Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR.03/L-117 PĖR AVOKATINĖ
Mar 24 2009
LIGJI NR.03/L-117 PĖR AVOKATINĖ
e martė . 24 mars 2009

LIGJI  Nr. 03/L-117

 PËR AVOKATINË

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

 

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

 

Miraton

LIGJ PËR AVOKATINË

 

KREU I

 

DISPOZITAT THEMELORE

 

Neni 1

Dispozitat themelore

 

1. Ky ligj rregullon veprimtarinë dhe organizimin e avokatisë. Avokatia është profesion i lirë dhe i pavarur.

 

2. Avokatia u ofron shërbime dhe ndihmë profesionale juridike personave fizikë dhe juridikë për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave dhe të interesave të tyre në pajtim me rendin juridik në shoqëri.

 

3. Pavarësia e avokaturës realizohet përmes:

 

3.1.   ushtrimit të pavarur të profesionit të avokatit si  profesion i lirë;

 

  3.2.   ofrimit të ndihmës juridike në mënyrë të pavarur;

 

3.3.   organizimit të avokatëve përmes Odës së Avokatëve të Kosovës, si organizatë e  

  pavarur publike;

 

3.4.  autorizimit të Odës së Avokatëve për nxjerrjen e akteve normative me qëllim 

  rregullimin dhe organizimin e avokaturës.   

 

 

KREU II

 

AVOKATI

 

Neni 2

Ndihma juridike

 

1.  Shërbimi dhe ndihma profesionale juridike e avokatit përfshijnë:

 

1.1.   dhënien e këshillave juridike;

 

1.2.   përfaqësimin dhe mbrojtjen e palëve para organeve të drejtësisë dhe subjekteve të së drejtës që i zbatojnë ligjet;

 

 1.3.   përfaqësimin e palëve para organeve të arbitrazhit dhe organizatave të tjera të pavarura;

 

1.4.  përfaqësimin e palëve në raportet e tyre juridike me personat e tjerë fizikë dhe juridikë;

 

1.5.    përgatitjen e padive, paraqitjeve për ndjekje penale dhe mjeteve ankimore;

 

1.6.  përgatitjen e dokumenteve juridike të cilat sjellin ose synojnë pasoja juridike, siç janë: kontratat, testamentet, statutet etj;

 

1.7.   përgatitjen e ekspertizave për çështje të ndryshme juridike; dhe

 

1.8.    veprimet e tjera, të parapara me ligj.

 

2.  Avokati mund të zëvendësohet nga praktikanti i tij që është në aftësim profesional për ushtrimin e profesionit të avokatit. Praktikanti duhet të ketë autorizim me shkrim dhe të veprojë nën mbikëqyrjen e avokatit në rastet kur përfaqësimi nga praktikanti nuk përjashtohet me ligj.

 

3.  Avokati nuk mund të ushtrojë ose ndërmjetësojë veprimtari tregtare në emër të tjerëve, ose të ushtrojë veprimtari nëpunësie mbi bazën e marrëdhënieve të punës me administratën publike.

 

4.  Shërbimet dhe ndihma profesionale juridike nuk mund të jepen nga profesionistë të fushave të  tjera.

 

5.  Profesorët dhe docentët e përhershëm të lëndëve juridike në fakultetet e Kosovës, nuk mund të japin ndihmë juridike, përveç asaj në formë të këshillës ose ekspertizës juridike.

 

6. Dhënia e shërbimit dhe e ndihmës profesionale juridike nga institucionet, organet ose organizatat e tjera, mund të rregullohet me ligj të veçantë.

 

Neni 3

Ndihma juridike e paautorizuar

 

Oda e Avokatëve mund të inicioj procedurë gjyqësore në rastet e dhënies së ndihmës juridike, nga personat e paautorizuar, përveç nëse ligji e parasheh ndryshe.  

