Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 2004/46 MBI REGJISTRAT E GJENDJES CIVILE
Qer 22 2007
LIGJI NR. 2004/46 MBI REGJISTRAT E GJENDJES CIVILE
e premte . 22 qershor 2007

Ligji Nr.2004/46

MBI REGJISTRAT E GJENDJES CIVILE

 

 

Kuvendi i Kosovës

 

Në pajtim me autoritetin ligjvënës që i është dhënë Kuvendit të Kosovës në Kreun 9.1.1 të Rregullores së UNMIK-ut  nr. 2001/9 të Kornizës Kushtetuese;

 

Duke pasur parasysh Kreun 5.1 pika (i) dhe 9.1.26 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2001/9 të Kornizës Kushtetuese;

 

Me qëllim të krijimit të kushteve, formave dhe të një procedure koherente për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile të banorëve të Kosovës;

 

 

Miraton:  

 

LIGJIN  MBI REGJISTRAT E GJENDJES CIVILE

 

Kreu I

 

Dispozitat e përgjithshme

Neni 1

 

Me këtë ligj rregullohen dhe përcaktohen: librat amzë, mënyra e mbajtjes dhe e ruajtjes, llojet e librave amzë, mënyra dhe faktet e regjistrimit, regjistrimet e mëvonshme, vërejtjet, ruajtja, ripërtrirja, bashkëpunimi dhe mbikëqyrja rreth udhëheqjes së librave amzë.

 

 

Përkufizimet

Neni 2

 

Librat Amzë” janë libra zyrtarë ku mbahen shënimet lidhur me gjendjen personale të banorëve lidhur me faktet e të gjitha: lindjeve, martesave dhe vdekjeve dhe të dhënave tjera që burojnë prej tyre.

 

Libër Amzë i të Lindurve” është libri ku mbahen shënime lidhur me faktet e të gjithë të lindurve në Territorin Amë apo komunën ku ka ndodhur lindja.

 

Libër Amzë i martesave”është libri ku mbahen shënimet lidhur me faktet e të gjitha martesave në komunën përkatëse.

 

Libër Amzë i të Vdekurve” është libri ku mbahen të gjitha shënimet lidhur me faktet e të gjitha  vdekjeve të ndodhura .

 

Territori Amë  është vendi të cilin e përbëjnë të gjitha lokalitetet e banuara për të cilat mbahen Librat e Amzës.

 

“Zyra e Gjendjes Civile” është Zyra e Gjendjes Civile në Territorin Amë apo në komunën përkatëse ku regjistrohen faktet e lindjeve, martesave dhe vdekjeve.

 

Ngjyra speciale e zezë” është ngjyrë e veçantë dhe e vetme e lejuar  që përdoret për të shënuar  të dhënat në librat amzë.

 

Rubrika regjistrime të mëvonshme” është rubrikë e veçantë në librin amzë ku bëhen shënime në regjistrimet e mëvonshme lidhur me faktet që regjistrohen.

 

Rubrika vërejtje”është rubrikë në të cilën shënohen të dhënat plotësuese.

 

Certifikatë” është dokument zyrtar që e lëshon Zyra e Gjendjes Civile si dëshmi e të dhënave të bazuara në librat amzë

 

 

Librat Amzë

Neni 3

 

3.1. Librat Amzë janë libra në të cilat mbahen shënimet-evidencat themelore zyrtare mbi gjendjen civile të banorëve .

 

3.2. Në librat amzë regjistrohen faktet e: lindjes, martesës, vdekjes dhe ndryshimet që kanë të bëjnë lidhur me këto fakte të banorëve në Kosovë dhe regjistrimi i këtyre fakteve të ndodhura jashtë vendit .

 

3.3. Faktet dhe të dhënat e lidhura me lindjet, martesat dhe vdekjet e banorëve të Kosovës që kanë ndodhur jashtë territorit të Kosovës duhet të regjistrohen vetëm në Zyrën Komunale të Gjendjes Civile të cilës i takon pala.

 

3.4 Librat amzë mbahen në dy mënyra: në formë të shkruar dhe në ato elektronike.

 

3.5. Forma elektronike mbahet sipas udhëzimeve të Ministrisë përkatëse.

 

 

Mirëmbajtja e librave amzë

Neni 4

 

4.1. Librin amzë e mban dhe udhëheq drejtpërdrejtë zyrtari i autorizuar përkatësisht i certifikuar për kryerjen e punëve të gjendjes civile- Zyrtari i Zyrës të Gjendjes Civile (në tekstin e mëtejmë - ZGjC)  në komunë përkatësisht i Zyrës Administrative në Territorin Amë  për regjistrimin e fakteve të gjendjes civile.

 

4.2. Zyrtari i gjendjes civile kur mungon zëvendësohet nga zyrtari tjetër i ZGjC i  caktuar për zëvendësim me të gjitha autorizimet e tij.

 

4.3. Territorin amë, numrin dhe vendbanimet që përfshinë ky territor i cakton Kuvendi Komunal.

 

4.4. Në territorin amë mbahen libri amzë i të lindurve dhe i të vdekurve kurse libri i përbashkët amzë i të martuarve mbahet vetëm në Zyrën Komunale të Gjendjes Civile në Komunë.

4.5. Për secilin vit kalendarik mbahen libra të veçanta.

 

4.6. Nëse gjatë vitit kalendarik libri amzë plotësohet atëherë regjistrimi vazhdon në librin tjetër të amzës me numrin pasues nga libri i mëparshëm.

 

4.7. Librat amzë përfundohen në fund të çdo viti duke shënuar “përfundon me numrat vijues (shënohet me numra dhe me germa numri i regjistrimeve) të regjistrimeve në atë vit ”.

 

4.8. Nëse gjatë vitit kalendarik nuk ka pasur fakte të regjistrimit të lindjeve, martesave ose vdekjeve, në këtë libër për vitin përkatës shënohet “për këtë vit nuk ka pasur regjistrime”

 

4.9. Në vitin pasues kalendarik regjistrimi i parë fillon me numrin  01.

 

4.10. Regjistrimet në librin amzë bëhen sipas radhës së paraqitjeve të rasteve për regjistrim.

 

4.11. Në librin amzë në të cilin regjistrimi i fundit është kryer para 110 viteve ato libra dërgohen në Arkivin e Kosovës.

 

4.12. Llojin dhe lartësinë e taksës për shërbime administrative për regjistrimin e fakteve e cakton kuvendi komunal në suaza të përcaktuara me ligj.

 

 

 

Shënimet paraprake në librat amzë

Neni 5

 

5.1. Në librin amzë në faqen e parë në të cilin nuk ka numër të shënuar  vëhet:

 

a.   Emri i librit të amzës (p.sh. libri amzë i të lindurve, libri amzë i të martuarve ose libri amzë i të vdekurve),

b.   Emri i vendit në të cilin mbahet libri  amzë dhe emri i komunës,

c.   Data e regjistrimit të parë dhe të fundit të regjistrimit,

d.   Shenja e vulës,

e.   Nënshkrimi i zyrtarit të gjendjes civile,

f.    Nënshkrimi i Kryetarit të Kuvendit Komunal dhe

g.   Vërtetimi i numrit të faqeve të librit amzë.

 

5.2. Nëse ndryshon emri i vendit respektivisht i territorit amë apo komunës ku mbahen librat amzë , ndryshimet e tilla shënohen në vazhdim të thirrjeve të mëparshme.

