Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 02/L-17 PĖR SHĖRBIME SOCIALE DHE FAMILJARE
Maj 30 2007
LIGJI NR. 02/L-17 PĖR SHĖRBIME SOCIALE DHE FAMILJARE
e mėrkurė . 30 maj 2007

Ligji Nr. 02/L-17

 

PËR SHËRBIME SOCIALE DHE FAMILJARE

 

Kuvendi i Kosovës,

 

Duke u bazuar në Rregulloren nr.2001/9, të datës 15 maj 2001, mbi Kornizën Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme në Kosovë, posaçërisht Kreu 5.1(g), 5.7, dhe 9.3.2;

 

Me qëllim që të vendoset baza ligjore për rregullimin dhe përparimin shërbimeve sociale dhe familjare për personat në nevojë dhe pёr familjet,

 

Miraton:

 

LIGJIN PËR SHËRBIME SOCIALE DHE FAMILJARE

Dispozitat themelore

Neni 1

 

1.1. Ky Ligj përcakton dhe rregullon ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për personat në nevojë dhe familjet që janë në nevojë në Kosovë.

 

1.2. Në rrethanat kur nuk ka përkrahje nga familja ose kur ajo nuk është e mjaftueshme për të siguruar mirëqenien e një individi, shteti ka për detyrë të ofrojë shërbime sociale dhe familjare për ata njerëz që ndryshe nuk do të ndihmoheshin në mënyrën, e cila do të respektonte dinjitetin e tyre si qenie njerëzore dhe të drejtat e tyre themelore të bazuara në legjislacionin e Kosovës dhe në konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut. Përveç në rrethana të jashtëzakonshme të nevojës dhe të mbrojtjes, këto shërbime do t’u ofrohen personave në nevojë dhe familjeve në suaza të komunitetit e jo nëpër institucione rezidenciale.

 

1.3. Përkufizimet

 

Shërbimet sociale dhe familjare përfshijnë ofrimin e drejtpërdrejtë të përkujdesjes sociale, këshillimit ose në raste e veçanta, ndihmë materiale për njerëzit në nevojë sociale.

 

Përkujdesja e drejtpërdrejtë sociale nënkupton ofrimin e ndihmës në lidhje me punët e shtëpisë, kujdesin personal, lëvizshmërinë, komunikimin dhe mbikëqyrjen. Mund të ofrohet në shtëpinë e vetë personit, në një qendër të specializuar të qëndrimit ditor ose në një institucion rezidencial.

 

Këshillimi është një proces sistematik dhe i programuar i ofrimit të informacionit, këshillave dhe udhëzimeve me qëllim që të ndihmohet një individ ose një familje për të përmirësuar rrethanat sociale dhe ndër njerëzore.

 

Ndihma materiale nënkupton sigurimin e parave, strehimit të përkohshëm, ushqimit, pagesës së shpenzimeve mjekësore, veshmbathjes ose çfarëdo nevoje tjetër të domosdoshme materiale urgjente për të cilën nuk ka burim tjetër në dispozicion. 

 

Person në nevojë nënkupton cilindo person që gjendet në territorin e Kosovës, pa marrë parasysh statusin apo vendin e origjinës, i cili ka nevojë për shërbime sociale për shkak:

 

1.   se është fëmijë pa përkujdesje prindore

2.   se është fëmijë me sjellje asociale

3.   se është delikuent i mitur

4.   të marrëdhënieve të çrregulluara në familje

5.   të moshës së shtyer

6.   të sëmundjes trupore ose aftësive të kufizuara fizike

7.   të aftësive të kufizuara mendore

8.   të sëmundjes mendore

9.   të rrezikut nga shfrytëzimi ose abuzimi

10.  të dhunës në familje

11.  të trafikut të qenieve njerëzore

12.  të varësisë nga alkooli ose drogat

13.  të emergjencave ose fatkeqësive të shkaktuara nga natyra apo njeriu

14.  ose për ndonjë arsye tjetër që i bën ata persona nevojtarë.

 

Familje në nevojë është ajo familje, ku njërit ose të dy prindërve ose përkujdesësit tjetër u nevojitet ndihma në përkujdesjen për fëmijë për shkak të gjendjes së tyre ose gjendjes së fëmijës ose në rrethana kur fëmija është duke pësuar dëmtim serioz për shkak të lënies pasdore ose abuzimit nga ana e prindit ose prindërve të tij ose për shkak të paaftësisë së prindit apo prindërve ose përkujdesësit të tij që të përkujdesen për të në mënyrë adekuate, ose i është ekspozuar mundësisë që të përjetojë diçka të tillë. 

 

Fëmijë nënkupton personin i cili është nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç.

 

I mitur nënkupton personin mes moshës katërmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë vjeç.

 

Nëpunës i shërbimeve sociale nënkupton një profesionist të shërbimeve sociale dhe familjare me kualifikim adekuat në fushë të punës sociale, psikologjisë, sociologjisë, drejtësisë, pedagogjisë ose në ndonjë lëmë tjetër të lidhur ngushtë me shërbimet sociale dhe familjare, që është licencuar dhe regjistruar në regjistër të Këshillit të Përgjithshëm të Shërbimeve Sociale dhe Familjare.

 

Organi i kujdestarisë është funksion i qendrës për punë sociale përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve.

 

1.4. Çdo person ose familje që e konsideron veten të jetë në nevojë sipas dispozitave të këtij ligji ka të drejtë që t’i vlerësohen rrethanat nga qendra për punë sociale e vendit ku jeton, ose në të cilin gjendet, dhe t’i plotësohen këto nevoja nëse është e arsyeshme që qendra për punë sociale të veprojë kësisoj, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, përfshirë shkallën e nevojës dhe ekzistimin e burimeve për përmbushjen e saj. 

 

 

Roli i Ministrisë

Neni 2

 

2.1. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (në tekstin e mëposhtëm: Ministria) është përgjegjëse e gjithmbarshme për organizimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë dhe siguron që të gjithë banorët e Kosovës të kenë qasje të barabartë në shërbimet sociale dhe familjare pa asnjë dallim, siç është raca, përkatësia etnike, gjinia, gjuha, religjioni, mendimi politik, origjina kombëtare ose sociale, pasuria, lindja ose diçka tjetër. 

 

2.2. Ministria është përgjegjëse për zhvillimin e politikave dhe përgatitjen e planeve strategjike për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për popullatën e Kosovës, të sigurojë zbatimin sipas standardeve të duhura të këtyre politikave dhe planeve strategjike nga ana e komunave dhe organizatave të tjera që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare, si edhe për kornizën rregullatore të shërbimeve sociale dhe familjare dhe koordinon aktivitetet e agjencive ndërkombëtare e qeveritare dhe të organizatave joqeveritare në mënyrë që të promovojë zhvillimin dhe zbatimin koherent të politikave të mirëqenies sociale, të inkurajojë pjesëmarrjen e komunitetit dhe zhvillimin e iniciativave dhe aktiviteteve të komunitetit në lidhje me mirëqenien sociale. 

 

2.3. Komunat ose organizatat e tjera qeveritare dhe joqeveritare, përfshirë edhe ndërmarrjet private mund të ofrojnë shërbime sociale dhe familjare. Megjithatë, Ministria rezervon të drejtën që të përcaktojë ku, si dhe kush i kryen këto shërbime, si edhe të drejtën që këto shërbime t’i ofrojë vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse rrethanat e arsyetojnë këtë.

 

2.4. Në të gjitha çështjet në lidhje me çdo parashtrim të kërkesës pranë gjykatës për heqjen ose zvogëlimin e të drejtave prindore ose heqjen apo kufizimin e lirisë të një personi në nevojë, Ministria mban përgjegjësinë e drejtpërdrejtë dhe çfarëdo veprimi i tillë iniciohet nga qendra për punë sociale në emër të Ministrisë.

 

2.5. Ministria është përgjegjëse për specifikimin e standardeve profesionale të resurseve për shërbimet sociale dhe familjare që duhet të përmbushen nga komunat dhe organizatat e tjera që ofrojnë këto shërbime dhe për krijimin e mekanizmave që sigurojnë arritjen e tyre. Kjo përfshin specifikimin e llojit dhe numrit të personelit profesional që duhet punësuar.

 

2.6. Komunat dhe organizatat e tjera që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare duhet t’u përmbahen rregulloreve, udhëzimeve dhe procedurave të përcaktuara nga Ministri. Në raste të veçanta, kur Ministria e konsideron të nevojshme, ato duhet të zbatojnë udhëzimet e dhëna për menaxhimin.

 

2.7. Në rrethana të veçanta, kur komuna ose ndonjë organizatë tjetër që ofron shërbime sociale dhe familjare nuk i plotëson në mënyrë të vazhdueshme standardet minimale të specifikuara nga Ministria për ofrimin e këtyre shërbimeve, Ministria do të marrë përsipër përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për kryerjen e shërbimeve të tilla, për aq kohë sa të jetë e nevojshme që situata të përmirësohet.