 

 

KREU  III

 

KUSHTET PËR USHTRIMIN E AVOKATISË

 

Neni 4

Regjistrimi i Avokaturës

 

E drejta për ushtrimin e profesionit të avokatit fitohet me regjistrimin në regjistrin e avokatëve, e cila mbahet nga Oda e Avokatëve.

 

Neni 5

 

Procedura për regjistrimin e Avokatëve

1.  Regjistrimi i Avokaturës bëhet pas paraqitjes së kërkesës me shkrim në Odën e Avokatëve të Kosovës. Për kërkesën për regjistrim vendos Bordi i Odës së Avokatëve të Kosovës, brenda 60 ditësh, pas dorëzimit të dokumentacionit të kompletuar të parashtruesit të kërkesës.

 

2.  Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që të paraqesë dokumentet për regjistrim në Regjistrin e Avokatëve dhe të deklarojë vendndodhjen e selisë së tij si Avokat.

 

3.  Avokati është i detyruar të paguajë shpenzimet për regjistrim sipas taksës licencuese, të cilat caktohen nga Oda e Avokatëve.

 

Neni 6

Kushtet për regjistrimin në regjistrin e avokatëve

 

1.  Të drejtë regjistrimi në regjistrin e avokatëve ka secili person që plotëson këto kushte:

 

1.1.  të posedojë aftësi për të vepruar;

 

1.2.  të jetë rezident i përhershëm i Kosovës;

 

1.3.  të ketë të kryer fakultetin juridik;

 

1.4.  të ketë përvojë së paku një (1) vjeçare si praktikant Avokature ose praktikant gjykate apo të ketë përvojë dy (2) vjeçare, si praktikant në Administratën Publike;

 

1.5.  të ketë të dhënë provimin e judikaturës në Kosovë;

 

1.6.  të ketë dhënë betimin solemn;

 

1.7. të mos jetë i dënuar për vepra penale që e bëjnë atë të padenjë për ushtrimin e profesionit të avokatit sipas Kodit të Etikës Profesionale;

 

1.8. të mos jetë i përjashtuar ose i pezulluar nga detyra e gjyqtarit ose prokurorit ose ushtrimi i profesionit të avokatit. Në rastet e përjashtimit kërkesa mund të përsëritet pas  pesë vitesh, pas vendimit të plotfuqishëm;

 

1.9. të mos kryejë një veprimtari e cila nuk është në pajtim me profesionin e Avokatit dhe në veçanti veprimtari e cila cenon pavarësinë e tij profesionale;

 

2. Regjistrimi mund të anulohet si pasojë i regjistrimit të parregullt. Në këtë rast duhet të përsëritet procedura e regjistrimit.

 

Neni 7

 

Betimi solemn

 

1. Çdo kandidat para se të pajiset me lejen e ushtrimit të profesionit të avokatit është i detyruar të japë betimin solemn.

 

Betimi bëhet si vijon:

 

"Betohem, se profesionin e avokatit do ta ushtroj me dinjitet, ndërgjegje, i pavarur dhe me nder, duke respektuar rendin juridik dhe kushtetues".

 

2. Betimi bëhet para Kryetarit të Odës së Avokatëve ose personit përgjegjës, të caktuar nga Bordi.

 

Neni 8

Njohja e specializimit

 

1.  Avokati mund të kërkojë që në lidhje me kryerjen e avokatisë, t'i njihet specializimi në lëmin e caktuar të drejtësisë.

 

2.  Kushtet dhe procedura për njohjen e specializimit përcaktohen me statut.

 

3.  Avokatit, të cilit i është njohur specializimi, fiton të drejtën që në emër të zyrës së tij të vërë degën e drejtësisë për të cilën është specializuar.

 

Neni 9

 

Shlyerja nga regjistri

 

1. Bordi i Odës së Avokatëve merr vendim mbi shlyerjen e avokatit nga regjistri i avokatëve në rastet:

 

1.1.  kur avokati ka vdekur ose është shpallur zyrtarisht si i vdekur;

 

1.2.  avokati bën kërkesë për çregjistrim,

 

1.3.  avokatit i është marrë e drejta e ushtrimit të profesionit të avokatit;

 

1.4.  nëse është i dënuar me dënim burgimi më tepër se gjashtë (6) muaj.   

