit të tij.

 

2.  Në pritje të ndryshme dhe festa shtetërorë të dhëna nga përfaqësitë diplomatike të akredituara në Kosovë, Presidenti i Republikës merr pjesë vetëm në rastet kur e konsideron tepër të arsyeshme dhe të rëndësishme prezencën e tij. Pjesëmarrja e Presidentit sinjalizohet nga Protokolli i Shtetit.

 

3. Obligohen të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Përmasat minimale duhet të jenë 40 - 60 cm.

 

 

Neni 21

Ceremonia e fillimit të detyrës së Presidentit të Republikës

 

1.  Ceremonia e fillimit të detyrës së Presidentit të Republikës zhvillohet si një e tërë, e ndarë në dy momente kryesore, në sallën e Kuvendit dhe në Rezidencën e Presidentit.

 

2.  Ditën e caktuar në seancën e Kuvendit të Kosovës, përveç deputetëve, mund të marrin pjesë edhe të ftuar të tjerë të huaj dhe titullarët e përfaqësive diplomatike. Protokolli i Kuvendit drejton ceremoninë në sallën e Kuvendit.

 

3. Intonohet himni shtetërorë i Kosovës. Kryetari i Kuvendit fton Presidentin për të marrë fjalën përshëndetëse para Kuvendit.

 

4.  Mbas Kuvendit të Kosovës, ceremonia presidenciale vijon në Rezidencën e Presidentit.

 

 

Neni 22

Zonja e Parë

 

1.  Bashkëshortja e Presidentit të Republikës gëzon statusin Zonja e Parë e vendit.

 

2.  Në ceremonitë ku merr pjesë vetëm me Presidentin, Zonja e Parë qëndron në të djathtë të tij. Në ceremonitë e nderit ku intonohen himnet shtetërorë qëndron së bashku me zonjën e parë mike, tre hapa pas të dy presidentëve. Në mjedise pritjesh formale, në rastet kur ka një të ftuar nderi, Presidenti ecën i pari, së bashku me bashkëshorten e të ftuarit të nderit, ndërsa Zonja e Parë shoqëron të ftuarin e nderit dhe hyn e dyta pas Presidentit

 

3.  Pjesëtarët madhorë të familjes së Presidentit që jetojnë me të gëzojnë një status protokollar të barabartë me këshilltar presidenti, kurse ata që nuk bashkëjetojnë me të, të barabartë me këshilltar ministri. Ky status është i vlefshëm vetëm kur marrin pjesë të ftuar në aktivitete formale, së bashku me Presidentin. Në raste të tjera, si dhe të afërmit e mitur, nuk gëzojnë status protokollar.

 

4. Nëse Presidenti është i pamartuar, asnjë nga familjarët e tij nuk mund të përfaqësojë apo të luajë rolin e zonjës së parë. Në veprimtarinë zyrtare, Presidenti i Republikës paraqitet i pashoqëruar. Në ceremonitë festive kur udhëton jashtë kryeqytetit ose jashtë shtetit, Presidenti i Republikës mund të shoqërohet nga një person tjetër i familjes sipas dëshirës, por jo në rangun e zonjës së parë. Shoqëruesi i Presidentit gëzon në të gjitha rastet të drejtën e një protokolli të veçantë.

 

 

Neni 23

Presidenca

 

1.  Presidenca është selia e aktivitetit zyrtar të Presidentit të Republikës së Kosovës. Në hyrjen të Presidencës qëndrojnë në pozicion nderi dy truprojë nderi me uniformë ceremoniale.

 

2.  Kur kalon Presidenti, të pranishmit qofshin të ftuar ose bashkëpunëtorë ngrihen në këmbë dhe i përgjigjen përshëndetjes së tij. Edhe ata që kanë njohje personale me Presidentin nuk duhet ta ndalojnë ose ta përshëndesin të parët. Presidentit gjithsecili i drejtohet "Z. President". Bashkëshortes së Presidentit i drejtohet Znj. (vijon mbiemri).

 

3.  Presidenti i Republikës ka të drejtë të mbajë flamur dallues si shenjë e veçantë që identifikon shkallën e hierarkisë dhe autoritetin e këtij rangu për të drejtuar e komanduar. Në zyrën e Presidentit, pas ulëses së tij qëndrojnë dy flamurë, në të djathtë flamuri shtetërorë dhe në të majtë flamuri dallues i Presidentit.

 

4. Protokolli i brendshëm i Presidencës drejtohet nga shefi i protokollit të Presidentit. Ai është përgjegjës për takimet e përditshme që bëhen në zyrën e Presidentit, lëvizjet dhe aktivitetet brenda territorit të Kosovës, në përputhje me Protokollin e Shtetit.

 

5.  Nëse është i domosdoshëm shoqërimi i Presidentit të Republikës nga Ministrat, kjo kryhet vetëm pas kërkesës që Presidenca i paraqet Kabinetit të Kryeministrit.

 

6.  Për pritjen dhe përcjelljen e Presidentit të Republikës shtrohet tapeti i kuq në hyrje të sallës së personave të rëndësisë së veçantë të aeroporti dhe në hyrje të aeroplanit. Protokolli i Presidencës kryen të gjitha formalitetet dokumentare të nevojshme para largimit dhe për ardhjen e tij.

 

 

Neni 24

Pritje në Presidencë

 

1.  Në rastin e vizitës së një President shteti, Kryeministër ose vizitor tjetër i lartë, Presidenti i Republikës e pret atë në selinë e Presidencës ose në një seli tjetër qeveritare.

