Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR.03/L-136 PĖR DHĖNIEN E LEJES PĖR PUNĖ DHE PUNĖSIMIN E SHTETASVE TĖ HUAJ NĖ R. E KOSOVĖS
Gsh 10 2009
LIGJI NR.03/L-136 PĖR DHĖNIEN E LEJES PĖR PUNĖ DHE PUNĖSIMIN E SHTETASVE TĖ HUAJ NĖ R. E KOSOVĖS
e hėnė . 10 gusht 2009

LIGJI  NR. 03/L-136

 

PËR DHËNIEN E LEJES PËR PUNË DHE PUNËSIMIN E SHTETASVE TË HUAJ NË REPUBLIKËN E

KOSOVËS

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës;

 

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

 

Duke pasur parasysh dispozitat e nenit 41 të Ligjit për të huajt;

 

Me qëllim të vendosjes dhe aplikimit të dispozitave ligjore për dhënien e lejeve për punë dhe punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës,

 

Miraton:

 

LIGJ PËR DHËNIEN E LEJES PËR PUNË DHE PUNËSIMIN E SHTETASVE TË HUAJ NË REPUBLIKËN E KOSOVËS

 

Neni 1
 
Qëllimi

 

Ky ligj rregullon mënyrën, kushtet dhe procedurat e dhënies së lejes së punësimit për shtetasit e huaj në Republikën e Kosovës, sipas kushteve të përcaktuara me ligj, konventave ndërkombëtare të punës dhe marrëveshjeve ndërshtetërore.

 

Neni 2
 

Fusha e zbatimit

     

Me këtë ligj vendosen rregullat për punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës.

 

Neni 3

Përkufizimet

 

1. Në zbatim të këtij ligji termat vijuese kanë këto kuptime:

 

"I huaj"  është çdo person, i cili nuk është shtetas i Republikës së Kosovës.

 

"Leje pune" është dokumenti zyrtar i dhënë një të huaji nga organi kompetent, për qëllime biznesi, për t'u punësuar ose për t'u vetëpunësuar.

 

"Emigrim" është lëvizja e një personi apo grupi personash nga territori i Republikës së Kosovës në një vend tjetër, në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore, që rregullojnë daljen nga vendi i origjinës, udhëtimin, transitin, hyrjen dhe qëndrimin në vendin e pritës.

 

"Imigrimi" është lëvizja e një personi apo grupi personash, të cilët hyjnë në territorin e Republikës së   Kosovës nga një vend tjetër, në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore.

 

"Leje qëndrimi" është dokumenti që i jepet të huajit për të qëndruar në territorin e Republikës së  Kosovës.

 

"Azil" - është mbrojtja që Kosova i ofron refugjatëve. Azili përfshin të drejtën për vendqëndrim në Republikën e Kosovës si dhe të drejtat e tjera që parashihen me ligj.

 

"Puna Sezonale" është marrëdhënie e punës në kohë të caktuar e cila mund të zgjatë  tre (3) deri nëntë (9) muaj.

 

 

Neni 4

Politikat për dhënien e lejes së punës për shtetasit e huaj

 

1.  Qeveria e Republikës së Kosovës në përputhje me politikën e migracionit, gjendjes dhe lëvizjes në tregun e punës, në fund të çdo viti cakton numrin e lejeve të punës për vitin e ardhshëm, për shtetasit e huaj, në përputhje me nevojat dhe mundësitë e punësimit të të huajve në vendin tonë.

 

2.  Numrin e lejeve për punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës e propozon Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

 

3.  Numri i lejeve të punës për punësimin e shtetasve të huaj caktohet më së largu, deri më 15 dhjetor të vitit aktual, për vitin e ardhshëm.

 

Neni 5

Leja e Punës

 

1.  Personat fizikë, që nuk janë shtetas të Kosovës, kur dëshirojnë të punojnë në territorin e Republikës së Kosovës për një afat kohor prej se paku tre (3) muaj, duhet të pajisen me leje pune të lëshuar nga  Ministria e Punës dhe Mirëqenie Sociale.