 

2.  Bordi i Odës së Avokatëve mund të inicojë procedurën për shlyerjen e avokatit nga Regjistri  i Avokatëve konform dispozitave disiplinore të paragrafit 3. të nenit 19 të këtij ligji.

 

3.  Shlyerja e avokatit nga regjistri i avokatëve duhet t'i kumtohet menjëherë organeve zyrtare dhe gjykatave.

 

Neni 10

Pushimi i të drejtës për ushtrimin e profesionit

 

1.  Avokatit i pushon e drejta për ushtrimin e profesionit të avokatit :

 

1.1.  nëse e humb zotësinë për të vepruar;

 

1.2.  nëse bëhet i paaftë nga një sëmundje kronike për ushtrimin e detyrës së avokatit;

 

1.3.  nëse vullnetarisht heq dorë nga ushtrimi i profesionit të avokatit;

 

1.4.  nëse më shumë se gjashtë muaj pa arsye nuk e ushtron profesionin e avokatit;

 

1.5.  nëse krijon marrëdhënie të punës përveç në Odën e Avokatëve.

 

2. Me pushimin e së drejtës për ushtrimin e profesionit të avokatit, inicohet procedura e shlyerjes nga Regjistri i Avokatëve.

 

 

KREU  IV

 

TË DREJTAT, DETYRIMET DHE PËRGJEGJËSITË E AVOKATIT

 

Neni 11

Detyrimet e avokatit

 

1. Çdo Avokat është i detyruar t'i përmbahet ligjit dhe së drejtës si dhe të sillet në pajtim me etikën e nderit të profesionit gjatë ushtrimit të profesionit.

 

2.  Avokati është i detyruar t'i japë ndihmë juridike çdo personi fizik dhe juridik, duke mos dalluar ose diskriminuar klientët, në baza nacionale, etnike, racore, fetare, gjinore, gjuhësore, bindjeve politike, gjendjes ekonomike, arsimore, sociale ose ndonjë karakteristike tjetër personale.

 

3.  Avokati nuk ka të drejtë t'i ofrojë ndihmë juridike një personi tjetër, interesat juridike të të cilit janë në kundërshtim me interesat e klientit të tij. Përfaqësimi i palës kundërshtare nuk mund të bëhet poashtu nga një Avokat i cili bashkëvepron në të njëjtën zyrë me Avokatin e klientit.

 

4.  Avokati është i detyruar të ruajë fshehtësinë profesionale kundrejt klientit të tij. Ai nuk mund të bëjë publik ose të përcjellë informata personale dhe konfidenciale të klientit të tij.

 

5.  Avokatit i ndalohet të bëjë kallëzim penal në organin e ndjekjes penale dhe nuk mund të pyetet si dëshmitar, lidhur me personin të cilit i ka ofruar ndihmë juridike.

 

6.  Detyrimi për heshtje kufizohet vetëm me ligj, kur Avokati në raste të caktuara është i detyruar me ligj të bëjë kallëzim për vepra penale.

 

7.  Avokati duhet të përkujdeset të mos ekzistojë asnjë konflikt interesash në mes tij dhe rastit që e përfaqëson ose mbron. Në rast dyshimi për mundësinë e ekzistencës së konfliktit, avokati është i detyruar të konsultojë palën e përfaqësuar ose mbrojtur dhe të veprojë në pajtim me dispozitat e këtij ligji.

 

8. Avokatit nuk i lejohet të përfaqësojë ose të mbrojë një person, nëse, ndërmjet tij dhe gjykatësit të së njëjtës çështje ose organit hetues të së njëjtës çështje, ekzistojnë lidhje gjaku ose martesore.

