Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 2003 / 4 PER LIKUIDIMIN DHE RIORGANIZIMIN E PERSONAVE JURIDIK NĖ FALIMENTIM
Sht 30 2007
LIGJI NR. 2003 / 4 PER LIKUIDIMIN DHE RIORGANIZIMIN E PERSONAVE JURIDIK NĖ FALIMENTIM
e diel . 30 shtator 2007

LIGJI Nr. 2003 / 4

 

PЁR LIKUIDIMIN DHE RIORGANIZIMIN E PERSONAVE JURIDIK NË FALIMENTIM

 

 

Kuvendi i Kosovës ,

 

Ne bazë të Rregullores së UNMIK-ut Nr. 2001/19, të 15 Majit 2001 mbi Kornizën Kushtetuese për Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Kosovë, dhe veçanërisht nenet 5.1, 5.7, 9.1.26 (a), 9.3.3, 11.2 ;

 

Me qëllim të promovimit të zhvillimit te një ekonomie të shëndoshë të tregut të lirë në Kosovë duke siguruar që përmbajtja e dispozitave ligjore dhe akteve tjera të nxjerrura ne përputhje me to, që rregullojnë procedurat e likuidimit dhe riorganizimit te personave juridik në falimentim të përcaktohen dhe zbatohen në përputhshmëri me përvojat më të avancuara;

 

Për këtë qëllim aprovon ligjin vijues:

Kreu 1

Dispozitat e përgjithshme

 

Neni 1

Sfera e zbatimit

 

1.1. Ky ligj definon kushtet dhe procedurat për likuidim apo riorganizim të personave juridik në falimentim dhe përcakton të drejtat dhe detyrimet për palët që marrin pjesë apo janë të prekur nga një procedurë e tillë.

1.2. Ky ligj qeveris falimentimin e personave juridik, që përfshin ortakërinë e përgjithshme, ortakërinë e kufizuar, kompanitë me stoqe të përbashkëta, dhe kompanitë me përgjegjësi të kufizuar.

1.3. Ky ligj nuk u aplikohet bizneseve personale, kompanive të sigurimit, institucioneve financiare, ofruesve të pensioneve, dhe ndërmarrjeve në pronësi shoqërore dhe publike që akoma nuk janë transferuar në persona juridik.

Neni 2

Përkufizimet

 

Sa herë që përdoren në këtë ligj fjalët dhe shprehjet në vazhdim do të kenë kuptimin vijues, përveç, nëse konteksti qartë e kërkon ndryshe ose përveç nëse me këtë ligj caktohet ndryshe:

 

“Rasti i falimentimit” do të thotë rast i filluar në bazë të këtij ligji.

 

“Pasuria e falimentimit” do të thotë e gjithë pasuria e debitorit sikur që përshkruhet në nenin 27.

 

“Data e pranimit të rastit” tregon datën kur është pranuar kërkesa.

 

“Data e fundit e paraqitjes së kërkesës” tregon datën e fundit kur mund të paraqitet kërkesa, që është gjashtëdhjetë (60) ditë pas datës së pranimit të rastit.

 

“Gjykata” do të thotë Gjykatën Ekonomike të Qarkut që është kompetente për rastin e falimentimit në bazë të nenit 5 të këtij ligji.

 

“Rregullat e përmbarimit” do të thotë rregullat e miratuara sipas nenit 3 për themelimin e procedurës së falimentimit sipas këtij ligji dhe lehtësimin e zbatimit të tij. 

 

“Personi juridik” do të thotë ortakëri me përgjegjësi të pakufizuar, ortakëri me përgjegjësi të kufizuar, shoqëri aksionere ose shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.

 

“Pengu i regjistruar” do të thotë kërkesë e mbështetur në ligj, kontratë apo vendim gjyqësor, e regjistruar në regjistrin e rregullt të pengut ose të të drejtave pronësore që i jep të drejtë kreditorit të shfrytëzojë pasurinë e tillë për pagimin e borxhit të siguruar me ndaljen e tillë.

 

“Data e paraqitjes së kërkesës” tregon datën kur është paraqitur kërkesa sipas këtij ligji.

 

“Pengu posedues” do të thotë kërkesë e bazuar në posedimin e pasurisë së debitorit në bazë të kontratës së dorëzanisë, e cila i jep parashtruesit të ankesës të drejtë të bëjë arkëtimin e borxhit nga vlera e pasurisë.

 

“Prova e kërkesës” nënkupton bazën me shkrim të kërkesës kundër debitorit.

 

“Kërkesa e siguruar” nënkupton kërkesën e siguruar me pengun e regjistruar ose pengun posedimor.

 

“Kreditor i siguruar” nënkupton kreditorin kërkesa e të cilit është e siguruar.

“Vlera e arsyeshme” domethënë shuma që një person nga një biznes i kujdesshëm që do ta konsideronte si një shumë komerciale të arsyeshme, duke marrë parasysh natyrën dhe kushtet e pronës së transferuar si dhe kushtet e biznesit dhe tregut në kohën e transferimit. 

“I brendshëm” domethënë: 

1. Një person që është pronar i njëzet apo më shumë përqind të kapitalit të ndarë të debitorit, apo është në posedim të interesave të pastërta që kontrollon debitori;

2. Një person që është anëtar i trupit qeverisës apo menaxhmentit të debitorit apo është një pozitë të kontrollit të substencial mbi debitorin;

3. Një person me qasje në informacione që në përgjithësi nuk janë të hapura për publikun, që kanë të bëjnë me vendimet apo kushtet financiare të debitorit; dhe

4. Anëtar i familjes së ngushtë apo kushërinj të afërt të atyre të përmendurve në paragrafët (1), (2) dhe (3) të këtij paragrafi.

Neni 3

Rregullat e Zbatimit

 

Brenda katërdhjetë e pesë (45) ditësh pas nxjerrjes së këtij ligji Qeveria e Kosovës do ti nxjerr rregullat e ekzekutimit.

           

Neni  4

Debitori i falimentit

 

Çdo person juridik mund të jetë debitor sipas këtij ligji, përveç:

 

(a) agjencisë qeveritare;

(b) ndërmarrjes në pronësi shoqërore ose ndërmarrjes në pronësi publike, siç përcaktohet në Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2000/12 “Mbi Themelimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit”;

(c) “Siguruesit të pensionit” siç definohet në Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2001/13 “Mbi Pensionet në Kosovë”;

(d) Një “Kompanie të sigurimit” ose “ndërmjetësi të sigurimit” siç definohet në Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2001/15 “Mbi Licencimin, Mbikëqyrjen dhe Rregullimin e Kompanive të Sigurimit dhe Ndërmjetësve të Sigurimit”, ose

(e) “Institucionit financiar” siç definohet në Rregulloren Nr. 2001/24 “Ndryshimet e rregullores së UNMIK-ut Nr. 1999/20 Mbi Autoritetin Bankar dhe të Pagesave të Kosovës”.

 

Neni 5

Kompetenca

 

Rastet e falimentimit do të shqyrtohen në Gjykatën Ekonomike te Qarkut kompetente në zonën gjeografike ku ndodhet vendi i afarizmit kryesor të debitorit. 

 

Neni 6

Ankesat

 

 

 

6.1 Vetëm vendimet përfundimtare të gjykatës që kanë të bëjnë me çështjet vendimtare të administrimit të rastit të falimentimit janë objekt i ankesës.

 

6.2 Përveç kur Gjykata supreme ndryshe urdhëron ankesa në vendimet sipas këtij ligji nuk do të ndërprenë ose ndikojnë në administrimin e rastit, dhe gjykata do të vazhdojë procedimin e rastit.  

Kreu 2

Fillimi i procedurës

 

Neni 7

Bazat për fillimin e rastit të falimentimit

 

 

 

7.1 Rasti i falimentimit fillon me paraqitjen e kërkesës me shkrim në gjykatë. Paraqitja e kërkesës mbështetet në kompetencën e gjykatës të përcaktuar sipas këtij ligji.

 

7.2 Kërkesë mund të paraqet debitori, kreditori, apo grupi i kreditorëve.

 

7.3 Debitori mund të paraqet kërkesë vetëm:

 

(a)  me pëlqimin e bordit te drejtorëve ose organit udhëheqës në përputhje me statutin, dokumentet e themelimit ose marrëveshjen e ortakërisë; dhe

 

       (b) nëse debitorët i plotësojnë kushtet vijuese:

 

                  (1) debitori ka dështuar në pagimin e borxhit te cilit i ka kaluar afati së paku

                   gjashtëdhjetë (60) ditë;

 

                  (2) shuma e përgjithshme e borxhit të cilit i ka kaluar afati tejkalon shumën

                         pesë mijë (5000) Euro;dhe

 

                  (3) debitori në përgjithësi nuk i paguan borxhet e tij brenda afatit të caktuar.   

 

7.4        Kreditori apo grupi i kreditorëve mund të paraqesin kërkesë për fillimin e rastit sipas këtij ligji kundër një debitori të zgjedhur kur:

 

a) debitori nuk e paguan borxhin e arritur ndaj kreditorit ( kreditorëve) kërkues të cilit i ka kaluar afati së paku gjashtëdhjetë (60) ditë;

 

b) shuma e përgjithshme e borxhit të çdo kreditori të cilit i ka kaluar afati tejkalon shumën prej dy mijë (2000) Euro;

 

c) borxhi nuk është i kushtëzua as nuk varet nga kontesti në mirëbesim; dhe

 

d) debitori në përgjithësi nuk i paguan borxhet e tij në afatin e paraparë.

 

7.5    Gjykata mund të prezumoj se debitori nuk i përmbush borxhet e tij të arritura në afatin e duhur ku kreditori paraqet prova te vlefshme që borxhi i tij i veçantë nuk është paguar në afatin e duhur. Prezumimi i tillë mund të rrëzohet duke ofruar dëshmi të kundërt.

 

7.6   Kërkesa e paraqitur nga më shumë se një (1) kreditor nuk mund të tërhiqet pa pëlqimin e të gjithë kreditorëve kërkues. Kërkesa mund të tërhiqet vetëm deri para pranimit të rastit dhe vetëm nëse gjykata vërteton se tërheqja nuk e dëmton pasurinë .

 

Neni 8

Forma dhe përmbajtja e kërkesës

 

Kërkesa paraqitet në formë të shkruar. Forma dhe përmbajtja e saj përcaktohet me rregullat e ekzekutimit.

 

Neni 9

Dokumentet e nevojshme për paraqitjen kërkesës së debitorit

 

 

Kërkesa e debitorit përcillet me deklarimin se ajo është pranuar në bazë të nenit 7.3 paragrafi (a), dhe debitori është insolvent në përputhje me kriteret e nenit 7.3 paragrafi (b). Rregullat e ekzekutimit mund të përcaktojnë dokumente tjera që duhet ta përcjellin kërkesën e kreditorit.

