Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR.03/L-118 PĖR TUBIMET PUBLIKE
Pri 15 2009
LIGJI NR.03/L-118 PĖR TUBIMET PUBLIKE
e mėrkurė . 15 prill 2009

LIGJI  Nr. 03/L-118

PËR TUBIMET PUBLIKE

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

 

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

 

Më qëllim të vendosjes se rregullave ligjore për organizimin e tubimeve publike, respektimit të fjalës së lirë dhe procedurën e lajmërimit, kufizimit apo ndalimin e tubimeve publike,

 

Miraton

 

LIGJIN PËR TUBIMET PUBLIKE

 

KREU  I

 

Neni 1

Dispozitat e përgjithshme

 

Me këtë ligj rregullohet e drejta për tubime publike, e fjalës së lirë në tubime publike, protestave, manifestimeve publike, koha dhe mënyra e lajmërimit, detyrat dhe përgjegjësitë e organizatorëve. 

 

 

Neni 2

Përkufizimet

 

Përkufizimet e përdora në këtë ligj kanë kuptimin si vijon:

 

"Tubimet publike" janë tubime te hapura te qytetarëve të organizuara nga grupe, entitete, OJQ, subjekte politike etj, në te cilat festohet, jepen shfaqje apo shprehet brenga dhe pakënaqësia për çështje të ndryshme.

 

"Vende publike" konsiderohen sheshet, bulevardet, rrugët dhe çdo mjedis tjetër që shfrytëzohet lirisht për lëvizjet e qytetarëve dhe të automjeteve.

 

"Vende të hapura për publikun" janë vende në dispozicion për qytetarët që nën kushte të caktuara mund të marrin lejen për të hyrë.

 

"Organizator" është personi juridik ose fizik që organizon tubimin dhe persona të tjerë që japin ndihmesë në zhvillimin e  tij.

 

"Kujdestarët" janë persona që caktohen nga organizatori i tubimit publik për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë, gjatë kohës sa zgjatë tubimi publik dhe kanë shenja dalluese.

 

"Dhunë" është dhuna e ushtruar nga një grup i konsiderueshëm pjesëmarrësish e jo nga individët e veçantë, kundër njerëzve ose objekteve tjera.

 

"Protesta" nënkupton kundërshtimin e vendosur për një padrejtësi a për një veprim te paligjshëm, shprehje e mospajtimit në diçka në mënyrë të prerë.

 

"Demonstrata" nënkupton manifestimin e masave popullore nëpër rrugë e sheshe për të shprehur  haptas një kërkesë politike, ekonomike a shoqërore, për të kundërshtuar diçka.

 

 

 

Neni 3

E drejta dhe llojet e tubimeve publike

 

1. Çdo qytetar i Republikës se Kosovës pa asnjë dallim gjinie, race, ngjyre, gjuhe, besimi, përkatësisë nacionale, gjendjes ekonomike e financiare, arsimore e sociale, të bindjeve politike, ose të çdo lloj rrethane tjetër vetjake, ka të drejtë të organizoj dhe të marr pjesë në tubimet publike, sipas rregullave të përcaktuara me këtë ligj.

 

2. "Llojet e tubimeve publike sipas këtij ligji konsiderohen të gjitha ato tubime të qeta si në vijim".

 

2.1.  tubimet;

 

2.2.  manifestimet;

 

2.3.  parakalimet;

 

2.4.  protesta;

 

2.5.  kremtime publike;

 

2.6.  përkujtime të qeta;

 

2.7. manifestime dhe organizime të natyrave të ngjashme në të cilat pjesëmarrësit shprehin lirisht dhe në mënyrë paqësore pikëpamjet e tyre për çështjet që u interesojnë;

 

2.8.  demonstrata.

 

3. Tubimet publike konsiderohen edhe ato të shfaqjeve kulturore, humanitare, sportive, fetare, the argëtuese.

 

 

Neni 4

Kufizimet dhe ndalimet e tubimeve publike

 

1.  Me këtë ligj rregullohen tubimet publike, caktohen kufizime apo ndalohen tubimet publike kur ato rrezikojnë rendin, qetësinë dhe sigurinë publike, sa i përket lirisë, dhe të drejtave të njerëzve të tjerë, moralit dhe shëndetit publik.