 

9. Avokatit i ndalohet të përfaqësojë ose mbrojë në një çështje, ku ai ka qenë i ngarkuar më parë në të si gjykatës, prokuror ose dëshmitar.

 

10. Avokati është i detyruar t'i rikthejë klientit dokumentacionin e dorëzuar nga ai, pas përfundimit të rastit dhe në çdo periudhë të shqyrtimit ose procedurës, nëse kjo kërkohet nga klienti.

 

11. Avokati është i detyruar t'i ruajë shkresat zyrtare sipas Ligjit për ruajtjen e dokumenteve zyrtare.

 

12. Çdo padi, kërkesë, ose dokument tjetër, i përpiluar nga avokati duhet të përmbajë nënshkrimin, emrin dhe mbiemrin e avokatit, si dhe të dhënat kontaktuese të zyrës së avokaturës.

 

Neni 12

Kontributi vjetor

 

Avokatët janë të detyruar të paguajnë rregullisht anëtarësinë dhe t'i kryejnë obligimet e tjera ndaj Odës së Avokatëve.

 

Neni 13

 

Arkivi

 

Avokatët janë të detyruar të mbajnë dokumentacionin e nevojshëm në pajtim me kërkesat e Odës së Avokatëve dhe të mbajnë evidencë për veprimet, shërbimet, kontratat dhe dokumentet e tjera, duke i arkivuar ato në zyrat e tyre.     

 

Neni 14

 

Pjesëmarrja e avokatëve në shërbimet juridike publike

 

1.  Të gjithë avokatët janë të detyruar të marrin pjesë në sistemin e ndihmës juridike falas, i cili financohet me mjete publike. Procedurat përkatëse përcaktohen me ligj ose rregullore të veçantë.

 

2.  Në rastin e përfaqësimit ose mbrojtjes së klientit, i cili kualifikohet për ndihmë juridike falas, avokati nuk ka të drejtë të kërkojë kompensim nga klienti në fjalë.

 

3.  Avokatët kanë të drejtë të ofrojnë, pavarësisht nga sistemi, ndihmë juridike pa kompensim për klientë të varfër.

 

4. Në rastet e lartpërmendura, avokatët kanë të drejtë të kërkojnë reduktime tatimore për angazhimin e tyre social. Mbi kërkesën e tyre vendos autoriteti kompetent fiskal në Kosovë, në bazë të kërkesës së avokatit.

 

Neni 15

 

Arsimimi i vazhdueshëm profesional

 

1.  Avokatët janë të detyruar të marrin pjesë në programet për arsimimin e vazhdueshëm ligjor  dhe aktivitetet tjera të parapara me statut ose me aktet e tjera.

 

2. Oda e Avokatëve e Kosovës me akt të veçantë e përcakton programin e arsimimit të vazhdueshëm të avokatëve.

 

Neni 16

Të drejtat e avokatëve në kuadër të mbrojtjes së klientit

 

1.  Organet shtetërore dhe organet e tjera, duhet t'iu ofrojnë avokatëve të dhëna dhe dokumente që janë të nevojshme në ushtrimin e avokatisë në lëndët konkrete, nëse nuk janë në kundërshtim me detyrimin e ruajtjes së fshehtësisë zyrtare dhe profesionale. Avokati, në ushtrimin e funksionit të tij, ka të drejtë të kërkojë nga institucionet e administratës publike, në përputhje me ligjin, shpjegime, të dhëna dhe dokumente, që kanë të bëjnë me çështjen ose personin që përfaqësohet ose mbrohet.

 

2.  Avokati ka të drejtë, në përputhje me procedurat hetimore, të marrë pjesë në proces, të pyesë personin e mbrojtur prej tij, dëshmitarët dhe ekspertët, të lexojë dhe të njohë në përfundim të hetimit, të gjitha aktet e dokumentet, që janë të lidhura me çështjen dhe t'i nënshkruajë ato.