 

 

 

Mënyra e regjistrimit

Neni 6

 

Rastet e faktit të lindjes, martesës dhe vdekjes shënohen në atë mënyrë që:

 

a.   dita shkruhet me numra arab , kurse në kllapa me shkronja

b.   muaji shkruhet me shkronja

c.   viti me numra arab  kurse

d.   orët me numra prej 00-24 dhe minutat prej 00-60

 

 

Neni 7

 

Mbikëqyrjen, kontrollimin, mënyrën e mbajtjes , ruajtjen elektronike, shpërndarjen e librave amzë dhe përcjelljen e regjistrave përcjellës abcd dhe certifikatave, shpërndarjen e vulave, përcaktimin e zyrtarëve të autorizuar për nënshkrim  caktimin e mënyrës së udhëheqjes së librave amzë rreth punëve të gjendjes civile e bënë Ministria përkatëse.

 

 

Neni 8

 

8.1. Në librin amzë shkruhet vetëm me ngjyrën e zezë speciale e cila shërben për të shënuar të dhënat me shkrim lidhur me faktin që kërkohet të regjistrohet.

 

8.2. Në librin amzë nuk lejohet të shënohen të dhëna të tjera pos atyre që kanë të bëjnë me faktet e shkruara që i janë paraqitur respektivisht ato shënime që i mbanë akti i organit kompetent.

 

8.3. Shënimet që regjistrohen në librin amzë detyrimisht duhet të jenë të vërteta.

 

8.4. Për shënimin e emrit personal dhe mbiemrit, përdoret gjuha e kërkuesit për të shënuar të dhënat sipas rregullave drejtshkrimore të gjuhës së kërkuesit.

 

 

Gabimet dhe përmirësimet e tyre

Neni 9

 

9.1. Nëse Zyrtari i Gjendjes Civile vëren se janë bërë gabime gjatë regjistrimit para se të përfundoj regjistrimi, ato gabime mund t’i përmirësoj ai vetë.

 

9.2. Përmirësimin e tillë Zyrtari i Gjendjes Civile është i detyruar që ta konstatoj dhe vërtetoj në librin amzë me nënshkrimin e vet dhe me vulë në rubrikën “vërejtje”.

 

9.3. Përmirësimet e mëvonshme në librin amzë mund të bëhen vetëm me aktvendim të organit kompetent duke e regjistruar këtë ndryshim në rubrikën “shënime pas regjistrimit të përfunduar”  duke shënuar:

 

a.   Çka është përmirësuar

b.   Organin që ka nxjerrë aktvendim

c.   Numrin dhe datën e aktvendimit.

 

9.4. Për çdo përmirësim të mëvonshëm në librin burimor të amzës të përfunduar, Zyrtari i Gjendjes Civile ka për detyrë që në afat prej 3 ditësh pas kryerjes së këtij përmirësimi t’a njoftoj organin kompetent që ruan kopjen përkatëse të  librit amzë, në mënyrë që ky përmirësim të evidentohet dhe të bëhet edhe në kopjen e tillë nga ky organ.

 

9.5.  Nën çdo shënim “regjistrimet e mëvonshme dhe shënimet” vëhet:

 

a.   Data e shënimit  ( në anën e majtë) dhe

b.   Nënshkrimi i zyrtarit të gjendjes civile (në anën e djathtë)

 

9.6. Nëse rubrikat “vërejtje“ dhe “regjistrimet e mëvonshme” janë plotësuar kurse regjistrimi nuk është kryer ose është e nevojshme të evidentohen shënime të reja, posa të bëhet regjistrimi plotësues, ky shënim vazhdohet në rubrikat përkatëse me një fletë të veçantë “fletëplotësuese”

 

9.7.  Në këtë fletë shënohet:

 

a.   Numri vijues i regjistrimit themelor dhe

b.   Fleta vërtetohet me vulën e organit kompetent ashtu që shenja e vulës të përfshijë faqen e librit amzë.

 

9.8. Nëse gjatë regjistrimit të bërë janë shënuar gabimisht të dhënat në disa rubrika ashtu që përmirësimi nuk mund të zbatohet Zyrtari i Gjendjes Civile do të bëjë regjistrimin e drejtë në formularin vijues me numrin e njëjtë vijues e në mënyrë diagonale do t’i  bjerë vizë formularit të plotësuar gabimisht e pastaj e bënë shënimin në rubrikën “vërejtje” me shenjën se regjistrimi i rregullt është bërë në formularin vijues.  

 

9.9. Kur përmirësimi i regjistrimit bëhet sipas paragrafit  9.8  të këtij neni bëhet sipas aktvendimit të organit kompetent  Zyrtari i Gjendjes Civile do të bëjë regjistrimin e rregullt nën numrin e ri vijues i cili pason pas regjistrimit të fundit të bërë, e pastaj me vizë diagonale do të anuloj formularin e plotësuar gabimisht  dhe në rubrikën “ regjistrime të mëvonshme” do të shënoj “është përmirësuar në bazë të aktvendimit të organit kompetent: datën, numrin e aktvendimit dhe regjistrimi është bërë në numrin vijues”

 

9.10. Kur regjistrimi themelorë është bërë gabimisht në librin tjetër (regjistrimi i bërë sipas kompetencës) Zyrtari i Gjendjes Civile, zyrtari ose personi tjetër që ka vërejtur gabimin e informon menjëherë organin kompetent komunal për këtë.

 

9.11. Pas vendimit të organit kompetent për përmirësim, Zyrtari i Gjendjes Civile do të anulojë regjistrimin e bërë gabimisht me vijë diagonale dhe në rubrikën “regjistrimet e mëvonshme” saktëson se:

 

a.   Regjistrimi i bërë gabimisht anulohet në bazë të aktvendimit përkatës për këtë regjistrim ,

b.   duke cekur organin që ka lëshuar aktvendimin,

c.   numrin, dhe datën e aktvendimit

d.   se regjistrimi është bërë në librin përkatës të amzës (sipas faktit)

e.   vendin e banimit dhe komunën  dhe

f.    numrin vijues

 

 

 

Nënshkrimi i regjistrimit

Neni 10

 

10.1. Zyrtari i Gjendjes Civile pas përfundimit të regjistrimit duhet t’i lexoj personit që ka paraqitur faktin respektivisht dëshmitarëve të gjitha shënimet e regjistruara dhe këtë do ta vërtetoj në librin amzë në rubrikën e vërejtjeve.

 

10.2. Regjistrimin në librin e amzës e nënshkruan personi që ka paraqitur faktin për regjistrim, dëshmitarët dhe Zyrtari i Gjendjes Civile.

 

10.3. Nëse personi që ka paraqitur faktin për regjistrim apo dëshmitarët refuzojnë të nënshkruajnë regjistrimin, Zyrtari i Gjendjes Civile këtë do ta konstatoj në librin e amzës dhe për këtë përpilon një shënim.

 

 

Kopjet e librave amzë

Neni 11

 

11.1. Përpos librave burimor të amzës mbahen edhe kopjet e tyre përkatëse në formën e njëjtë sikur të librit burimor.

 

11.2. Kopjet e librave burimore plotësohen paralelisht me librin burimor dhe detyrimisht duhet të përmbajnë të gjitha shënimet që përmban libri burimor.

 

11.3. Për dallim nga librat burimore, kopjet e tyre i mban dhe ruan organi kompetent.

 

11.4. Kopjet e librave burimore mund të fotokopjohen dhe fotokopja e tillë paraqet „kopjen e dytë” dhe vërtetohet nga organi kompetent pas barazimit me kopjen e parë.

 

11.5. Nëse humbet ose asgjësohet libri burimor i amzës organi kompetent që ruan kopjen e parë apo të dytë lëshon certifikata në bazë të këtyre kopjeve deri në kohën e përshkrimit të librit burimor.

 

11.6. Kopjet elektronike të librave amzë i mban dhe  ruan organi kompetent qendror i gjendjes civile në Ministrinë përkatëse.

 

 

 

Ruajtja e librave amzë

Neni 12

 

12.1. Librat amzë të përfunduara gjatë vitit kalendarik vërtetohen vulosën dhe nënshkruhen nga zyrtari i autorizuar i gjendjes civile në fund të vitit.