 

2.8. Kur ka raste, incidente ose rrethana që ngjallin shqetësim serioz të opinionit ose kur paraqiten çështje të rëndësishme me interes publik në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare, ministri, mund të krijojë një komision hetues, i cili zhvillon punimet publikisht dhe publikon konkluzionet dhe rekomandimet e tij.

 

2.9. Ministria është e autorizuar që të ndërmarrë hulumtime, ose të angazhojë të tjerët që ndërmarrin kërkime në fusha të ndryshme përkitazi me kryerjen e shërbimeve sociale dhe familjare në Kosovë. 

 

2.10. Me qëllim që komunave ose organizatave që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare në emër të saj, t’u mundësohet kryerja e këtyre funksioneve, Ministria do t’u japë fonde vjetore për këtë destinim sipas një formule për financim të dakorduar në mes të Ministrisë dhe Ministrisë së Financave.

 

 

Roli i departamentit të Mirëqenies Sociale

Neni 3

 

3.1. Departamenti bashkëpunon me Institutin e Politikës Sociale dhe me Këshillin e Përgjithshëm për Shërbime Sociale dhe Familjare, me komunat, rrethet akademike, ministritë dhe me palët e tjera të interesuara për ruajtjen e nivelit dhe përparimin e shërbimeve sociale dhe familjare.

 

3.2. Departamenti jep propozime, sugjerime dhe këshilla për Ministrinë dhe Qeverinë e Kosovës në lidhje me zhvillimin e politikave që kanë të bëjnë me shërbimet sociale dhe familjare.

 

3.3. Në emër të Ministrisë, Departamenti i Mirëqenies Sociale është përgjegjës për drejtimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha funksioneve operative të përcaktuara me këtë ligj:

 

a.   përgatitjen e udhëzimeve administrative, urdhëresave dhe udhëzimeve në lidhje me ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare;

 

b.   nxjerrjen e udhëzimeve në lidhje me standardet e nivelit të shërbimeve që duhet të plotësohen nga ofruesit e shërbimeve sociale dhe familjare;

 

c.   zhvillimin e inspektimeve të shërbimeve sociale dhe familjare;

 

d.   shqyrtimin e raporteve vjetore të drejtorive përkatëse komunale dhe miratimin e planeve vjetore të punës së tyre;

 

e.   miratimin e themelimit të objekteve rezidenciale për përkujdesje nga ana e ofruesve të shërbimeve sociale dhe familjare;

 

f.    marrjen e përgjegjësisë së menaxhimit të drejtpërdrejtë të shërbimeve sociale dhe familjare në rastet kur komuna dështon në vazhdimësi dhe në mënyrë serioze që të plotësojë standardet e pranueshme për kryerjen e shërbimeve;

 

g.   dhënien e udhëzimeve në lidhje me parashtrimin e kërkesave për urdhër kujdestarie para gjykatave, të cilat kanë të bëjnë me fëmijët dhe të rriturit e rrezikuar;

 

h.   në raste të veçanta, mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të rasteve të shërbimeve sociale dhe familjare;

 

i.    themelimin dhe koordinimin e panelit për vendosjen e fëmijëve në strehim familjar ose për  adoptim;

 

j.    zhvillimin e procedurës së ankesave në lidhje me shërbimet sociale dhe familjare;

 

k.    çdo formë të re të mbrojtjes që nuk është përfshirë në këtë ligj.

 

3.4. Departamenti, në emër të Ministrisë, zhvillon inspektime të shërbimeve sociale dhe familjare, në institucionet e përcaktuara me ligj si dhe në organizatat joqeveritare dhe në sektorin privat.  Në lidhje me këto aktivitete përpilon një raport vjetor që publikohet.

 

3.5. Për çdo inspektim Departamenti përpilon një raport i cili vë në pah arritjet dhe mangësitë në shërbimet sociale dhe familjare, të cilat i nënshtrohen inspektimit duke ofruar këshilla dhe udhëzime sipas nevojës. Raporti i dërgohet ofruesit të shërbimeve dhe komunës përkatëse.

 

3.6. Të gjithë ofruesit e shërbimeve sociale dhe familjare duhet të bashkëpunojnë çdoherë me inspektorët e Departamentit dhe të bëjnë të mundshme që menjëherë të shikohen në mënyrë të papenguar të gjitha shënimet, dokumentet dhe personat të cilat i kërkon. Dështimi që ta bëjnë këtë mund të rezultojë në ndalesën nga ana e Ministrisë që ata të vazhdojnë ofrimin e shërbimeve të tilla.

 

3.7. Departamenti është i autorizuar që ofruesve të shërbimeve të cilët dështojnë në plotësimin e standardeve të pranueshme për të kryer shërbimet t’u japë udhëzime për masat që duhet të ndërmarrin për harmonizimin e cilësisë së shërbimeve me këto standarde. Dështimi në ndjekjen e këtyre udhëzimeve mund të rezultojë me ndalesën e ushtrimit të mëtejshëm të shërbimeve sociale dhe familjare nga ana e ofruesit të tyre.  

 

 

Instituti i Politikës Sociale

Neni 4

 

4.1. Instituti i Politikës Sociale (në tekstin e mëposhtëm: Instituti) ka statusin e Departamentit në kuadër të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale dhe i përgjigjet drejtpërdrejtë Ministrisë për ushtrimin e përgjegjësive të përcaktuara nga ky ligj.

 

4.2. Instituti është përgjegjës për promovimin dhe zhvillimin e begatimin e njohurive, shkathtësive dhe standardeve profesionale në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare. Mbi këtë bazë bën hulumtime në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare dhe nxitë ngritjen profesionale të kuadrit nëpërmjet trajnimit, ofrimit të këshillimit prej ekspertëve për profesionistët dhe publikimit të doracakëve përkatës, raporteve për rezultatet e kërkimeve dhe materialeve promovuese.

 

4.3. Ministria emëron drejtorin, personelin profesional dhe këshillin drejtues të Institutit për Politikë Sociale. Anëtarë të këtij këshilli janë përfaqësuesit e Ministrisë, të komunave, profesionistëve, shfrytëzuesve të shërbimeve dhe të organizatave joqeveritare.

 

4.4. Ministria do t’i transferojë Institutit një fond vjetor që t’i mundësojë atij përmbushjen e obligimeve të vendosura me këtë ligj.

 

4.5. Instituti i Politikës Sociale, në konsultim me Departamentin, përgatitë planin vjetor të punës dhe i paraqet Ministrisë raportin vjetor i cili publikohet.

 

 

Këshilli i përgjithshëm i Shërbimeve Sociale dhe Familjare

Neni 5

 

5.1. Kёshilli i Pёrgjithshёm i Shёrbimeve Sociale dhe Familjare (në tekstin e mëposhtëm: Kёshilli) krijohet me këtë ligj.

 

5.2. Kёshilli ështё pёrgjegjёs pёr mirёmbajtjen e standardeve dhe disiplinёs profesionale nё fushёn e shёrbimeve sociale dhe familjare dhe në kёtё vazhdë shërben si njё organ regjistrues dhe licensues pёr profesionistёt qё punojnё nё kёtё lëmë.

 

5.3. Kёshilli ështё pёrgjegjёs pёr mbajtjen e regjistrit tё profesionistёve tё shёrbimeve sociale dhe familjare, tё cilёt janё tё licensuar pёr ta ushtruar veprimtarinë nё Kosovё. Ai ka kompetencë qё tё vendosi se kush mund tё jetё i licensuar si profesionist specialist i shёrbimeve sociale dhe familjare, cakton se çfarё zhvillimi i vazhdueshёm profesional kёrkohet nga profesionistёt e shёrbimeve sociale dhe familjare, shqyrton ankesat kundёr profesionistёve tё shёrbimeve sociale dhe familjare dhe vendosë pёr sanksionet disiplinore qё duhen zbatuar, duke pёrfshirё heqjen e profesionistit tё shёrbimeve sociale dhe familjare nga regjistri.

 

5.4. Kёshilli duhet tё adoptojё njё kod tё etikёs dhe mirësjelljes pёr profesionistёt e shёrbimeve sociale dhe familjare.

 

5.5. Kёshilli nxjerrë udhëzime administrative adekuate për zhvillimin e punimeve në lidhje me kompetencat që ka.

 

5.6. Kёshilli duhet tё jetё i pavarur nё ushtrimin e funksioneve tё tij.

 

5.7. Kundёr vendimeve tё Kёshillit duhet të ekzistojë mundёsia e ankesës para Gjykatës Supreme të Kosovës.

 

5.8. Kёshilli do t’i ketё njëzetenjë anёtarё dhe pёr tri vitet e para tё punës së tij emёrohen nga Ministri, i cili duhet tё sigurojё që anёtarёsia e tij të përfaqësojë grupet relevante për shërbimet sociale dhe familjare nga komunat, profesionistët, komunitetet, organizatat joqeveritare dhe rrethet akademike. Ministri emëron kryetarin i cili do ta drejtoj Këshillin tri vitet e para.