 


Neni 10

 

Njoftimi i regjistrimeve

 

 

 

Gjykata e informon regjistrin e bizneseve dhe regjistrin e pengjeve për hapjen dhe mbylljen e rastit. Procedurat për sigurimin e informimit caktohen me rregullat e ekzekutimit.

 

 

Neni 11

Pranimi i kërkesës

 

 

 

11.1 Gjykata do ta regjistrojë kërkesën menjëherë pas pranimit të saj. Data e regjistrimit është “data e paraqitjes së kërkesës”. Gjykata do ta regjistroj kërkesën pavarësisht nga ndonjë mangësi dhe shënon kohën dhe datën e regjistrimit në ballinë.

 

11.2 Gjykata do të nxjerrë vendimin mbi pranimin e kërkesës për qëllimin e fillimit të rastit. Data kur gjykata do ta nxjerrë vendimin është data e pranimit të rastit. 

a. në rast të kërkesës së debitorit, vendimi do të nxirret kur:

1. kërkesa është në pajtim me të gjitha konditat e ligjit; apo

2. parashtruesi i kërkesës ka zgjedhur ç’do të metë ligjore dhe ka parashtruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, brenda afatit kohor të caktuar nga gjykata.

b. në rast të kërkesës së kreditorit, vendimi do të nxirret kur:

1. afati kohor për debitorin të kundërshtojë kërkesën ka përfunduar dhe nuk është marrë asnjë kundërshtim; apo

2. gjykata nxjerrë vendim duke hedhur poshtë kundërshtimin e debitorit”.

11.3 Nëse kërkuesi nuk i ka siguruar dokumentet e kërkuara sipas neneve 8 dhe 9 të këtij ligji dhe rregullat e ekzekutimit të nxjerrura në përputhje me të, ose nuk ju përmbahet ligjeve ose rregullave te ekzekutimit, gjykata mund të nxjerr vendim jo më vonë se tre (3) ditë pas datës së paraqitjes së kërkesës duke përcaktuar saktë mangësitë dhe duke kërkuar që kërkuesi t’i evitoj ato brenda shtatë (7) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.

 

11.4 Nëse kërkuesi nuk i eviton të gjitha mangësitë brenda shtatë (7) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, gjykata do ta hedh poshtë kërkesën, përveç nëse, pas lutjes së kërkuesit të bërë para kalimit të afatit prej shtatë (7) ditëve të para, gjykata do të lejoj afat plotësues për shkak të ndërlikimit të rastit ose arsyeve tjera qenësore. Në këtë rast afati plotësues i dhënë nuk do të kaloj pesë (5) ditë.

 

Neni 12

Kundërshtimi i kërkesës

 

 

 

12.1 Gjykata do t’i dërgoj debitorit njoftimin dhe një kopje të kërkesës së regjistruar të kreditorit jo më vonë se një (1) ditë nga regjistrimi i kërkesës.

 

12.2 Debitori mund të paraqet kundërshtim të kërkesës duke paraqitur në gjykatë njoftimin me shkrim të kundërshtimit jo më vonë se pesë (5) ditë pas pranimit nga debitori mbi njoftimit për regjistrimin e kërkesës.

 

12.3 Nëse debitori paraqet me kohë njoftimin e kundërshtimit të kërkesës, gjykata do të mbajë seancën jo më vonë se shtatë (7) ditë pas regjistrimit të kërkesës për shqyrtimin e provave të paraqitura nga palët. Gjykata do t’i njoftojë të gjitha palët e interesuara për ditën, orën dhe vendin e mbajtjes së seancës së paku tri ditë para mbajtjes së saj.

 

12.4 Në vazhdim të seancës sipas nenit 12 paragrafi 3 të këtij ligji gjykata do të nxjerr vendim për hedhje poshtë të kërkesës nëse;

:

(a) gjykata nuk është kompetente;

 

(b) një nga kushtet e neneve 4 ose 7 të këtij ligji nuk janë plotësuar;

 

(c) një nga  kushtet e rregullave të ekzekutimit sipas neneve 8 gjer 9 të këtij ligji nuk janë plotësuar dhe të metat nuk janë evituar sipas nenit 11 të këtij ligji;

 

(d) debitori tashmë i është nënshtruar  procedurës së falimentimit;

 

(e) Kërkesat e kreditorëve kërkues janë përmbushur plotësisht që nga koha e seancës gjyqësore dhe ekziston dëshmi e mjaftueshme e përmbushjes;

 

(f) kërkuesi nuk ka zotësi për të vepruar;

 

(g) kërkuesi nuk ka paguar taksat e regjistrimit të kërkuara sipas ligjit të zbatueshëm;

 

12.5 Nëse kërkesa hidhet poshtë, gjykata do të nxjerr vendim me shkrim duke cekur arsyet e hedhjes poshtë dhe duke cituar nenet përkatëse të këtij ligji. Nga një kopje e vendimit do t’i dërgohet kërkuesit dhe debitorit.

 

12.6 Gjykata me vendim pranon apo e hedh poshtë kërkesën jo me vonë se 5 pesë dite pas mbajtjes se seancës.

 

Neni 13

Sanksionet për kërkesë të palejuar

 

 

 

13.1 Kur gjykata konstaton se kreditori ka paraqitur kërkesë nga shkaqet e palejueshme, gjykata mund ta detyroj parashtruesin e kërkesës të kompensoj dëmin e shkaktuar debitorit.

 

13.2 Kur gjykata konstaton se debitori ka paraqitur kërkesë për një qëllim të padrejtë ose në mënyrë që të mashtroj, shpërdoroj ose korruptoj gjykatën ose kreditorët, gjykata mund ta ndëshkoj debitorin ose anëtarët e veçantë të menaxhmentit te debitorit ose te organit drejtues në përputhje me kreun 11 të këtij ligji.

 

Neni 14

Pasojat e pranimit të rastit

 

14.1 Pas pranimit të rastit, gjykata :

 

(a) emëron administratorin konform nenit 17 të këtij ligji;

 

(b) cakton kohën, datën dhe vendin e seancës së parë të kreditorëve jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas datës së pranimit të rastit;

 

(c) njofton mbi emërimin e administratorit dhe seancën e parë të kreditorëve në mënyrën e përcaktuar me rregullat e zbatimit.

 

14.2 Gjykata mund të caktojë seancë paraprake gjyqësore dhjetë (10) ditë pas caktimit të seancës së kreditorëve për të shqyrtuar gjendjen e rastit dhe rezultatet e mbledhjes së kreditorëve. Debitori ose përfaqësuesi i tij mund të urdhërohet të jetë i pranishëm.

 

Neni 15

Deklarimi i qëllimit për riorganizim të debitorit

 

 

 

15.1 Në rastet që fillohen nga cilido, qoftë debitori apo kreditori, një debitor që ka për qëllim riorganizimin do t’i parashtrojë një deklaratë mbi qëllimin e riorganizimit gjykatës, jo më vonë se njëzet (20) ditë pas datës të pranimit të rastit”. 

 

15.2 Nëse administruesi beson se riorganizimi është i mundshëm, por debitori nuk ka paraqitur me kohë deklarimin e qëllimit për riorganizim, administratori mund të paraqet deklarimin paraprak të qëllimit për riorganizim jo më vonë se pesë (5) ditë pas datës së paraparë për paraqitjen e deklarimit të qëllimit për riorganizim nga debitori. Deklarimi përfundimtar i qëllimit për riorganizim do të paraqitet nga administratori jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas mbylljes së seancës së parë të kreditorëve.

 

15.3 Debitori apo administratori që paraqet deklarimin e qëllimit për riorganizim do të dorëzoj planin e riorganizimit që është në përputhje me kushtet e kreut 8 të këtij ligji.

 

15.4 Në mungesë të deklarimit me kohë të qëllimit për riorganizim të paraqitur qoftë nga debitori apo administratori, procedura e likuidimit do të fillojë në pajtim me kreun 9 të këtij ligji.

 

15.5 Administratori i emëruar në mënyrë të rregullt sipas këtij ligji do të mbetet në detyrë pavarësisht nga qëllimi i deklaruar i debitorit për riorganizim. Administratori mund t’i angazhoj punëtorët e debitorit, duke përfshirë anëtarët e menaxhmentit, të vazhdojnë punën për debitorin nën mbikëqyrjen e administratorit.

 

15.6 Ndaj paraqitjes së qëllimit për organizim qoftë paraprak apo përfundimtar nga ana e administratorit, nuk do të lejohet asnjë prapësim nga asnjë palë.

 

Neni 16

Kundërshtimi i deklarimit të qëllimit për riorganizim të debitorit

 

 

 

16.1 Përkundër paraqitjes së qëllimit për riorganizim, procedura do të shndërrohet në likuidim sipas kreut 9 të këtij ligji nëse debitori nuk është në gjendje të marr konfirmimin e planit për riorganizim ose përndryshe është i paaftë për riorganizim.

 

16.2 Parashikimi sipas nenit 16 paragrafit 1 të këtij ligji do të fillojë pas paraqitjes së kundërshtimit me shkrim kundër deklarimit të qëllimit për riorganizim të debitorit jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas paraqitjes së tij. Kundërshtimi i tillë mund të paraqitet nga administratori, çdo kreditor, grup i kreditoreve, ose palë tjetër e interesuar.  

 

16.3 Procedurat për vendosje sipas kundërshtimit do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Kreu 3

Administratori dhe bordi i kreditorëve

 

Neni   17

 

Emërimi i administratorit

 

 

17.1 Jo më vonë se dy (2) ditë pas datës së pranimit të rastit, gjykata do të emëroj administratorin.

 

17.2 Gjykata mundet, sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të palës të emëroj një administrator të përkohshëm para datës së pranimit të rastit, kur ekziston një nevojë e ngutshme të mbrohet pasuria nga dëmet ose disponimet e palejuara, ose kur ekzistojnë rrethana tjera që kërkojnë emërim të ngutshëm. 

 

17.3 Kreditorët që kanë gjashtëdhjetë (60 %) përqind apo më shumë të shumës së borxhit të papaguar të debitorit, qoftë të siguruar ose të pasiguruar, munden, në çdo moment para fillimit të seancës së parë të kreditorëve, të paraqesin kërkesë me shkrim gjykatës për zëvendësimin e administratorit të parë me një administrator nga zgjedhja e tyre, me kusht që administratori t’i plotësoj kushtet e parapara me nenin 18 të këtij ligji. Kur kërkesa e tillë është e bazuar dhe i plotëson kushtet, gjykata do të emëroj administratorin e zgjedhur jo më vonë se dy (2) ditë pas paraqitjes së kërkesës.

