Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 02/L-31 PĖR LIRINĖ FETARE NĖ KOSOVĖ
Pri 30 2007
LIGJI NR. 02/L-31 PĖR LIRINĖ FETARE NĖ KOSOVĖ
e hėnė . 30 prill 2007

Ligji Nr. 02/L-31

 

PËR LIRINË FETARE NË KOSOVË

 

Kuvendi i Kosovës,

 

Në mbështetje të Kreut 3.1, 3.2, 5.7 dhe 9.1.26 (a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë (Rregullorja  e UNMIK-ut nr 2001/09 datë 15 maj 2001), si dhe në standardet për të drejtat dhe liritë e njeriut të rregulluara me deklarata dhe konventa ndërkombëtare dhe rajonale, nën kompetencën e Këshillit të Evropës;

 

Duke u nisur nga fakti se liria e besimit është një prej të drejtave themelore të njeriut, dhe një prej parimeve dhe standardeve të pranuara ndërkombëtarisht mbi lirinë e të shprehurit, vetëdijes dhe përcaktimit fetar;

 

Duke e siguruar të drejtën e secilit, pa u diskriminuar në çfarëdo baze dhe me barazi të plotë para ligjit, për lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit, pavarësisht nga bindja fetare apo vetëdija;

 

Duke u nisur nga tradita e jetës së përbashkët  fetare në Kosovë;

 

Të vetëdijshëm për trashëgiminë tonë dhe vlerat tradicionale të tolerancës, jetës së përbashkët, dhe karakterit multikonfesional në Kosovë;

 

Duke u përpjekur të përkufizohen dispozita juridike unike të cilat do t’u siguronin bashkësive fetare të drejta dhe detyrime të barabarta, pa kurrfarë diskriminimi;

 

Duke e çmuar të rëndësishëm përparimin e mëtejmë të mirëkuptimit të ndërsjellë, të tolerancës dhe të respektimit të së drejtës për lirinë e shprehjes, ndërgjegjes dhe besimit fetarë,

 

Miraton:

 

LIGJIN PER LIRINË FETARE NË KOSOVË

Neni 1

Liria Fetare

 

1.1. Çdo njëri ka të drejtë të gëzojë lirinë e mendimit, ndërgjegjes dhe besimit fetarë. Kjo e drejtë përfshinë lirinë për të pasur ose për të mos pasur fe, për të mbajtur apo për të ndërruar fenë ose besimin, dhe lirinë për të manifestuar fenë ose besimin, qoftë si individ ose në bashkësi me të tjerët, publikisht ose privatisht, përmes adhurimit, predikimit, praktikimit dhe ceremonive.

 

1.2. E drejta për lirinë fetare dhe të besimit përfshinë, mes tjerash, edhe liritë në vijim:

 

a.  Lirinë e adhurimit ose tubimit në lidhje me një fe ose besim, dhe krijimin dhe mirëmbajtjen e vendeve për këto qëllime;

 

b.  Lirinë për të themeluar dhe qeverisur institucione humanitare dhe bamirëse;

 

c. Lirinë për të prodhuar, siguruar dhe për të përdorur, gjësende dhe materiale të nevojshme për kryerjen e riteve ose zakoneve të fesë ose besimit;

 

d.  Lirinë e shkrimit, nxjerrjes dhe shpërndarjes së publikimeve relevante në këto lëmi;

 

e.  Lirinë për mësim të një feje apo besimi në vendet e destinuara për këto qëllime;

 

f. Lirinë për të kërkuar dhe pranuar kontribute financiare dhe kontribute të tjera vullnetare nga individët dhe institucionet;

 

g.  Lirinë për t’u aftësuar, emëruar, zgjedhur ose caktuar pasardhës, sipas kushteve dhe standardeve të religjionit ose besimit përkatës;

 

h. Lirinë e respektimit të ditëve të pushimit dhe festimit të festave dhe ceremonive sipas normave fetare të fesë ose besimit përkatës;

 

i.  Lirinë e krijimit dhe ruajtjes së komunikimit me individë dhe bashkësi për çështjet e fesë dhe besimit në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

1.3 Liria për të manifestuar fenë ose besimin duhet t’iu nënshtrohet vetëm atyre kufizimeve që janë të parashkruara me ligj dhe janë të domosdoshme në shoqërinë demokratike në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit dhe moralit, dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të tjerëve.

 

 

Neni 2

Mbrojtja nga Diskriminimi

 

2.1.  Askush nuk duhet të jetë i diskriminuar ose i privilegjuar në çfarëdo mënyre në bazë të besimit fetarë, përkatësisë ose jopërkatësisë së një Bashkësie fetare, ose për kryerjen e ceremonive dhe ritualeve fetare.

 

2.2 Askush nuk duhet të pengohet ose të detyrohet të marrë pjesë në ceremonitë fetare, ose në forma të tjera të manifestimit të besimit fetar.