 

5.9. Pas tri viteve tё para tё punës së tij, përbërja e Këshillit do të jetë si vijon:

 

- njëmbëdhjetё anёtarё zgjidhen nga radhët e profesionistёve të shёrbimeve sociale   dhe familjare që gjenden në regjistrin e Këshillit;

-  dy anёtarё emёrohen nga Asociacioni i Komunave,

-  dy anёtarё i emëron Universiteti i Prishtinёs,

-  një anёtarё i emёruar nga Kёshilli i Pёrgjithshёm Shёndetёsor,

-  një nga komuniteti dhe organizatat joqeveritare  dhe

-  katёr anëtarë tё emёruar nga Ministria.

 

5.10. Këshilli zgjedhë kryetarin dhe zëvendëskryetarin nga radhët e veta.

 

5.11. Anёtarët e Kёshillit nuk duhet tё mbajnё asnjё pozitё qё nuk ёshtё nё pajtim me funksionet e tyre si anёtarё tё Kёshillit.  Ata duhet tё jenё tё pavaruar dhe tё paanshёm.

 

5.12. Kohëzgjatja e mandatit të shërbimit në Këshill është tri vjet me mundёsi tё ripёrtёritjes edhe pёr vetёm njё periudhё pasuese prej tri vitesh. Asnjё anёtar i Kёshillit nuk mund tё shёrbejё mё gjatё se 6 vjet.

 

5.13. Ministria  ose vetё Kёshilli mund t’ia referojë Gjykatës Supreme pretendimet se një anëtar i Këshillit ka dështuar t’i përmbushë obligimet e tij të dala nga rregulloret e Këshillit dhe pas shqyrtimit të dëshmive dhe përgjigjeve të anëtarit të Këshillit mund të urdhërojë që anëtari i Këshillit të largohet nga detyra. Gjykatёsi i Gjykatёs Supreme mund ta drejtojё rastin tek autoritetet e ndjekjes penale nёse konsideron se mund të ekzistojë aspekti kriminal lidhur me çёshtjen nё shqyrtim. Anёtarit tё Kёshillit çdoherë duhet t’i sigurohen prova dhe dokumente lidhur me shkeljen e obligimeve.

 

5.14. Nё rast tё largimit nga detyra, vdekjes apo dorëheqjes së ndonjë anëtari të Kёshillit, Ministri emëron anёtar të ri që shёrben pёr kohёn e mbetur të mandatit tё anёtarit tё cilin e zëvendёson.

 

5.15. Kёshilli mund tё formojё komitete dhe tё caktojё raportuesit pёr kryerjen efikase të detyrave tё tyre.

 

5.16. Kuorumi pёr takimin e Këshillit duhet të jetë 11 anёtarё.

 

5.17. Vendimet e Kёshillit duhet tё merren me shumicën absolute të anёtarёve tё pranishëm të Kёshillit dhe nё rast të njё votimi me rezultat tё barabartë kryetari do ta ketё të drejtën për hedhjen e një vote shtesë.

 

5.18. Kёshilli duhet t’i regjistrojё tё gjithё profesionistёt e shёrbimeve sociale dhe familjare të cilët aplikojnё pёr regjistrim, me kusht qё ata t’i kenё pёrmbushur kёrkesat tё cilat Kёshilli i vlerёson tё nevojshme lidhur me arsimimin, përvojën dhe trajnimin e tyre.

 

5.19. Kёshilli duhet t’i regjistrojё si specialistё tё gjithё profesionistёt e shёrbimeve sociale dhe familjare tё cilёt aplikojnё pёr regjistrim si specialistë me kusht qё ata t’i kenё pёrmbushur kёrkesat tё cilat Kёshilli i vlerёson tё nevojshme lidhur me arsimimin, përvojën dhe trajnimin e tyre.

 

5.20. Kёshilli duhet t'i caktojё kёrkesat për profesionistёt e shёrbimeve sociale dhe familjare lidhur me zhvillimin e vazhdueshёm profesional, nё mёnyrё qё ata tё mbeten nё regjistër si profesionistё dhe specialistё tё shёrbimeve sociale dhe familjare.

5.21. Këshilli nxjerrë udhëzime adminisitrative që i konsideron të nevojshme për sigurimin e licensimit, regjistrimin e specialistëve dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional adekuat.

 

5.22. Kёshilli ështё pёrgjegjёs pёr shqyrtimin e të gjitha pretendimeve për shkelje të obligimeve nga profesionistёt e shёrbimeve sociale dhe familjare.

 

5.23. Ankesa kundёr profesionistit tё shёrbimeve sociale dhe familjare mund t’i bёhet drejtpёrdrejt Këshillit nga Ministria e Punёs dhe e Mirёqenies Sociale, profesionistёt e tjerё apo anёtarёt e publikut.

 

5.24. Kёshilli duhet tё caktojё se si shqyrtohen ankesat e tilla, dhe ta njoftojё personin qё ёshtё nёn hetime lidhur me akuzat, arsyet tё cilat e kanё nxitur hetimin dhe tё drejtat e tij pёr qasje nё dosjen e ankesës gjatё gjithё procesit sapo të jetë e mundur pas pranimit të ankesës dhe para se tё jetё mbledhur ndonjё komision pёr vёrtetimin e fakteve tё ankesёs.

 

5.25. Komisioni që shqyrton ankesёn ka kompetenca të pёrgjithshme për inspektim, verifikim dhe vlerësim, duke pёrfshirё qasjen nё cilindo dokument qё mund tё ofrojё informacione relevante pёr ankesёn. Pasi komisioni ta ketё pёrfunduar punёn e tij, ai duhet të paraqesё njё raport pёr Kёshillin dhe njё kopje pёr ankuesin dhe subjektin e ankesёs i cili duhet tё ftohet të paraqitet para Kёshillit në një seancë shqyrtimi.

 

 5.26. Personi nёn hetime mund tё ndihmohet dhe, nё rast tё sёmundjes ose pёr shkaqe tjera tё arsyeshme tё përcaktuara nga Kёshilli, mund tё pёrfaqёsohet nga personi i autorizuar apo avokati mbrojtёs, tё cilit duhet mundёsuar qasja nё tё gjitha dokumentet e mbledhura gjatё hetimit.

 

5.27. Nëse nё seancёn e shqyrtimit nuk paraqitet personi ndaj tё cilit ёshtё bёrё ankesa ose person i autorizuar apo avokati mbrojtës, kjo nuk do ta pengojë Kёshillin që rastin ta shqyrtojë dhe ta vendosë.

 

5.28. Seanca e Kёshillit është publike. 

 

5.29. Kёshilli vendosё nёse ekzistojnё fakte tё mjaftueshme pёr tё vёrtetuar se profesionisti i shёrbimeve sociale dhe familjare ka bёrё shkelje të detyrës dhe ta vendosё sanksionin. Kёshilli pёrcakton njё nga sanksionet e numёruara nga (a) deri nё (d):

 

 a). qortimi

 b). qortimi dhe vёrejtja

 c). suspendimi nga regjistri pёr njё kohё deri njё vit

 d). heqja nga regjistri i profesionistёve tё shёrbimeve sociale dhe familjare.

 

5.30. Me rastin e pёrcaktimit tё sanksioneve, Këshilli siguron qё ato tё jenё nё pёrpjesëtim me shkeljen e obligimit pёr tё cilin janё dhёnё.

 

5.31. Kundёr vendimeve tё Kёshillit, individёt kanë tё drejtёn e ankimit para Gjykatёs Supreme.

 

5.32. Honorari që paguhet për anёtarёt e Kёshillit caktohet nga Ministria e Financave.

 

5.33. Ministria i siguron kushtet e kёrkuara pёr funksionimin e Kёshillit.

 

5.34. Kёshilli financohet nga pagesat e taksave tё regjistrimit pёr profesionistёt e shёrbimeve sociale dhe familjare dhe nga buxheti i Ministrisë së Punёs dhe të Mirёqenies Sociale.

 

5.35. Kёshilli mund ta emёrojё njё sekretar dhe një numër tё personelit tё nevojshёm    kuadër të buxhetit tё tij, nё mёnyrё që t’i kryejё pёrgjegjёsitё e tij sipas kёtij ligji.

 

5.36. Tё gjithё profesionistёt qё punojnё nё fushёn e shёrbimeve sociale dhe familjare nё Kosovё duhet t’i plotësojnё kёrkesat pёr regjistrim dhe tё regjistrohen në Kёshill brenda tri viteve tё fuqizimit tё kёtij ligji.

 

 

Roli i Komunës

Neni 6

 

6.1. Secila komunë, përmes drejtoratit të saj përkatës, është përgjegjëse për sigurimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare brenda territorit të saj sipas standardit të specifikuar nga Ministria.