 

2.  Presidenti i Republikës pret miq të nivelit të lartë edhe në mjedise të tjera si në Rezidencën e Presidentit. Në to mund të zhvillohet e njëjta ceremoni nderi. Për homologun Presidenti shtron, sipas rastit, pritje kortezie, drekë ose darkë shteti.

 

3.  Në rastet kur Presidenti i Republikës takohet me vizitorë të nivelit Kryeministër, pritja bëhet në hollin e Presidencës, kurse për nivelet ministër, sekretar shteti ose autoritete të tjera me të njëjtin rang, pritja bëhet brenda në sallën e takimit.

 

 

Neni 25

Ceremoniali i Kuvendit

 

1.  Kuvendi është organi legjislativ i Republikës së Kosovës. Si i tillë ai gëzon të drejtën e një ceremoniali të veçantë në aktivitetin e tij zyrtar. Kompetencat për trajtimin dhe për zbatimin e këtij ceremoniali në hapësirën e Kuvendit i ka zyra e protokollit të Kuvendit.

 

2. Protokolli i Kuvendit drejton ceremonialin në Kuvend. Detyrat e tij parashikohen në rregulloren e brendshme të Kuvendit.

 

3.  Protokolli i Kuvendit organizon, ndjek dhe programon ceremonitë e pritjes e të përcjelljes, si dhe të gjitha praktikat protokollare gjatë vizitave të delegacioneve të huaja të institucioneve parlamentare ndërshtetërorë.

 

4. Protokolli i Shtetit në bashkëpunim me protokollin e Kuvendit bashkërendon takimet e Kryetarit të Kuvendit me delegacionet e nivelit President, Kryeministër, Ministër të Punëve të Jashtme që vizitojnë vendin tonë dhe të ambasadorëve të rinj që paraqesin letërkredencialet. Takimet e nënkryetarëve të Kuvendit, kryetareve të grupeve parlamentare, kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit dhe deputetëve bashkërendohen nga protokolli i Kuvendit.

 

5.  Protokolli i Kuvendit harton ftesa dhe telegrame zyrtare të Kryetarit të Kuvendit për homologë dhe titullarë të organizatave e institucioneve të ndryshme ndërshtetërorë dhe ia përcjell ato Protokollit të Shtetit.

 

6. Ndjek praktikat konsullore me përfaqësitë diplomatike të akredituara në Republikën e Kosovës për vizitat e delegacioneve të Kuvendit, për dërgim të ftesave dhe të telegrameve të urimit dhe harton listën e pjesëmarrësve në takimet zyrtare dhe pritjet e Kryetarit të Kuvendit.

 

 

Neni 26

Kryetari i Kuvendit

 

1.  Kryetari i Kuvendit është autoriteti i dytë në radhën e përparësisë në Republikën e Kosovës. Kryetari i Kuvendit ka të drejtën e një ceremoniali të veçantë në veprimtarinë e tij zyrtare dhe jozyrtare. Në hyrje të zyrës së Kryetarit të Kuvendit qëndrojnë dy truproja nderi. Gjithkush i drejtohet atij "z. Kryetar i Kuvendit".

 

2.  Bashkëshorti/ja e Kryetarit të Kuvendit gëzon status protokollar gjatë pritjeve dhe aktiviteteve ku është ftuar së bashku me bashkëshortin, brenda ose jashtë shtetit ose vetëm, gjatë organizimit të aktiviteteve të ndryshme shoqërore, humanitare, si dhe me Misionin Diplomatik. Bashkëshortes së Kryetarit të Kuvendit, gjithsecili i drejtohet Znj. (vijon mbiemri).

 

3. Kur Kryetari i Kuvendit merr pjesë në aktivitetet publike së bashku me Presidentin e Republikës, qëndron në të djathtë të tij, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe.

 

 

Neni 27

Kryeministri

 

1.  Kryeministri, si rangu më i lartë i pushtetit ekzekutiv në Kosovë, ka të drejtën e një ceremoniali të veçantë në të gjitha aspektet zyrtare dhe jozyrtare të jetës dhe aktivitetit të tij. Kryeministrit gjithsecili i drejtohet, "Z. Kryeministër".

 

2.  Bashkëshortja/i e Kryeministrit është personalitet publik dhe ka të drejtë të japë pritje dhe të organizojë aktivitete të ndryshme shoqërore, humanitare dhe me përfaqësues nga Misioni Diplomatik. Bashkëshortes së Kryeministrit gjithsecili i drejtohet Znj. (vijon mbiemri).

 

3.  Në rastet kur Presidenti i Republikës është i pamartuar ose i ve, bashkëshortja e Kryeministrit fiton të gjitha privilegjet e Zonjës së Parë të vendit deri në ndryshimin e statusit familjar të Presidentit, por emërtimi i saj zyrtar nuk është Zonjë e Parë.

 

4.  Bashkëshortja e Kryeministrit e shoqëron bashkëshortin në vizitat që kryen, merr pjesë, sipas dëshirës, në aktivitetet dhe ceremonitë që zhvillohen, por jo në takimet zyrtare. Gjatë këtyre ajo gëzon të drejtën e një programi të veçantë protokollar.

 

5.  Fëmijët në moshë madhore të Kryeministrit, që jetojnë me të, kur marrin pjesë të ftuar në ceremoni të ndryshme formale, barazohen me rangun këshilltar i kryeministrit. Në raste të tjera ose kur janë në moshë të vogël, nuk gëzojnë status protokollar.