 

12.2. Librin burimor të amzës e ruan Zyrtari i Gjendjes Civile, kurse kopjen e librit të amzës e ruan organi kompetent.

 

12.3. Librat e amzës patjetër ruhen duke siguruar në masë më të madhe sigurinë e tyre nga dëmtimet apo asgjësimi i tyre,

 

12.4. Librat amzë burimore si dhe kopjet e tyre nuk guxojnë të ruhen në të njëjtën ndërtesë.

 

 

 

Regjistri i librave të amzës

Neni 13

 

13.1. Krahas çdo libri të amzës mbahet edhe regjistri i shënimeve abcd-ve

 

13.2. Ky regjistër mbahet sipas formularit përkatës.

 

13.3. Lidhur me formularin e regjistrit organi kompetent nxjerrë akte rregullative për përmbajtjen dhe formën e formularit.   

 

13.4. Regjistri mbahet sipas germës së pare të mbiemrit ndërsa për kufomat e paidentifikuara përdoret shkronja “N”.

 

13.5. Së bashku me regjistrin e librave amzë për interes të efikasitetit mund të mbahet edhe kartoteka.

 

E drejta e shikimit të shënimeve në librat amzë

Neni 14

 

Të drejtën e shikimit në librat e amzës e ka:

 

a.   personi i interesuar për të cilin mbahen shënimet,

b.   anëtari i familjes së tij të ngushtë,

c.   adoptuesi apo kujdestari  ose përfaqësuesit e tjerë të autorizuar ,

d.   personi tjetër zyrtar vetëm me arsyen e interesit të përgjithshëm dhe të bazuar në ligj.

 

 

Kreu II

 

Llojet e Librave Amzë

Neni 15

 

15.1. Për secilin fakt të gjendjes civile të banorëve mbahet libër i veçantë si: libri amzë i të lindurve, libri amzë i martesës dhe libri amzë i të vdekurve.

 

15.2. Krahas me librat amzë mbahet edhe regjistri abcd-ve

 

 

Libri Amzë i të lindurve

Neni 16

 

16.1.   Në librin amzë të të lindurve regjistrohet fakti i lindjes së fëmiut.

 

16.2. Fakti i lindjes regjistrohet në territorin amë respektivisht në Zyrën Komunale të Gjendjes Civile në komunën ku ka ndodhur lindja.

 

16.3. Fakti i lindjes paraqitet me shkrim nga organi kompetent (institucioni shëndetësor) ku ka ndodhur lindja brenda afatit prej 15 ditëve.

 

16.4. Fakti i lindjes regjistrohet në librin amë brenda 30 ditëve nga dita e lindjes.

 

16.5. Lindjen e fëmiut jashtë institucionit shëndetësor  brenda afatit prej 30 ditësh ka për detyrë që ta paraqes:

 

a.   I ati respektivisht  e ëma  e fëmiut,

b.   Personi në shtëpinë (banesën) e të cilit ka ndodhur lindja,

c.   Mjeku, mamia apo personi tjetër nëse kanë marrë pjesë me rastin e lindjes.

 

16.6. Në rastet kur lindja nuk paraqitet brenda afatit prej 30 ditësh të paraparë   në paragrafin 7 atëherë regjistrimi bëhet me aktvendim të organit kompetent mbi regjistrimin e mëvonshëm

 

16.7. Faktin e lindjes ka për detyrë ta paraqes edhe personi që ka gjetur fëmiun dhe Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën “vërejtje” shënon të gjitha të dhënat rreth rastit të gjetjes së fëmiut dhe të dhënat e personit që ka gjetur fëmiun. 

 

16.8.   Në regjistrimin e faktit të lindjes si shënime bazë shënohet:

 

a.   Emri dhe mbiemri i fëmiut

b.   Gjinia e fëmiut

c.   Dita muaji ora dhe vendi i lindjes

d.   Numri personal

e.   Emri dhe mbiemri i prindërve (për  prindin që ka ndryshuar mbiemrin pas martesës shënohet edhe ai mbiemër p.sh mbiemri i vajzërisë për nënën)

f.    Data e lindjes së prindërve dhe vendi i lindjes

g.   Vendbanimi dhe adresa e prindërve

h.   banimi i përhershëm

 

16.9. Si shënime plotësuese shënohen këto të dhëna:

 

a.   emri personal i fëmiut

b.   pranimi apo vërtetimi i atësisë përkatësisht amësisë

c.   lidhja e martesës së prindërve nëse kjo martesë bëhet pas lindjes së fëmiut.

d.   Kujdestari i fëmiut

e.   Heqja apo kthimi  të drejtave prindore mbi fëmiun,

f.    Vazhdimi apo ndërprerja e të drejtave prindore,

g.   Lidhja apo shkëputja e martesës,

h.   Ndërrimi i emrit apo mbiemrit të fëmiut, prindërve, kujdestarit apo adoptuesit,

i.    Ndërrimi i shtetësisë,

j.    Vdekja apo shpallja për të vdekur i personit të zhdukur dhe

k.    Përmirësimet e kryera pas regjistrimit bazë.

 

16.10. Zyrtari i Gjendjes Civile lidhur me faktin e lindjes së paraqitur përpilon procesverbal.

 

16.11. Nëse faktin e lindjes e paraqet institucioni shëndetësor, kjo shënohet në rubrikën “vërejtje”

 

16.12. Nëse fakti i lindjes regjistrohet në bazë të aktvendimit të organit kompetent komunal kjo shënohet në rubrikën “vërejtje”

 

 

 

Caktimi, korrigjimi, ndërrimi dhe përmirësimi i emrit personal

Neni 17

 

Caktimi, ndryshimi, ndërrimi dhe përmirësimet e emrit personal rregullohet me ligjin për emrin personal.

 

 

 

Regjistrimi i faktit të lindjes në rast të mungesës së njërit apo të dy prindërve

Neni 18

 

18.1. Me rastin e regjistrimit të faktit të lindjes kur  njëri  prind është i pa njohur rubrika në librin amzë për të dhënat e atij prindi nuk plotësohet por shënohet se prindi është i panjohur.

 

18.2. Kur janë të dy prindërit të panjohur regjistrimi bëhet në bazë të aktvendimit të organit të kujdestarisë kurse në rubrikën „vërejtje“ apo „regjistrime të mëvonshme“ duke shënuar:

 

a.   Se regjistrimi është bërë me aktvendimin e organit të kujdestarisë

b.   Emri i organit të kujdestarisë

c.   Numri dhe data e aktvendimit

 

18.3. Kur me vendim të gjyqit është përcaktuar prindi Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën „vërejtje“ ose „regjistrimet e mëvonshme“  shënon:

 

a.   Babai/nëna e fëmiut është përcaktuar me vendim të gjyqit

b.   Emri i gjyqit dhe selia

c.   Numri dhe data e vendimit

 

18.4. Me rastin e gjetjes së fëmiut të porsalindur prindërit e të cilit nuk dihen Zyrtari i Gjendjes Civile menjëherë përpilon procesverbal.

 

18.5. Procesverbali përpilohet në tre ekzemplar dhe përmban:

 

a.   Emrin, mbiemrin dhe adresën e personit që ka gjetur fëmiut apo ka paraqitur gjetjen e fëmiut

b.   Vendin dhe kohën e gjetjes

c.   Rrethanat në të cilat është gjetur fëmiu

d.   Mosha e saktë dhe gjinia e fëmiut

e.   Shenjat dalluese apo të veçanta trupore të fëmiut

f.    Thirrjen e entit apo të dhënat e personit ku gjendet fëmija nën përkujdesje

g.   Nëse ka pasur dëshmitarë me rastin e gjetjes së fëmiut merren edhe deklaratat e tyre

 

18.6. Gjithashtu procesverbal,  përpilon edhe organi i kujdestarisë.

 

 

 

Pranimi i atësisë dhe/ose amësisë

Neni 19

 

19.1. Personi i cili konsideron vetën baba/nënë të fëmiut mund të pranoj atësinë/amësinë në Zyrën e Gjendjes Civile ku ka lindur fëmiu dhe se deklarata e tij/saj duhet të regjistrohet në procesverbal. me nënshkrimin e tyre dhe të Zyrtarit të Gjendjes Civile duke e vënë  vulën dhe datën në procesverbal.