 

Neni 18

Kualifikimet e administratorit

 

 

 

Kualifikimet e administratorit do të sigurojnë që ai apo ajo është kompetent, person i ndershëm dhe pa konflikt interesi. Me rregullat e zbatimit mund të përcaktohen kualifikime të veçanta dhe procedurat e licencimit.

 

Neni 19

Shpërblimi dhe shpenzimet e administratorit

 

 

 

19.1 Shpërblimi dhe shpenzimet e administratorit paguhen nga burimet në të holla të debitorit ose nga të ardhurat e shitjes së pasurisë së debitorit, sipas përparësisë të vendosur me nenin 66 të këtij ligji.

 

19.2 Në rastet kur ka pak ose aspak pasuri të debitorit në diskonim për pagimin e shpenzimeve të tilla, administratorit do t’i paguhen shpenzime të caktuara nga fondi i veçantë që do të përcaktohet me rregullat e zbatimit.

 

19.3 Lartësia e shpërblimit do të jetë i mjaftueshëm për t’i tërhequr individët kompetent të shërbejnë si administrator. Procedurat për caktimin e shpërblimit të administratorit dhe afatet kohore të pagesës do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Neni 20

Autorizimet e administratorit

 

 

 

20.1 Përveç të drejtave të përcaktuara me dispozitat tjera të këtij ligji dhe rregullat e zbatimit, administratori ka të drejtë:

 

(a) të merr menjëherë në posedim pasurinë e debitorit;

 

(b) të thërret seancën e kreditorëve dhe të kryesojë seancat e tilla;

 

(c) të fillojë dhe vazhdojë procedurat gjyqësore dhe administrative që kanë të bëjnë me realizimin e të drejtave të debitorit.

 

(d) të shërbejë si përfaqësues i autorizuar zyrtarisht për pasurinë e debitorit;

 

(e) me pëlqimin e gjykatës, të punësojë dhe të mbikëqyr punën e të punësuarve të vartësve dhe ekspertëve për administrimin e drejtë të rastit;

 

(f) të mbyllë llogarinë bankare të debitorit dhe të hap llogarinë e veçantë të falimentimit në bankën e lejuar nga gjykata;

 

(g)  të bëj pagesën e kreditorëve në llogari të kërkesave të aprovuara; dhe

 

(h) të detyrojë debitorin apo përfaqësuesin e caktuar të menaxhmentit të debitorëve të paraqitet dhe të ndihmoj në marrjen e inventarit të pasurisë së debitorit.

 

20.2 Administratori është i detyruar ta rrisë vlerën e pasurisë, të mirëmbajë dhe mbrojë pasurinë, të kryejë shpejt dhe në mënyrë të bindshme zgjidhjen e rastit, dhe, kur është e duhur, të udhëheqë me biznesin e pasurisë. Me rregullat e zbatimit mund të përcaktohen detyra të veçanta të administratorit.

 

Neni 21

Raportimi për shkaqet

 

21.1      Administratori, jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas emërimit, do t’i dërgoj gjykatës një raport të shkurtër. Raporti përmban:

 

(a) përshkrimin e shkaqeve primare ose rrethanave që shpijnë në vështirësi financiare të debitorit; dhe

           

(b) deklaratën mbi atë a beson administratori se ka mundësi të arsyeshme për riorganizim të suksesshëm.

 

21.2    Raporti do të ketë vetëm natyrë informative dhe përfundimet e tij nuk do të kenë ndonjë efekt juridik. Raporti do të jetë në dispozicion për shikim nga debitori, kreditorët dhe palët tjera që kërkojnë këtë.

 

Neni 22

Statusi, përgjegjësia dhe garancioni i administratorit

 

 

 

22.1 Administratori është një person i pavarur, i emëruar nga gjykata, dhe i cili mund të paditë në emër të tij. Administratori është i detyruar që me kohë dhe kujdes, dhe detyrë të ekonomistit të mirë, ti kryejë detyrimet e dhëna.

 

22.2 Administratori nuk do të jetë përgjegjës personalisht për humbjet e shkaktuara nga kreditori, debitori, ndonjë aksionar apo ortak, pasurinë, ose ndonjë palë tjetër për pasojat ose dëmet që dalin nga vendimet e dhëna ose nga mosveprimet apo veprimet të ndërmarra brenda fushës së detyrave të tij nëse ai ka treguar kujdes dhe zell të zakonshëm në kryerjen e detyrave konform këtij ligji.

 

22.3 Administratori, jo më vonë se dy (2) ditë pas emërimit të tij, do të depozitoj një shumë në gjykatë ose të jap një obligacion në të njëjtën shumë që shërben si garanci e kryerjes së plotë të detyrave. Shuma e depozitit ose obligacionit do të përcaktohet me rregullat e zbatimit. Depozita do të kthehet apo obligacioni do të anulohet pas kryerjes së kënaqshme të detyrave nga administratori.

 

Neni 23

Raportimi

 

 

 

Administratori për punën e tij i paraqet gjykatës raport mujor. Përmbajtja minimale e raportit përcaktohet me rregullat e zbatimit.

 

Neni 24

Kundërshtimi, ankesa dhe kërkesa me dhunë

 

 

 

24.1 Debitori, kreditori, ose cilido person fizik apo juridik që paraqet interes juridik, mund të paraqet kundërshtim me shkrim ndaj çdo veprimi të administratorit, përveç për veprimet e ndërmarra gjatë rrjedhës normale të afarizmit të debitorit, ose mund të paraqet kërkesë për përmbarim të dhunshëm të çdo veprimi të detyruar nga administratori sipas këtij ligji.

 

24.2 Procedurat për vendosje sipas prapësimit ose kërkesës për detyrim përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Neni 25

Shkarkimi i administratorit

 

 

 

25.1 Gjykata mund të shkarkoj administratorin sipas iniciativës së vet apo kur nga kërkesa me shkrim e debitorit ose cilitdo kreditor apo vet administratorit provohet shkaku i mjaftueshëm, dhe të emëroj administratorin e ri. Administratori i shkarkuar do të bashkëpunoj me administratorin e ri në dorëzimin e regjistrave, bartjen e llogarive dhe aspektet tjera të pranim dorëzimit.

  

25.2 Kriteriumet për vendosje se kur ekzistojnë shkaqet e mjaftueshme për shkarkim përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Neni 26

Bordi i kreditorëve

 

 

 

26.1 Në bordin e kreditorëve do të përfshihen së paku tre (3) dhe jo më shumë se pesë (5) kreditorë prej atyre me kërkesat më të mëdha të pasiguruara apo pjesërisht të siguruara dhe të cilët dëshirojnë të veprojnë. Nëse më pak se tre (3) kreditorë të tillë dëshirojnë të veprojnë, atëherë nuk do të themelohet bordi.

 

26.2 Të drejtat dhe detyrat e bordit të kreditorëve  janë:

 

(a) të marrë kopjen e raportit mujor nga administratori  në të njëjtën kohë si dhe gjykata;

 

(b) të pranoj njoftimet për propozimet dhe  kërkesat për veprimet e gjykatës që  ndikojnë thelbësisht në të drejtat e kreditorëve;

 

(c) të thërras debitorin ose përfaqësuesin e tij që t’ju përgjigjet pyetjeve që kanë të bëjnë me debitorin;

 

(d) të ndërmerr veprimin për anulimin e transaksioneve sipas nenit 50 të këtij ligji;

 

(e) t’ju shpërndaj informacionet e pranuara kreditorëve tjerë që nuk janë anëtarë të bordit; dhe

 

(f) të drejtat dhe detyrat tjera të parapara qoftë shprehimisht apo në mënyrë të nënkuptuar me këtë ligj ose legjislacion të nxjerra në përputhje me të.

 

26.3 Procedurat e mbledhjeve të kreditorëve ose bordit të kreditorëve do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Kreu 4

Pasuria e falimentimit

 

Neni 27

Pasuria e falimentimit

 

 

 

27.1. Me regjistrimin e kërkesës themelohet pasuria e bankrotimit që përbëhet nga e gjithë pasuria e debitorit në kohën e paraqitjes së kërkesës, si dhe nga e gjithë pasuria e mbledhur nga administratori në emër të debitorit gjatë kohës së procedurës ose rrjedhës normale të biznesit. Pasuria e tillë do të përfshij por nuk do të kufizohet me:

 

(a) gjithë pasurinë e luajtshme, të paluajtshme, materiale dhe jomateriale, kudo që gjendet, qoftë në administrim të debitorit ose të personave të tretë;

 

(b) kërkesat dhe veprimet juridike të debitorit kundër personave të tretë;

 

(c) fitimet nga veprimet që përfshijnë të ardhurat  që arkëtohen prej transfereve të pandershme apo të privilegjuara;

 

(d) trashëgimet dhe fondet tjera të pranuara brenda gjashtë (6) muajve nga data e paraqitjes së kërkesës;

 

(e) qiradhënien, të ardhurat dhe fitimet që dalin prej përdorimit të pronësisë së  pasurisë ose nga veprimet e biznesit të debitorit; dhe

 

(f) të drejtat kontraktuese, licencat, ose të drejtat tjera të përcaktuara me dispozitat në fuqi.

 

27.2. Pa cenuar asgjë nga paragrafi 1 i këtij neni, pasuria e falimentimit nuk do të përfshijë “Mjetet e Pensioneve” ose “Të Drejtat e Fituara” siç definohet në Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2002/35 “Mbi Pensionet në Kosovë”.

 

Neni 28

Kufizimet e bartjes së pasurisë

 

 

 

28.1 Prej datës së paraqitjes së kërkesës deri në emërimin e administratorit, ndalohet shitja, disponimi, bartja apo dhënia me qira e pasurisë, duke përfshirë çdo bartje për përmbushjen e detyrimeve ekzistuese, ose krijimin e pengjeve apo hipotekave kundër pasurisë së debitorit, pa vendim të gjyqit.

 

28.2 Prej dhe nga data e emërimit të administratorit, ndalohet shitja, disponimi, tjetërsimi, bartja apo qiradhënia e pasurisë, duke përfshirë çdo bartje për përmbushjen e detyrimeve ekzistuese, ose krijimin e pengjeve ose hipotekave kundër pasurisë së debitorit, pa vendim të gjyqit, përveç për shitjen ose bartjen e pasurisë gjatë rrjedhës normale të biznesit kur biznesi vazhdon të funksionoj.