 

Neni 28

Betimi i Qeverisë

 

1. Ceremonia e betimit të Qeverisë së re zhvillohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Përveç Deputetëve marrim pjesë të ftuar nga institucionet kryesore të shtetit, trupi diplomatik i akredituar në Kosovë, përfaqësues të shquar të shkencës, kulturës dhe artit, Kryetarët e Bashkësive Fetare: Islame, Katolike dhe Ortodokse dhe përfaqësues të tjerë të shquar të shoqërisë në Republikën e Kosovës.

 

2. Qeveria e kryesuar nga Kryeministri ulet në vendin e caktuar sipas renditjes në listën Qeveritare. Ceremoninë e hap Kryetari i Kuvendit. Hyn Presidenti i Republikës dhe zë vendin e caktuar. Të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë. Intonohet himni shtetëror.

 

3. Pas betimit, Qeveria e re mblidhet në selinë e Kryeministrisë në takimin e parë inagurativ dhe Kryeministri përshëndet çdo ministër për fillimin me sukses të detyrës.

 

4.  Me rastin e fillimit të detyrës, Kryeministri jep në një nga selitë Qeveritare një pritje për Misionin Diplomatik. Ftohen të gjithë shefat e përfaqësive të akredituar në Kosovë dhe personalitete të tjera. Lista përpilohet nga zyra e Kryeministrit. Organizimi i aktivitetit bëhet nga Protokolli i Shtetit.

 

 

Neni 29

Kryeministria

 

1.  Në hyrjet të selisë së Kryeministrisë qëndrojnë dy truproja nderi me uniformë ceremoniale të ndryshme nga të Presidencës.

 

2.  Rangu i Kryeministrit ka të drejtë të mbajë flamur dallues si shenjë e veçantë që identifikon shkallën e hierarkisë dhe autoritetin e këtij rangu për të drejtuar e komanduar. Në zyrën e Kryeministrit, mbrapa ulëses së tij qëndrojnë dy flamurë, në të djathtë flamuri shtetërorë dhe në të majtë flamuri dallues i Kryeministrit.

 

3. Kryeministri merr pjesë në pritje të ndryshme që jepen nga Misionet Diplomatike të akredituara në Kosovë. Në pamundësi të pjesëmarrjes, Kryeministri dërgon në këto aktivitete një nga përfaqësuesit e tij kryesor.

 

 4.  Protokolli i zyrës së Kryeministrit drejtohet nga Shefi i Protokollit të Kryeministrit. Ai është përgjegjës për pritjet dhe përcjelljet që bëhen në zyrën e Kryeministrit, lëvizjet dhe aktivitetet që bëhen brenda territorit të Kosovës, në përputhje me protokollin e shtetit.

 

 

Neni 30

Pritje në Kryeministri

 

1.  Në selinë e tij Kryeministri i Republikës së Kosovës pret dhe përcjell vizitorë sipas një programi të miratuar që më parë. Kreun e shtetit të huaj e pret dhe e përcjell deri pranë automjetit, ndërsa homologun deri në hyrje të selisë. Ceremonitë zyrtare me vizitorë të huaj drejtohen nga Protokolli i Shtetit.

 

2.  Dy orë para mbërritjes, ngrihet në vendin e caktuar mbi hyrje flamuri i shtetit mik, në krah të majtë të flamurit të Republikës së Kosovës. Flamujt e të dy vendeve vendosen në sallën e takimit ose me përmasa të vogla, në tavolinën e bisedimeve zyrtare.

 

3. Në vizitat zyrtare zhvillohet ceremonia e nderit. Ajo mund të zhvillohet në aeroport, në selinë e Kryeministrit ose në një seli tjetër qeveritare sipas skemës së përcaktuar.

 

4.  Në vizita jozyrtare nuk zhvillohet ceremonia e nderit. Kryeministri e pret vizitorin mik në hyrjen e selisë së Kryeministrisë. Sipas rastit, së bashku me Kryeministrin presin 2-3 shoqërues zyrtarë të tij, personat e ngarkuar me protokollin, shtypin dhe përkthyesi.

 

5.  Kryeministri i Republikës së Kosovës pret miq të nivelit të lartë si President shteti dhe Kryeministër të huaj edhe në ambientet e Rezidencës së Presidentit dhe me seli të tjera qeveritare. Në to mund të zhvillohet e njëjta ceremoni nderi. Për miqtë, Kryeministri shtron, sipas rastit, drekë ose darkë zyrtare.

 

6.  Në rastet kur Kryeministri takohet me vizitorë të huaj të nivelit ministër, sekretar shteti ose autoritete të të njëjtit nivel me ta, pritja e tyre bëhet në sallën e takimit.

 

 

Neni 31

Pritje në Ministrinë e Punëve të Jashtme

 

1.  Ministria e Punëve të Jashtme organizon me Misionin Diplomatik pritje të ndryshme, duke përfshirë në to, sipas rastit, edhe personalitete të Republikës së Kosovës të jetës politike e sociale.

 

2. Drejtuesit e saj kryesorë marrin pjesë, për shkak të detyrës, në shumë pritje ose aktivitete shtetërore, zyrtare dhe private, kur janë të ftuar nga autoritetet organizatore dhe kur në to marrin pjesë përfaqësues të Misionit Diplomatik apo delegacione të huaja të ndodhura për vizitë në Kosovë.

 

3. Ministri i Punëve të Jashtme, së bashku me bashkëshorten, ka të drejtën të organizojë pritje dhe aktivitete diplomatike, sipas momentit dhe qëllimeve që kërkon të realizojë nëpërmjet tyre. Kjo përcaktohet në përputhje me synimet politike që ai vetë ka miratuar.