 

2.  E drejta e pjesëmarrjes dhe e fjalimit në tubimet publike ndalohet në rastet kur tubimet publike shërbejnë për të thirr apo nxitur, dhunën, urrejtjen ndërnacionale, religjioze, apo nxitje të tjera të ndaluara me ligj.

 

3.  Asnjë tubim publik nuk mund të mbahet kur ndalohet nga organet e policisë përveç kur me këtë ligj nuk është paraparë ndryshe.

 

 

Neni 5

Tubimet  e qeta publike

 

1.  Tubime të qeta publike konsiderohen të gjitha ato tubime të organizuara dhe ku janë tubuar më shumë se njëzet (20) persona për qëllime të shprehjes publike të brengës politike, sociale, nacionale, racore etj.

 

2. Organet kompetente për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë e sigurisë janë përgjegjëse për sigurimin e lirisë për organizimin, pjesëmarrjen dhe fjalën e lirë të qytetarëve në tubimet e qeta publike.

 

3.  Organet kompetente për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë e sigurisë mund të ndërmarrin masa të përdorimit të dhunës vetëm atëherë kur tubimi publik përkatësisht protesta rrezikon të prish ose shkatërroj të mirat e përgjithshme.

 

4.  Çdo tubim publik duhet detyrimisht të lajmërohet nga organizatori apo përfaqësuesi i tij nën kushtet dhe afatin e paraparë nga organet e policisë.

 

5.  Organizatori është përgjegjës që me rastin e pjesëmarrjes së qytetarëve në tubimin publik të mbaj dhe organizoj rendin.

 

6. Organizatori i tubimit publik në pajtim me këtë ligj është përgjegjës për ndërmarrjen e të gjitha masave rreth organizimit të tubimit publik.

Neni 6

Lajmërimi i tubimit të qetë publik

 

1. Lajmërimi për organizimin e tubimit të qetë publik për qëllimin, vendin dhe kohën e organizimit bëhet para policisë së Kosovës në vendin ku mbahet tubimi.

 

2.  Lajmërimi bëhet më së voni shtatëdhjetë e dy (72) orë para se të mbahet tubimi i qetë publik.

 

3.  Policia e Kosovës duhet që më së voni dyzet e tetë (48) orë para mbajtjes së tubimit publik të lajmëroj organizatorin për lejimin apo ndalimin e tubimit publik. Nëse në afatin e paraparë nuk shpallet vendimi i ndalimit, tubimi konsiderohet i lejuar.

 

4.  Lajmërimi për tubimin publik duhet të përmbaj:

 

4.1.  qëllimin, vendin ditën dhe kohën e mbajtjes së tubimit publik;

 

4.2.  kohëzgjatjen e tubimit të qetë publik;

 

4.3.  të dhënat e organizatorit apo të përfaqësuesit të tij;

 

4.4.  të dhënat mbi udhëheqësin e tubimit publik;

 

4.5.  numrin e kujdestarëve dhe

 

4.6.  numrin e përafërt të pjesëmarrësve.

 

5. Për vendin dhe kohën e mbajtjes së tubimit vendos organizatori. Tubimet publike brenda hapësirës së një institucioni publik nuk janë të lejuara.

 

 

Neni 7

 

1. Tubimet që mund të mbahen pa u lajmëruar janë ato që mbahen në lokale të mbyllura apo lokale të parapara për qëllime të tilla si: mbledhjet, tribunat, tryezat e rrumbullakëta të subjekteve të ndryshme .

 

2. Gjithashtu nuk lajmërohen ato tubime nëse mbahen në: stadiume, salla kinemaje, teatro etj dhe të cilat nuk kërkojnë masa shtesë të sigurisë.