 

 

 

Neni 3

Barazia Fetare

 

Të gjithë personat, pavarësisht nga besimi ose bindja e tyre, pavarësisht nga përkatësia në ndonjë bashkësi fetare ose pjesëmarrja në ndonjë ceremoni fetare janë të barabartë para ligjit dhe gëzojnë të drejta të njejta në jetën civile, politike, ekonomike, sociale dhe kulturore. Të gjithë personat juridik dhe fizik gëzojnë mbrojtje të njejtë para ligjit.

 

 

Neni 4

Mbrojtja me Kodin Penal

 

4.1. E drejta për të manifestuar fenë ose besimin nuk mund të abuzohet nëpërmjet nxitjes, ngacmimit, ose provokimit të jo tolerancës ose urrejtjes nacionale, fetare ose racore, duke kërcënuar të drejtën për të jetuar, të drejtën për shëndet fizik dhe mendor, të drejtat për fëmijë ose të drejtën për të respektuar integritetin privat dhe familjarë.

 

4.2. Sulmi ndaj çfarëdo zyrtari fetar, shkatërrimi ose dëmtimi i ndonjë vendi ose objekti fetarë, ose prone tjetër e ndonjë Bashkësie fetare, ashtu si edhe ndonjë akt ose aktivitet që ka për qëllim të shkaktojë, nxis, ose provokojë urrejtje fetare, është i ndëshkueshëm në bazë të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

 

 

Neni 5

Neutraliteti fetar

 

5.1. Nuk do të ketë asnjë fe zyrtare.

 

5.2.  Bashkësitë fetare janë të ndara nga autoritetet publike.

 

5.3. Të gjitha autoritetet publike duhet të kenë parasysh tolerancën dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet feve.

 

5.4. Të gjitha besimeve dhe bashkësive të tyre në Kosovë duke përfshirë Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike, Bashkësinë e Besimit Hebrej, dhe Kishën Evangjeliste, do t’u ofrohet çdo lloj mbrojtjeje dhe mundësi për të gëzuar të drejtat dhe liritë e parashikuar me këtë Ligj.

 

 

5.5. Duke pasur parasysh kontributin specifik dhe identitetin e tyre në shoqëri, autoritetet publike duhet të mbajnë dialog të hapur, të rregullt dhe transparent me shoqatat fetare, Bashkësitë fetare për çështjet me interes të përbashkët.

 

 

Neni 6

Liria e bashkimit fetar

 

6.1. Liria e bashkimit për qëllime fetare është e garantuar në bazë të ligjit në fuqi të Kosovës.

 

6.2. Ndalohet formimi i një shoqate fetare e cila për nga emri ose statuti sugjeron që është zyrtarisht e lidhur ose e njohur nga një Bashkësi fetare, por që nuk e ka pëlqimin e së njëjtës.

 

 

Neni 7

Vetë përcaktimi dhe vetë rregullimi

 

7.1. Bashkësitë Fetare janë të lira që të përcaktojnë identitetin e tyre fetar.

 

7.2. Bashkësitë Fetare e rregullojnë dhe administrojnë në mënyrë të pavarur organizimin e tyre të brendshëm.

 

7.3. Bashkësitë fetare lirisht mund të themelojnë dhe komunikojnë me individë dhe komunitete në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ashtu si edhe të formojnë shoqata me bashkësitë dhe grupe të tjera fetare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar në pajtim me ligjin në fuqi.

 

 

Neni 8

Vendet e Kultit

 

8.1. Ndërtesat dhe objektet që u takojnë bashkësive fetare, që janë të dedikuara për kryerjen e ceremonive fetare konsiderohen të pacenueshme për sa i përket ndërhyrjes së autoriteteve qeveritare, përveç nëse ndonjë urdhër gjyqësor është lëshuar si pasojë e aktiviteteve ilegale ose në rast të rrezikut të afërm për jetën ose shëndetin.

 

8.2.  Qasja e lirë nga ana e pelegrinëve, mysafirëve dhe personave të cilët jetojnë përherë ose përkohësisht në institucionet ose objektet fetare duhet garantuar. Ky detyrim merret parasysh gjatë zbatimit të dispozitave që kanë të bëjnë me çështjet e qëndrimit dhe udhëtimit.

 

8.3. Mundësia që bashkësitë fetare të kufizojnë qasjen në vendet e tyre, në kuadër të kornizës për vetë administrim, është e garantuar sipas standardeve ndërkombëtare.

 

 

 

Neni 9

Arsimimi Fetar

 

9.1. Bashkësitë fetare kanë të drejtë të themelojnë institucione arsimore për nevojat e tyre në pajtim me ligjin në fuqi.

 

9.2. Ligji për Arsimin e Lartë rregullon çështjen e studimeve teologjike në universitete.

 

9.3. Shkollat e udhëhequra nga bashkësitë fetare qeverisën në bazë të aplikimit neutral të ligjit përkatës sikurse shkollat tjera private.