 

4.  Pritja e parë e Ministrit të Punëve të Jashtme jepet sapo fillon detyrën zyrtare. Pritja jepet brenda orarit zyrtar, vetëm për shefat e përfaqësive diplomatike ose jashtë orarit zyrtar, nëse ftohen së bashku me bashkëshortet.

 

 

 

KREU  V

 

 

Neni 32

VIZITA DHE TAKIME

 

1.  Protokolli i Shtetit të Republikës së Kosovës parashikon këto lloj vizitash:

 

1.1.  Shtetërore (vetëm nga President shteti);

 

1.2.  Zyrtare;

 

1.3.  Pune;

 

1.4.  Kortezie, Private.

 

2.  Vizitat dhe takimet ndërshtetërore të Presidentit, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme në Republikën e Kosovës organizohen nëpërmjet kanaleve diplomatike dhe asistohen nga Protokolli i Shtetit.

 

3.  Ftesat duhet të bëhen nga Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Ministri i Punëve të Jashtme, homologëve të tyre të huaj gjatë takimeve që mund të kenë me ta ose edhe zyrtarisht, nëpërmjet përfaqësuesve diplomatikë.

 

4.   Ftesat dërgohen nëpërmjet Protokollit të Shtetit.

 

5.  Palët bien dakord nëpërmjet kanaleve diplomatike për kohën e vizitës, si dhe për kohëzgjatjen e saj.

 

6.  Kur kryetari i delegacionit është President Shteti, Kryetar Parlamenti, Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, në mjete te komunikimit jepet një biografi e shkurtër e jetës dhe e veprimtarisë së tij, e shoqëruar me një përmbledhje të shkurtër të historikut të marrëdhënieve midis dy vendeve.

 

7.  Disa ditë përpara datës së caktuar të mbërritjes së delegacionit, hartohet programi përfundimtar i vizitës. Në program parashikohen, mënyra e pritjes dhe e përcjelljes, përbërja e delegacioneve, zhvillimi dhe formati i bisedimeve, marrëveshjet, nëse ka të tilla, takimet me personalitetet e vendit, vizita në qendra të ndryshme kulturore-turistike, të dhëna mbi vendin dhe klimën e tij etj.

 

8.  Hartimi i programit bëhet duke bashkëpunuar ngushtë me përfaqësinë diplomatike të vendit nga vjen delegacioni. Përfaqësisë diplomatike i jepet një kopje e programit përfundimtar disa ditë përpara mbërritjes së delegacionit.

 

 

Neni 33

Pritja e delegacioneve të huaja të nivelit të lartë

 

1.  Në raste vizitash shtetërore dhe zyrtare zhvillohet gjithmonë ceremonia e plotë e pritjes me truprojën e nderit dhe ekzekutimin e himneve shtetërorë.

 

2. Delegacioni i huaj i nivelit President Shteti, Kryetar Parlamenti, Kryeministër, Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së dhe i NATO-s, President i KE-së dhe i një rangu me ta, pritet me ceremoninë përkatëse në Aeroportin e Prishtinës ose në selinë e autoritetit që e ka ftuar. Kjo fiksohet në programin e vizitës dhe miratohet paraprakisht nga personaliteti pritës i Republikës së  Kosovës.

 

3. Personalitetet e Republikës së Kosovës prezantohen nga autoriteti i Republikës së Kosovës, kurse personeli diplomatik prezantohet nga ambasadori përkatës.

 

4.  Kur delegacioni kryesohet nga Ministri i Mbrojtjes, ceremonia zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Forcës se Sigurisë ose në repartin ushtarak të përcaktuar që më parë sipas programit.

 

5. Kur kryetari i delegacionit është Kryeministër dhe takohet me Presidentin, ky i fundit shoqërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme dhe në mungesë të tij nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme.

 

6. Në të gjitha rastet e vizitave të delegacioneve në nivel President Shteti, Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, thirret ambasadori i Republikës së Kosovës i akredituar në vendin nga vjen delegacioni dhe renditet i dyti në listën e delegacionit të Republikës së Kosovës, përveç rastit kur në të marrin pjesë dy nga personalitetet e mësipërme.

 

7. Gjatë kohës që miku i lartë qëndron në Kosovë, në selinë ku ai vendoset, ngrihet flamuri i tij shtetërorë, i cili qëndron i shpalosur deri në largimin e mysafirit.

 

8.  Delegacioni i huaj, në vizitat që mund të bëjë në qytetet e tjera të Kosovës shoqërohet nga një personalitet i lartë i përcaktuar që më parë nga Protokolli i Shtetit. Në këto raste delegacionit i uron mirëseardhjen Kryetari i Komunës dhe autoritete të tjera të pushtetit lokal. Përcjellja e delegacionit bëhet në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët persona që e presin.

 

 

Neni 34

Përdorimi i sallës për personat e rëndësisë së veçantë të aeroportit

 

1. Salla për personat e rëndësisë së veçantë në Aeroportin e Prishtinës është e formuar nga dy ose më shumë mjedise. Shfrytëzimi i mjediseve të sallës (për personat e rëndësisë së veçantë) të aeroportit rregullohet me akt të veçantë nënligjor nga Ministria e Punëve të Jashtme.

 

2. Përdorimi i sallave për personat e rëndësisë së veçantë bëhet pa anashkaluar kontrollin e sigurisë së bagazheve dhe të personave. Ky kontroll përjashtohet vetëm për nivelin President, Kryetar Kuvendi, Kryeministër, Ministër i Jashtëm, Ministra dhe homologët e tyre të huaj. Çdo person tjetër që përdor sallën për personat e rëndësisë së veçantë dhe çdo delegacion në përgjithësi, u nënshtrohet procedurave të kontrollit.