 

6.2. Ndonëse kanë përgjegjësinë e përgjithshme për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare në territorin e tyre, asnjë anëtar i zgjedhur i asamblesë komunale ose zyrtar i komunës nuk mund të japë urdhëresa në lidhje me menaxhimin profesional të cilitdo rast të veçantë të shërbimeve sociale dhe familjare, as të ketë qasje në të dhënat konfidenciale të rastit.

 

6.3. Drejtoratet e komunave kryejnë shërbime sociale dhe familjare brenda territorit të tyre përmes aktiviteteve të qendrës për punë sociale ose duke siguruar financim apo ndonjë ndihmë tjetër materiale për organizatat joqeveritare që merren me këtë veprimtari.

 

6.4. Drejtoratet marrin hapa për të identifikuar natyrën dhe përmasat e nevojës për shërbime sociale dhe familjare brenda territorit të tyre. Ato përgatisin plane vjetore për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e shërbimeve sociale dhe familjare dhe mbajnë shënime e statistika siç specifikohet nga Departamenti, duke qenë të detyruara që t’i paraqesin atij raportin  për aktivitetet e tyre në fushë të shërbimeve sociale dhe familjare çdo vit, si dhe në çdo interval tjetër kohor, sipas kërkesës së Departamentit. Në mënyrë që të promovohet përfshirja e komunitetit, transparenca dhe llogaridhënia, çdo drejtorat publikon planin dhe raportin e tij vjetor.

 

6.5. Gjatë përgatitjes së planeve të tyre vjetore drejtoratet janë të obliguara që të konsultohen gjerësisht me shfrytëzuesit e shërbimeve sociale dhe familjare, përfaqësuesit e tyre, organizatat joqeveritare dhe grupet e tjera relevante të komunitetit dhe grupet profesionale në territorin e tyre në lidhje me zhvillimin, planifikimin dhe kryerjen e shërbimeve sociale dhe familjare.

 

6.6. Çdo drejtorat siguron që qendra për punë sociale në territorin e vet të ketë resurse sipas standardeve të specifikuara nga Ministria. Kjo përfshin llojin dhe numrin e personelit profesional që duhet punësuar.

 

6.7. Përveç sigurimit të resurseve për përmbushjen e përgjegjësive të caktuara për  qendrat e punës sociale nga ky ligj dhe ligjet e tjera relevante, drejtoratet lejohen që nëpërmes QPS-ve dhe organizatave joqeveritare të sigurojnë ose mundësojnë ushtrimin e shërbimeve shtesë që vijojnë:

 

a.   ndihmë në punët e shtëpisë, duke përfshirë, por pa u kufizuar në to, pastrimin, gatimin e ushqimit dhe larjen e rrobave për individët, të cilët për shkak të moshës, aftësisë së kufizuar ose sëmundjes, nuk mund të kryejnë këto punë për veten ose të cilët nuk kanë familje apo ndonjë ndihmë tjetër;

 

b.   përkujdesje të drejtpërdrejtë personale të individëve në shtëpinë e tyre, duke përfshirë por pa u kufizuar me veshjen e rrobave, larjen, higjienën personale, ndihmën për të lëvizur dhe për t’u ngritur, cilët, për shkak të moshës, aftësive të kufizuara ose sëmundjes, nuk mund të kryejnë vetë këto punë ose nuk kanë familje apo ndonjë ndihmë tjetër në dispozicion;

 

c.   hapja e një qendre, ku individët në nevojë mund të mblidhen çdo ditë për t’u shoqëruar e ushqyer, për të mbajtur higjienën personale, për të zhvilluar terapinë e punës dhe çfarëdo aspekti tjetër të këshillimit dhe përkujdesjes sociale;

 

d.   shërbime specialistike të këshillimit për njerëzit me varësi ose probleme të tjera psiko-sociale;

 

e.   asistencë me anë të përkrahjes financiare, sigurimit të lokalit ose këshillës profesionale për grupet e njerëzve në nevojë ose ata që kujdesen për ta në mënyrë që të krijojnë dhe mbajnë grupe për ndihmë reciproke dhe grupe për vetë ndihmë;

 

f.    përkujdesje rezidenciale për të moshuarit dhe njerëzit me nevoja të posaçme;

 

g.   çdo shërbim tjetër i përshtatshëm lidhur me shërbimet sociale dhe familjare. 

 

6.8. Drejtorati bën përgatitje adekuate për t’u pёrgjigjur në rastet e shërbimeve urgjente sociale dhe familjare të cilat kërkohen jashtë orarit të rregulltë të punës. 

 

6.9. Me lejen e Ministrisë, komunat mund të sigurojnë bashkërisht shërbime specialistike ose shërbime të tjera sociale dhe familjare në territoret e tyre. 

 

 

Roli i Qendrës për Punë Sociale

Neni 7

 

7.1. Secila komunë themelon një Qendër për Punë Sociale si institucion publik që do të ketë një ose më shumë degë (në tekstin e mëposhtëm: QPS) dhe personel të përbërë nga profesionistët me trajnime dhe kualifikime përkatëse - nëpunës të shërbimeve sociale sipas pikës 1.3 i. të këtij ligji. QPS është përgjegjëse për ushtrimin e kompetencave që ia jep ky ligj në emër të Ministrisë si dhe ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare në emër të Ministrisë.

 

7.2. Qendra për punë sociale formon organin e kujdestarisë dhe kryen detyrat që kërkohen për këtë funksion siç janë përcaktuar me ligjet përkatëse të Kosovës.

 

7.3. Drejtori i QPS-së zgjidhet nga komuna me anë të konkursit publik sipas Ligjit të shërbimit civil. Kandidatët për këtë post duhet kenë së paku tri vjet përvojë pune si nëpunës të shërbimeve sociale siç është përcaktuar në pikën 1.3. i të këtij ligji.  

 

7.4. Drejtori i QPS-së i jep llogari komunës për përdorimin në mënyre të efektshme dhe të dobishme të resurseve të akorduara për ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare.

 

7.5. Drejtori i QPS-së i jep llogari Ministrisë për mbajtjen në nivel të standardeve të praktikës profesionale dhe ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të përcaktuara me këtë ligj.

 

7.6. QPS-ja është e obliguar të bëjë vlerësime profesionale për secilin individ ose familje që jeton ose gjendet në territorin e saj e që kërkon ndihmë prej saj ose në ndonjë mënyrë tjetër mësohet apo shihet se ka nevojë për shërbime sociale dhe familjare.

 

7.7. Nëse vlerësimi profesional tregon se një individ ose një familje ka nevojë për shërbime sociale dhe familjare, QPS-ja mundet, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat relevante, përfshirë edhe përkrahjen nga familja nëse ka familje dhe resurse të përshtatshme në dispozicion, të ofrojë shërbimet që i  konsideron të përshtatshme.

 

7.8. Çdo QPS duhet të ketë këshillin e ekspertëve, i cili përbëhet nga të gjithë nëpunësit e shërbimeve sociale të punësuar në të.

 

7.9. Këshilli i ekspertëve shqyrton dhe drejtorit i jep mendime e propozime për çështjet që kanë të bëjnë me:

 

a.   punën profesionale dhe aktivitetet specifike brenda QPS-së të përcaktuara me ligj dhe rregullore,

b.   organizimin e QPS-së dhe degëve të saj,

c.   vështirësitë në zgjidhjen e problemeve të ndërlikuara profesionale dhe ushtrimin e të drejtave dhe aktiviteteve tjera të QPS-së në rastet më të rënda individuale,

d.   nevojën për arsimim shtesë profesional,

e.   gjëra të tjera të mbuluara me këtë ligj.

 

 

Roli i sektorit joqeveritar

Neni 8

 

8.1. Personat juridikë, që nuk janë në sektorin qeveritar, duke përfshirë ndërmarrjet, organizatat dhe shoqatat vullnetare, organizatat fetare, grupet për vetë ndihmë dhe organizatat e tjera lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare janë të inkurajuara të ofrojnë shërbime sociale dhe familjare, qoftë me nismën e tyre ose me kontratë, në emër të drejtoratit komunal në rastin e shërbimeve lokale, ose në emër të Departamentit në rastin e shërbimeve në nivel të Kosovës.

 

8.2. Për të mundësuar këtë, komunat dhe Departamenti i Mirëqenies Sociale u ofrojnë këshilla dhe udhëzime organizatave joqeveritare që kërkojnë të ndërmarrin aktivitete të tilla.

 

8.3. Çdo organizatë joqeveritare që ofron shërbime sociale dhe familjare duhet të regjistrohet pranë organit përkatës dhe të licencohet nga Departamenti i Mirëqenies Sociale, si edhe t’u përmbahet rregulloreve, udhëzimeve dhe procedurave lidhur me aktivitetet e tyre siç përcaktohen nga Ministria.

 

8.4. Komunat mund të hyjnë në kontrata me organizatat joqeveritare për ofrimin e shërbimeve të veçanta sociale dhe familjare brenda territorit të tyre, në emër të komunës, me kusht që kontratat e tilla të jenë në pajtim me planet vjetore të komunës për shërbime sociale dhe familjare në territorin e saj.