 

Neni 29

Sekuestrimi, vulosja dhe marrja e pasurisë së debitorit

 

 

 

29.1 Menjëherë pas emërimit të tij nga gjykata, administratori do të marr të gjithë masat e domosdoshme për gjetjen, sekuestrimin, vulosjen, ruajtjen dhe mbrojtjen e pasurisë së debitorit.

 

29.2 Administratori ka të drejtë t’i shes mallrat që prishen shpejt në përputhje me procedurat e parapara në nenin 62, paragrafin (a) të këtij ligji.

 

29.3 Administratori ka të drejt të shes pasurinë që kërkon shpenzime të mëdha të mirëmbajtjes në përputhje me procedurat e parapara në nenin 62, paragrafin (b) të këtij ligji.

 

29.4 Kur pasuria që është pronë e debitorit është në administrim të palës së tretë, administratori do të njoftojë mbi marrjen palën që posedon pasurinë, dhe, mundet, sipas gjykimit të tij, përkohësisht ta lënë pasurinë te pala e tretë nëse pronësia është fizikisht e sigurt dhe është e arsyeshme të veprohet kështu.

 

29.5 Kur pasuria gjendet jashtë Kosovës, administratori do t’i drejtohet gjykatave kompetente me njoftimin e sekuestrimit, vulosjes ose marrjes të pronësisë së tillë.

 

Neni 30

Inventarizimi i pasurisë

 

 

 

Administratori klasifikon dhe bënë inventarizimin fizik të pasurisë jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas emërimit të tij. Me kërkesë të administratorit, gjykata mund të zgjasë këtë afat në rastet veçanërisht të rëndësishme apo të komplikuara ose kur ekzistojnë rrethanat e arsyeshme. Procedurat për udhëheqjen e një inventarizimi të tillë përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Neni 31

Pasuria në transit

 

 

 

Nëse mallrat e shitura debitorit janë në transit, në kohën e paraqitjes së kërkesës, dhe debitori akoma nuk është pronar i tyre, shitësi mund të kërkoj kthimin e mallrave, me kusht që shitësi t’i bart të gjitha shpenzimet e shoqëruara me kthimin dhe të kthej menjëherë çdo paradhënie të bërë nga debitori. Mundësi tjetër është që administratori të marr dërgimin e mallit, me ç’rast nga pasuria paguhet e gjithë shuma e papaguar.


Neni 32

Agjencia dhe prona e mbajtur në emër të personave të tretë

 

32.1 Kur debitori është agjent ose ndërmjetës i palës së tretë i autorizuar për pranimin ose shitjen e pronës që i takon personit të tretë, kjo palë mund të heqë dorë nga kontrata me agjencinë dhe të kërkoj kthimin e pronës në administrimin e debitorit duke paraqitur kërkesë me shkrim te administratori.

 

32.2 Kur në kohën e paraqitjes së kërkesës për kthim të pronësisë nuk është e mundur të kthehet gjithë ose pjesa e pronësisë së mbajtur në administrim të debitorit në emër të palës së tretë, pala e tretë ka të drejtë të paraqet ankesë sipas çmimit të kontraktuar. Kur nuk është i mundur përcaktimi i çmimit të kontraktuar, vlen çmimi i shitjes në kohën e paraqitjes së kërkesës.

 

Kreu 5

Pushteti administrativ

 

Neni 33

Moratoriumi dhe ndërprerja e të gjitha veprimeve

 

 

 

33.1 Që nga data e pranimit të rastit, të gjitha kërkesat, procedurat ose veprimet e çdo lloji që kanë për qëllim përmbushjen e kërkesave kundër debitorit, do të ndërpriten, duke përfshirë:

 

(a) çdo veprim, përfshirë proceset gjyqësore, për arkëtimin ose përmbushjen e kërkesave për borxhet, tatimet, ndëshkimet apo detyrimet e çfarëdo  lloji që rrjedhin para datës së paraqitjes së kërkesës përveç për procedurat e paraqitjes së ankesave të përcaktuara në kreun 9 të këtij ligji;

 

(b) çdo veprim për krijimin ndryshimin, rritjen, përmirësimin, regjistrimin ose zbatimin e pengut apo hipotekës në pasuri ose kundër debitorit; dhe

 

(c) çdo veprim për realizimin, marrjen, ose shitjen e  çdo pasurie të vënë nën hipotekë të pasurisë së debitorit ose për ushtrimin e kontrollit mbi e pasurinë e tij.

 

33.2 Moratoriumi nuk do të vlejë:

 

(a) për veprimet e drejtuara kundër palëve të treta ose dorëzanëve jo-debitorë;

 

(b) veprimet e drejtuara kundër pjesëmarrësve me përgjegjësi të pakufizuar, kur debitori është shoqëri me përgjegjësi të pakufizuar ose të kufizuar dhe kur procedurat nuk drejtohen kundër pronësisë të përfshirë në pasurinë e debitorit;

 

(c) për kompensimin në bazë të nenit 49 të këtij ligji;

 

(d) për procedurat penale kundër debitorit, organeve të tij të udhëheqjes, punëtorëve ose menaxhmentit;

 

(e) për procedurat rregullative ose veprimet në lidhje me parandalimin ose zhdëmtimin e shkeljeve të shëndetit, sigurisë, apo ambientit;

 

(f) për inspektimet dhe kërkesat për inspektim të bëra nga mbajtësit e hipotekave të regjistruara ose pengjeve të plota.

  

Neni 34

Mbrojtja adekuate

 

 

 

34.1 Poseduesi i hipotekës së regjistruar të pasurisë së paluajtshme ose të luajtshme që është kolateral i moratoriumit ka të drejtë në mbrojtje adekuate të interesit të tij të siguruar në e pasurinë me qëllim të mbajtjes së gjendjes dhe vlerës së pasurisë siç ishte në kohën e paraqitjes së kërkesës.

 

34.2 Kur pasuria që është objekt i hipotekës së regjistruar ose pengut të përsosur nuk është në mënyrë adekuate e mbrojtur, kreditori i siguruar mund të paraqet kërkesë me shkrim gjykatës për dhënien e një mbrojtje plotësuese. Kërkesa e tillë mund të bashkohet me kërkesën për ndërprerjen e moratoriumit sipas nenit 36 të këtij ligji.

 

34.3 Gjykata do të marr vendim sipas kërkesës për mbrojtje adekuate jo më vonë se njëzet (20) ditë pas paraqitjes së saj, në mungesë të së cilës moratoriumi do të pushoj gjer në masën e domosdoshme që kreditori t’i ushtroj të drejtat e tij në pasurinë e siguruar.

 

34.5 Gjykata mund të urdhëroj lehtësitë vijuese si mbrojtje adekuate:

 

(a) kompensimin me mjete të rregullta të pagesës në dorë ndaj kreditorit të siguruar të njëjtë me rënien e vlerës së pasurisë ose dëmshpërblimin për humbjet e tashme apo të parashikuara;

 

(b) dhënien e pasurisë së siguruar plotësuese të mjaftueshme për kompensimin e rënies së vlerës së pasurisë ose kompensimin e humbjeve;

 

(c) dërgimin e fitimeve që rrjedhin nga shitja, përdorimi, ose tjetërsimi i kolateralit të kreditorit të siguruar, gjer në masën e ankesës së tij të siguruar;

 

(d) riparimin, mirëmbajtjen, mbulimin me sigurim ose sigurimin fizik, sipas nevojës për zgjidhjen e problemit; ose

 

(e) masat tjera mbrojtëse ose kompensuese sipas vlerësimit të gjykatës për mbrojtjen e vlerës së pasurisë së kreditorit.

 

Neni 35

Ndërprerja e moratoriumit

 

 

 

35.1 Gjykata mund të ndërprenë moratoriumin sipas kërkesës me shkrim të kreditorit të siguruar kur:

 

(a) interesi i kreditorit të siguruar nuk mund të mbrohet në mënyrë adekuate;

 

(b) vlera e pasurisë është më e vogël se shuma e përbashkët e interesit të siguruar, pengjeve apo peng ndaljeve dhe pasuria në fjalë nuk është e rëndësishme për riorganizim.

 

35.2 Gjykata do të nxjerr vendim sipas kërkesës për ndërprerje të moratoriumit jo më vonë se njëzet (20) ditë pas paraqitjes së saj, në mungesë të së cilës moratoriumi do të pushojë gjerë në masën e domosdoshme që kreditori t’i ushtrojë të drejtat e tij në pasurinë e siguruar.

 

Neni 36

Ndërprerja e afateve kufizuese

 

 

 

Vazhdimi i të gjitha afateve kufizuese për veprimet juridike kundër debitorit që ishin të ndaluara me moratorium do të ndërprehen gjatë veprimit të shtyrjes. Vazhdimi i afateve të tilla kufizuese do të rifilloj kur moratoriumi nuk zbatohet më.

 

Neni 37

Shërbimet publike

 

 

 

37.1 Kompania publike ose ofruesi tjetër i shërbimeve publike duke përshirë, por pa u kufizuar, kompaninë që furnizon me korent, gaz natyror, ujë ose shërbime telefonike, nuk mund ta ndryshoj, refuzoj apo ndërpres shërbimin e tillë ndaj pasurisë për shkak të procedurës së falimentimit edhe nëse debitori nuk ka bërë pagesën për shërbime para procedurës së falimentimit, por administratori do të bëj pagesën për shërbimet e ofruara pas datës së paraqitjes së kërkesës.

 

37.2 Me kërkesë të kompanisë publike, debitori do të vendos depozitën e sigurimit në bankën komerciale si kushtëzim i detyrimit të kompanisë publike për të vazhduar ofrimin e shërbimeve gjatë procedurës së falimentimit. Çdo depozitë e tillë nuk do të kërkohet në një shumë më të madhe se sa shpenzimi i shërbimeve të ofruara debitorit gjatë muajit drejtpërdrejt para datës së paraqitjes së kërkesës.

 

Neni 38

Detyrimi i debitorit për bashkëpunim

 

 

 

Debitori detyrohet të bashkëpunojë me administratorin dhe do t’i bëjë të mundshëm shikimin dhe informimin lidhur me aktivitetet dhe burimet e tij, duke përfshirë të gjitha informatat lidhur me të gjitha shpenzimet dhe bartjet apo tjetërsimet e pasurisë të bëra brenda një (1) viti para datës së paraqitjes së kërkesës, dhe të gjitha pagesat, transferet ose veprimet e biznesit të bëra me anëtarët e menaxhmentit të debitorit, organin drejtues, anëtarët e familjes, ose punëtorët e brendshëm..

 

Neni 39

Tretmani i kontratave të papërmbushura

 

39.1 Administratori mund të refuzojë ose të pranoj secilën kontratë, duke përfshirë ato për qiradhënien e pasurive të paluajtshme, kur të dy palët nuk e kanë përmbushur  kontratën.