 

Neni 35

Bisedimet

 

1.  Bisedimet zyrtare ndërmjet dy delegacioneve zhvillohen në tavolinë, e cila përgatitet që me parë. Delegacionet zënë vend përballë njëri-tjetrit sipas rangut. Në qendër qëndron kryetari i delegacionit. Në tavolinë vendosen flamuj të vegjël shtetërorë. Vendasit zënë vend me shpinë nga dritarja ose përballë hyrjes, kurse miqtë, përballë tyre. Mund të vendosen edhe flamuj të mëdhenj shtetërorë.

 

2.  Nëse takimi është i karakterit formal ose kortezie dhe në rang jo të barabartë, zhvillohet në një sallon pritje.

 

3.  Takimet homologe dypalëshe zhvillohen në tavolina drejtkëndëshe, ato trepalëshe në tavolinë në formë U, me delegacionin pritës në qendër dhe, nëse janë katër delegacione, përdoret një tavolinë katrore.

 

4.  Nëse delegacionet janë pesë ose më shumë, përdoret tavolinë vezake ose drejtkëndëshe, ku delegacioni pritës qëndron në pjesën e ngushtë të saj. Në rastet kur është e nevojshme që të evidentohet barazia formale e pjesëmarrësve dhe të evitohet pozicioni hierarkik i kryesimit të takimit, atëherë përdoret tavolinë katrore ose e rrumbullakët.

 

5.  Në të gjitha llojet e bisedimeve lejohet pjesëmarrja fillestare e medias dhe bëhen fotografi zyrtare të delegacioneve ose të kryetarëve të tyre. Lejohen sekretarët e stenografisë.

 

 

Neni 36

Nënshkrimi i marrëveshjeve

 

1.  Nënshkrimi i marrëveshjeve dy ose më shumë palësh është një moment solemn, i cili kërkon një protokoll të veçantë dhe të kujdesshëm. Ceremonia duhet të respektojë këto rregulla bazë:

 

1.1. Tavolina e nënshkrimeve duhet të ketë madhësi të përshtatshme me numrin e nënshkruesve, të cilët ulen të gjithë nga e njëjta anë e saj.

 

1.2. Autoriteti pritës e vendos mikun në krah të djathtë. Nëse janë më shumë se dy, vendasi qëndron në mes.

 

1.3. Në tavolinë vendosen që më parë dosjet e marrëveshjes dhe penat.

 

1.4. Pas nënshkruesve vendosen flamujt shtetërorë dhe përfaqësues, të cilët duhet të jenë të të njëjtës madhësi. Mundet që përveç flamujve të mëdhenj të vendosen edhe flamuj të vegjël tavoline.

 

1.5. Të paktën dy vetë ndihmojnë nënshkruesit gjatë procedurës së nënshkruarjes.

 

1.6. Media sistemohet përballë tavolinës së nënshkrimeve, jo më pak se 2-3m distancë.

 

1.7. Delegacionet përkatëse zënë vend në krah të kryetarit të tyre ose pas tij.

 

1.8. Nëse marrëveshja nuk nënshkruhet nga autoritetet më të larta prezent në ceremoni, këta të fundit zënë vend pas nënshkruesve ose ulur në tavolinë në mes të tyre.

 

 

Neni 37

Shkëmbimi i dhuratave

 

1. Në rastet e vizitave, takimeve dhe në përgjithësi gjatë ushtrimit të detyrës shtetërore, personaliteteve të larta të shtetit u jepen dhurata nga njerëz dhe institucione. Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, shkëmbejnë dhurata në shenjë kortezie.

 

2.  Vlera e dhuratës nuk duhet të kapërcejë kufijtë e mirësjelljes, rregullat apo limitet ligjore që shtete të ndryshme mund të kenë vendosur, si dhe reciprocitetin. Për çdo dhuratë të dhënë hartohet dokumentacioni përkatës përshkrues. Institucionet rekomandohen të bëjnë personalizimin e dhuratave.

 

3.  Autoritetet kryesore nuk i shkëmbejnë vetë dhuratat në takimet zyrtare, përveç rasteve të veçanta kur bihet dakord që më parë për këtë. Në çdo rast tjetër, dhuratat shkëmbehen nëpërmjet protokolleve përkatëse.

 

 

Neni 38

Pritja e delegacioneve jo të nivelit të lartë

 

1. Kur delegacionet e huaja që vijnë në Republikën e Kosovës kryesohen nga personalitete të nivelit ministër dhe më ulët, priten dhe përcillen nga përfaqësues të Republikës së Kosovës të të njëjtit rang me ta.

 

2.  Këto delegacione priten pa ceremoni zyrtare dhe ngritje flamuri. Flamurët e të dy vendeve ngrihen në ministritë përkatëse vetëm kur delegacioni kryesohet nga Ministri i Punëve të Jashtme ose Ministri i Mbrojtjes.

 

3.  Delegacionet e huaja të kryesuara nga nivel ministri mund të priten në takime të veçanta nga Presidenti i Republikës dhe Kryeministri, bazuar në kërkesën e tyre pranë Protokollit të Shtetit. Delegacionet legjislative të të njëjtit rang priten nga Kryetari i Kuvendit. Në çdo rast merret mendimi paraprak i drejtorisë përkatëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

 

4.  Në të gjitha rastet e vizitave të nivelit ministër ose të barabartë me të, vihet në dijeni për programin e vizitës Policia e Kosovës jo më vonë se dyzetetetë (48) orë përpara mbërritjes së personalitetit të huaj.