 

2.  Personi juridik nëse i plotëson kushtet dhe kriteret sipas këtij ligji dhe ligjeve tjera në Republikën e Kosovës duhet të pajiset me leje pune nga Ministria e Punës dhe Mirëqenie Sociale.

 

Neni 6

Llojet e lejeve të punës

 

1. Llojet e lejeve të punës mund të jenë:

 

1.1.   leje pune e tipit A i jepet të huajve për një kohë jo më shumë se gjashtë (6) muaj;

 

1.2.  leje pune e tipit B i jepet të huajve për t'u punësuar në një profesion të caktuar në një zonë gjeografike të caktuar të një punëdhënës të caktuar;

 

1.3.  leja e punës e tipit B jepet për një periudhë një (1) vjeçare;

 

1.4.  ky tip leje pune mund të ripërtërihet për një afat kohor njëvjeçar, kur nuk kanë ndryshuar rrethanat kryesore të dhënies së lejes së punës së mëparshme;

 

1.5.  leje pune e tipit C i jepet të huajve rezidentë në Republikën e Kosovës, që kanë marrë leje pune të tipit B, vlefshmëria totale e të cilave kap afatin kohor minimal tre (3) vjeçar, gjatë një  periudhe të vazhdueshme banimi. Leje pune e tipit C iu jepet të huajve për t'u punësuar në çdo veprimtari dhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pa kufizime në punëdhënës të caktuar. Ky tip leje pune jepet për një afat kohor pesë (5) vjeçar;

 

1.6.  leje pune e tipi D (leje vetëpunësimi) u jepet personave të huaj të vetëpunësuar, duke kufizuar veprimtarinë e tyre në një zonë gjeografike të caktuar. Kohëzgjatja e kësaj leje pune është një vit (1) me të drejtë ripërtëritjeje;

 

1.7.  leje pune e tipit E (leje vetëpunësimi) u jepet personave të huaj të vetëpunësuar për çdo lloj veprimtarie dhe pa kufizime gjeografike,   cilat kanë marrë leje pune të njëpasnjëshme të tipit, vlefshmëria e të cilave ka afatin minimal tre (3) vjet. Kjo leje pune është e vlefshme me afat kohor deri në pese (5) vjet;

 

1.8.  leje pune e tipit F (për studentë) u jepet personave të huaj që studiojnë në Kosovë për vitin mësimor në vazhdim. Kjo leje pune jepet vetëm për orare pune të reduktuara gjatë vitit mësimor dhe me orar të plota pune gjatë pushimeve midis viteve akademike apo semestrave;

 

1.9.  leje pune e tipit G u jepet të huajve që investojnë në Republikën e Kosovës dhe punësojnë jo më pak se dy (2) shtetas kosovarë për çdo shtetas të huaj të punësuar. Afati i kësaj lejeje është një vit (1) me të drejtë ripërtëritjeje;

 

1.10.  leje pune e tipit H u jepet të huajve të cilët kanë pasur më parë leje të njëpasnjëshme të tipit G, vlefshmëria e të cilave kap afatin kohor minimal tre (3) vjet. Leja e punës e tipit H jepet për një afat kohor pesë (5) vjeçar.

 

Neni 7

Mënyra e paraqitjes së kërkesës për leje pune

 

1.  Kërkesa për pajisje me leje pune bëhet me shkrim përpara fillimit të punës, duke plotësuar formularët zyrtarë përkatës.

 

2.  Formularët për kërkesë merren në Zyrat e Punësimit të cilat veprojnë dhe punojnë në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

 

Neni 8

Organet kompetente për dhënien e lejes së punës

 

1.   Lejen e punës për Shtetasin e huaj dhe pa shtetësi e lëshon, Departamenti i Punës dhe Punësimit në Kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

 

2.  Leja e punës e cila është lëshuar për një punëdhënës, nuk mund të bartet te punëdhënësi tjetër.

 

3. Leja e punës nuk mund t'iu lëshohet personave të cilit qëndrojnë në Kosovë sipas lejes (vizës) turistike.

 

Neni  9

Vazhdimi i lejes së punës

 

1.  Kërkesa për vazhdimin e lejes së punës, përveç lejes së punës sezonale, bëhet një muaj para mbarimit të afatit të lejes ekzistuese.