 

19.2. Deklarata mbi pranimin e atësisë/amësisë shënohet në rubrikën “vërejte”apo “regjistrimet e mëvonshme” duke cekur:

 

a.   Emrin personal të personit që ka pranuar atësinë/amësinë,

b.   Organin para të cilit është pranuar atësia/mëmësia,

c.   Numri dhe data e procesverbalit,

d.   Pajtimi i nënës për pranimin e atësisë të personit që konsideron baba,

e.   Organin para të cilit nëna e ka pranuar atësinë e atij personi,

f.    Data dhe numri i deklaratës.

 

19.3. Kur me rastin e pranimit të atësisë/amësisë ende nuk është caktuar emri personal i fëmiut në procesverbal ceket edhe ky fakt dhe regjistrohet në rubrikën ”vërejtje”apo”regjistrimet e mëvonshme” se prindërit nuk ia kanë caktuar fëmiut emrin.

 

19.4.  Atësia mund gjithashtu të njihet para Organit të Kujdestarisë , gjykatës apo organit tjetër ku ka lindur fëmiu të autorizuar për përgatitjen e dokumenteve publike. Këto organe janë të detyruara që pa vonesë të dërgojnë procesverbalin e vërtetuar tek Zyrtari i Gjendjes Civile kompetent i cili duhet të regjistroj fëmiun në librin amzë  te të lindurve.

 

19.5. Atësia gjithashtu mund të njihet edhe me testament dhe këtë Zyrtari i Gjendjes Civile e evidenton në librin amzë te të lindurve.

 

19.6.  Nëna e fëmiut të lindur jashtë martesës në paraqitjen e lindjes së fëmiut mund që me autorizimin e personit ta shënojë personin të cilin e konsideron at  të fëmiut së vet dhe kjo deklaratë me gojë e prezantuar para Zyrtarit të Gjendjes Civile shënohet në procesverbal nga ai dhe pas regjistrimit të fëmiut edhe në rubrikën vërejtje shënon “nëna e fëmiut jashtëmartesor cakton babain e fëmiut”.

 

19.7. Nëse nëna në paraqitjen e lindjes së fëmiut nuk e ka shënuar personin që e konsideron at të fëmiut, Zyrtari i Gjendjes Civile do ta udhëzojë për të drejtën e saj që ta bëjë këtë gjë.

 

19.8. Kur e merr deklaratën e nënës për personalitetin e atit të fëmiut së saj, Zyrtari i Gjendjes Civile do ta ftojë personin e shënuar të deklarohet për atësinë e vet drejtpërdrejt para Zyrtarit të Gjendjes Civile ose në dokumentin e vërtetuar brenda afatit prej 30 ditësh. Letërthirrja për personin e  tillë medoemos i dorëzohet personalisht dhe sipas mënyrës me të cilën sigurohet fshehtësia.

 

19.9. Nëse personi i ftuar deklaron se nuk do të jetë atë i fëmiut ose brenda afatit prej 30 ditësh nuk deklarohet për atësinë e fëmiut, Zyrtari i Gjendjes Civile lidhur me këtë gjë do ta informojë nënën e fëmiut.

 

19.10. Nëna e fëmiut me këtë rast mund të inicioj procedurën para gjykatës.

 

19.11. Nëse personi i ftuar deklaron në procesverbal para Zyrtarit të Gjendjes Civile se konsideron veten at të fëmiut dhe kjo është regjistruar në dokumentin e verifikuar nga organi kompetent Zyrtari i Gjendjes Civile zyrtarisht do ta regjistrojë si at të fëmiut, në librin  amzë të të lindurve dhe për këtë regjistrimin duhet të informojë nënën e fëmiut dhe këtë  fakt e evidenton edhe në rubrikën ”regjistrimet e mëvonshme”.

 

 

Martesa e lidhur mes prindërve të fëmiut pas pranimit të atësisë/amësisë

Neni 20

 

20.1. Kur prindërit jashtëmartesor që kanë pranuar fëmiun si të vetin lidhin martesë, Zyrtari i Gjendjes Civile duke u mbështetur në librin amzë të të martuarve apo në bazë të certifikatës të lëshuar në bazë të këtij libri në rubrikën “vërejtje” apo “regjistrime të mëvonshme”  shënon se:

 

a.   Me lidhjen e martesës fëmija është bërë martesor

b.   Vendi ku është lidhë martesa

c.   Numri vijues dhe data e regjistrimit të martesës në librin amzë

 

20.2. Poashtu edhe ndryshimet tjera si : vdekja apo shkurorëzimi regjistrohen detyrimisht në rubrikën “vërejtje” apo regjistrime të mëvonshme “

 

20.3. Nëse gjatë martesës prindërit apo bashkëshortët, të miturit i ndërrojnë emrin apo mbiemrin  në rubrikën sipas nenit 17 të këtij ligji “regjistrimet e mëvonshme “ dhe në procesverbal Zyrtari i Gjendjes Civile do të shënoj se:

 

a.   Prindërit me marrëveshje i kanë caktuar emrin dhe/apo mbiemrin e ri fëmiut (ceket emri dhe/apo mbiemri),

b.   Numri dhe data e procesverbalit dhe

c.   Organin para të cilit është dhënë deklarata

 

 

Regjistrimet  e të dhënave me rastin e adoptimit

Neni 21

 

21.1. Me rastin  kur  prindërit janë të panjohur fëmija adoptohet në bazë të aktvendimit të organit kompetent,  Zyrtari i Gjendjes Civile në librin amzë te të lindurve në rubrikën për prindërit shënon emrin e adoptuesit me të dhënat përkatëse dhe në “regjistrimet e mëvonshme” do të shënoj:

 

a.   regjistrimi i të dhënave është bërë në bazë të aktvendimit të organit  (ceket organi, numri dhe data e aktvendimit)

 

21.2. Me rastin e shkëputjes së adoptimit, i adoptuari që ka marrë mbiemrin e  adoptuesit e merr mbiemrin e mëparshëm dhe kjo regjistrohet në rubrikën “regjistrimet e mëvonshme”.

 

 

 

Marrja e mbiemrit të mëparshëm pas shkurorëzimit

Neni 22

 

Nëse njëri nga bashkëshortët pas shkëputjes së martesës, shpalljes së saj joekzistuese, ose anulimit të saj e merr mbiemrin e mëparshëm që ka pasur para lidhjes së martesës, Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën “regjistrime të mëvonshme” dhe në procesverbal cekë se:

 

a.   e ka marrë mbiemrin që ka pasur para lidhjes së martesës (duke cekur mbiemrin)

b.   numri dhe data e procesverbalit

c.   emri i organi para të cilit është dhënë deklarata.

 

 

Regjistrimi faktit të lindjes së banorëve jashtë Kosovës

 

Neni 23

 

23.1. Prindërit të cilët janë banorë të përhershëm të Kosovës mund të regjistrojnë lindjen e fëmijës së tyre lindur jashtë Kosovës në zyrën e gjendjes civile të komunës ku ata kanë banim të përhershëm.