 

5.  Ceremonia e pritjes së një Ministri Mbrojtje ose ushtaraku të lartë, kur bëhet në Ministrinë e Forcës së Sigurisë ose në një objekt ushtarak, zhvillohet në prani të truprojës ushtarake të nderit dhe drejtohet nga protokolli i Ministrisë së Forcës se Sigurisë.

 

 

Neni 39

Përcjellja e delegacioneve të Republikës së Kosovës të nivelit të lartë

 

1. Kur Presidenti i Republikës, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm udhëtojnë jashtë shtetit për vizitë shteti ose zyrtare, mundet që 1 ditë më parë udhëton për në vendin pritës një punonjës i protokollit të institucionit përkatës ose Protokollit të Shtetit, i cili njihet me përgatitjet, vendin dhe programin e vizitës ose këtë aktivitet e kryen përfaqësia diplomatike e Republikës së Kosovës e akredituar në vendin përkatës.

 

2.  Delegacioni i lartë përcillet në aeroport nga Drejtori i Protokollit të Shtetit ose zëvendësi. Në përcjelljen e Presidentit të Republikës si rregull marrin pjesë, gjithashtu Sekretari i Presidencës ose shefi i Kabinetit dhe anëtarë të stafit të tij. Merr pjesë edhe ambasadori i vendit përkatës.

 

3.  Në përcjelljen e Kryeministrit marrin pjesë Sekretari i Përhershëm i Kryeministrisë, Shefi i Kabinetit të Kryeministrit dhe Drejtori i Protokollit të Shtetit ose zëvendësi.

 

4.  Në përcjelljen e Ministrit të Punëve të Jashtme merr pjesë Shefi i Kabinetit dhe Drejtori i Protokollit të Shtetit ose zëvendësi i tij. Në rastet e vizitave zyrtare asiston edhe ambasadori i vendit përkatës.

 

5.  Autoritetet e mësipërme vijnë në aeroport vetëm disa çaste përpara ngritjes së aeroplanit. Anëtarët e tjerë të delegacionit kryejnë të gjitha formalitetet përpara mbërritjes së autoritetit dhe hipin të parët në aeroplan. Personi i ngarkuar me protokollin e personalitetit kryen të gjitha formalitetet përpara mbërritjes së tij në aeroport.

 

 

 

Neni 40

Pritja e personaliteteve të rëndësishëm pa rang zyrtar

 

1.  Nëse në Republikën e Kosovës vijnë për vizitë të ftuar nga autoritetet e larta të vendit, personalitete të veçanta pa rang zyrtar, por të rëndësishëm dhe të nivelit të lartë në vendin e tyre si, princ jotrashëgimtar, drejtues fondacionesh të rëndësishme, përfaqësues të mëdhenj të artit, kulturës, të familjeve të mëdha botërore ose të tjerë të barabartë me këtë nivel, ndaj tyre zbatohet një protokoll i veçantë.

 

2.  Nëse ardhja e tyre është negociuar në rrugë diplomatike, priten nga zyrtarë të Protokollit të Shtetit, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe trajtohen si vizitorë me status diplomatik. Nivelin e pritjes e përcakton Protokolli i Shtetit.

 

 

Neni 41

Radha e përparësisë së rangjeve zyrtare

 

1.  Në Republikën e Kosovës, përparësia e rangjeve zyrtare ndahet në tre grupe kryesore:

 

1.1. Grupi I: Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe ish Presidentët.

 

1.2.  Grupi II: Nënkryetarët e Kuvendit, Zëvendëskryeministrat, Ministrat e Qeverisë sipas listës së dekretimit, Ambasadorët e huaj, Kryetarët e Grupeve Parlamentare, Kryetarët e Komisioneve Parlamentare, Deputetët, Ambasadorët e Republikës së Kosovës në detyrë, Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Kryetari i Gjykatës Supreme, Kryetari i Kryeqytetit, Avokati i Popullit, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Guvernatori i Bankës Qendrore, Prokurori i përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Komandanti i Përgjithshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Drejtori i Policisë së Kosovës, Drejtori i AIK, Kryetarët e Bashkësive Fetare: Islame, Katolike dhe Ortodokse, të ngarkuarit me Punë në Republikën e Kosovës, Kryetarët e Komunave, Këshilltarët e parë Politik të Presidentit dhe të Kryeministrit, Rektori i Universitetit Publik, Ushtarak me gradën Gjeneral, Sekretari i Përhershëm i Presidencës, Kuvendit dhe Zyrës së Kryeministrit dhe këshilltarët e parë të Ministrave.

 

1.3.  Grupi III: Kryesuesit e Kuvendeve Komunale, Sekretarët e Përhershëm të Ministrive, Drejtorët e Agjencioneve dhe Instituteve në nivel vendi, Kryetarët e Gjykatave të Qarkut, Prokurorët Publik të Qarkut, Drejtori i Muzeut, Drejtori i Arkivit, Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Kryetari i Odës Ekonomike, Drejtorët e Drejtorive në Kuvendet Komunale, Kryetarët e Partive joparlamentare, Këshilltarët e Kuvendeve Komunal dhe drejtuesit e Organizatave Joqeveritare.