 

3. Tubimet publike mund të mbahen në çdo vend të përshtatshëm për to.

 

4. Përjashtim nga paragrafi  3  i këtij neni, bëjnë pjesë vendet në:

 

 4.1.   afërsi të spitaleve, dhe vendeve ku mund të pengohen automjetet e ndihmës së parë dhe të prishet qetësia e të shtrirëve në spital.

 

 4.2.  në afërsi të çerdheve për fëmijë dhe shkollave fillore gjatë kohës së mësimit.

 

4.3. në parqet nacionale dhe parqet e mbrojtura natyrore përveç rasteve kur tubimi publik ka për qëllim mbrojtjen e natyrës dhe të mjedisit.

 

4.4.  në afërsi të përmendoreve apo objekteve me vlerë të lartë kulturore dhe historike me qëllim të mbrojtjes nga dëmtimi përveç rasteve të kremtimeve dhe të përkujtimeve të qeta.

 

4.5.  në udhëkryqe dhe magjistrale, për të mos penguar qarkullimin e automjeteve.

 

4.6. në vende të tjera duke marr parasysh kohën e mbajtjes së tubimit numrin e pjesëmarrësve, dhe qëllimin e tubimit mund seriozisht të shqetësoj një numër të madh të qytetarëve.

 

 

Neni 8

 

1.  Policia e Kosovës mund të ndalojnë një tubim të qetë publik kur konsiderojnë se:

 

1.1.  tubimi publik nuk është lajmëruar në mënyrë të rregullt;

 

1.2.  është paraparë të mbahet në vendin që është ndaluar me këtë ligj;

 

1.3. kur qëllimet e tubimit nxisin ose thërrasin për përdorimin e dhunës, urrejtës ndërnacionale, fetare racore, politike;

 

1.4.  se ekzistojnë arsye të konsiderueshme se tubimi do të mund të përdorej për dhunë.

 

2. Tubimi publik sipas paragrafit 1. të këtij neni mund të ndalohet së paku njëzetekatër (24) orë para se të mbahet.

 

3.  Organizatori apo lajmëruesi i tubimit publik i pakënaqur me vendimin e organit që ka ndaluar tubimin publik mund brenda tri (3) ditëve të ankohet para gjykatës kompetente për shqyrtim të rastit.

 

4.  Gjykata në këtë rast vendos me procedurë të shpejtuar.

  

5.  Tubimi spontan pa organizator të njohur i cili rrezikon të eskaloj në tubim të dhunshëm është i ndaluar.

 

 

Neni 9

Përgjegjësitë e organizatorit për organizimin e tubimit të qetë publik

 

1. Organizatori duhet që të ndërmerr të gjitha masat për mbajtjen e rendit dhe qetësisë në tubimin publik.

 

2. Organizatori duhet të siguroj numër të mjaftueshëm të mbajtësve te rendit në tubimin publik.

3. Organizatori mbajtën e rendit mund t'ia besoj kompanive private të sigurimit të licencuara në pajtim me ligjin.

 

4. Organizatori duhet që ti ndërmerr të gjitha masat që pjesëmarrësit të mos jenë të armatosur dhe të mos shkaktojnë dëme.

 

5. Me kërkesën e organizatorit, Policia e Kosovës mund të bashkëpunoj për mbajtjen e rendit dhe të marrin masat për ndalimin e personave të cilët veprojnë në kundërshtim me ligjin.

 

6. Organizatori gjatë zhvillimit të tubimit publik, duhet të krijoj hapësirë për kalimin e automjeteve të Policisë së Kosovës, të ndihmës së shpejt dhe zjarrfikësve.

 

 

Neni 10

 

Policia do ta mban rendin dhe qetësinë publike përreth vendit ku mbahet tubimi publik.

 

 

Neni 11

 

1. Pjesëmarrësve në tubimin apo protestën e qetë publike u ndalohet të mbajnë armë apo gjësende të ndaluara dhe gjithashtu të mbajnë apo shesin alkool.

 

2.  Pjesëmarrësve të tubimit publik u ndalohet që të mbajnë apo bartin: shenja, mbishkrime, apo gjësende të tjera dalluese me të cilat, fyhet, nxitet apo ftohet për dhunë, urrejtje ndërnacionale, politike, fetare, racore, sociale, apo të ngjashme.