 

39.2 Procedurat për refuzimin apo pranimin e kontratave do të përcaktohet me rregullat e ekzekutimit.

 

Neni 40

Sigurimi i shërbimeve profesionale ose personale

 

40.1 Administratori mund të marr vendim që të lidhë  kontratën sipas të cilës debitori është i detyruar të ofroj shërbime personale që kërkojnë kualifikime profesionale, aftësi të rrallë ose talent, të paraparë me ligj vetëm kur pala tjetër kontraktuese pajtohet me shkrim të pranoj përmbarimin zëvendësues nga administratori ose një përfaqësues i autorizuar, dhe kur ky i fundit posedon të gjitha kualifikimet e domosdoshme për kryerjen e shërbimeve të tilla.

 

40.2 Kur administratori dështon në kryerjen e shërbimeve të parapara në nenin 40, paragrafin 1, ose kur pala tjetër në kontratë nuk pajtohet të pranoj përmbarimin zëvendësues, pala tjetër në kontratë mund të parashtrojë kërkesë për dëmshpërblim.

 

Neni 41

Marrja e kredisë

 

41.1 Kur ndërmarrja e debitorit vazhdon të operoj dhe ekziston qëllimi për riorganizim, administratori mund të marr mbi vete borxhin e pasiguruar gjatë rrjedhës normale të veprimtarive afariste të debitorit pa marrjen e miratimit nga gjykata. Kredia e tillë konsiderohet shpenzim administrativ sipas paragrafit (b) (4) të nenit 65 të këtij ligji.

 

41.2 Administratori mund të marr kredi jashtë veprimtarive të zakonshme afariste të debitorit me kusht që kredia nga neni 41, paragrafi 1 i këtij ligji është jodisponibile dhe kreditorët kanë dhënë pëlqimin e duhur për një marrëveshje të tillë. Procedurat e miratimit nga gjykata te një marrëveshje të tillë dhe statusi i pr të kredive të tilla do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Kreu 6

Paraqitja e kërkesave

 

Neni 42

 

Regjistrimi i kërkesës

 

 

42.1 Të gjitha kërkesat e paraqitura për përfshirje në procedurën e falimentimit rregullohen me këtë nen dhe në rregullat e zbatimit.

 

42.2 Çdo provë e kërkesës do të paraqitet me shkrim në gjykatë jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas pranimit të rastit.

 

42.3 Kërkesat e paraqitura më parë gjatë procesit zyrtar të regjistrimit të kërkesave  konsiderohen valide nëse informacionet e përmbajtura në to në pjesën më të madhe përputhen me informacionin e kërkuar me këtë ligj ose me rregullat e zbatimit. Parashtruesit e kërkesave të tilla mund t’i ripërtërijnë kërkesat e tyre duke i paraqitur ato  sipas këtij ligji dhe rregullave të zbatimit.

 

42.4 Minimumi i informacionit të kërkuar për provën e kërkesës, procedurat për pranim dhe regjistrim në gjykatë, dhe krijimi i një regjistri të kërkesave do të përcaktohen me rregullat e ekzekutimit.

 

Neni 43

Llogaritja e kërkesës

 

 

 

43.1 Kërkesa përfshinë borxhin kryesor dhe çdo kamatë të akumuluar në shkallën e përcaktuar me kontratë gjer në datën e paraqitjes së kërkesës. Kërkesat përfshijnë po ashtu shpenzimet e procedurës civile dhe atë të përmbarimit gjer në datën e pranimit të rastit, nëse kështu parashihet me kontratën e lidhur midis palëve. Kërkesat përfshinë edhe pagesën tjetër e cila është parashikuar me kushtet e kontratës. Kërkesat  zvogëlohen gjer në masën që ankuesi e ka realizuar kërkesën e tij nga palët përgjegjëse për borxhet e debitorit.

 

43.2 Procedurat për llogaritjen e kërkesave do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Neni 44

Kamata dhe maturiteti

 

44.1 Kamata, kamatat ndëshkuese dhe ngarkesat e ngjashme do të pushojnë të ngritën për të gjitha kërkesat e pasiguruara pas datës së paraqitjes së kërkesës.

 

44.2 Kamatat e kontraktuara para mospërmbushjes do të vazhdojnë të rriten ndaj kërkesave gjer në shkallën e vlerës së pasurisë së siguruar dhe jo më tepër.

 

 

44.3 Pa cenuar nenet 44, paragrafi 1, dhe  nenin 44, paragrafi 2, interesat do të ngritën pas datës së paraqitjes së kërkesës nëse ka fonde disponibile për pagesat pas përmbushjes së të gjitha kërkesave tjera sipas paragrafëve (a) deri (e) të nenit 65 të këtij ligji.

 

44.4 Kërkesat ende të pa arritura do të konsiderohen të arritura që nga data e pranimit të rastit me qëllim paraqitjeje të provës së kërkesës.

 

Neni 45

Kërkesat e kushtëzuara

 

Fondet nga pasuria në falimentim do të vihen mënjanë për përmbushjen e kërkesave të paparashikuara ose të kushtëzuara nëse në mënyrë të arsyeshme duket se ka mundësi që kërkesat e tilla do të jenë të vlefshme. Procedurat për ndarjen dhe shpërndarjen e këtyre fondeve do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Neni 46

Kërkesat e siguruara

 

46.1 Kur të ardhurat e krijuara, ose që vlerësohet se do të krijohen, nga shitja ose bartja e pronësisë së siguruar, janë të pamjaftueshme për përmbushjen e plotë të kërkesës përkatëse të siguruar, pjesa që vlerësohet se mbetet e papërmbushur do të konsiderohet kërkesë e pasiguruar.

 

46.2 Vlera e pjesës së siguruar do të vlerësohet nga kreditori në provën e kërkesës së kreditorit. Kjo vlerë do të shqyrtohet saktë me qëllim të votimit për secilin plan të propozuar të riorganizimit.

 

Neni 47

Vlefshmëria e kërkesave

 

47.1 Administratori do të marr një ekzemplar të regjistrit të kërkesës nga gjykata jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas datës së fundit të kërkesës.

 

47.2 Jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas datës së fundit të kërkesave, administratori do të shqyrtoj vlefshmërinë, vazhdimin dhe prioritetin e kërkesave të paraqitura kundër debitorit, dhe të çdo pengu të plotë përkatës ose hipoteke të regjistruar, dhe do të paraqes kundërshtim kur ka arsye të duhura për këtë.

 

47.3 Pengjet apo hipotekat do të jenë të vlefshme kur ato janë të plota ose të regjistruara në pajtim me ligjin e zbatueshëm.

 

47.4 Të gjitha kërkesat e paraqitura para datës së fundit të paraqitjes do të konsiderohen të vlefshme dhe të pranuara kur nuk është paraqitur kundërshtim në gjykatë jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas datës së fundit të kërkesave.

 

47.5 Regjistri i kërkesave do t’i vihet në dispozicion për inspektim debitorit, çdo kreditori ose çdo pale të interesuar. Nëse regjistri i kërkesave është në përkujdesje te administratorit, për çdo kreditor ose palë të interesuar do të behën marrëveshje të përshtatshme për shikimin apo fotokopjimin e regjistrit gjatë orarit zyrtar të punës.

 

47.6 Nëse brenda afatit është bërë kundërshtim ndaj provës së kërkesës, gjykata do ta njoftoj kreditorin e prekur me kundërshtim dhe do të caktoj seancën gjyqësore që do të mbahet jo më vonë se shtatë (7) ditë pas paraqitjes së kundërshtimit. Gjykata do të bie vendim jo më vonë se dy ditë (2) pas mbajtjes së seancës. Nëse nuk merret vendim brenda afatit ligjor, konsiderohet se kundërshtimi është hedhur poshtë dhe kërkesa është pranuar.

 

Neni 48

Lista përfundimtare e kërkesave

 

48.1 Jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas zgjidhjes së të gjitha kundërshtimeve të kërkesave, administratori do të përpiloj dhe dërgoj gjykatës listën përfundimtare të kërkesave, duke treguar shumën dhe statusin e tyre në pajtim me kategoritë e paraqitura në nenin 66 të këtij ligji.

 

48.2 Lista përfundimtare e kërkesave do t’i dërgohet debitorit dhe bordit të kreditorëve, ose, nëse nuk ka bord të formuar, lista e kërkesave do t’i dërgohet kreditorëve që posedojnë dhjetë (10) kërkesat më të mëdha të pasiguruara.

 

Neni 49

Kompensimi i kërkesave

 

49.1 Kompensimi i ndërsjellë i kërkesave në mes të debitorit dhe kreditorit lejohet vetëm gjer në shkallën e paraparë me këtë nen.

 

49.2 Kërkesat e ndërsjella kur të dyja ishin në fuqi brenda gjashtë (6) muajve para datës së paraqitjes së kërkesës do to kompensohen dhe nuk do t’i nënshtrohen përfshirjes në pasurinë e falimentimit ose procesit të regjistrimit të kërkesave, me kusht që njoftimi me shkrim i kompensimit të anasjelltë t’i dërgohet gjykatës para datës së fundit të kërkesave.

 

49.3 Kërkesat që janë paraqitur para datës së dërgimit të kërkesës nuk do të kompensohen kundër kërkesave që janë paraqitur pas datës së paraqitjes së kërkesës.

 

Kreu 7

Veprimet e anulimit

 

Neni 50

Anulimi i bartjeve të caktuara

 

50.1 Gjykata mund të anuloj transferet e debitorit  të bëra gjatë një viti paraprak përpara datës së parashtrimit të kërkesës dhe transfereve të bëra pas datës së parashtrimit të kërkesës kur vërtetohet se bartjet e tilla:

 

(a) ishin bërë nën vlerën e drejtë;

 

(b) kanë zvogëluar aktivet e përgjithshme të pasurisë së debitorit;

 

(c) ishin ndërmarrë me qëllim të dëmtimit të interesave të kreditorëve;

(d) kanë ndodhur pas datës së paraqitjes së kërkesës por para emërimit të administratorit.

 

50.2 “Transferi” në kuptim të këtij neni do të përfshij çdo mënyrë, të drejtpërdrejt apo tërthorazi, të tjetërsimit, shitjes, këmbimit, dhurimit, derdhjes së mjeteve, disponimit, dhënies së pengut ose hipotekës, ose të drejtat tjera.