 

23.2. Ky fakt i lindjes së fëmiut jashtë Kosovës nga prindërit që janë banor të Kosovës regjistrohet në bazë të certifikatës së lindjes nga libri amzë i organit të shtetit ku ka ndodhur lindja dhe në rubrikën “vërejtje” shënohet  “regjistrimi është kryer në bazë të certifikatës ndërkombëtare të lëshuar nga shteti”  dhe shtohet:

 

a.   Emri i shtetit që ka lëshuar certifikatën

b.   Organi i atij shteti që ka lëshuar certifikatën

c.   Selia e organit

d.   Numri dhe data e certifikatës

e.   Vendi i lindjes

f.    Data e lindjes dhe adresa

 

23.3. Shënimet nga dokumenti i autoriteteve kompetente jashtë Kosovës regjistrohen në librin e amzës ashtu siç janë të shënuara në dokument pa  marrë parasysh alfabetin që është përdorur.

 

23.4. Kur Zyrtari i Gjendjes Civile është plotësisht i sigurt se si shqiptohet  emri i një vendi apo shteti  në gjuhën tone ai mund ta shënoj shqiptimin fonetik të atij vendi. Psh Östereich-Austria.

 

 

Libri Amzë i të Martuarve

Neni 24

 

24.1. Në librin amzë te të martuarve regjistrohen faktet e lidhjes së martesave si bashkëjetesë ligjore e burrit dhe gruas.

 

24.2.  Martesa duhet të regjistrohet në librin amzë te të martuarve të Zyrës Komunale të Gjendjes Civile aty ku njëri prej bashkëshortëve ka vendbanimin e përhershëm

 

24.3. Të drejtë martese përkatësisht të regjistrimit të faktit të lidhjes së martesës kanë personat madhor të moshës mbi 18 vjet.

 

24.4.  Të drejtë në martesë përkatësisht në regjistrimin e martesës e kanë edhe personat jomadhor nëse paraprakisht këtë ka lejuar organi kompetent me aktvendim të veçantë.

 

24.5. Për të hyrë në martesë është e nevojshme që dy persona të gjinisë të kundërt, në prani të të tjerëve, të shprehin në mënyrë të lirë vullnetin dhe pajtimin e tyre për martesë përpara nëpunësit të gjendjes civile.

 

24.6. Deklarata duhet të jetë absolute dhe e menjëhershme.

 

24.7. Pjesëmarrës gjatë lidhjes së martesës janë nusja, dhëndëri, dy dëshmitarë dhe nëpunësi i gjendjes civile ndërsa te rastet e martesave me shtetas të huaj edhe përkthyesi.

 

24.8. Secili person me aftësi për të vepruar mund të jetë dëshmitar gjatë lidhjes së martesës.

 

24.9. Lidhja e martesës bëhet në Zyrën e Gjendjes Civile në komunë në mënyrë solemne në ambiente të dedikuara për këtë qëllim.

 

24.10. Sipas kërkesës dhe dëshirës së bashkëshortëve lidhja e martesës bëhet edhe në ambiente tjera të preferuara nga ata.

 

24.11. Me rastin e lidhjes së martesës detyrimisht duhet të jen të pranishëm  personat që lidhin martesë dhe dy dëshmitarët.

 

24.12. Martesat e lidhura për interes janë të ndaluara me ligj.

 

 

Kërkesa për lidhjen e martesës

Neni 25

 

25.1. Personat që dëshirojnë të lidhin martesë duhet të paraqesin kërkesë pranë zyrtarit    të gjendjes civile të kuvendit komunal.

 

25.2. Kërkesës për lidhjen e martesës duhet t’i bashkëngjitet certifikata e lindjes, certifikata mbi gjendjen martesore dhe dokumente të tjera të parapara me akt të veçantë.

 

25.3. Zyrtari i gjendjes civile do të vendos mbi datën e lidhjes së martesës në marrëveshje me personat që dëshirojnë të lidhin martesën.

 

25.4. Pas parashtrimit të kërkesës për lidhjen e martesës, Zyrtari i Gjendjes Civile do t’u rekomandojë personave që dëshirojnë të lidhin martesë që deri në ditën e lidhjes së martesës, reciprokisht të informohen lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore, të vizitojnë konsulentin familjar për të siguruar mendimin përkitazi me zhvillimin e marrëdhënieve harmonike martesore dhe familjare, të njihen me mundësitë dhe përparësitë e planifikimit të familjes, si dhe të arrijnë pajtimin lidhur me mbiemrin e ardhshëm.

 

25.5. Banorët e Kosovës të cilët jetojnë një kohë të gjatë jashtë Kosovës, për lëshimin e certifikatës së statusit martesor duhet të kërkohet deklarata e dy dëshmitarëve të vërtetuar nga notari në vendin në të cilin jeton ai/ajo.

 

 

 

Detyrimet e Zyrtarit të Gjendjes Civile me rastin e lidhjes së martesës

Neni 26

 

26.1. Zyrtari i gjendjes civile nuk është i autorizuar të refuzojë pëlqimin e bashkëshortëve të ardhshëm, për të lidhur martesë përveç në rastet kur ekzistojnë pengesa martesore.

 

26.2. Zyrtari i Gjendjes Civile duhet me rastin e lidhjes së martesës të krijoj një ambient solemn dhe të qetë.

 

26.3. Lidhja e martesës fillon me raportin e paraqitur nga Zyrtari i Gjendjes Civile, duke treguar prezencën e bashkëshortëve të ardhshëm dhe dëshmitarëve dhe mosekzistimin e pengesave martesore të parapara me Ligj.

 

26.4. Mosekzistimi i pengesave të tilla konstatohet në bazë të dokumenteve të parashtruara, deklaratave të bashkëshortëve të ardhshëm, si dhe deklaratave të dëshmitarëve.

 

26.5. Në rast se zyrtari i gjendjes civile konstaton se nuk ekzistojnë pengesa për lidhjen e martesës, ai i informon bashkëshortët e ardhshëm mbi të drejtat dhe detyrimet e bashkëshortëve në bazë të ligjit për të drejtën familjare.

 

26.6. Pas kësaj Zyrtari i Gjendjes Civile i pyet bashkëshortët e ardhshëm veç e veç nëse pajtohen për martesë me njeri-tjetrin.

 

26.7. Pasi t’i ketë siguruar deklaratat mbi pajtimin për hyrje në martesë, Zyrtari i Gjendjes Civile e shpall martesën të lidhur.

 

 

Shënimet me rastin e lidhjes së martesës në librin amzë

Neni 27

 

27.1.  Në librin amzë për regjistrimin e martesës regjistrohen këto fakte për dhëndrin dhe nusen:

 

a.   Emri dhe mbiemri;

b.   Viti i lindjes;

c.   Numri personal;

d.   Deklarata për mbiemrin për të cilin janë përcaktuar bashkëshortët pas lidhjes së martesës;

e.   Data dhe vendi i lidhjes së martesës;

f.    Vendbanimi dhe adresa e të martuarve;

g.   adresa para lidhjes së martesës;

h.   emri dhe mbiemri i prindërve të  dhëndrit dhe nuses;

i.    emri, mbiemri dhe adresa e dëshmitarëve dhe

j.    emri dhe mbiemri i personit zyrtar para të cilit lidhet martesa.

 

27.2. Gjithashtu si shënime plotësuese shënohen:

 

a.   zgjidhja e martesës

b.   vdekja e njërit bashkëshort

c.   shpallja e martesës e pa qenë

 

27.3. Nëse me rastin e lidhjes së martesës ka marrë pjesë edhe përkthyesi  në rubrikën “vërejtje” shënohen edhe të dhënat e tij.

 

27.4. Me rastin e lidhjes së martesës bashkëshorti i cili është pajtuar që të ndërroj mbiemrin, Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën “deklarata e bashkëshortit  për ndërrim të mbiemrit” e shënon deklaratën e tij/saj.