 

 

Neni 12

Kujdestarët

 

1.  Kujdestarët janë persona të moshës madhore që caktohen nga organizatori i tubimit publik për mbajtjen e rendit dhe të qetësisë në tubimin publik.

 

2. Gjatë kohës së mbajtjes së tubimit publik, kujdestarët kujdesen që pjesëmarrësit mos të dëmtojnë të mirat materiale që ekzistojnë në vendin e mbajtjes së tubimit.

 

3.  Kujdestari menjëherë duhet që të kap dhe dorëzoj tek policët pjesëmarrësin apo personin tjetër që qarkullon pranë vendit të tubimit publik nëse prishë rendin, qetësinë, mban armë apo objekte të rrezikshme apo shenja të ndaluara.

 

4.  Kujdestari gjatë tubimit publik për punët e mbajtjes së rendit dhe qetësisë ka të drejtë:

 

4.1.  të kontrolloj personat që hyjnë në vendin ku mbahet tubimi;

     

4.2. tu ndaloj hyrjen personave për të cilët konsideron se mund të prishin rendin dhe sigurinë e sidomos personat e dehur;

4.3.  të ndalë qarkullimin e pjesëmarrësve jashtë vendit të mbajtjes së tubimit;

 

4.4.  izoloj (dorëzoj policisë) personat që prishin rendin dhe qetësinë.

 

5.  Kujdestari gjatë kohës sa zgjatë tubimi duhet të mbaj në krah një shirit dallues dhe duhet ti përmbahet udhëzimeve të udhëheqësit të tubimit.

 

6. Gjithashtu kujdestari nuk duhet të mbaj armë, objekte, simbole apo shenja të ndaluara sipas paragrafit 2. të nenit 11 të këtij ligji.

 

Neni 13

 

1. Udhëheqësi i tubimit të qetë publik është personi që caktohet nga organizatori për të caktuar mbajtësin e rendit dhe i cili kujdeset që tubimi të jetë mirë i organizuar.

 

2. Udhëheqësi mund të ndërmarr masa shtesë sa i përket sigurisë dhe rendit për tubimin publik.

 

3. Udhëheqësi mund të ndërpres tubimin e qetë para kohe nëse konsideron se vazhdimi i mëtejmë i tubimit mund të ketë për pasojë dhunën,

 

4. Udhëheqësi pasi të jetë qetësuar situata mund të vendos që të vazhdoj tubimin.

 

5. Udhëheqësi mund të largoj personat që nuk i përmbahen rregullit nga tubimi publik. Personat e larguar nga udhëheqësi duhen ta lëshojnë menjëherë vendin e tubimit.

 

6. Policia, përkatësisht organet më të larta kompetente të policisë, mund ta shtyjnë apo ndërprejnë tubimin nëse tubimi:

 

6.1.  nuk është lajmëruar apo lejuar;

 

6.2.  nëse mbahet në vendin që nuk është paraparë për tubim në lajmërim;

 

6.3.  nëse ka pjesëmarrës të armatosur në tubim;

 

6.4.  nëse pjesëmarrësit thërrasin apo nxisin për dhunë apo urrejtje;

 

6.5.  nëse kujdestarët nuk mund të mbajnë rendin dhe qetësinë; dhe

 

6.6. nëse me tubimin publik apo protestën është rrezikuar seriozisht rendi, siguria dhe qetësia .

 

7.  Personi zyrtar i cili vendos që  të ndërpritet tubimi publik kërkon nga udhëheqësi i tubimit që të kërkoj nga pjesëmarrësit të qetë të shpërndahen nga tubimi,

 

8. Nëse udhëheqësi përkatësisht pjesëmarrësit nuk veprojnë sipas paragrafit 7. të këtij neni zyrtari kompetent do të ndërmarr masa të duhura që të shpërndahen pjesëmarrësit nga tubimi.