 

8.5. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale mund të japë fonde dhe të ofrojë çfarëdo ndihme tjetër materiale, duke përfshirë lokalet, ose këshillat për organizatat joqeveritare që ofrojnë shërbime të veçanta sociale dhe familjare në nivel të Kosovës.

 

8.6. Ministria lejohet të aderojë në kontrata me organizatat joqeveritare për ofrimin e shërbimeve specifike sociale dhe familjare në nivel të Kosovës.

 

 

Shërbimet për Fëmijë dhe Familje

Neni 9

 

9.1. Në të gjitha çështjet lidhur me ofrimin e shërbimeve për fëmijë dhe familje, interesi më i mirë i fëmijës duhet të jetë konsiderata e parë dhe më e rëndësishme.

 

9.2. Në bashkëpunim me familjet, komunitetin, organizatat joqeveritare dhe organet e tjera të caktuara me ligj, komuna ofrojnë përkujdesje sociale, këshillim social dhe, në rrethana të jashtëzakonshme, asistencë materiale për fëmijët dhe familjet e tyre të cilët janë në nevojë dhe jetojnë në territorin e saj, duke u mbështetur në vlerësimin e nevojave të tyre për këto shërbime dhe aftësinë e komunës që t’i plotësojë ato mënyrë të arsyeshme.

 

9.3. Qendra për punë sociale ofron përkujdesje sociale dhe/ose këshillim në rrethanat kur një fëmijë është në nevojë për shërbime sociale dhe familjare sepse:  

 

a.   ai ose ajo është pa përkujdesje prindore;

b.   prindi ose prindërit e tij, ose ndonjë përkujdesës tjetër, për shkak të mënyrës së jetesës, paaftësisë ose sëmundjes fizike ose mendore, problemeve psiko-sociale, varësisë ose arsyeve të tjera, kanë vështirësi në ofrimin e nivelit adekuat të përkujdesjes dhe mbikëqyrjes për të;

c.   ai ose ajo ka  aftësi të kufizuar ose sëmundje mendore;

d.   ai ose ajo ka aftësi të kufizuar ose sëmundje fizike;

e.   ai ose ajo kanë vështirësi në sjellje;

f.    ai ose ajo janë delikuent;

g.   ai ose ajo janë duke vuajtur si pasojë e konfliktit familjar;

h.   ai ose ajo kanë ndonjë formë tjetër të problemit psiko-social që i bën ata persona në nevojë.

 

9.4. Qendra për punë sociale mban një regjistër të familjeve dhe të fëmijëve në nevojë të cilët jetojnë në territorin e saj, nuk gëzojnë përkrahje nga familja ose komuniteti ose kanë vështirësi që të përkujdesen për fëmijët e tyre, ose kur fёmija është në rrezik ngase lihet  pasdore, shfrytëzohet, abuzohet ose në çfarëdo forme tjetër dëmtohet. Qendra për punë sociale cakton vizita të rregullta për ato familje në nevojë që gjenden në regjistrin për shërbime sociale dhe familjare nga një person përgjegjës, në mënyrë që të krijohet siguria dhe mirëqenia e fëmijës dhe t’i sigurohet familjes çfarëdo shërbimi që konsiderohet i arsyeshëm.

 

9.5. Në përmbushjen e detyrave të veta sipas Kodit për të miturit, qendra e punës sociale në rolin e organit të kujdestarisë siguron që shërbimet e ofruara në bazë të mandatit që ka janë në përputhje me obligimet që përmban Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

 

9.6. Në rastin kur gjykata njofton QPS-në për procedurat ndaj fëmijës dhe ai fëmijë apo familja e tij i janë të njohura, QPS-ja ka për detyrë t’i ofrojë gjykatës çfarëdo informate apo këshille me rëndësi për menaxhimin e duhur të rastit.

 

 

Mbrojtja e Fëmijëve

Neni 10

 

10.1. Interesat më të mira të fëmijës zakonisht përmbushen kur nevojat e zhvillimit të tyre fizik dhe psikologjik plotësohen brenda kontekstit të familjes natyrore të tij. Prandaj Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale dhe ata që veprojnë në emër të saj duhet të bëjnë çdo përpjekje të promovojnë mirëqenien e fëmijës në suaza të familjeve të tyre biologjike përmes ofrimit të përkujdesjes dhe këshillimit social dhe, në raste të jashtëzakonshme, asistencës materiale.

 

10.2. Vetëm në rrethanat kur ka arsye për të dyshuar se një fëmijë është duke pësuar dëm serioz në shëndetin e tij fizik ose mendor, ose është në rrezik për diçka të tillë brenda familjes së tij, mund të merret në konsideratë heqja e tij nga përkujdesja e prindit ose prindërve ose përkujdesësit tjetër të tij.

 

10.3. Përveç në rast të masave afatshkurtra emergjente, fëmija nuk hiqet nga përkujdesja e prindit ose prindërve ose përkujdesësve të tij pa pëlqimin e tyre apo pa urdhër të gjykatës.

 

10.4. Nëse një nëpunës i shërbimeve sociale, i miratuar nga Departamenti i Mirëqenies Sociale për këtë destinim, ka arsye të besojë se ekziston rrezik serioz imediat për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e një fëmije, ai profesionist mundet, me kompetencat që ka, të hyjë në çdo ndërtesë dhe të vendosë fëmijën në një vend të sigurt ku do t’i ofrohet përkujdesja për një periudhë të caktuar jo më të gjatë se shtatëdhjetë e dy orë. 

 

10.5. Para se të skadojë ky afat, në qoftë se QPS-ja nuk e ka pëlqimin e prindit/ërve, rasti duhet të paraqitet para një gjyqtari i cili mundet, nëse konsideron se ka arsye të mjaftueshme, të lëshojë një urdhër për vlerësim për një periudhe deri në njëzetenjë ditë, që të mundësohet zhvillimi i hetimeve dhe vlerësimeve të mëtutjeshme, dhe para përfundimit të këtij afati çështja duhet të shtrohet para gjykatës për shqyrtim të mëtejshëm.

 

10.6. Çdo pjesëtar i profesionit të mësuesisë, infermierisë, mjekësisë, stomatologjisë, psikologjisë ose i policisë apo profesionist tjetër që ka për detyrë përkujdesjen për fëmijët, i cili dyshon ose ka dëshmi se një fëmijë vuan nga abuzimi fizik, seksual ose psikologjik nga ana e prindit ose përkujdesësit të tij është i obliguar me këtë ligj që t’ia raportojë çështjen drejtorit të qendrës përkatëse të punës sociale. Pamundësia e grupeve të cekura më lart për të vepruar asisoji mund të sanksionohet sipas ligjit në fuqi.

 

10.7. Kur një qendër për punë sociale bëhet me dije se ka arsye për të dyshuar se një fëmijë që jeton ose gjendet në territorin e saj, është i braktisur ose bonjak ose duke vuajtur ose i kërcënuar nga çfarëdo forme e dhunës fizike apo mendore, lëndimi ose abuzimi, lënia pasdore ose trajtimi neglizhent, keqtrajtimi ose shfrytëzimi, duke përfshirë abuzimin seksual, përderisa është nën përkujdesjen e prindit(ërve) ose çfarëdo personi tjetër që kujdeset për fëmijën, qendra për punë sociale duhet të marrë çdo hap të nevojshëm për ruajtjen e sigurisë së fëmijës, të raportojë pa vonesë çështjen tek Departamenti i Mirëqenies Sociale dhe të zhvillojë vlerësim gjithëpërfshirës profesional të nevojave të fëmijës për mbrojtje.

 

10.8. Në rrethanat kur ka arsye për të dyshuar se fëmija është jashtë kontrollit të prindërve të tij ose personave që kanë përgjegjësinë për t’u kujdesur për të, në përmasat sa sjellja e tyre dhe mënyra e tyre e jetesës paraqet rrezik serioz për mirëqenien, shëndetin dhe sigurinë e tyre dhe të të tjerëve, atëherë drejtori i qendrës për punë sociale duhet të bëjë një vlerësim gjithёpërfshirës profesional për nevojat e fëmijës për shërbime sociale dhe familjare. 

 

10.9. Është detyrë e çdo profesionisti që ka pasur kontakt me fëmijën, i cili i nënshtrohet vlerësimit gjithëpërfshirës profesional nga ana e një QPS-je që të bashkëpunojë dhe të asistojë gjatë vlerësimit kur është e mundur.

 

10.10. Kur dyshohet në abuzimin e  ndonjë fëmije,  organet për zbatimin e ligjit kanë për detyrë që t’i ndihmojnë qendrës për punë sociale në vlerësimin e saj gjithëpërfshirës profesional të nevojave të fëmijës për shërbime sociale dhe familjare dhe të zhvillojë hetimet e veta kriminale nëse rrethanat e arsyetojnë këtë.  