 

2.   Kërkesa vazhdohet brenda një muaji, nëse rrethanat kryesore të dhënies së mëparshme të lejes së punës nuk kanë ndryshuar.

 

3.  Për kërkesën e vazhdimit të lejes së punës dhe vazhdimin e qëndrimit të përkohshëm, vendimi merret në të njëjtën kohë.

 

Neni 10

Dokumenti zëvendësues i lejes së punës

 

1. Në rastet kur leja e punës humbet ose dëmtohet,  zëvendësohet me një leje pune të re.

 

2.  Për periudhën gjatë së cilës kryhet procedura e ripërtëritjes së lejes së punës, të huajit do ti jepet një leje pune e përkohshme, me vlefshmëri nga koha e dorëzimit të lejes së vjetër deri në pajisjen e të huajit  me leje pune të re.

 

3.  Në rast të humbjes së lejes se punës, shtetasi i huaj është i detyruar ta shpallë të pavlefshme në shtypin ditor të Kosovës.

 

Neni 11

Shkaqet e refuzimit të dhënies së lejes së punës

 

1. Dhënia e lejes së punës për një shtetas të huaj do të refuzohet, nëse:

 

1.1. gjendja e tregut kosovar të punës nuk e lejon këtë punësim të rregulluar me akt nënligjor;

 

1.2. marrëdhëniet dhe kushtet e shprehura në kontratë nuk përmbushin kërkesat e legjislacionit kosovar si dhe të konventave ndërkombëtare;

 

1.3. informacioni dhe dokumentet e kërkuara lihen qëllimisht të paplotësuara apo janë të pasakta;

 

1.4. punëmarrësi i huaj nuk paraqet kërkesën brenda afatit të përcaktuar për ripërtëritjen e lejes së punës;

 

1.5. ka arsye të rëndësishme që përbëjnë rrezik për sigurinë e Republikës së Kosovës.

 

Neni 12

Ndërprerja e lejes së punës

 

1.  Leja e punës ndërpritet kur:

 

1.1.   skadon afati kohor për të cilën ajo është lëshuar;

 

1.2.   i huaji largohet nga Republika e Kosovës për një periudhë mbi gjashtë (6) muaj;

     

1.3.    ndërkrehet leja e qëndrimit në Republikën e Kosovës;

 

       1.4.  sjelljet e të huajve janë në kundërshtim me legjislacionin e Kosovës.

 

Neni 13

   Përjashtimet nga detyrimet për pajisje me leje pune

 

1. Përjashtohen nga pajisja me leje pune, kategoritë e mëposhtme të të huajve:

 

1.1. përfaqësuesit e përfaqësive diplomatike të organizatave ndërkombëtare me status diplomatik, si dhe të huaj që janë punonjës të këtyre përfaqësive;

 

1.2.  personeli kyç i ndërmarrjeve tregtare i cili është definuar me marrëveshjen për stabilizim-asocimin në mes shteteve anëtare të BE-së dhe Kosovës;

 

1.3.   përfaqësuesit e organizatave joqeveritare pa qëllime fitimi;

 

1.4.  drejtorë ekzekutivë të kompanive të huaja që kanë veprimtari apo që kanë qëllim të hapin veprimtari në Republikën e Kosovës;

 

1.5.  profesionistë të një kompanie të huaj, që vijnë për të punuar në degët apo filialet e kësaj kompanie në Republikën e Kosovës;

 

1.6.  specialistë të ardhur në kuadrin e marrëveshjeve dypalëshe e shumëpalëshe;

 

1.7.  personeli i transportit ndërkufitar i mallrave dhe njerëzve;

 

1.8.  lektorë, pjesëtarë të stafeve shkencore, pedagogë të universiteteve, pjesëtarë të stafeve shkencore të organizatave shkencore private, nëse ka interes publik, si shkak i njohurive të tyre të veçanta;

 

1.9. përfaqësues të mas-medias, korrespondentë ose reporterë, që punojnë për një punëdhënës të huaj;

 

1.10.  studentë të universiteteve që marrin pjesë në një shkëmbim të punëve gjatë pushimeve veriore, si rezultat i marrëveshjeve përkatëse.