 

50.3 Procedurat për anulimin e transfereve do të përcaktohen me rregullat e zbatimit. Procedurat e tilla do të marrin parasysh interesat e pasurisë dhe nevojën e trajtimit të drejtë të kreditorëve me:

 

(a) të drejtat e cesionistëve me mirëbesim të aktiveve, dhe të drejtat kundrejt pasurisë; dhe

(b) nevojën e ruajtjes së një sigurie të mjaftueshme në transaksionet komerciale.

 

Kreu 8

Riorganizimi

 

Neni 51

Plani i riorganizimit

 

51.1 Çdo propozim për debitorin, që nuk kërkon likuidimin e menjëhershëm nga administratori do t’i nënshtrohet dispozitave të këtij kreu.

 

51.2 Çdo propozim i llojit të përshkruar në nenin 51, paragrafin 1, do të formulohet në dokument me shkrim i njohur si “plani i riorganizimit”.

 

51.3 Plan për riorganizim mund të paraqet debitori, administratori, kreditorët që posedojnë së paku tridhjetë përqind (30 %) të kërkesave të siguruara, kreditorët që posedojnë së paku tridhjetë përqind (30 %) të kërkesave të pasiguruara, ose personat që posedojnë së paku tridhjetë përqind (30 %) të kapitalit në pronësinë e debitorit qoftë në formë të aksioneve, ose të ngjashme.

 

51.4 Plani i riorganizimit do t’i dërgohet gjykatës për aprovim jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas datës së pranimit të rastit. Afati i fundit për dërgimin e planit mund të zgjatet nga gjykata, kur ekzistojnë rrethana të përshtatshme, edhe për tridhjetë (30) ditë plotësuese. Çdo afat i fundit përtej nëntëdhjetë (90) ditësh mund të zgjatet vetëm me pajtimin njëzëri të kreditoreve të siguruar dhe bordit të kreditoreve ose, nëse nuk ka bord të kreditoreve, të kreditoreve që posedojnë dhjetë (10) ankesat më të mëdha të pasiguruara.

 

51.5 Shpenzimet lidhur me formulimin dhe dërgimin e planit për riorganizim, të propozuar jo nga administratori ose debitori, do mbulohen nga pala propozuese. Shpenzimet në lidhje me formulimin dhe dërgimin e planit për riorganizim të propozuar nga administratori ose debitori do të bartën nga pasuria, dhe do të klasifikohen në përputhje me paragrafin (b) (5) të nenit 66 të këtij ligji.

 

Neni 52

Metodat e riorganizimit

 

Metodat e riorganizimit do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Neni 53

Zbulimi i përshtatshëm

 

53.1 Plani i riorganizimit do të përmbaj informacion të mjaftueshëm për t’i lejuar një personi të bëj një zgjedhje të bazuar mbi votimin apo jo në favor të planit.

 

53.2 Pa cenuar dispozitat tjera të këtij kreu, të paktën, plani do të paraqet me një gjuhë mjaft të kuptueshme nga njeriu i zakonshëm, të kuptoj si do të përmbushën kërkesat, çfarë shume do të shpërndahet dhe kur.

 

Neni 54

Përmbajtja e planit të riorganizimit

 

54.1 Plani i riorganizimit do të përmban:

 

(a) një paraqitje të shkurtër të përgjithshme të veprimtarisë biznesore të debitorit dhe rrethanat që shpijnë në vështirësinë financiare, të gjatë jo më shumë se dy (2) faqe;

 

(b) përshkrimin e metodave dhe mjeteve për realizimin e planit, duke dhënë hollësi mbi masat që parashikohet të merren, me mjaft hollësira se si do të realizohej plani, duke përfshirë secilin projekt financiar në të cilin bazohet mundësia e realizimit të planit;

 

(c) diskutimin e shkurtër të shumës së të hollave që ka të ngjarë të jetë në disponim për kreditoret, sikur ndërmarrja e debitorit të ishte likuiduar në vend se të riorganizohej siç propozohet në plan dhe përshkrimin se si do të shpërndaheshin ato të holla;

 

(d) deklaratën se çfarë shume e të hollave ose e pronësisë është propozuar të bartet për përmbushjen e plotë apo të pjesshme të ankesave sipas kategorisë të kreditoreve, si dhe procedurat për realizimin e kërkesave dhe kohëzgjatjen për pagesat e tilla;

 

(e) përshkrimin e procedurave që do të përdoren për shitjen e çdo aktivi, duke përshkruar cilat aktive do të shiten, qoftë me vazhdimin ose jo të pengut ose hipotekës, dhe përdorimin e parashikuar të fitimeve nga shitjet e tilla;

 

(f) deklarimin e periudhave kohore për realizimin e planit, dhe afatin e zbatimit të komponentëve kryesore të planit;

 

(g) deklarimin se kush do të jetë menaxhmenti dhe sa do të jetë kompensimi i tyre;

 

(h) deklarimin se për çfarë do të shfrytëzohen specialistet e punësuar dhe çfarë do të jetë kompensimi i tyre, si dhe çfarë kompensimi do të jetë për administratorin;

 

(i) datën kur plani do të hynte në fuqi.

 

54.2 Me qëllim të votimit dhe shpërndarjes së aktiveve, me plan të riorganizimit kreditorët mund të ndahen në dy ose me shumë kategori, me kusht që kërkesat e të gjithë kreditorëve të asaj kategorie duhet të jenë kryesisht të kategorisë së ngjashme. Kërkesat e siguruara dhe të pasiguruara nuk mund të jenë në të njëjtën kategori. Kërkesat e siguruara mund të jenë të klasifikuara bashkë vetëm nëse ato janë në të njëjtin kolateral dhe kanë të njëjtin prioritet.

 

54.3 Në çdo plan të riorganizimit, asnjë kategori e prioritetit më të ulët nuk do të marrë asnjë shpërndarje ose të ketë asnjë të drejtë derisa të gjitha kategoritë e prioritetit më të lartë të jenë përmbushur qoftë plotësisht apo të kenë votuar në favor të planit.

 

54.4 Në çdo plan të riorganizimit, asnjë anëtar i kategorisë së prioritetit më të lartë nuk do të marrë shpërndarje që tejkalon përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre derisa të gjitha kategoritë më të ulëta të jenë përmbushur qoftë plotësisht ose të jenë pajtuar ose te kenë votuar në favor të planit. 

 

Neni 55

Seanca e planit te riorganizimit

 

Gjykata do të caktoj seancën për shqyrtimin e planit dhe votimin nga kreditorët jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas paraqitjes së planit. Procedurat për seancat e tilla do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Neni 56

Votimi dhe konfirmimi

 

56.1 Kreditorët e siguruar dhe të pasiguruar me kërkesa të vlefshme kanë të drejtë vote.

 

56.2 Votimi mund të behët personalisht në seancë ose me postë elektronike ose dorëzim në dorë para seancës.

 

56.3 Kur votimi është bërë para seancës, të gjitha fletë votimet do të nënshkruhen, në rastin e personit juridik nga një person i autorizuar. Gjykata mund të parasheh procedurat për verifikimin e nënshkrimeve. Me qëllim të numërimit, fletë votimi do të pranohet në gjykatë së paku dy (2) ditë para seancës.

 

56.4 Nëse për votim paraqiten më shumë se një plan i riorganizimit, atëherë votimi mbi të gjitha planet e paraqitura do të behët në të njëjtën seancë.

 

56.5 Para fillimit të votimit, gjykata do t’i informoj gjithë të pranishmit në seancë për rezultatet e votimit të marra para fillimit të seancës.

 

56.6 Kategoria e kreditoreve e pranon planin nëse shumica e thjeshtë nga shuma e kërkesave në atë kategori për të cilën votat janë numëruar voton në favor të planit. Kërkesat për të cilat votat nuk janë hedhur nuk do të merren parasysh në vendosjen se kategoria e ka pranuar apo refuzuar planin.

 

56.7 Kategoria kërkesat e të cilës duhet të përmbushën plotësisht në kohën e hyrjes në fuqi do të konsiderohet se kanë pranuar planin.  

 

56.8 Plani do të konfirmohet nëse të gjitha kategoritë e kreditorëve me të drejtë vote për planin e pranojnë atë.

 

56.9 Nëse më shumë se një (1) plan i propozuar është i pranueshëm për konfirmim sipas këtij neni, në këtë rast gjykata do të vërtetoj se cilin plan të konfirmoj bazuar në preferencën e shprehur të kreditorëve.

 

56.10 Seanca nuk do të zgjas më shumë një (1) ditë, përveç nëse kreditorët e siguruar dhe të pasiguruar të pranishëm votojnë për zgjatjen e tillë, dhe kjo zgjatje pastaj miratohet nga gjykata.

 

Neni 57

Pasojat e konfirmimit

 

57.1 Pas konfirmimit të planit, të gjitha kërkesat dhe të drejtat e kreditoreve dhe palëve tjera të interesuara dhe detyrimet e debitorit të specifikuara me plan, riformulohen dhe rregullohen sipas kushteve të theksuara në plan. Plani i konfirmuar do të konsiderohet kontratë e re për përmbushjen e kërkesave të paraqitura në të.

 

57.2 Pas konfirmimit të planit, pasuria shuhet dhe e gjithë prona i rikthehet debitorit të riorganizuar.

 

57.3 Veprimet e debitorit do të përshtatën dhe të përkojnë me dispozitat e planit të konfirmuar.

 

57.4 Menaxhmenti i debitorit ashtu si përcaktohet në plan, do të ndërmarr të gjitha masat e parapara me planin e konfirmuar.

 

57.5 Administratori do të mbikëqyr përputhjen me dispozitat e planit.

 

57.6 Në rastet kur debitori është ortakëri me përgjegjësi të pakufizuar ose ortakëri me përgjegjësi të kufizuar, ky nen në asnjë mënyrë nuk do t’i kufizoj të drejtat e kreditorëve të kërkojnë përmbushjen e kërkesave të tyre ndaj pjesëmarrësve me përgjegjësi të pakufizuar të debitorit për pjesën e kërkesave të tyre të pajtuara me konfirmimin e planit për riorganizim.

 

Neni 58

Shkelja e planit të konfirmuar

 

58.1  Pas dështimit të debitorit që t’i përmbahet dispozitave të planit të konfirmuar, çdo kreditor ose palë tjetër e prekur mund t’i paraqet gjykatës njoftim mbi shkeljen e planit të konfirmuar. Gjykata do t’ia dërgoj njoftimin debitorit dhe administratorit jo më vonë se pesë (5) ditë pas pranimit të njoftimit, dhe cakton seancën mbi këtë çështje jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas paraqitjes së njoftimit.