 

10.11. Pas përfundimit të vlerësimit gjithëpërfshirës profesional të nevojave të fëmijës për shërbime sociale dhe familjare, qendra për punë sociale i dërgojë pa vonesë raportin Departamentit për Mirëqenie Sociale. Nëse Departamenti konsideron se ka arsye për të kërkuar masa mbrojtëse, ka për detyrë të udhëzojë drejtorin e qendrës përkatëse për punë sociale që ta dërgojë çështjen para gjykatës dhe në emër të tij të parashtrojë kërkesë që gjykata të urdhërojë caktimin e kujdestarit.

 

10.12. Drejtori i qendrës për punë sociale mund të parashtrojë kërkesën për një urdhër për vlerësim deri në njëzet e një ditë, ose për një urdhër për kujdestari.

 

10.13. Me rastin e parashtrimit të kërkesës për urdhër vlerësimi drejtori i QPS-së duhet të paraqesë dëshmi para gjykatës se vlerësimi i përligjur i nevojave të fëmijës nuk ka qenë e mundur të bëhet pa një autorizim të tillë.

 

10.14. Me rastin e parashtrimit të kërkesës për urdhër kujdestarie, drejtori i QPS-së duhet t’i vërtetojë gjykatës vlerësimin e saj se fëmija ka nevojë për mbrojtje nga gjykata dhe se të gjitha alternativat e arsyeshme janë marrë në konsideratë para se të shtrohet çështja në gjyq.

 

10.15. Me rastin e shqyrtimit të kërkesës për urdhër kujdestarie gjykata do t’u kushtojë rëndësi të veçantë:

 

a.   dëshirave dhe ndjenjave të verifikuara të fëmijës në fjalë,

b.   nevojave fizike, emocionale dhe arsimore të tij,

c.   efektit të pritshëm në të për shkak të ndryshimit të cilësdo rrethanë të tij,

d.   moshës, gjinisë, prejardhjes së tij dhe çfarëdo karakteristike që ai/ajo mund ta ketë e që gjykata e konsideron relevante,

e.   çfarëdo dëmtimi që ka pësuar ose është në rrezik ta pësojë fëmija,

f.    sa është i aftë secili nga prindërit e fëmijës, dhe çdo person tjetër lidhur me të cilin gjykata e konsideron këtë çështje relevante për plotësimin e nevojave të tij,

g.   përmasat e kompetencave në dispozicion të gjykatës për t’u marrë në mënyrë adekuate me rastin.

 

10.16. Nëse gjykata konsideron se fëmija ka nevojë për përkujdesje dhe mbrojtje, është e autorizuar të nxjerrë një urdhër kujdestarie në lidhje me fëmijën. Gjykata duhet të cekë kushtet e urdhrit që vlejnë për secilin rast individual. 

 

10.17. Opsionet që i ka gjykata në dispozicion në suaza të urdhrit të kujdestarisë janë:

 

a.   mbikëqyrja e fëmijës dhe kushteve të tij të jetesës nga nëpunësi i shërbimeve sociale i pranuar nga Departamenti i Mirëqenies Sociale për këtë qëllim, përderisa është nën përkujdesje të prindit(ërve) ose përkujdesësit të tij,

b.   të drejtat e kujdestarisë të ndara në mes prindit(ërve) ose përkujdesësit(ve) dhe Departamentit të Mirëqenies Sociale,

c.   të drejtat e kujdestarisë të bartura tek Departamenti i Mirëqenies Sociale, gjersa fëmija vazhdon të qëndrojë në shtëpi,

d.   të drejtat e kujdestarisë të bartura te Departamenti i Mirëqenies Sociale me kërkesë që përkujdesja për fëmijën të bëhet larg prindit(ve) ose përkujdesësit(ve) të tij,

e.   nëse fëmija nuk jeton me prindërit e tij, duhet të bëhen përgatitjet dhe marrëveshjet që fëmija të ketë qasje tek prindi(rit) ose përkujdesësi(t) e tij,

f.    kohëzgjatjen sa do të jetë fuqi urdhri para se të merret në  rishqyrtim.

 

10.18. Është detyrë e drejtorit të qendrës për punë sociale të sigurojë përmbushjen e kërkesave dhe kushteve të urdhrit të kujdestarisë.

 

10.19. Prindërit dhe përkujdesësit, fëmija i të cilëve është subjekt i urdhrit të kujdestarisë ndihmohen nga qendra për punë sociale, ku është e mundshme, që t’i ndryshojnë rrethanat e tyre në mënyrë që t’u mundësohet rimarrja e të drejtave dhe përgjegjësive prindore.

 

10.20. Rastet e fëmijëve për të cilët është në fuqi një urdhër kujdestarie rishqyrtohen nga qendra për punë sociale në emër të Departamentit për Mirëqenie Sociale së paku një herë në gjashtë muaj dhe, nëse rrethanat në familjen e fëmijës kanë ndryshuar deri në atë masë sa që urdhri nuk është më i nevojshëm ose i përshtatshëm, duhet të parashtrohet kërkesë para gjykatës për tërheqjen e tij. 

 

 

Format alternative të përkujdesjes për Fëmijët

Neni 11

 

11.1. Qendra për punë sociale, në emër të Departamentit për Mirëqenie Sociale ka për detyrë të përkujdeset dhe është e obliguar të veprojë çdoherë si prind i mirë ndaj një fëmije:

 

a.   bonjak pa të dy prindërit, 

b.   që është dhënë për adoptim nga prindi ose prindërit e tij,

c.   që është braktisur,

d.   të cilit nuk i dihen prindërit,

e.   që i është dhënë qendrës për punë sociale në përkujdesje të përkohshme nga prindi ose prindërit e tij,

f.    që i është dhënë për përkujdesje Departamentit nga ana e gjykatës.

11.2. Nëse një fëmijë është jetim, pa të dy prindërit, dhe i jepet përkujdesje adekuate nga një individ ose familje, e cila nuk ka lidhje farefisnie me të, atëherë Departamenti, përmes qendrës për punë sociale në territorin ku fëmija jeton, merr masat që kjo situatë të rregullohet nëpërmjet institucionit të kujdestarisë. Në këto rrethana, Departamenti mund të paguajë ndihma financiare që janë adekuate për përkujdesjen dhe mbajtjen e fëmijës.

 

11.3. Në rast se prindërit e fëmijës së braktisur janë të panjohur, ose fëmija i është dhënë Departamentit për adoptim, Departamentit merr masat për sigurimin e përkujdesjes adekuate afatgjatë të fëmijës.

 

11.4. Në raste të veçanta, kur vlerësimi profesional i nevojave të fëmijës sugjeron se ai/ajo do të përfitonte nëse këshillimi dhe përkujdesja sociale i ofrohet jashtë shtëpisë së tij, dhe prindi ose prindërit ose përkujdesësi parashtrojnë kërkesën për këtë, kurse fëmija është konsultuar dhe dëshirat e tij janë marrë në konsideratë, atëherë fëmija mund të vendoset nga qendra për punë sociale në një vend tjetër prej shtëpisë së tij.  Në rrethana të tilla prindi ose prindërit mbajnë të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre prindore dhe mund të kthejnë fëmijën në shtëpi menjëherë pasi të kërkojnë nga qendra për punë sociale. Kur subjekt i një kërkese të tillë është një i mitur dhe ata nuk japin pëlqimin për këtë, prindërve mund t’u hiqet e drejta e përkujdesjes prindore me anë të një urdhri kujdestarie nga ana e gjykatës.

 

11.5. Në asnjë rrethanë fëmija që merret në përkujdesje nga qendra për punë sociale sipas pikës së mësipërme 10.4, nuk vendoset në një institucion ndëshkimor.

 

11.6. Sa i përket fëmijës që i është besuar Departamentit për përkujdesje nga gjykata, gjykatësi specifikon në urdhrin e kujdestarisë kushtet sipas të cilave Departamenti ushtron këtë përgjegjësi.

 

11.7. Në mënyrë që të ushtrojë përgjegjësitë e tij për fëmijët që merren në përkujdesje të tij Departamenti siguron, sipas nevojave të secilit fëmijë individual, përkujdesje rezidenciale, strehim familjar ose vendosje në adoptim.

 

11.8. Me qëllim që ta ndihmojë Departamentin në organizimin dhe mbikëqyrjen e përkujdesjes së fëmijëve për të cilët ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë, Ministria emëron një panel për vendosje të fëmijëve.

  

11.9. Ky panel ka funksionet vijuese:

 

a.   zgjedhjen e prindërve strehues familjarë,

b.   zgjedhjen e prindërve adoptues,

c.   vendosjen e fëmijëve me prindërit strehues familjarë,

d.   zgjedhjen e prindërve adoptues për fëmijët.

 

11.10. Paneli për vendosjen e fëmijëve drejtohet nga drejtori i Departamentit për Mirëqenie Sociale ose nga një person tjetër i caktuar nga ai dhe ka shtatë anëtarë të emëruar nga Departamenti i Mirëqenies Sociale në bazë të ekspertizës dhe përvojës së tyre relevante profesionale.