 

27.5. Bashkëshorti i cili ka ndërruar mbiemrin regjistrimin e martesës e nënshkruan me   mbiemrin e ri.

 

27.6. Zyrtari i Gjendjes Civile  e regjistron lidhjen e martesës në librin amzë te të martuarve dhe në të  njëjtin libër nënshkruhen  bashkëshortët, dy dëshmitarët dhe Zyrtari i Gjendjes Civile.

 

27.7. Pas lidhjes së martesës, bashkëshortëve u lëshohet certifikata nga Libri amzë i të martuarve. 

 

 

 

Refuzimi  për lidhjen e martesës nga ana e Zyrtarit të Gjendjes Civile

Neni 28

 

28.1. Kur Zyrtari i Gjendjes Civile konstaton ekzistimin e çfarëdo pengese martesore, ai informon gojarisht parashtruesit e kërkesës se nuk mund të lidhin martesë dhe harton procesverbalin lidhur me çështjen.

 

28.2. Në procesverbal Zyrtari i Gjendjes Civile shënon:

 

a.   arsyen e refuzimit për  lidhjen e martesës,

b.   pengesën për të cilën refuzohet lidhja e martesës

c.   personat për të cilët refuzohet lidhja e martesës

d.   data dhe vendi ku është kërkuar lidhja e martesës

e.   emri dhe mbiemri i Zyrtarit të Gjendjes Civile që ka refuzuar lidhjen e martesës.

 

28.3. Nëse personat që kanë parashtruar kërkesën për lidhjen e martesës nuk pajtohen me refuzimin e zyrtarit të gjendjes civile, këta mund të iniciojnë procedurë gjyqësore para gjykatës kompetente lidhur me refuzimin e kërkesës për lidhjen e martesës.

 

28.4. Gjykata është e obliguar që të nxjerrë vendim në procedurë  të shpejt brenda 15 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës.

 

28.5. Kundër  vendimit nga paragrafi 4 të këtij neni mund të parashtrohet ankesë brenda 8 ditësh nga dita e njoftimit nga ana e gjykatës  lidhur me moslejimin e martesës në organet e gjykatës së shkallës së dytë.

 

 

 

Lidhja e martesës me lejen e gjykatës

Neni 29

 

Me  rastin e lidhjes së martesës me lejen paraprake të gjykatës kompetente për tu liruar nga ndonjë pengesë martesore, Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën “vërejtje” do të shënoj:

 

a.   Gjykatën  që ka lejuar lidhjen e martesës,

b.   Selia e gjykatës që ka marrë vendim,

c.   Numri dhe data e vendimit,

d.   Për cilën pengesë është marrë vendimi nga ana e gjykatës,

e.   Emri i nuses dhe dhëndrit për të cilët është marrë  vendimi.

 

 

 

Lidhja e martesës në shtetet e huaja

Neni 30

 

30.1. Kur martesa është lidhur nga banorët tanë në shtetet e huaja dhe kur ajo martesë kërkohet të regjistrohet në librin amzë te të martuarve, Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën “vërejtje” shënon “regjistrimi është bërë me datë, në bazë të certifikatës së lëshuar nga libri amzë i të martuarve (ceket organi i shtetit të jashtëm që ka lëshuar certifikatën selia numri dhe data e saj) “kurse në rubrikën për “ vendin e lidhjes së martesës” shënohet: “vendi dhe shteti i lidhjes së martesës”

 

30.2. Emrat e shteteve të huaja shënohen ashtu siç janë të shënuar në dokument ose në pajtim me nenin 23.4.

 

 

E drejta e shtetasve të huaj për të lidhur martesë

Neni 31

 

31.1. Personat me shtetësi të huaj kanë të drejtë të lidhin martesë para Zyrës Komunale të Gjendjes Civile të vendit.

 

31.2. Personat me shtetësi të huaj duhet të sjellin:

 

     -  Certifikatën e lindjes;

     -  certifikatën për aftësinë për të lidhur martesë (kapacitetin martesor) të ofruar

         nga autoritetet e vendit të tij e që dëshmon të drejtën e tyre për martesë sipas

         dispozitave të këtij ligji, se nuk ka ndalesa dhe pengesa për të lidhur martesë

     -  certifikatën e vendbanimit dhe

     -  dokumente të tjera të parapara me akte të veçanta.

 

31.3. Certifikata bëhet e pavlefshme nëse martesa nuk lidhet gjashtë muaj pas lëshimit të certifikatës. Nëse certifikata cakton  afat më të shkurt kohor, ky  afat do të aplikohet.

Regjistrimi i shkurorëzimeve

Neni 32

 

32.1. Në rast të shkurorëzimit, të shpalljes së martesës së paqenë, të zgjidhjes ose anulimit të martesës Zyrtari i Gjendjes Civile në librin amzë te të martuarve në rubrikën “regjistrimet e mëvonshme” shënon “ martesa është anuluar, zgjidhur, shkurorëzuar ose është shpallur e paqenë në bazë të aktvendimit të gjykatës duke cekur gjykatën numrin dhe datën e aktvendimit.”

 

32.2. Kur martesa shkëputet me rastin e vdekjes së njërit bashkëshort Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën “regjistrimet e mëvonshme” shënohen:

 

•“martesa është shkëputë me rastin e vdekjes së njërit bashkëshort” duke cekur datën dhe vendin e vdekjes, numrin dhe vitin e regjistrimit të vdekjes në librin e të vdekurve.

 

32.3. Regjistrimi i shkurorëzimeve të banorëve tanë që kanë ndodhur në vendet e huaja njihet pasi të regjistrohet në gjykatën kompetente të vendit.

 

 

Libri amzë i të vdekurve

 

Paraqitja e faktit të vdekjes

Neni 33

 

33.1. Libër Amëz i të Vdekurve është libri ku mbahen të gjitha shënimet lidhur me faktet e të gjitha  vdekjeve të ndodhura.

 

33.2. Fakti i vdekjes regjistrohet në librin amzë së të vdekurve në bazë të paraqitjes me shkrim, ose në bazë të aktit të organit kompetent në vendin e vdekjes së të vdekurit.

 

33.3. Fakti i vdekjes paraqitet brenda 15 ditëve nga dita e vdekjes përkatësisht 21 ditë pasi është gjetur kufoma.

 

33.4. Fakti i vdekjes së banorëve të Kosovës të ndodhura jashtë vendit paraqitet brenda afatit prej 60 ditëve.

 

33.5. Faktin e vdekjes duhet ta paraqesin anëtarët e familjes

 

33.6. Kur anëtarët e familjes nuk ekzistojnë, atë e paraqesin anëtarët e familjes më të gjerë, fqinjët ose kushdo që din për rastin e vdekjes.

 

33.7. Kur fakti i vdekjes ndodh në entet shëndetësore, hotele, konvikte, burgje, apo ente të tjera ato janë të obliguara për ta paraqitur faktin e vdekjes.

 

33.8. Personi i cili bën paraqitjen e faktit të vdekjes duhet të paraqes edhe vërtetimin e entit shëndetësor me të cilin vërtetohet vdekja.

 

33.9. Faktin e vdekjes zyrtari i gjendjes civile mund ta regjistroj edhe pa vërtetimin e entit mjekësor me dëshminë e dy dëshmitarëve të bërë para gjykatës, që kanë marrë pjesë në varrimin e të vdekurit apo kanë qenë dëshmitar në momentin e vdekjes së të vdekurit.

Paraqitja e faktit të vdekjes nga ana e organit kompetent

Neni 34

 

34.1. Kur fakti i vdekjes paraqitet nga organi kompetent dhe ai regjistrohet në librin amzë së të vdekurve Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën vërejtje “ do të shënoj:

 

a.   thirrja e organi që ka lëshuar dokumentin

b.   selia, vendi dhe

c.   numri data dhe vendi i vdekjes

 

34.2. Kur të dhënat e organit kompetent në dokument nuk janë të plota për tu regjistruar në librin e të vdekurve, Zyrtari i Gjendjes Civile do ta plotësoj me të dhënat tjera.