 

Neni 17

Të drejtat e avokatit në procedurë

 

1.  Avokati ka të drejtë të takojë personin e mbrojtur prej tij, në mënyrë private dhe pa kufizim kohor, në çdo gjendje të kufizimit të lirisë personale. Organet kompetente kanë të drejtë të mbikëqyrin takimin ndërmjet avokatit dhe personit të mbrojtur, por, në çdo rast, u ndalohet të dëgjojnë bashkëbisedimin ndërmjet tyre.

 

2. Organi i prokurorisë, gjykata, administrata e burgjeve dhe Policia janë të detyruara të sigurojnë praninë e avokatit, kur këtë e kërkon personi i mbrojtur prej tij, i ndaluar, i arrestuar ose që është duke vuajtur dënimin.

 

Neni 18

Përgjegjësia disiplinore

 

1.  Me Statutin e Odës se Avokatëve përcaktohen shkeljet e rënda dhe të lehta të detyrave të avokatëve dhe avokatëve praktikantë në kryerjen e detyrave të tyre dhe ruajtjen e prestigjit të profesionit, si dhe llojet e masave disiplinore.

 

2. Avokati i nënshtrohet përgjegjësisë disiplinore, nëse vepron në kundërshtim me Ligjin, Statutin dhe Kodin etikës profesionale nga Oda e Avokatëve.

 

3.  Në raste të rënda të shkeljes së detyrave gjatë ushtrimit të profesionit, Oda e Avokatëve mund të nisë procedurën e shlyerjes së avokatit nga regjistri i Odës së Avokatëve. Oda e Avokatëve mund të nisë procedurën në bazë të kërkesës së një organi të saj ose një organi tjetër zyrtar.

 

4. Raste të rënda të shkeljes së detyrave të avokatit konsiderohen shkeljet e rënda të Kodit të Etikës Profesionale, në veçanti:

 

4.1.     nëse avokati e shkel detyrimin për ruajtjen e fshehtësisë profesionale;

 

4.2.     nëse avokati, përkundër qortimeve të shumta, vazhdon të shkelë detyrat e tij, ose

kryen veprimtari të padenjë për pozitën e avokatit, ose i ka dëmtuar në masë të madhe reputacionin e profesionit të avokatit.

 

4.3.  nëse avokatit i supozohen karakteristikat e nenit 6 paragrafi 1. nën- paragrafët  1.7. dhe 1.9. të këtij ligji.

 

5. Për shkeljet e tjera më të lehta, Oda e Avokatëve mund të ndërmarrë masa të tjera disiplinore në formë të vërejtjes, qortimit formal ose dënimit me gjobë.

 

6.  Nëse një Avokat vepron në kundërshtim me detyrimet e tij të përcaktuara me këtë ligj ose aktet tjera të Odës së Avokatëve, atij mund t'i shqiptohet vërejtja ose qortimi publik.

 

7.  Oda e Avokatëve, për shkelje të detyrimeve, me apo pa paramendim, në vend të qortimit publik mund ta gjobisë avokatin, me një shumë deri në pesëmijë (5.000) €. Këtë ajo mund ta bëjë kur, në bazë të rrethanave të rastit, qortimi publik nuk do të ishte efektiv.

 

8.  Para se të merret çfarëdo mase disiplinore, avokati duhet të dëgjohet. Avokati ka të drejtë të mbrohet gjatë procedurës disiplinore. Vendimi duhet të merret me shkrim dhe të jetë i bazuar në dëshmi objektive.

 

Neni 19

Pezullimi i së drejtës për ushtrimin e avokaturës

 

1.  Nëse avokati është zgjedhur apo emëruar në ndonjë detyrë publike me pagesë, gjatë kohës së ushtrimit të asaj detyre i pushon e drejta e ushtrimit të profesionit të avokatit.