 

 

Neni 42

Përparësia në Republikën e Kosovës

 

1.  Ndër të kualifikuarit me të njëjtin rang përparësinë e ka më i vjetri në detyrë dhe më tej më i vjetri në moshë.

 

2.  Ndër të kualifikuarit me rang të barabartë prioritetin e ka një i huaj.

 

3.  Krerët e Shteteve kanë të gjithë rang të barabartë, presidentë apo mbretër qofshin, prandaj përparësia vendoset mbi bazën se kush është më i vjetër në detyrë dhe më tej në moshë.

 

4.  Personat "ish" dhe të dalë në pension radhiten më poshtë se ata që kanë zënë vendet e tyre në detyrë.

 

5.  Në raste ceremonish të një natyre specifike, e cila lidhet me ngjarje dhe manifestime të një karakteri të përcaktuar, mund të ndodhë që të bëhen përjashtime në radhën e përparësisë së rangjeve. Në këto raste është natyra e ceremonisë që kushtëzon edhe radhën e vendosjes ndryshe të personaliteteve. Kjo bëhet brenda limiteve të caktuara dhe sipas një programi të miratuar që më parë. p.sh. Në një manifestim të armës së Policisë së Shtetit, vendi i drejtorit të përgjithshëm të policisë duhet të jetë pranë Ministrit të Punëve të Brendshme. Në inaugurime objektesh apo festa lokale, rangu drejtues përkatës qëndron pranë personalitetit më të lartë të pranishëm. Në takime pune, funksionarë të ndryshëm, sekretarë të përhershëm të Presidencës, Qeverisë, Kuvendit, vendosen pas personaliteteve të tyre.

 

6.  Në manifestimet publike, shënimin e festave zyrtare, memoriale, festave lokale, përkujtimeve, ceremonive komemorative renditja behët konform përparësisë së rangjeve zyrtare të këtij Ligji.

 

 

Neni 43

Përparësia e organeve të pushtetit lokal

 

Për përcaktimin e radhës së përparësisë së organeve të pushtetit lokal, Protokolli i Shtetit vendos në konsultim me Ministrinë e Pushtetit Lokal.

 

 

Neni 44

Elemente të ceremonive zyrtare

 

1.  Ecja zyrtare, organizohet duke respektuar radhën e parë të saj, e cila si rregull duhet të jetë me numër tek. Vendi i nderit është në mes sipas renditjes: 4-2-1-3-5. Kur numri i personave të caktuar në radhën e parë është çift, vendi i nderit është në të djathtë: 1-2-3-4.

 

2.  Kur personalitetet nisen për të zënë vend në një tribunë, ata ecin në mënyrë të tillë: 2-1-3 dhe në fund të lëvizjes personalitetet zënë vendet e caktuara nga protokolli.

 

3.  Vendi i nderit, konsiderohet ai në krah të djathtë nëse kemi dy vende ose i mesit, nëse janë tre. I dyti për nga rëndësia vjen vendi në të djathtë të vendit të mesit, i treti ai në të majtë dhe kështu me radhë. Nëse janë dy personalitete të të njëjtit rang, atëherë vendosen të dy në mes duke pasur në të dy krahët një numër të barabartë shoqëruesish.

 

4.  Përcaktimi i vendeve në salla ndjek radhën e përparësisë së rangjeve të pjesëmarrësve. Pika e referimit është kolltuku e mesit në radhën e parë ose kolltuku e parë në të djathtë të rrugëkalimit në të cilën ulet personi më i rëndësishëm.

 

5.  Për të respektuar ceremonialin duhet të përpilohet një hartë e qartë me mënyrën e ndarjes së vendeve sipas emrave të pjesëmarrësve në ceremoni dhe që ju shpërndahet pjesëmarrësve bashkë me ftesat.

 

 

Neni 45

Ceremoni inaugurimi

 

Nëse autoritetet më të larta të shtetit marrin pjesë në inaugurime të objekteve, veprave dhe prodhimeve të reja, kjo përbën një ceremoni solemne, e cila organizohet me kujdesin e duhur.

Të ftuarit përcillen në të njëjtën mënyrë si priten.

 

 

Neni 46

Ceremoni emërimi në detyrë

 

1. Çdo institucion ka detyrimin moral të bëjë të njohur zyrtarët që fillojnë punë në të. Në funksion të kësaj zhvillohet një ceremoni e thjeshtë, gjatë së cilës bëhet prezantimi i personit, i aftësive dhe aktivitetit të tij dhe më pas bëhet betimi. Nëse objekti është një grup të emëruarish të rinj, prezantimin mund ta bëjë edhe titullari i institucionit.

 

2. Ministria e Punëve të Jashtme zhvillon ceremoninë e përcjelljes së ambasadorëve të akredituar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës në vendet e tjera. Në ceremoni, përveç zyrtarëve të institucionit, ftohen të marrin pjesë edhe ambasadorët e vendeve përkatëse.

 

 

KREU  VII

CEREMONITË KRYESORE ZYRTARE

 

 

Neni 47

Festat zyrtare dhe publike

 

1. Festat zyrtare dhe memoriale dhe ceremonitë e tyre ne Republikën e Kosovës janë te përcaktuara me ligj dhe me Komisionin Republikan për përcaktimin e festave memoriale dhe festave te shënuar.

 

2. Mënyra e shënimit të festave zyrtare dhe memoriale rregullohet me akt nënligjor të Qeverisë.

 

 

Neni 48

Zija shtetërorë

 

1. Zija është një ceremoni solemne e respektit shtetëror e qytetar që zhvillohet në frymën e vlerave më të larta njerëzore dhe parimeve universale të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe lirisë të përcaktuar më Kushtetutë.