 

34.3. Kur fakti i vdekjes ndodhë jashtë vendit të banimit si pasoj e fatkeqësisë , në librin amzë së të vdekurve në rubrikën “vërejtje” shënohet

 

a. Vendi i vdekjes,

b. Koha e vdekjes

 

34.4. Kur fakti i vdekjes ndodh në automjetin e komunikacionit dhe kur vendi i vdekjes nuk dihet saktë Zyrtari i Gjendjes Civile në librin e të vdekurve shënon  “ka vdekur në automjet dhe regjistrimi është bërë në vendin e varrimit.

 

34.5. Faktin e vdekjes në luftë apo nga  fuqia madhore Zyrtari i Gjendjes Civile këtë fakt do ta regjistroj në bazë të akteve dhe vërtetimeve të organeve kompetente apo organizatave vendore apo ndërkombëtare që kanë bërë evidentimin e tyre.

 

34.6. Kur fakti i vdekjes regjistrohet në bazë të aktvendimit të organit kompetent për shpalljen e personave të zhdukur si të vdekur Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën “vërejtje” shënon:

 

a.   Regjistrimi bëhet në bazë të aktvendimit të organit kompetent

b.   Thirrja  e organit që ka marrë aktvendimin  

c.   Data numri dhe vendi i marrjes së aktvendimit

 

 

Paraqitja e faktit të vdekjes në bazë të aktvendimit të gjykatës

Neni 35

 

35.1. Kur fakti i vdekjes regjistrohet në bazë të aktvendimit të gjykatës në bazë të ligjit mbi shpalljen e personave të zhdukur si të vdekur Zyrtari i Gjendjes Civile shënon :

 

a.   thirrja e gjykatës

b.   selia

c.   data dhe numri i aktvendimit 

 

35.2. Kur aktvendimi për shpalljen e personave të zhdukur si të vdekur ndryshon  në rubrikën “vërejtje” Zyrtari i Gjendjes Civile shënon: “aktvendimi i gjykatës për shpalljen e personit të zhdukur për të vdekur ndryshon” duke cekur:

 

a.   thirrjen e organit që ka ndryshuar aktvendimin

b.   selia

c.   data dhe numri i aktvendimit të regjistruar

d.   cilat janë ndryshimet e aktvendimit

 

35.3. Nëse gjykata e pezullon aktvendimin mbi shpalljen e personit të zhdukur si të vdekur ky regjistrim i kryer më herët anulohet me vizë diagonale dhe në rubrikën “vërejtje” shënohet aktvendimi i pezulluar.

 

 

 

Fakti i  gjetjes se kufomës së panjohur

Neni 36

 

36.1. Fakti i gjetjes së kufomës së panjohur regjistrohet në librin amzë dhe mbahet procesverbali.

 

36.2. Rubrikat për të dhënat e personit të cilit i është gjetur kufoma nuk plotësohen  përpos në rubrikën “vërejtje” shënohet:

 

a.   Data, viti,  vendi dhe koha e gjetjes së kufomës;

b.   mosha e përafërme;

c.   gjinia;

d.   gjatësia;

e.   ngjyra e flokëve dhe syve;

f.    banimi i përhershëm ;

g.   data dhe  numri i procesverbalit;

h.   emrin e organit që ka mbajtur procesverbalin

 

36.3. Nëse identiteti i personit që i është gjetur kufoma vërtetohet më vonë ky fakt regjistrohet në rubrikën “regjistrime të mëvonshme”  në bazë të aktvendimit të organit kompetent.

 

 

 

 

Të dhënat për regjistrimin e faktit të vdekjes

Neni 37

 

Në librin amzë së të vdekurve për faktin konkret të vdekjes shënohen këto të dhëna :

 

a.   Emri dhe mbiemri/dhe/ose mbiemri para martesës, së të vdekurit,

b.   Data muaji dhe viti i lindjes

c.   Data muaji, ora dhe vendi i vdekjes

d.   Gjendja martesore dhe gjinia

e.   Numri personal

f.    Shtetësia

g.   Vendbanimi dhe adresa

h.   Emri dhe mbiemri i prindërve

i.    Emri dhe mbiemri i personit përkatësisht institucionit që ka paraqitur vdekjen

j.    Natyrën dhe shkaqet e vdekjes

k.    Dhe shënime tjera relevante

 

 

 

 

 

Kreu III

 

Dispozitat e përbashkëta

 

Lëshimi i certifikatave

Neni 38

 

38.1. Zyrtari i Gjendjes Civile sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të personit të interesuar lëshon certifikatë.

 

38.2. Certifikata lëshohet në bazë të kërkesës me shkrim nga i interesuari.

 

38.3. Kur ekziston infrastruktura elektronike kërkesa bëhet edhe në formë elektronike.

 

38.4. Certifikata përmban të gjitha shënimet e fundit në librin amzë deri në atë moment kur lëshohet.

 

38.5. Certifikata lëshohet si certifikatë e lindjes, martesës përkatësisht gjendjes martesore, vdekjes dhe të tjera.

 

38.6 Në certifikatë shënohen faktet përkatëse për të cilat lëshohet certifikata në bazë të shënimeve në librin amzë.

 

38.7. Në certifikatë nuk shkruhen shënimet mbi përmirësimet apo plotësimet e mëvonshme që janë bërë në librin amzë.(psh emri i adoptuesit të mëparshëm që tani nuk është adoptues i fëmiut).

 

38.8. Zyrtari i Gjendjes Civile me aktvendim refuzon të lëshoj certifikata vetëm në rast se konsideron se keqpërdoret ajo.

 

38.9. Me rastin e lëshimit të certifikatës Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikat e paplotësuara do vëj vizë.

 

38.10. Në certifikatën e lindjes Zyrtari i Gjendjes Civile në rubrikën për prindërit do të shënoj të dhënat e atyre personave që janë të shënuar për prindër pa marrë parasysh bazën mbi të cilën janë caktuar prindërit e fëmiut.

 

38.11. Në certifikatën e lindjes nuk shënohet as rasti i gjetjes dhe kushtet e gjetjes së fëmiut.

 

38.12. Gjithashtu edhe në rast të adoptimit të fëmiut nuk shënohet kjo e dhënë dhe mbiemri i fëmiut shënohet ai mbiemër i marrë pas adoptimit.

 

38.13. Edhe në rastin e vazhdimit te të drejtave prindërore apo të kujdestarit kjo e dhënë nuk shënohet në certifikatë.

 

38.14. Personit të martuar në momentin kur i lëshohet certifikata e lindjes në rubrikën për vërejtje i shënohet data e lidhjes së martesës dhe mbiemri që ka pas martesës.

 

38.15. Personi që ka ndërruar emrin personal, në certifikatën e lindjes i shënohet emri të cilin e mban me rastin e lëshimit të certifikatës ndërsa, sipas aktvendimit të organit kompetent në rubrikën vërejtje i shënohet edhe emri i mëparshëm.

 

38.16. Kur martesa është e zgjidhur në certifikatë shënohet edhe ky fakt.

 

38.17. Kur martesa është lidhur shumë herë, në certifikatë bëhet vetëm shënimi i martesës së fundit.

 

38.18. Në certifikatën e lindjes nuk shënohet ora e lindjes.

 

38.19. Të gjitha certifikatat e lëshuara duhet të nënshkruhen nga Zyrtari i Gjendjes Civile dhe të vulosen me vulë përkatëse.