 

58.2 Pas konstatimit se shkelja e planit ka ndodhur, gjykata:

 

(a) do të nxjerr vendim duke urdhëruar që shkelja të evitohet në periudhën kohore të përcaktuar qartë nga gjykata, pas dështimit të cilës rasti mund të shndërrohet në likuidim;

 

(b) do të nxjerr vendim me të cilin rasti shndërrohet në likuidim;

 

(c) do t’i lejon debitorit të paraqet amendamentet e planit, miratimi i të cilave do të rregullohet me kushtet e aprovimit të planit sipas këtij ligji:

 

(d) nxjerr cilindo vendim tjetër për evitimin e shkeljes konform këtij ligji, ligjit tjetër të zbatueshëm.

 

Neni 59

Shndërrimi në likuidim

 

59.1      Gjykata do të nxjerr vendim për fillimin e likuidimit në pajtim me kreun 9 të këtij  ligji;

 

(a) kur nuk është paraqitur asnjë plan brenda kohës së paraparë në nenin 51, paragrafin 4, të këtij ligji;

 

(b) kur nuk është konfirmuar asnjë plan pas përfundimit të seancës mbajtur në bazë të nenit 55 të këtij ligji;

 

(c) kur debitori nuk vepron në përputhje me kërkesat e planit të konfirmuar dhe asnjë mjet i përshtatshëm nuk është propozuar konform nenit 58 të këtij ligji;

 

(d) kur debitori nuk paraqet brenda afatit deklarimin e qëllimit për riorganizim konform nenit 15 të këtij ligji;

 

(e) kur debitori nuk bashkëpunon me administratorin ose bordin e kreditorëve, në përgjigje të kërkesave të arsyeshme për informim;

 

(f) kur debitori nuk ju përmbahet vendimeve të gjykatës; ose

 

(g) kur debitori kërkon që likuidimi të filloj dhe nuk ka plan konkurrues të propozuar nga pala tjetër.

 

59.2      Shndërrimi i procedurave në likuidim sipas këtij neni do të shkakton heqjen e moratoriumit mbi të drejtat e kreditoreve të siguruar për ushtrimin e të drejtave të tyre në pronën e siguruar.

 

 

Kreu 9

Likuidimi

 

Neni 60

Shitja e pasurisë

 

60.1 Nëse nuk parashihet ndryshe në këtë nen, shitja e cilësdo ose gjithë pronësisë së pasurisë do të zhvillohet nga administratori, ose nga i emëruari i tij apo eksperti i punësuar nën mbikëqyrjen e plotë të administratorit, konform dispozitave të cekura në këtë kreu.

 

60.2 Shitjet do të behën me ankand ose me negociata të drejtpërdrejta përveç nëse gjykata lejon tjetër metodë.

 

60.3 Ku procedurat e likuidimit kanë filluar si rezultat i shndërrimit nga procedurat e rehabilitimit, administratori do të ketë të drejtë të shes pronësinë e siguruar vetëm me pajtimin me shkrim të kreditorit ankesa e të cilit është e siguruar me pronësi.

 

60.4 Në lidhje me procedurat e likuidimit të filluara drejtpërdrejt, administratori do të ketë të drejtë ekskluzive te shitjes së pronës së siguruar të paluajtshme gjatë periudhës kohore pas datës së pranimit të rastit që nuk kalon nëntëdhjetë (90) ditë), dhe për pronën e siguruar të luajtshme për periudhën kohore që nuk kalon gjashtëdhjetë (60) ditë. Si pasojë, ndërprerja e moratoriumit në të drejtat e kreditorëve të siguruar për ushtrimin e të drejtave të tyre mbi pronësinë e siguruar e përmbajtur në nenin 33, do të hiqet pa qenë nevoja për vendim gjykate. Shitja e pronës së siguruar nga administratori pas heqjes së moratoriumit do të ndodhë vetëm pas pajtimit me shkrim të kreditorit kërkesa e të cilit është e siguruar me pronë.

 

60.5 Procedurat e shitjes do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

 

Neni 61

Braktisja

 

Me aprovimin e gjykatës, administratori mund të braktis pronën që është e një vlere të parëndësishme ose është barrë e rëndë për pasurinë. Pas braktisjes, prona pushon se qeni pjesë e pasurisë dhe kreditorët e siguruar mund të realizojnë me detyrim të drejtat e tyre ndaj pronës në përputhje me ligjin e zbatueshëm. Njoftimi dhe mundësia për të kundërshtuar braktisjen do te rregullohen me procedurat e përcaktuara të shitjes me negociata të drejtpërdrejta. Braktisja do të ketë efekt pas regjistrimit të vendimit gjyqësor mbi miratimin e braktisjes.

 

Neni 62

Shitja e jashtëzakonshme e pronës

 

Pa cenuar nenin 60 të këtij ligji dhe rregullat zbatuese::

 

(a) Kur mallrat që prishen shpejt propozohet të shitën, administratori do ta njoftoj gjykatën njëanshëm ex parte me “Njoftim Urgjent të Shitjes së Propozuar të Mallrave që Prishen Shpejt”. Gjykata do t’i përgjigjet administratorit jo më vonë se dy (2) ditë të plota pas paraqitjes. Nëse gjykata nuk nxjerr vendim për shtyrjen e shitjes së propozuar brenda dy (2) ditësh, administratori mund të filloj shitjen.

 

(b) Kur pronësia, ku mirëmbajtja e pronës ka shpenzime të mëdha , propozohet të shitet, administratori do ta informoj gjykatën njëanshëm ex parte me “Njoftimin Urgjent të Shitjes së Mallrave që Prishen Shpejt”.  Gjykata do t’i përgjigjet në njoftimin e administratorit jo më vonë se pesë (5) ditë pas paraqitjes. Nëse gjykata nuk nxjerr vendim për shtyrjen e shitjes së propozuar brenda pesë (5) ditësh, administratori mund të filloj shitjen.

 

Neni 63

Të Ardhurat nga shitja ose përdorimi i pronës

 

Fitimet e marra nga shitja ose shfrytëzimi i pronësisë së pasurisë janë po ashtu pronësi e pasurisë dhe do të mbrohen dhe llogariten nga administratori. Çdo e drejtë në fitimet e tilla që del nga pengu, peng ndalja, hipoteka, ose interesi tjetër i siguruar do të respektohet në pajtim me ligjin e zbatueshëm.

Neni 64

Shpenzimet e shitjes

     

64.1      Fitimet nga shitja e pronësisë që nuk i nënshtrohen interesit të siguruar së pari do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të shitjes, pastaj fondet e mbetura do të shpërndahen konform nenit 65 të këtij ligji.

 

64.2      Fitimet nga shitja e pronësisë që i nënshtrohet interesit të siguruar së pari do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të shitjes, pastaj për përmbushjen e ankesave të siguruara konform prioritetit të tyre sipas ligjit të zbatueshëm. Fondet e mbetura do të shpërndahen në bazë të nenit 65 të këtij ligji.

 

Neni 65

Caktimi i prioriteteve

 

65.1 Kërkesat e kreditoreve do të përmbushen sipas kategorisë së rendit vijues në të gjitha rastet e likuidimit:

 

(a) Kërkesat e siguruara, pa shpenzimet e arsyeshme të shitjes konform nenit 64, paragrafi 2;

 

(b) Kërkesat prioritare, duke përfshirë:

 

(1) shpenzimet gjyqësore;

 

(2) shpenzimet e administratorit;

 

(3) shpërblimi i administratorit;

 

(4) shpenzimet administrative të duhura për mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e pasurisë, duke përfshirë shpenzimet për shkak të veprimit të vazhdueshëm të debitorit pas datës së paraqitjes së kërkesës;

 

(5) shpenzimet e riorganizimit (ne rastet e riorganizimit);

 

(6) financimit të riorganizimit dhe kredisë (në rastet e dështimit të riorganizimit);

 

(7) pagesat dhe shpenzimet e personelit gjatë kohës së administrimit të rastit; dhe

 

(8) shpenzimet e bordit të kreditoreve.

 

(c) Kërkesat e preferuara, për nëpunësit e papaguar para-kërkesave, mëditjet (kufizuar në dy muaj të ardhura personale ose mëditje për person);

 

(d) Kërkesat e pasiguruara, duke përfshirë kërkesat për pagat që nuk i nënshtrohen tretmanit të prioritetit të lartë; dhe

 

(e) Kërkesat e pronarëve të debitorit, aksionareve, anëtarëve themelues, pjesëmarrësve.

 

65.2 Në çdo kategori, kërkesat e siguruara do të përmbushen në pajtim me prioritetet e tyre në bazë të ligjit të aplikueshëm dhe kërkesat e pasiguruara do të përmbushen në bazë pro-rata.

 

Neni 66

Përmbushja e kërkesave

 

66.1 Kërkesat do të përmbushen me rendin e prioritetit sipas kategorisë të paraqitur në nenin 65 të këtij ligji.

 

66.2      Përmbushja e kërkesave që i takojnë kategorisë pasuese të prioritetit më të ulët mund të filloj vetëm pas përmbushjes së plotë dhe të gjithë kërkesave të kategorisë paraprake më të lartë të prioritetit.

 

66.3      Kur burimet janë të pamjaftueshme për përmbushjen e të gjitha kërkesave  të kategorisë së caktuar, kërkesat e asaj kategorie do të përmbushen në përpjesëtim me shumën e çdo kërkesës.

 

66.4      Procedurat e pagimit të kërkesave do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Neni 67

Kërkesat e paraqitura më vonesë

 

Kur ka arsyetim të mjaftueshëm për paraqitjen me vonesë, kërkesat e paraqitura pas afatit të ankesës mund të përmbushen pas plotësimit të të gjitha kërkesave të paraqitura me kohë.

 

 

Neni 68

Fondet rezervë

 

Fondet ose pronësia tjetër mund të vihen mënjanë në një fond të veçantë në gjykatë, ose të vendosen të një përfaqësues ligjor apo kujdestar për përmbushjen e:

 

(a) kërkesave që janë kontestuese dhe që nuk janë zgjidhur akoma nga gjykata;

 

(b) kërkesave për shumat që i nënshtrohen pagesave ose riblerjes kur kërkohet të paraqiten dokumente, çertifikatë interesi dhe dividendi, sikurse janë letrat me vlerë të konvertueshme, mbajtësit e obligacioneve ose instrumenteve të ngjashme;

 

(c) shpenzimeve te ardhshme në lidhje më mirëmbajtjen e pronësisë së caktuar;

 

(d) kërkesave të ardhshme që sigurisht do të dalin por të pasigurta në kohën e shpërndarjes së propozuar ose konfirmimit të  planit.