 

1.11. zyrtarët ushtarak dhe civil të qeverive të shteteve tjera, të cilët në Kosovë vijnë për të punuar në bazë të kontratës për bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës;

 

1.12. përfaqësuesit e bashkësive fetare të cilët kryejnë veçanërisht punët që lidhen me shërbimin fetarë.

 

 

 

Neni 14

 

Anulimi i lejes së punës

 

 

1. Leja e punës anulohet nga organi kompetent nëse:

 

1.1. është lëshuar në bazë të të dhënave të pavërtetuara për punëtorin apo punëdhënësin;

 

1.2. punëdhënësi nuk e lidh kontratën me të huajin në afatin e paraparë ligjor;

 

1.3. i huaji në bazë të lejes së punës, kryen punët për të cilat nuk është lidhur kontrata e punës;

 

1.4. punon për punëdhënësin tjetër me të cilin në bazë të lejes së punës nuk ka mundur të lidhë kontratë pune;

 

1.5. të huajit nuk iu është lejuar apo iu është ndërprerë qëndrimi i përkohshëm në Republikën e Kosovës.

    

Neni 15

Kushtet e veçanta për punësimin e shtetasit të huaj

                                                                                                                             

1. Përveç kushteve të përgjithshme të përcaktuara me këtë ligj dhe ligjeve të tjera në fuqi, shtetasi i huaj për t'u punësuar në Republikën e Kosovës, duhet të përmbushë edhe këtë kusht:

 

1.1.   të ketë lejen e qëndrimit në Republikën e Kosovës, sipas Ligjit për të Huaj;

 

Neni 16

Dokumentacioni i nevojshëm

 

1.   Me kërkesën për lejen e punës, punëdhënësi është i obliguar të dorëzojë:

 

1.1.  Dokumentin për lejen e qëndrimit në Republikën e Kosovës, apo vërtetimin për posedimin e vizës së vlefshëm zyrtare;

 

1.2.     dhënat për vendin  e  punës,  kualifikimin dhe llojin e punës për punësimin e shtetasit të huaj;

 

1.3.   Të dhënat për selinë e punëdhënësit, me arsyetimin për nevojën e punës për shtetasin  e huaj, kushtet e lidhjes së kontratës së punës, për numrin e të punësuarve, llojet e punës dhe  kohëzgjatjen e tyre;

 

1.4.  Certifikatën për regjistrim të biznesit apo veprimtari të ngjashme ose profesion të lirë, udhëheqë punët në ndërmarrjen e tij tregtare, ka shumicën e aksioneve në ndonjë shoqëri aksionare në Kosove apo të huajit të cilit i ofron shërbime në emër të punëdhënësit të huaj.

 

1.5. Vërtetimin nga Zyra e Punësimit, përmes të cilit vërtetohet se në mesin e punëkërkuesve kosovarë nuk ka të atillë të cilët i plotësojnë kushtet e punësimit ku do të punojë shtetasi i huaj.

                                              

Neni 17

Kontrata e Punës

 

1. Lidhja e kontratës për themelimin e marrëdhënies së punës për shtetasin e huaj bëhet në pajtueshmëri me legjislacionin nga fusha e punës dhe punësimit.

 

Neni  18

Afati i lëshimit të kontratës

 

Punëdhënësi, është i obliguar ta lidhë kontratën e punës me shtetasin e huaj, në formë të shkruar para fillimit të punës, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e lëshimit të lejes së punës.

 

 

Neni 19

Barazia para ligjit

 

Personi juridik dhe fizik ka përgjegjësi dhe obligime të barabarta në punë si shtetasi i Republikës së Kosovës, përveç nëse me marrëveshje ndërshtetërore apo konventa ndërkombëtare nuk është përcaktuar ndryshe.

 

Neni 20

Afati për dhënien ose refuzimin e lejes së punës

 

Afati për dhënien ose refuzimin e kërkesës për lejen e punës është jo më shumë se tridhjetë (30) ditë nga data e paraqitjes së dokumentacionit pranë organit kompetent.