 

38.20. Përmbajtja, forma, lloji e certifikatave, lloji i letrës siguruese të certifikatës rregullohen me akt të veçantë.

 

 

Ruajtja e librave të amzës dhe e shkresave

Neni 39

 

39.1. Librat e amzës dhe shkresat në bazë te të cilave është bërë regjistrimi duhet të sigurohen nga dëmtimi, asgjësimi dhe nga çdo keqpërdorim

 

39.2. Zyrtari i Gjendjes Civile është përgjegjës për ruajtjen dhe mirëmbajtjen gjatë përdorimit të librave amzë dhe shkresave përkatëse dhe ti vendos në mbështjellëse në arkivin amë.

 

39.3. Shkresat me vlerë të përhershme që janë përdorur me rastin e regjistrimit të fakteve konsiderohen të gjitha:

 

a.   procesverbalet

b.   fletëparaqitjet

c.   vendimet

d.   aktvendimet dhe

e.   shkresa të tjera

 

39.4. Për të gjitha shkresat mbahet arkiv i veçantë së bashku me librin e protokollit në bazë të fakteve përkatëse.

 

Përshkrimi (ripërtëritja) e librave amzë

Neni 40

 

40.1. Kur me rastin e dëmtimit në mënyrë substanciale , asgjësimit apo zhdukjes së librit amzë duhet detyrimisht të bëhet përshkrimi nga kopja tjetër e librit.

 

40.2. Ekzemplari i përshkruar në faqen e parë do të ketë shënimin :

a.   Lloji i librit të asgjësuar apo të zhdukur që përshkruhet,

b.   Aktvendimin numrin, datën dhe organin kompetent që ka marrë atë për përshkrim të librit amzë,

c.   Vendi për të cilin mbahet libri dhe komuna,

d.   Faqet e përshkruara,

e.   Numri vijues dhe viti i regjistrimit,

f.    Nënshkrimi dhe vula e organit kompetent.

 

40.3. Në rast se janë zhdukur ose asgjësuar të dy kopjet e librit amzë ato shpallen në mjetet e informimit dhe ftohen banorët që ti paraqesin faktet e tyre për ripërtëritje të librit përkatës amzë.

 

40.4.     Argumentimi i të dhënave në këtë rast bëhet sipas ligjit.

Bashkëpunimi dhe mbikëqyrja

Neni 41

 

41.1. Zyrtarët e  Gjendjes Civile në të njëjtën komunë respektivisht në territoret amë të së njëjtës komunë janë të obliguar që të bashkëpunojnë .

 

41.2. Bashkëpunimi dhe mbikëqyrja bëhet sidomos në rastet e regjistrimeve pas afatit të paraparë, regjistrimeve të mëvonshme, nxjerrjes së aktvendimeve të ndryshme, përmirësimeve, plotësimeve, marrjen e aktvendimit për përtrirjen e librave amzë, ndihmës profesionale të ofiqarëve dhe mbikëqyrjes së punës së tyre, mbajtja e evidencës për lëndët në procedurë administrative.

 

41.3. Kjo mbikëqyrje dhe bashkëpunim lidhur me zbatimin e ligjit, bëhet edhe nga ana e organeve të ministrisë përkatëse.

 

41.4. Zyrtarët e  Gjendjes Civile në komuna janë të obliguar që të përpilojnë raporte mujore, tre mujore, gjashtë mujore dhe raporte vjetore për të gjitha regjistrimet e kryera, në ministrinë përkatëse.

 

41.5. Kur mbikëqyrja dhe kontrollimi bëhet nga organet kompetente të ministrisë përkatëse Zyrtarët e  Gjendjes Civile në komunë respektivisht në territorin amzë janë të obliguar që të ofrojnë të dhëna të kërkuara dhe pa pengesë të shikohen lëndët që kontrollohen.

 

41.6. Organet kompetente për mbikëqyrje dhe kontroll përpilojnë raport përkatës dhe japin sugjerimet, vërejtjet dhe masat që duhet ndërmarrë në rastin  konkret.

 

 

Përgjegjësitë e Zyrtarit të Gjendjes Civile

Neni 42

 

42.1. Zyrtari i Gjendjes Civile në librin amzë shënon vetëm ato të dhëna që i janë paraqitur përkatësisht përmban akti i organit kompetent

 

42.2. Regjistrimin në librin amzë Zyrtari i Gjendjes Civile është i obliguar ta kryej në mënyrë të rregullt dhe me efikasitet.

 

42.3. Kur ekziston dyshimi i bazuar për jo saktësinë e të dhënave që i janë paraqitur Zyrtari i Gjendjes Civile për regjistrim  është i detyruar që ti vërtetoj ato të dhëna.

 

42.4. Për çdo të dhënë të regjistruar në librin amzë Zyrtari i Gjendjes Civile është i detyruar që të lexoj para parashtruesit.

 

42.5. Moskryerja e obligimeve nga ana e Zyrtarit të Gjendjes Civile të parapara me këtë ligj përbën shkelje të rëndë të detyrës zyrtare.

                   

 

Sanksione Administrative dhe procedura disiplinore

Neni 43

 

43.1. Ministria përkatëse pas informimit nga neni 43 paragrafi 5 të këtij ligji mund të inicioj procedurë disiplinore sipas dispozitave për Shërbimin Civil.

 

43.2. Ndaj këtyre zyrtarëve mund të iniciohet procedura gjyqësore.

43.3. Prej 30 deri në 70 euro do të dënohet me gjobë personi që:

 

a.   Zyrtari i Gjendjes Civile i cili nuk regjistron të dhënat mbi faktin e paraqitur në afatin e paraparë,

b.   Zyrtari i Gjendjes Civile kur nuk udhëheq në mënyrë të rregullt me librat amzë,

c.   Zyrtari i Gjendjes Civile i cili i zbulon të dhënat personave të paautorizuar.

 

43.4.  Procedura për veprën penale fillon për :

 

a.   Zyrtarin i cili lëshon dokumente të falsifikuara.

 

 

Dispozitat përfundimtare

Neni 44

 

44.1. Librat  amzë përkatësisht formularët e tyre, certifikatat , përmbajtjen e tyre, llojet e certifikatave, formatin dhe llojin e letrës dhe ngjyrën speciale që do të përdorët për regjistrime  rregullohet me ligjin për Gjendjen Civile.

 

44.2. Në bazë të formave të librave amzë dhe të dokumenteve që lëshohen në bazë të tyre, përgatiten vulat në pajtim me këtë ligj

 

44.3. Ministria përkatëse së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë do të hartojnë vërtetimin mbi vdekjen e personit në pajtim me këtë ligj.

 

44.4. Llojin dhe përmbajtjen e formularit të regjistrit të librave të amzës e cakton organi kompetent sipas nenit 13.3 të këtij ligji

 

44.5. Librat amzë përkatësisht formularët e tyre ekzistuese vlejnë më së voni 3 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

44.6.  Librat e rinj amzë përkatësisht certifikatat në pajtim me këtë ligj dhe udhëzimet përkatëse  administrative që do të nxirren do të përdorën prej në afatin e paraparë në paragrafin 5 të këtij neni.

 

44.7. Lidhur me formën e certifikatave dhe mënyrën e lëshimit të tyre sipas nenit 38.3 ministria për kryerjen e punëve në këtë fushë nxjerrë udhëzime përkatëse administrative.

 

44.8. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji pushojnë të gjitha  ligjet, rregulloret apo aktet tjera  përkatëse me të cilat është punuar deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji.

 

Hyrja në fuqi

Neni 45

 

Ky Ligj hyn në fuqi pas miratimit nga Kuvendi i  Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP).

 

07.05.2005

UNMIK/REG/2005/21
Herėn e fundit ėshtė azhuruar mė : ( e mėrkurė . 25 shkurt 2009 )
 
< Mbrapa   Para >