 

Kreu 10

Mbyllja e rastit

 

Neni 69

Raporti përfundimtar

 

69.1      Pas përmbushjes së planit në rastin e riorganizimit, ose pagimit të kërkesave konform shpërndarjes së propozuar të miratuar në rast të likuidimit, administratori do t’i paraqet raportin përfundimtar gjykatës.

 

69.2      Përmbajtja e raportit përfundimtar, shpërndarja e tij, dhe procedurat për zgjidhjen e kundërshtimeve do të përcaktohen me rregullat e zbatimit.

 

Neni 70

Mbyllja e rastit

 

70.1      Në likuidim, pasi shpërndarja të jetë plotësuar ose në pjesën më të madhe realizuar dhe aprovimit nga gjykata të raportit përfundimtar, administratori do t’i paraqet gjykatës kërkesën për mbylljen e rastit. Në riorganizim, pasi dispozitat e planit të jenë zbatuar ose në pjesën më të madhe realizuar dhe pasi gjykata të ketë aprovuar raportin përfundimtar, gjykata do ta mbyll rastin pas kërkesës nga administratori ose propozuesi i planit.

 

70.2      Me kërkesë të administratorit, në çdo fazë të procedurës, kur vërtetohet se resurset nga pasuria janë të pamjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të kërkesave prioritare siç parashihet me nenin 65 të këtij ligji, administratori mund të paraqet menjëherë raportin përfundimtar, dhe pas aprovimit të tij, gjykata do të nxjerr vendim mbi mbylljen e rastit.

 

70.3      Me kërkesë të administratorit, kur asnjë kreditor nuk ka paraqitur kërkesë brenda afatit të përcaktuar me nenin 42 të këtij ligji, administratori mundet menjëherë të paraqet raportin përfundimtar, dhe pas aprovimit të tij, gjykata do të nxjerr vendim për mbylljen e rastit.

 

 

Neni 71

Pasojat e mbylljes së rastit

 

71.1      Në likuidim, pas mbylljes së rastit, debitori në pikëpamje ligjore do të konsiderohet i shpërbërë. Gjykata do të nxjerr njoftim mbi mbylljen e rastit dhe përfundimin jo më vonë se pesë (5) ditë pas mbylljes së rastit. Gjykata mund të nxjerr po ashtu vendim për heqjen e emrit të kompanisë së shpërbërë nga regjistri aktiv i bizneseve.

 

71.2      Në rastin e riorganizimit, pas mbylljes së rastit debitori do të konsiderohet financiarisht i rimëkëmbur dhe mund të vazhdoj veprimtarinë e tij biznesore pa kufizim të mëtejshëm apo mbikëqyrje.

 

Neni 72

Shlyerja e borxheve

 

72.1      Pas mbylljes së rastit, të gjitha borxhet e papaguara nga debitori që rrjedhin para datës së kërkesës shuhen në bazë të ligjit dhe çdo veprim për arkëtimin e borxheve të tilla të shuara do të jetë i ndaluar, përveç kur gjykata mund të urdhëroj sa u përket borxheve që duhen kthyer në përputhje me planin e konfirmuar të riorganizimit që ende nuk janë përmbushur.

 

72.2      Ky nen nuk do të ndikoj aspak në detyrimet që rrjedhin në pajtim me kontratën e dorëzanisë në mes të debitorit dhe palëve të treta, ose pjesëmarrësve me përgjegjësi të pakufizuar të debitorit në rastet kur debitori është shoqëri më përgjegjësi të pakufizuar ose shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.

 

 

Neni 73

Lirimi i administratorit

 

73.1      Pas aprovimit të raportit përfundimtar, gjykata do të nxjerr vendim:

 

(a) për lirimin e administratorit nga detyrat e tij të mëtejme në lidhje me rastin, përveç për zbatimin nga administratori të shpërndarjeve përfundimtare që kanë ngelur ende të pa ekzekutuara;

 

(b) për aprovimin e pagimit përfundimtar të çdo takse administrative ose shpenzimi kur është e përshtatshme;

 

(c) për lirimin nga çdo dorëzani  ose depozite të mbajtur  për sigurimin e kryerjes së saktë të detyrave.

 

73.2      Neni 74, paragrafi 1, aspak nuk do të kufizoj përgjegjësinë e administratorit për veprimet e tij të paligjshme as mangësitë gjatë kohës së shërbimit si administrator.

 

 

Kreu 11

Përgjegjësia civile dhe penale

 

Neni 74

Paraqitja e kërkesave të rreme dhe dokumenteve

 

74.1      Kur debitori, anëtari i bordit të drejtorëve ose organi më i lartë drejtues i debitorit, një pronar, ose cilido person që vepron në emër të debitorit, paraqet dokumente apo bën deponim me dokumentet e paraqitur në çështjen sipas këtij ligji që janë qëllimisht të rrejshme ose mashtruese, personi që bën paraqitjen e tillë apo kërkon të mbrohet me dokumente të tillë, do të dënohet me gjobë jo më shumë se pesë mijë (5,000) Euros për rast dhe mund të dënohet me burgim.

 

74.2      Kur personi fizik ose juridik me vetëdije paraqet kërkesë të rrejshme ose  dokumente të rreme apo bën deponim të rremë me dokumentin e paraqitur në gjykatë në çështjen sipas këtij ligji, personi apo personat që bëjnë paraqitje të tillë do të dënohet me gjobë jo më shumë se pesë mijë (5,000) Euros për rast dhe mund të dënohet me burgim.

 

Neni 75

Përgjegjësia e drejtorëve dhe zyrtarëve për deliktet civile  kundër debitorit dhe pasurisë së tij

 

75.1      Drejtorët apo zyrtarët e debitorit, ose personat që mbajnë pozita të ngjashme, do të kenë detyrim t’i kompensojnë kreditorët që mbesin të papaguar pas shpërndarjes së fitimeve nga likuidimi sipas rrethanave vijuese:

 

(a) kur debitori ka likuiduar veten sipas dispozitave tjera ndryshe nga ato të këtij ligji;

 

(b) kur zyrtari ose drejtori i tillë merr njoftim të vërtetë apo të saktë se vlera e të hyrave të pasurisë së debitorit ka rënë nën të dalurat e tij dhe nuk ndërmerr masa të arsyeshme për fillimin e rehabilitimit apo procedurat e likudimit sipas këtij ligji, ose rregullave të zbatimit, brenda tridhjetë (30) ditëve nga marrja e njoftimit të tillë.

 

75.2      Drejtorët dhe zyrtarët e debitorit do të kenë detyrim të kompensojnë dëmin e shkaktuar pasurisë së debitorit si rezultat i transferit të pronësisë së bërë:

 

(a) para datës së paraqitjes së kërkesës kur transferi i tillë (i) është më i vogël se vlera e drejtë reale dhe (ii) ndodh kur drejtori apo zyrtari i tillë ka njoftim vërtetë apo të saktë se vlera e të hyrave të pasurisë së debitorit ka rënë nën të dalurat e tij; ose

 

(b) pas datës së paraqitjes së kërkesës duke bërë shkelje të nenit 28, paragrafit 1, të këtij ligji.

 

75.3      Në kuptim të këtij neni, njoftim i saktë do të thotë mundësi e arsyeshme që personalisht të çmoj rrethanat që shpien në secilën prej ndodhive të sipërpërmendura.

 

75.4      Gjatë përcaktimit të shkallës së përgjegjësisë së drejtorit ose zyrtarit (apo  personit të barasvlershëm) sipas këtij neni, gjykata do të shqyrtoj shkallën e kontrollit të drejtorit apo zyrtarit të tillë, dhe nivelin e përfshirjes së drejtorit apo zyrtarit të tillë në menaxhimin aktual të operacioneve të debitorit.

 

Neni 76

Betimi ose dëshmia e rreme

 

Kur personi me dashje bën betim të rremë ose jep dëshmi të rremë në seancën gjyqësore ose gjatë procesit sipas këtij ligji ose rregullave të zbatimit, personi që bën paraqitje apo deponim të tillë do të gjobitet jo më shumë se pesë mijë (5,000) Euros për rast dhe mund të dënohet me burgim.

 

Neni 77

Fshehja kriminale e pasurisë

 

Çdo person që me dashje dhe me mashtrim bart, fsheh ose nuk dorëzon çdo pronësi ose dokument administratorit, ose personit që vepron në cilësinë e administratorit, ose gjykatës për t’ju shmangur proceseve dhe procedurave të këtij ligji, do të gjobitet jo më shumë se pesë mijë (5,000) Euros për rast dhe mund të dënohet me burgim.

 

Neni 78

Mitoja

 

Çdo person që me dashje dhe me mashtrim jep, ofron, pranon ose provon të fitoj çfarëdo të holla, pronësi, shpërblim, kompensim, dhuratë, leverdi ose premtim të veprimit apo të mosveprimit me qëllim të fitimit të leverdisë ose përparësisë në çështjen sipas këtij ligji do të gjobitet jo më shumë se njëzet e pesë mijë (25,000) Euros për rast dhe mund të dënohet me burgim deri në pesë (5) vjet.

 

 

Neni 79

Mospërfillja me qëllim e dispozitave të këtij ligji

 

Mospërfillja me qëllim e dispozitave të këtij ligji mund të ndëshkohet me gjobë deri në pesë mijë (5,000) Euros për rast ose me burgim.

 

Neni 80

Shpërdorimi i pasurisë

 

Kur debitori, administratori, personi që vepron në cilësinë e administratorit, ose personi i punësuar të punoj nën mbikëqyrjen e debitorit ose administratorit, me dashje vjedh, shpërdoron, shkatërron, përdhos, ose blen, qoftë drejtpërdrejt ose tërthorazi, çdo dokument ose pronësi të pasurisë, për përdorim personal apo përdorim nga anëtarët e familjes së tij të afërt, do të gjobitet jo më shumë se njëzet e pesë mijë (25,000) Euros për rast dhe mund të dënohet me burgim deri në pesë (5) vjet.

 

 

 

Kreu 12

Dispozitat përfundimtare

 

Neni 81

Ligji i zbatueshëm

 

Me këtë ligj zëvendësohet çdo dispozitë e ligjit të zbatueshëm që nuk është në përputhje me të.

 

 

 

Neni 82

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj do të hyj në fuqi nëntëdhjetë (90) ditë pasi të miratohet nga Kuvendi dhe shpallet nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm. Palët mund të paraqesin kërkesë në gjykatë, dhe gjykata mund të filloj gjykimin e kërkesave të tilla, nëntëdhjetë (90) ditë pas nxjerrjes së tij.

 

 

 

 

14.04.2003

UNMIK/REG/ 2003/7

Herėn e fundit ėshtė azhuruar mė : ( e enjte . 26 shkurt 2009 )
 
< Mbrapa