 

2.  Përveç rastit në paragrafin 1 të këtij neni, në rastet e tjera, kur avokati për shkaqe të arsyeshme nuk mund të ushtrojë profesionin e avokatit një kohë të gjatë, Oda e Avokatëve cakton një zëvendës të përkohshëm, nëse avokati në fjalë nuk e ka caktuar zëvendësin e tij dhe për këtë ta ketë lajmëruar Odën.

 

3. Me vendimin mbi pezullimin e së drejtës për ushtrimin e avokaturës caktohet edhe kohëzgjatja së pezullimit.

 

KREU V

 

ORGANIZIMI I AVOKATËVE NË ODËN E AVOKATËVE TË KOSOVËS

 

Neni 20

Oda e Avokatëve

 

1.  Avokatët që veprojnë në Kosovë janë të obliguar të anëtarësohen në Odën e Avokatëve të Kosovës. Oda e Avokatëve është organizatë e obliguar profesionale me cilësi të personit juridik.

 

2.  Selia e Odës së Avokatëve të Kosovës është në Prishtinë.

 

3.  Detyra kryesore e Odës së Avokatëve është rregullimi dhe kontrollimi i profesionit të Avokatit në Kosovë.

 

4.  Organizimi i brendshëm i Odës së Avokatëve rregullohet me Statut.

 

5. Oda e Avokatëve i ka degët në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Ferizaj dhe Mitrovicë.

 

Neni 21

Organet e Odës së Avokatëve

 

1. Organet e Odës së Avokatëve janë:

 

1.1.  Kuvendi i përgjithshëm

 

1.2.  Kryetari

 

1.3.  Këshilli Ekzekutiv

 

1.4.  Komisioni Disiplinor

 

1.5.  Komisioni i Revizionit

 

2. Mandati zgjedhor i organeve të Odës është me kohëzgjatje prej katër (4 ) vitesh, përveç atij të Kryetarit i cili zgjidhet për dy (2) vite. Anëtarët e organeve mund të rizgjidhen edhe një herë radhazi.

 

3.  Funksionet e organeve brenda Odës janë funksione nderi. Bartësit e këtyre funksioneve kanë të drejtë në kompensimin e shpenzimeve të krijuara lidhur me ushtrimin e këtyre detyrave.

 

Neni 22

Kuvendi

 

1.  Kuvendi i Avokatëve është organi më i lartë i Odës. Organet e tjera të Odës zgjidhen nga Kuvendi.

 

2.  Kuvendi përbëhet nga të gjithë anëtarët e Odës.

 

3.  Kuvendi thirret nga Kryetari i Odës.

 

4. Kryetari është i detyruar që ta thërrasë Kuvendin nëse një e dhjeta (1/10) e anëtarëve bën kërkesë me shkrim për këtë dhe në këtë rast, duhet ta bëjë të ditur temën e cila duhet diskutuar në Kuvend.

 

5.  Kompetencat e Kuvendit janë:

 

5.1.  zgjedhja e Kryetarit dhe zëvendësit të tij;

 

5.2.  zgjedhja e Bordit;

 

5.3.  zgjedhja e Komisionit Disiplinor;

 

5.4.  zgjedhja e Komisionit të Revizionit;

 

5.5.  miratimi i Statutit;

 

5.6.  miratimi i Kodit të Etikës Profesionale, Statutit të Odës së Avokatëve,  Tarifës  për kompensimin e Avokatëve dhe akteve tjera të Odës së Avokatëve;

 

5.7.  miratimi i buxhetit të Odës;

 

5.8.  miratimi i raportit vjetor;

 

5.9.  përcaktimi i kontributit vjetor të avokatëve për veprimtarinë e Odës;

 

5.10.  miratimi i masave për Arsimimin e vazhdueshëm profesional të avokatëve;

 

5.11.  vendime mbi çështjet e tjera, të rezervuara me Statutin e Odës së Avokatëve.