 

9.4. Çdo njëri ka të drejtë të zgjedhë ose të mos e zgjedh arsimin fetar sipas bindjeve dhe besimit personal. Prindërit ose kujdestarët e tjerë ligjorë janë të thirrur t’i përcaktojnë udhëzimet fetare dhe etike për fëmijët e tyre sipas bindjeve ose besimeve të tyre.

 

9.5. Arsimi fetar dhe edukimi i të miturve nuk guxon të dëmtojë zhvillimin ose shëndetin e tyre fizik ose mendor.

 

 

Neni 10

Liria për Informim

 

10.1. Bashkësitë fetare, dhe institucionet e tyre kanë të drejtë, në kuadër të Kushtetutës dhe ligjit, që të publikojnë informata duke përdorur të gjitha format e mediave.

 

10.2. Bashkësitë fetare detyrohen që qartë të shënojnë emrin e plotë të tyre në çfarëdo botimi, reviste dhe materiale të tjera fetare, si edhe në korrespondenca dhe shpallje publike të aktiviteteve të tyre.

 

10.3. Bashkësitë fetare gëzojnë qasje të barabartë në mediat publike.

 

 

 

 

Neni 11

Këshillimet Fetare


 

11.1. Me qëllim të realizimit të lirive fetare, autoritetet publike duhet të marrin masa që të garantojnë disponueshmërinë për këshillime fetare në spitale, në vendet për paraburgim ose burgje, si dhe në institute për kujdesje sociale.

 

11.2. Shërbyesit fetarë janë të liruar nga detyrimi për të dëshmuar në procedura para autoriteteve publike dhe gjykatave në lidhje me çfarëdo fakti ose rrethanash që ata kanë mësuar gjatë kryerjes së këshillimit të tyre fetarë.

 

 

Neni 12

Çështjet Financiare

 

12.1. Çështjet që kanë të bëjnë me detyrimet, tatimet dhe pagesat doganore, në lidhje me Bashkësitë fetare, qeverisen në bazë të ligjit në fuqi.

 

12.2. Institucionet e Bashkësive fetare lirohen nga tatimi ose kontributet e tjera të përgjithshme, për rastet si vijon:

 

a.  vendet e kultit, pronat e tjera ose pjesët e pronës së Bashkësive fetare që kanë si qëllim të tyre të drejtpërdrejtë realizimin e bindjeve ose besimeve fetare, përfshirë qëllimet bamirëse dhe për mirëqenie;

 

b.  aktivitetet që kanë si qëllim të posaçëm dhe të drejtpërdrejtë të tyre realizimin e bindjeve ose besimeve fetare, përfshirë qëllimet bamirëse dhe për mirëqenie; dhe

 

c.  seminaret ose organizime të tjera për trajnimin e shërbyesve ose mësimdhënësve fetarë të arsimit fetar.

 

12.3. Bashkësitë fetare mbajnë të drejtën e pronësisë, posedimit, dhe gëzimit të institucioneve të tyre, donacioneve, objekteve të shenjta, dhe të fondeve që dedikohen për adhurim, mësim, dhe mirëqenie.

 

12.4. Bashkësitë fetare mund të pranojnë financim përmes të hyrave nga pronat e tyre, nga trashëgimia dhe dhuratat, nga kontributet bamirëse dhe të tjera vullnetare, si dhe nga kryerja e aktiviteteve të tjera të pajtim me ligjin në fuqi.

 

 

Neni 13

Përfitimet Sociale

 

13.1. Shërbyesit fetarë të bashkësive fetare i realizojnë të drejtat nga sigurimi pensional dhe sigurimi shëndetësor dhe të drejtat e tjera në bazë ligjit në fuqi.

 

13.2. Bashkësitë fetare, për realizimin e punëve të tyre fetare, mund të hyjnë në marrëdhënie juridike dhe të lidhin kontratë për punë me personel fetarë dhe me punëtorë të tjerë. Personeli fetar dhe punëtorët e tjerë, me të cilët bashkësia fetare ka lidhur kontratë për punë, i realizojnë të drejtat nga marrëdhënia e punës dhe në bazë të punës së kryer, sikurse edhe të punësuarit e tjerë.

 

13.3. Vijuesit e rregullt të shkollave fetare dhe të fakulteteve fetare për përgatitjen e personelit fetar i realizojnë të drejtat për mbrojtje shëndetësore, shtesat për fëmijë, sigurimin pensional dhe invalidor, të drejtat për asistencë sociale dhe të drejtat në trafik publik nën kushtet dhe në mënyrën e njëjtë siç i realizojnë vijuesit e shkollave dhe fakulteteve publike.

 

 

 

Neni 14

 

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.

 

 

 

 

24.08.2006

UNMIK/REG/ 2006/48
Herėn e fundit ėshtė azhuruar mė : ( e martė . 24 shkurt 2009 )
 
< Mbrapa   Para >