 

Neni 21

Ankimi

 

1.  Në rast refuzimi të kërkesës për lejen e punës, shtetasi i huaj njoftohet me shkrim.

 

2.  Shtetasi i huaj apo personi tjetër i interesuar në afatin prej tetë (8) ditësh nga dita e njoftimit për refuzimin e kërkesës për lejen e punës, ka të drejtë ankese në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

 

3.  Organi përgjegjës i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, lidhur me ankesën e paraqitur nga shtetasi huaj, në afatin prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh lëshon vendim, nga dita e paraqitjes së ankesës. 

 

4.  Kundër vendimit mbi refuzimin e kërkesës për dhënien e lejes së punës për shkak të plotësimit të numrit të lejeve të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, nuk lejohet ankesa.

 

5.  Kundër aktvendimit për refuzimin e kërkesës për dhënien e lejes së punës nga paragrafi 1. i këtij neni, shtetasi i huaj, mund të iniciojë konflikt administrativ.

 

Neni 22

Dispozitat Ndëshkimore

 

1. Punëdhënësi me cilësi të personit juridik do të ndëshkohet për kundërvajtje, dënime me të holla prej njëmijepesëqind (1.500) deri në tremijë (3000) Euro, nëse:

 

1.1. e punëson shtetasin e huaj pa lejen e Punës;

 

1.2. shtetasi i huaj sistemohet në pune tjetër në kundërshtim me lejen e punës dhe kontratën e punës;

 

1.3. leja e punës bartet te ndonjë punëdhënës tjetër;

 

1.4.  shtetasit të huaj i vazhdohet kontrata e punës, pas përfundimit të lejes së punës.

 

2. Shtetasi i huaj me cilësi të personit fizik do të ndëshkohet për kundërvajtje, me dënime me të holla prej pesëqind (500) deri njëmijë (1000) Euro, nëse:

 

2.1.  gjatë kryerjes së punës i shkelë rregullat dhe dispozita nga fusha e punës dhe sigurimit social;

 

2.2.  vazhdon të punojë edhe pas skadimit  të afatit të lejes së punës;

 

2.3.  kryen veprimtari pa leje pune;

 

2.4.  ushtron veprimtari në kundërshtim me lejen e punës për të cilën i është lëshuar.

 

 


Neni 23

Mbikëqyrja

 

Mbikëqyrjen në zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe dispozitave tjera pozitive përkatëse e bën Inspektorati i Punës, në bazë të legjislacionit në fuqi.

 

 

Neni 24

Hartimi i akteve nënligjore në pajtim me Ligjin

 

Punëdhënësit kanë për detyrë që aktet nënligjore me të cilat rregullohen marrëdhëniet e punës për shtetasit e huaj t'i harmonizojnë me dispozitat e ligjit, më së largu brenda gjashtë (6) muajsh, pas hyrjes në fuqi të ligjit.

 

Neni 25

Organi kompetent për lëshimin e lejes së punës

 

1. Organ kompetent për lëshimin e lejes se punës është Departamenti i Punës dhe Punësimit i cili vepron dhe punon në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

 

2.   Departamenti i Punës dhe Punësimit është i obliguar që për lëshimin dhe ndërprerjen e lejes së punës, të informojë Ministrinë e Punëve të Brendshme në afatin prej tri (3) ditësh nga dita e lëshimit, përkatësisht ndërprerjes së lejes së punës.

 

3.  Ministria e Punëve të Brendshme, në bazë të vendimit për ndërprerjen e lejes së qëndrimit të përhershëm apo të përkohshëm, në rastet kur shtetasi i huaj është i punësuar, sipas detyrës zyrtare, e informon Departamentin e Punës dhe Punësimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

 

Neni 26

Zbatimi i Ligjit

 

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në afatit prej gjashtë (6) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në koordinim me ministritë përkatëse, nxjerr akte nënligjore, për zbatimin e këtij ligji.

 

Neni 27

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

 

 

Ligji  Nr. 03/ L-136        

10 korrik 2009   

                                              

Shpallur me dekretin Nr. DL-022-2009, datë 17.07.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,   Dr. Fatmir Sejdiu.

 

 
Herėn e fundit ėshtė azhuruar mė : ( e hėnė . 10 gusht 2009 )
 
< Mbrapa   Para >