 

11.11. Departamenti i Mirëqenies Sociale mban një regjistër unik të prindërve strehues familjar në Kosovë.

 

11.12. Prindërit potencialë të strehimit familjar vlerësohen nga një nëpunës i shërbimeve sociale i miratuar nga Departamenti i Mirëqenies Sociale për këtë destinim dhe raportet e tyre merren në shqyrtim nga paneli për vendosjen e fëmijëve, i cili vendosë për përfshirjen e tyre në regjistër.

 

11.13. Vendimet në lidhje me vendosjen e fëmijëve individualë me prindërit strehues familjarë merren nga paneli i lartpërmendur pas shqyrtimit të nevojave dhe rrethanave të fëmijës dhe përshtatshmërisë së prindërve strehues familjarë që t’i plotësojnë ato.

 

11.14. Fëmija vendoset vetëm në një familje, e cila me familjen e tij ka të përbashkët prejardhjen etnike, gjuhësore, kulturore dhe religjioze.

 

11.15. Qendra për punë sociale në territorin e së cilës fëmija është vendosur në strehim familjar, cakton një nëpunës të shërbimeve sociale që ta vizitojë atë së paku një herë në muaj, në mënyrë që të sigurohet se atij i ofrohet përkujdesje adekuate dhe t’u japë prindërve strehues familjarë çfarëdo këshille ose udhëzimi të dobishëm për përkujdesjen e fëmijës.

 

11.16. Të gjitha vendimet ose pëlqimet e rëndësishme lidhur me shëndetin dhe mirëqenien e fëmijës në strehim familjar bëhen nga qendra për punë sociale në territorin e së cilës është vendosur fëmija, pas konsultimit me prindin ose prindërit natyrorë të fëmijës, nëse kjo është e mundur.

 

11.17. Në rast të vendosjes së pasuksesshme ose të papërshtatshme, paneli mund të urdhërojë heqjen e fëmijës nga përkujdesja e prindërve që e kanë marrë në strehim familjar.

 

11.18. Kur prindërit strehues familjarë konsiderohen në përgjithësi të papërshtatshëm për këtë detyrë, ata mund të hiqen nga regjistri nga ana e panelit.        

 

11.19. Nëse, gjatë strehimit familjar, një fëmijë lëndohet rëndë ose vdes, është detyrë e Ministrisë që të inicioi zhvillimin e hetimeve mbi rrethanat dhe të ndërmarrë çdo masë të nevojshme pasuese.

 

11.20. Departamenti i Mirëqenies Sociale obligohet të sigurojë që fëmijët nën përkujdesje të tij të jenë në mënyrë adekuate të përkujdesur materialisht. Për këtë do t’u japë prindërve strehues familjarë ndihma adekuate financiare për mbajtjen e fëmijës i cili është vendosur tek ata dhe, kur është e nevojshme, të mbulojë çdo shpenzim shtesë, duke përfshirë edhe shpenzimet mjekësore.

 

11.21. Departamenti i Mirëqenies Sociale, përmes panelit për vendosje të fëmijëve, është organi i vetëm në Kosovë përgjegjës për hartimin e listave të prindërve potencialë adoptues dhe vendosjen e fëmijëve në familjet e propozuara nga QPS-të.

 

11.22. Çdo person apo persona që planifikojnë adoptim jashtë dispozitave të këtij Ligji apo tentojnë që këtë t’a bëjnë mund të sanksionohen sipas ligjit në fuqi.

 

11.23. Çdo profesionist që ushtron presion të papërballueshëm ndaj një prindi ose prindërve për ta dhënë fëmijën e tyre për adoptim, konsiderohet fajtor për shkelje flagrante profesionale mund të sanksionohen  sipas ligjeve në fuqi.

 

11.24. Paneli për vendosjen e fëmijëve, mban një regjistër të personave, të cilët i miraton si prindër adoptues pas shqyrtimit të vlerësimeve dhe kërkimeve të bëra në emër të tij nga një nëpunës i caktuar i shërbimeve sociale. 

 

11.25. Në mënyrë që të mbrojë të drejtat e fëmijëve të cilët mund të jenë subjekt i kërkesave për adoptim nga njerëzit që jetojnë jashtë Kosovës, paneli për vendosjen e fëmijëve ka detyrat vijuese:

 

a.   të sigurojë se ka përputhshmëri me kërkesat e Konventës së Hagës mbi të Drejtën Private, Konventën për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe Bashkëpunimin në Lidhje me Adoptimin Ndërshtetëror,

 

b.   të vendosë dhe të zhvillojë marrëdhënie bashkëpunimi me organet përkatëse për adoptim në vendet pranuese potenciale,

 

c.   të vendosë kriteret që duhen zbatuar për adoptim ndërshtetëror,

 

d.   të mundësojë procedurat e nevojshme ligjore për kryerjen e adoptimit ndërshtetëror siç përcaktohet nga Konventa e Hagës.

 

 

Shërbimet për të rriturit

Neni 12

 

12.1. Në bashkëpunim me familjet, komunitetet, organizatat joqeveritare dhe organet tjera të parashikuara me ligj, komuna ofron përkujdesje sociale, këshillim dhe, në raste të veçanta, ndihmë materiale për njerëzit që kanë nevojë për shërbime sociale e që jetojnë në territorin e saj, duke u mbështetur në vlerësimin e nevojave të tyre për shërbime të tilla dhe në mundësinë e komunës që t’i kryejë ato në mënyrë të arsyeshme.

 

12.2. Ministria ka përgjegjësinë e gjithmbarshme për themelimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve rezidenciale, strehimoreve të mbrojtura dhe strehimoreve emergjente për njerëzit në nevojë në Kosovë.

 

12.3. Asnjë komunë ose organizatë joqeveritare nuk mund të themelojë një objekt rezidencial për njerëzit në nevojë pa lejen e Ministrisë.

 

12.4. Komunat mund të sigurojnë ndihma financiare ose ndihmë tjetër për njerëzit në nevojë, ose për ata që kujdesen për nevojtarët që dëshirojnë të bashkohen për të formuar grupe për ndihmë reciproke, vetë ndihmë dhe vetë përkrahje.

 

12.5. Qendrat për punë sociale, me kërkesën e nevojtarëve, mban një regjistër të njerëzve në nevojë që jetojnë në territorin e tyre, të cilëve iu mungon përkrahja nga familja ose komuniteti dhe kanë vështirësi për të mbajtur veten e tyre, ose janë në rrezik ngase lihen pasdore, shfrytëzohen apo abuzohen nga të tjerët ose janë të kërcënuar nga çfarëdo forme tjetër e dëmtimit. Qendra për punë sociale për njerëzit në nevojë që janë në regjistër cakton vizita të rregullta nga një person përgjegjës, në mënyrë që të monitorohet siguria dhe mirëqenia e tyre.

 

 

Mbrojtja e tё rriturve në rrezik

Neni 13

 

13.1. Në rastet kur një QPS vihet në dijeni se ka dëshmi se një i rritur nuk është në gjendje të përkujdeset për veten për arsye të aftësive të kufizuara mendore ose është i lënë pasdore, i shfrytëzuar ose abuzuar nga të tjerët për shkak të moshës, dobësisë ose aftësisë së kufizuar fizike ose mendore, frikës se ata do ta dëmtojnë, ose për shkak të faktorëve të tjerë është i rrezikuar deri në atë masë sa që i mungon zotësia që të veprojë në emër të vet, drejtori i qendrës për punë sociale në territorin ku ai/ajo jeton ose gjendet, duhet të ndërmarrë pa vonesë të gjitha hapat e nevojshëm për sigurinë e tij.

 

13.2. Nëse ka baza të arsyeshme për të dyshuar se personit të rrezikuar i mungon zotësia për të vepruar në emër të vet dhe se është e nevojshme për ta mbrojtur të rriturin nga rreziku serioz, drejtori i qendrës përkatëse për punë sociale duhet të paraqesë pranë gjykatës kërkesën për një urdhër kujdestarie.

 

13.3. Para dhënies së urdhrit të kujdestarisë, gjykatësi duhet të bindet se ka arsye të mjaftueshme për të arsyetuar një masë të tillë, sepse për shkak të paaftësisë mendore ose fizike nga subjekti i kërkesës nuk mund të pritet në mënyrë të arsyeshme që të veprojë në emër të vet.

 

13.4. Një urdhër i tillë specifikon hapat që drejtori i qendrës për punë sociale është kompetent t’i ndërmarrë në mënyrë që të mbrojë shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e personit për të cilin jepet urdhri. Kompetencat që i ka gjykata në dispozicion janë:

 

a.   Mbikëqyrja e rrethanave të jetesës të të rriturit të rrezikuar nga ana e një profesionisti të caktuar nga Departamenti i Mirëqenies Sociale për këtë qëllim, gjersa ai/ajo qëndron në shtëpinë e tij;

 

b.   Urdhëresa për Departamentin e Mirëqenies Sociale për të vendosur të rriturin, i cili mendërisht nuk është i aftë për t’u kujdesur për veten në një objekt të  përshtatshëm rezidencial;

 

c.   Urdhëresa për palët e treta që të ndërprejnë kontaktet me të rriturin e rrezikuar i cili është subjekt i urdhrit të kujdestarisë;

 

d.   Specifikimi i kohëzgjatjes sa do të jetë urdhëri në fuqi para se të skadojë ose të rishikohet.