 

 

Neni 14

Tubimet  urgjente

 

1. Kur ka rrethana urgjente, tubimi mund të zhvillohet pa respektuar afatin e parashikuar në të këtë ligj, prej shtatëdhjetë e dy (72) orësh por detyrimisht duhet të bëhet njoftimi me shkrim i cili përmban elementet e  përcaktuara në paragrafin 4. të nenit 6 të këtij ligji, si dhe arsyen e urgjencës.

 

2. Njoftimi duhet të bëhet menjëherë, por jo më vonë së tri (3) orë përpara kohës së mbajtjes së tubimit.

 

 

Neni 15

Tubimet në zona private

 

1.  Në zona apo prona private mund të mbahen tubime publike pa lajmëruar policinë.

 

2.  Policia nuk mund të hyjë në zona private ku zhvillohen tubime pa pëlqimin e organizatorit të tubimit ose pronarit të saj, me përjashtim të rasteve flagrante për të ndaluar një rrezik të çastit për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve në tubim.

 

 

Neni 16

Protestat publike

 

1. Protestat publike mund të mbahen në mjedise të hapura apo të mbyllura të parapara apo të përshtatshme për protesta.

 

2.  Protestat publike nuk mund të mbahen në vendet e parapara në paragrafin 4. neni 7 të këtij ligji.

 

3.  Organizatori i protestës duhet t'a lajmëroj mbajtjen e saj.

 

4.  Përgjegjësitë e organizatorit për protestën publike janë të njëjta sikur ato të parapara në nenin 9 të këtij ligji.

 

5. Gjithashtu përgjegjësitë e parapara për kujdestarët në nenin 12 vlejnë edhe për protestat publike.

 

6.  Protestat publike duhet të lajmërohen më së paku shtatëdhjetedy  (72) orë para mbajtjes së saj.

 

7. Lajmërimi i bëhet policisë sipas nenit 6 të këtij ligji dhe ky lajmërim duhet të përmbaj:

 

7.1. emrin, mbiemrin, numrin personal të Kartelës Identifikuese adresën si dhe përgjegjësinë e tij në organizatën apo subjektin që organizon protestën;

 

7.2.  të dhënat e udhëheqësit të protestës kujdestarët e angazhuar dhe numrin e tyre;

 

7.3.  qëllimin e protestës, vendin datën dhe kohën e mbajtjes së protestës publike;

 

7.4.  masat e marra për sigurinë dhe rendin;

 

7.5.  numrin e kujdestarëve; dhe

 

7.6.  numrin e përafërt të pjesëmarrësve.

 

 

Neni 17

 

1. Policia në bazë të kërkesës për mbajtjen e protestës publike vlerëson se a ekzistojnë kushte dhe rrethana të arsyeshme për mbajtjen e protestës në aspektin e sigurisë.

 

2. Policia mund ta refuzoj kërkesën për mbajtjen e protestës publike në rast kur konstaton se protesta:

 

      2.1.  nuk është lajmëruar në mënyrë të rregullt;

 

      2.2.  është lajmëruar se do të mbahet në vendet që me këtë ligj është e ndaluar;

 

      2.3. se qëllimi i kësaj proteste është të thirret apo nxitet në: dhunë, urrejtje ndërnacionale, fetare, racore apo të ngjashme;

 

      2.4. kur vlerësohet se protesta do të shkaktoj dhunën në prishjen e rendit, qetësisë, apo shkatërrimin e objekteve me rëndësi të përgjithshme;

 

      2.5. kur në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë apo kohë të përafërm është lejuar që të mbahet një protestë apo tubim tjetër.

 

3. Policia kur konstaton se nuk ekzistojnë kushtet dhe rrethanat e arsyeshme në aspektin e sigurisë për mbajtjen e protestës mund ta ndaloj njëzet e katër (24) orë para mbajtjes së protestës.

 

4.  Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet ankesë brenda dyzet e tetë (48) orëve në organet më të larta të policisë.

 

5.  Këto organe janë të obliguara që brenda dyzetetetë (48) orëve të vendosin mbi ankesën dhe të lajmërojnë organizatorin.