     

6.  Kuvendi merr vendime me shumicë të rregullt. Ai arrin kuorumin për vendimmarrje nëse më tepër se 50% të anëtarëve të përgjithshëm janë prezentë. Nëse Kuvendi nuk arrin kuorumin për vendimmarrje, rithirret Kuvendi sërish. Në këtë rast Kuvendi ka kuorum për vendimmarrje pa marrë parasysh pjesëmarrjen e anëtarëve. Në këtë rast anëtarët duhen njoftuar për këtë situatë me dërgimin e letërthirrjes. Votimi mund të bëhet vetëm për pikat e rendit të ditës, të cilat janë paraparë për mbledhjen, në të cilën kuorumi për vendimmarrje nuk është arritur.

 

Neni 23

Kryetari

 

1. Kryetari përfaqëson Odën e Avokatëve.

 

2. Kryetari mbikëqyr ligjshmërinë e organeve të tjera.

 

3. Kryetari udhëheq mbledhjet e Bordit dhe të Kuvendit. Në mungesë të tij, mbledhjet udhëhiqen nga zëvendësi i tij.

 

4. Kryetari ndërlidh aktivitetet dhe detyrat ditore të Odës dhe të Bordit. Ai bën edhe ekzekutimin e vendimeve të Bordit dhe Odës së Avokatëve.

 

Neni 24

Bordi

 

1. Bordi është organ ekzekutiv dhe drejtues i Odës së Avokatëve.

 

2. Bordi përbëhet prej njëmbëdhjetë (11) anëtarëve.

 

3. Bordin e Odës së Avokatëve e kryeson Kryetari i Odës.

 

Neni 25

Detyrat e Bordit

 

1. Bordi duhet të realizojë detyrat e tij të parapara me ligj dhe statut. Ai duhet të mbrojë dhe përparojë detyrat dhe çështjet e Odës së Avokatëve.

 

2.       Bordi është përgjegjës në veçanti:

 

2.1.  t'i këshillojë dhe njoftojë anëtarët e Odës së Avokatëve për çështjet e detyrimeve   profesionale,

 

2.2.  të vendosë mbi kërkesat për anëtarësinë në Odën e Avokatëve dhe ankesat kundër saj,

 

2.3.   të ndërmjetësojë në mospajtimet ndërmjet anëtarëve të Odës së Avokatëve;

 

2.4. të mbikëqyrë përmbushjen e detyrimeve që i takojnë anëtarëve të Odës së avokatëve  dhe të ekzekutojë vendimet e Komisionit Disiplinor,

 

2.5.  të kërkojë fillimin e procedurës disiplinore, në qoftë se kjo procedurë nuk është inicuar nga Komisioni Disiplinor;

 

2.6.   të administrojë me buxhetin e Odës së Avokatëve;

 

2.7.  t'i japë llogari vjetore Kuvendit të Odës për administrimin e Odës së Avokatëve;

 

2.8.  të përgatisë ekspertiza, të kërkuara nga organet zyrtare ose ndonjë gjykatë;

 

2.9. të kontribuojë në shkollimin dhe testimin e studentëve dhe praktikantëve të Avokaturës;

 

2.10.  të bëjë propozimin për anëtarin e komisionit  për  provim të judikaturës;

 

2.11.  të bëjë raportin vjetor Kuvendit të Kosovës, për punën e Odës së Avokatëve;

 

2.12.  të kryejë detyrat e ngarkuara nga Kuvendi i Odës së Avokatëve të parashikuara me  Statutin e Odës së Avokatëve.

 

Neni 26

Komisioni Disiplinor

 

1.  Komisioni Disiplinor inicon procedurën disiplinore ndaj avokatëve sipas detyrës zyrtare, në bazë të kërkesës së organeve të Odës së Avokatëve ose kërkesës së organeve tjera publike.