 

13.5. Personi i cili është subjekt i një urdhri kujdestarie nuk mund të mbahet asesi në një institucion ndëshkimor.

 

13.6. Nëse është e nevojshme, gjykatat mund të urdhërojnë Shërbimin Policor të Kosovës që ta ndihmojë qendrën për punë sociale në zbatimin e urdhrit të kujdestarisë.

 

13.7. Drejtori i qendrës për punë sociale, në emër të Departamentit për Mirëqenie Sociale, siguron që të përmbushen kushtet e urdhrit të kujdestarisë.

 

13.8. Drejtori i qendrës për punë sociale paraqet kërkesën për tërheqjen e urdhrit të kujdestarisë sapo të pushojë së ekzistuari nevoja për të. Departamenti i Mirëqenies Sociale duhet ta rishqyrtojë së paku një herë në vit dhe gjykata çdo tri vjet, nëse ndërkohë nuk është bërë kërkesë për tërheqjen e tij.

 

13.9. Kur ka shqetësim të arsyeshëm për rrezikun imediat të dëmtimit serioz të shëndetit, sigurisë dhe mirëqenies së një të rrituri të rrezikuar dhe ekzistojnë dëshmi se atij i mungon aftësia fizike ose mendore që të veprojë në emër të tij, nëpunës i shërbimeve sociale i qendrës për punë sociale, i miratuar për këtë qëllim që të veprojë në emër të Departamentit të Mirëqenies Sociale, mundet në bazë të gjykimit të tij që t’i parashtrojë gjykatës një kërkesë për një urdhër për mbrojtje emergjente.

  

13.10. Para se të japë urdhrin për mbrojtje emergjente, gjykatësi duhet të bindet se ka dëshmi të mjaftueshme prima facia për të arsyetuar një masë të tillë dhe ka baza të arsyeshme që të besohet se, për shkak të paaftësisë fizike dhe mendore, frikës, kërcënimit ose ndonjë arsye tjetër të rëndësishme, nuk mund të pritet që subjekti i kërkesës që të veprojë në emër të vet në mënyrë të arsyeshme.

 

 

13.11. Efekti i urdhrit për mbrojtje emergjente është që të lejojë nëpunësin e shërbimeve sociale të qendrës për punë sociale i cili ka parashtruar kërkesën, në emër të Departamentit të Mirëqenies Sociale, të hyjë në çdo godinë dhe ta sjellë subjektin e urdhrit në një vend të sigurt ku mund të mbrohet nga rreziku dhe ku mund të vlerësohen nevojat mjekësore, sociale dhe psikologjike të tij. Gjykatësi i cili jep urdhrin emergjent mund të urdhërojë policinë ose personelin mjekësor ose që te dyja bashkë që ta shoqërojnë nëpunësin e shërbimeve sociale të qendrës për punë sociale që të ndihmojnë në zbatimin e urdhrit për mbrojtje emergjente. Kushdo që pengon nëpunësin e shërbimeve sociale në ekzekutimin e urdhrit për mbrojtje emergjente bën kundërvajtje sipas Kodit penal të Kosovës.

 

13.12. Kohëzgjatja e urdhrit për mbrojtje emergjente është shtatë ditë. Pas skadimit të afatit, çështja duhet të paraqitet para gjykatës për shqyrtim të mëtutjeshëm.

 

13.13. Një i rritur i rrezikuar, i cili është subjekt i urdhrit për mbrojtje emergjente dhe i cili ka aftësi mendore për të shprehur gjykimin e tij, është i lirë të refuzojë që të shkojë në vend të sigurt ose të largohet në çdo kohë nga vendi i sigurt në të cilin është sjellë dhe me këtë urdhri automatikisht skadon. 

 

Këshilla Ekspertësh për Gjykatat

Neni 14

 

14.1. Në rastet kur një gjykatë merret me fëmijë gjatë seancave penale ose civile, duke përfshirë, por pa u kufizuar me seancat e drejtësisë për të mitur, dhe rastet e besimit të fëmijëve, ose në rastet kur është involvuar mirëqenia e një të rrituri të rrezikuar, gjykata mund të kërkojë nga qendra për punë sociale zhvillimin e hetimeve dhe ofrimin e vlerësimit profesional të rrethanave sociale të personit në fjalë dhe të bëjë rekomandime për mirëqenien e tij të ardhshme.

 

14.2. Me marrjen e kërkesës së tillë nga gjykata, drejtori i qendrës përkatëse për punë sociale urdhëron fillimin e një hetimi të tillë nga ana e një nëpunësi të shërbimeve sociale të miratuar për këtë destinim dhe i siguron gjykatës raportin e kërkuar. Raportet e tilla duhet t’i dorëzohen gjykatës jo më vonë se 21 ditë pas bërjes së kërkesës, përveç nëse në kërkesë nuk është përcaktuar ndryshe.

 

14.3. Gjykata nuk merr vendim përfundimtar në një rast ku nevojitet raporti i tillë derisa nuk i ka vlerësuar se duhet përmbajtjen dhe rekomandimet e tij.

 

 

 

Dispozitat të tjera

Neni 15

 

15.1. I gjithë komunikimi verbal, i shkruar ose elektronik lidhur me ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare në mes të një individi ose një familje që shfrytëzon shërbime të tilla dhe profesionistit të shërbimeve sociale dhe familjare trajtohet me mirëbesim. Informacioni i tillë ndahet me të tjerët vetëm aq sa është e nevojshme për të ofruar shërbimin, ose për të mbrojtur sigurinë e një të rrituri ose fëmije të rrezikuar nga dëmtimi ose nëse ka interes më të lartë publik ose me urdhëresë gjyqësore.

 

15.2. Çdo profesionist i shërbimeve sociale dhe familjare i cili nga pakujdesia, me paramendim ose nga keqdashja shpërndan informacionin lidhur me ndonjë rast tek palët e treta të paautorizuara, do të jetë fajtor për shkelje flagrante profesionale dhe mund t’i nënshtrohet ndjekjes penale sipas nenit 189 të Kodit Penal të Kosovës.

 

15.3. Çdo person ose përfaqësues i çdo personi, i cili beson se është diskriminuar në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme ose për arsye tjera i janë mohuar shërbimet adekuate sociale dhe familjare, ka të drejtën që të ankohet. 

 

15.4. Në rastet kur një individ ose një familje janë të pakënaqur me vendimin e nëpunësit të shërbimeve sociale në lidhje ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare, ose refuzimin e ofrimit të shërbimeve të tilla ose me cilësinë e shërbimit të ofruar, mund të kërkojnë që drejtori i QPS-së përkatëse të rishqyrtojë rastin e tyre.

 

15.5. Drejtori i QPS-së rishqyrton rastin brenda shtatë ditëve prej pranimit të kërkesës së tillë dhe ankuesit do t’ia japë përfundimet e tij me shkrim.

 

15.6. Nëse ankuesi është i pakënaqur me përgjigjen e drejtorit, mund të ankohet zyrtarisht tek Departamenti.

 

15.7. Departamenti i Mirëqenies Sociale krijon një komision për shqyrtimin dhe vendosjen e ankesave në lidhje me shërbimet sociale dhe familjare.

 

15.8. Komisioni për ankesa kryesohet nga drejtori i Departamentit të Mirëqenies Sociale, ose i emëruari i tij, dhe ka katër anëtarë të tjerë, një drejtor të një QPS-je e cila nuk është e lidhur me ankesën, një përfaqësues i komunës përkatëse dhe dy persona të pavarur të emëruar nga Departamenti.

 

15.9. Brenda tridhjetë ditësh nga dita e marrjes së ankesës, Komisioni shqyrton ankesën dhe dokumentacionin relevant dhe sipas nevojës interviston dëshmitarët. Vendimet e veta ua përcjellë me shkrim palëve të ankesës.

 

15.10. Nëse ankuesi është i pakënaqur me vendimin e Komisionit për ankesa, ai mund të ankohet tek Gjykata Supreme.

 

15.11. Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale nxjerrë udhëzime admnisitrative, procedura, udhëzime dhe akte të tjera nënligjore lidhur me ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare të cilat janë subjekt i këtij ligji.

  

Dispozitat përfundimtare

Neni 16

 

Ky Ligj hyn në fuqi pas miratimit në Kuvendin e Kosovës dhe ditën e shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.

 

 

 

14.10. 2005                                    

UNMIK/REG/ 2005/46
Herėn e fundit ėshtė azhuruar mė : ( e martė . 24 shkurt 2009 )
 
Para >