 

6. Në rast se ushtruesi i ankesës nuk është i kënaqur me vendimin nga paragrafi 5. i këtij neni mund ti drejtohet Gjykatës. Në këtë rast Gjykata vendos me procedurë të shpejtë.

 

 

 

KREU II

 

 Neni 18

Manifestimet publike

 

1. Manifestimet publike mund të mbahen në vende të hapura apo në ambiente të mbyllura të destinuara apo të përshtatshme për mbajtjen e tyre.

 

2. Organizatori i manifestimit publik mund të jetë personi fizik apo juridik sipas rregullave të parapara me këtë ligj.

 

3.  Manifestimi publik duhet të lajmërohet nëntëdhjetë e gjashtë (96) orë para mbajtjes së saj.

 

4.  Lajmërimi për mbajtjen e manifestimit publik bëhet para organeve të policisë së vendit ku do të mbahet manifestimi publik.

 

5.  Lajmërimi i manifestimit publik duhet të përmbaj:

 

      5.1.  emrin mbiemrin, numrin personal, vendlindjen dhe vendbanimin dhe të dhënat tjera të organizatorit;

 

      5.2.  të dhënat mbi udhëheqësin e manifestimit publik;

 

      5.3.  organizimin për mbajtjen e rendit, qetësisë dhe të sigurisë së bashku me numrin e kujdestarëve;

 

      5.4.  natyrën e manifestimit;

 

      5.5.  datën, kohën dhe vendin e mbajtjes; dhe

 

      5.6.  numrin e përafërt të pjesëmarrësve.

 

6. Organizatori i manifestimit publik në vendet e hapura është përgjegjës që së bashku me të dhënat e parapara në paragrafin 5. të këtij neni, të bashkangjes edhe masat e ndërmarra në pajtim me dispozitat nga fusha e sigurisë në trafik dhe me rrethanat me rastin kur manifestimi mund të pengoj sigurinë në trafik.

 

7. Organet e policisë në bazë të lajmërimit vlerësojnë se a ekzistojnë kushtet për mbajtjen e manifestimit publik në aspektin e sigurisë.

 

8. Në pajtim me paragrafin 6. të këtij neni policia mund të kërkoj nga organizatori të shtoj masat shtesë për mbajtjen e rendit përkatësisht shtimin e numrin të kujdestarëve.

 

9. Organet e policisë duke vlerësuar se organizatori nuk ka arritur që të rris masat shtesë dhe se mbajtja e manifestimit publik mund të sjell deri te prishja e rendit dhe sigurisë publike mund më së voni njëzet e katër (24) orë para mbajtjes së manifestimit ta ndaloj atë.

 

10. Për ndalimin e manifestimit publik policia duhet të ketë për bazë nëse shfaqja publike:

 

10.1.   nuk është lajmëruar sipas rregullave të parapara;

 

      10.2.   nuk janë marr parasysh kërkesat nga paragrafi 8 i këtij neni;

 

      10.3. është paraparë të mbahet në vendet që janë të ndaluara përkatësisht nuk janë të destinuara apo të përshtatshme të mbahen manifestimet publike;

 

      10.4. se ekzistojnë arsyet bazë se mbajtja e manifestimit publik do të cenoj sigurinë e përgjithshme,  rendin dhe qetësinë, do të dëmtoj moralin publik, shëndetin e përgjithshëm apo do të ndotë ambientin.  

 

11.  Kundër vendimit të organit të policisë brenda dyzet e tetë (48) orëve mund të bëhet ankesë në organet më të larta të policisë.

 

12. Organet më të larta të policisë brenda dyzet e tetë (48) orëve do të marrin vendimin përfundimtar lidhur me ankesën dhe ta informoj organizatorin.

 

13.  Në rast se ushtruesi i ankesës nuk është i kënaqur me vendimin nga paragrafi 12. i këtij neni mund ti drejtohet Gjykatës. Në këtë rast Gjykata vendos me procedure të shpejtë.