 

2. Zi shtetërorë mbahet për:

 

2.1.  personalitete të larta shtetërore e publike;

 

2.2.  personalitete të shquara të komunitetit ndërshtetërorë me origjinë Kosovare;

 

2.3.  njerëz që sakrifikojnë jetën e tyre në krye të detyrës;

 

2.4.  fatkeqësi të rënda njerëzore që prekin thellë ndërgjegjen e kolektivitetit;

 

3. Zija shtetërorë shpallet me vendim të Presidentit dhe i komunikohet Misionit Diplomatik nëpërmjet Protokollit të Shtetit.

 

4. Kohëzgjatja e zisë përcaktohet nga Presidenti.

 

 

Neni 49

Ceremonitë mortore

 

1. Sipas rastit përcaktohet formimi i një komisioni të veçantë për organizimin e ceremonisë mortore.

 

2. Ceremonitë mortore në Republikën e Kosovës janë shtetërore, zyrtare, ushtarake dhe jo të plota zyrtare e ushtarake. Të gjitha llojet e ceremonive janë të rëndësishme, të cilat programohen deri në imtësitë më të vogla për të ruajtur solemnitetin dhe manifestuar respektin e merituar. Ceremonitë ushtarake organizohen nga protokolli i Ministrisë e Forcës së Sigurisë.

 

3.   Rangjet të cilave u takon t'u bëhet funeral shteti janë:

 

3.1.  Presidenti i Republikës në detyrë;

 

3.2.  Ish Presidentët;

 

3.3.  Kryetari i Kuvendit në detyrë;

 

3.4.  Kryeministri;

 

3.5.  Çdo personalitet tjetër që përcaktohet me vendim të Qeverisë.

 

4. Në rastin e ceremonisë mortore që organizohet për një President, Kryetar Kuvendi ose Kryeministër, arkivoli vendoset në shtratin e topit i mbuluar me flamur shtetërorë dhe shoqërohet nga truproja e nderit të Republikës.

 

5. Lëshimin e arkivolit në varr shoqërohet me të shtëna nga truproja e nderit. Të gjitha personalitetet zyrtare pjesëmarrëse në ceremoni duhet të vendosin një shirit të zi në krahun e majtë. Ushtarakët marrin drejtqëndrim. Nderimi me të shtëna arme u rezervohet:

 

5.1.  Presidentit të Republikës          21 të shtëna

 

5.2.  Kryetarit të Kuvendit                19 të shtëna

 

5.3.  Kryeministrit                           19 të shtëna

 

5.4.  Ministrave                              15 të shtëna

 

5.5.  Komandantit të FSK-së          15 të shtëna

 

 

Neni 50

Ceremoni mortore shtetërore

 

1  Kur Qeveria vendos për kryerjen e një ceremonie shtetërore mortore dhe familja e të ndjerit e pranon këtë lloj funerali, formohet një komision, ku bën pjesë edhe Protokolli i Shtetit.

 

2.  Protokolli i Shtetit bashkërendon punën me Institucionet tjera.

 

3.  Pranë arkivolit krijohet një vend i posaçëm për familjen dhe të afërmit e të ndjerit. Në hyrje vendoset tavolina me Librin e Ngushëllimeve. Mbi të vendoset portreti i të ndjerit dhe në të djathtë flamuri shtetërorë. Në të dy krahët mbajnë drejtqëndrim dy truproja nderi.

 

4. Arkivoli vendoset në mbajtësen e posaçme. Truproja e nderit merr drejtqëndrim "për nder armë" gjatë lëvizjes së arkivolit. Personaliteti i caktuar bën përshëndetjen e rastit (3) minuta. Nga arkivoli hiqet flamuri me palosje dhe arkivoli vendoset pranë varrit.

 

5.  Lëshimi në varr e arkivolit paraprihet nga të shtënat e nderit. Skuadra përbëhet nga pesë (5) deri shtatë (7) ushtarë dhe komandohet nga një oficer. Armët mbahen dyzetepesë (45) gradë nga horizontalja, me drejtim mbi varr. Të shtënat komandohen nga oficeri i truprojës. Mbas të shtënave skuadra merr drejtqëndrim "për nder armë".

 

6.  Personalitetet e pranishme ngushëllojnë familjen e të ndjerit dhe largohen. Shpenzimet e funeralit shtetëror mbulohen nga Qeveria.

 

Neni 51

Ceremoni mortore zyrtare

 

1. Ceremonia e homazheve organizohet me lejen e familjes, në institucionin përkatës, ku vendoset arkivoli dhe hapet Libri i Ngushëllimeve. Në orën e caktuar, kortezhi i përmortshëm niset drejt varrezave i eskortuar vetëm nga patrulla policore.

 

2.  Organizimi i ceremonisë dhe shpenzimet e funeralit mbulohen nga institucioni përkatës.

 

 

Neni 52

Vdekja e një personaliteti të huaj

 

Nëse ndërron jetë një: President Shteti, Kryeministër, Ministri Punëve të Jashtme apo një personalitet i lartë, homologët nga Republika e Kosovës vizitojnë personalisht ambasadorin e vendit përkatës. Homologu Kosovar bënë ngushëllime personalisht dhe nënshkruan në Librin e Ngushëllimeve. Autoritetet e tjera mund të dërgojnë sipas dëshirës një përfaqësues.

 

 

Neni 53

Dispozitat përfundimtare

 

Ministria e Punëve të Jashtme nxjerr akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

 

  

Neni 54

Hyrja në fuqi

 

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Ligji  Nr. 03/ L-132          

16 prill 2009   

                                                    

                                                           

Ligji shpallet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 80 paragrafi 5 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

 

 

 

 
Para >