 

 

Neni 19

 

1. Me rastin e angazhimit të policisë me masa shtesë të sigurisë gjatë shfaqjes sportive, kulturore apo argëtuese organizatori është përgjegjës për kompensimin e këtyre shpenzimeve që ka shkaktuar ai angazhim.

 

2. Për kompensimin e këtyre shpenzimeve nga organizatori, arrihet marrëveshja së bashku me policinë dyzet e tetë (48) orë para fillimit të manifestimit publik.

 

3. Organizatori ka përgjegjësi objektive për kompensimin e dëmeve të bëra nga pjesëmarrësit në manifestimin publik në objektet apo ambientet të parapara në paragrafin 1. të nenit 18 të këtij ligji.

 

 

Neni 20

Tubimet e tjera të ngjashme

 

1. Tubimet si: ritet fetare, dasmat, varrimet si dhe tubimet e tjera të ngjashme nuk lajmërohen.

 

2. Përjashtim nga paragrafi 1. i këtij neni duhet të lajmërohen tubimet që pavarësisht nga numri i pjesëmarrësve apo natyra e tubimit kërkojnë të ndërmerren masa shtesë të sigurisë jashtë angazhimit normal nga ana e policisë.

 

3. Lajmërimi nga paragrafi 2. i këtij neni bëhet më së voni dymbëdhjetë (12) orë para mbajtjes së tubimit.

 

4. Lajmërimi për këtë lloj të tubimit bëhet siç është paraparë në paragrafin 2. të nenit 6 të këtij ligji.

 

 

Neni 21

Masat ndëshkuese

 

1.  Me një shumë prej njëqind (100) deri në dyqind (200) euro do të dënohet:

 

1.1.  organizatori i tubimit publik apo protestës që nuk e ka lajmëruar atë në pajtim me paragrafin 4. të nenit 5 të këtij ligji;

 

1.2.  organizatori që mban tubimin apo protestën e qetë publike me gjithë ndalimin nga organet e policisë (neni 8 i këtij ligji);

 

1.3.  organizatori i cili nuk ka ndërmarr masa shtesë së sigurisë (paragrafi 8. i nenit 18 të këtij ligji);

 

1.4.  organizatori i cili nuk ka lajmëruar tubimet e ngjashme publike por që ka qenë i obliguar ti lajmëroj (neni 20 i këtij ligji).

 

2.  Me një shumë prej dyqind (200) deri në pesëqind (500) euro do të dënohet:

 

2.1.   kur nuk e ndërprenë tubimin apo protestën publike (paragrafi 3. i neni 13 të këtij ligji);

 

2.2.  kur sipas kërkesës së policisë organizatori nuk e ndërprenë tubimin apo protestën publike (paragrafi 7. i neni 13 të këtij ligji).

 

3.   Në shumën prej pesëqind (500) deri në shtatëqind (700) euro do të dënohet:

 

3.1. organizatori që mban protestën publike pa dhënien e lejes nga organet e policisë (paragrafi 2. i neni 17 të këtij ligji);

 

3.2. organizatori që mban tubimin apo protestën publike në vendet e ndaluara sipas këtij paragrafi 4. nenit 7 të këtij ligji).

 

4.  Në shumën prej shtatëqind (700) deri në njëmijë (1000) euro do të dënohet:

 

4.1.  personi i cili mban armë apo shet alkool në vendin e tubimit (paragrafi 1. i neni 11 të këtij ligji);

 

4.2. personi i cili në tubimin e qetë publik mbanë apo bartë mbishkrime, apo gjësende të tjera me të cilat nxitet apo ftohet për dhunë apo urrejtje ndërnacionale, politike, fetare, racore apo të ngjashme (paragrafi 2. i neni 11 të këtij ligji).

 

 

Neni 22

Hyrja në fuqi

 

1. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji pushojnë të vlejnë të gjitha ligjet tjera apo akte që rregullojnë këtë fushë.

 

2.  Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

 

 

 

Ligji Nr. 03/ L-118            

4 dhjetor 2008   

                                               

 

 

Shpallur më vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 03-V-101, datë 26 mars 2009.

 
< Mbrapa