 

2.  Komisioni Disiplinor përbëhet nga pesë (5) anëtarë.

 

3.  Komisioni Disiplinor zgjedh nga mesi i tij kryetarin e komisionit, i cili e udhëheq punën e komisionit.

 

4.  Kryetari dhe anëtarët kanë të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.

 

5.  Komisioni vendos me shumicë të thjeshtë.

 

6.  Vendimet e Komisionit ekzekutohen nga Bordi i Drejtorëve.

 

7.  Kundër vendimit të Komisionit mund të ushtrohet ankesë në organin përgjegjës administrativ  tridhjetë (30) ditë pas pranimit të vendimit të Komisionit.

 

Neni 27

Komisioni i Revizionit

 

1.  Komisioni i Revizionit ka për detyrë të kontrollojë përmbushjen e vendimeve të marra në Kuvendin nga organet e Odës së Avokatëve. Për këtë arsye ka edhe qasje në të gjithë dokumentacionin e Odës së Avokatëve.

 

2. Komisioni i Revizionit shqyrton ankesat ndaj Odës së Avokatëve dhe i propozon Bordit vendimin mbi to.

 

3.  Komisioni i Revizionit përbëhet nga pesë (5) anëtarë.

 

4. Komisioni i Revizionit zgjedh nga mesi i tij kryetarin e komisionit, i cili udhëheq me veprimtarinë e komisionit.

 

5.  Komisioni i Revizionit vendos me shumicë të thjeshtë.

 

Neni 28

Mbikëqyrja dhe bashkëpunimi me organet të tjera

 

1. Qeveria e Kosovës mbikëqyr ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve dhe ka të drejtë që, gjer në vendimin e Gjykatës Supreme, të ndaloj ekzekutimin e aktit i cili është në kundërshtim me ligjin. Kjo mbikëqyrje kufizohet në përfilljen e ligjit dhe të së drejtës, duke mos e cenuar autonominë administrative të Odës së Avokatëve.

 

2. Oda e Avokatëve bashkëpunon me organet qeveritare dhe organizatat tjera, në promovimin e të drejtave themelore të njeriut dhe në avancimin demokratik të shoqërisë.

 

3. Oda e Avokatëve e informon Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës si dhe organet e tjera qeveritare  për punën e saj.

 

4. Oda duhet të jetë aktive në dhënien e iniciativave tek organet kompetente për nxjerrjen e ligjeve.

 

Neni 29

Raporti vjetor dhe rezultatet e zgjedhjes

 

1. Oda  e Avokatëve paraqet raportin vjetor  për punën e saj Kuvendit të Kosovës.

 

2. Për rezultatet e zgjedhjeve njoftohet Kuvendi i Kosovës dhe organet tjera relevante qeveritare. 

 

 

KREU VI

 

ZYRA E  AVOKATIT

 

Neni 30

Zyra e Avokatit

 

1.  Avokati mund të ketë vetëm një zyrë në territorin e Kosovës.

 

2.  Për çdo ndryshim të selisë, duhet të njoftohet Oda e Avokatëve.  

 

3.   Avokati mund të punësojë në zyrën e tij edhe avokatë të tjerë.

 

Neni 31

Zyrat e përbashkëta të Avokatisë

 

1. Dy ose më tepër avokatë mund të themelojnë një zyrë të përbashkët. Zyra e përbashkët themelohet me Statut, në të cilin përcaktohen detyrimet reciproke të avokatëve të zyrës së përbashkët.

 

2. Statuti i zyrës duhet t'i dërgohet Odës së Avokatëve për regjistrim. Zyra mund të ketë vetëm një seli dhe vepron vetëm pas regjistrimit në regjistrin e Odës së Avokatëve.

 

3. Avokatët e zyrës duhet të jenë të regjistruar në regjistrin e Avokatëve të Odës së Avokatëve.

 

4. Avokatët e zyrës së përbashkët mund të zëvendësohen reciprokisht në përfaqësimin e klientëve, me pëlqimin e klientëve.

 

Neni 32

Përgjegjësia e avokatit në zyrën e përbashkët

 

1. Avokatët e bashkuar në zyrë të përbashkët mbajnë përgjegjësi të përbashkët për obligimet të cilat rrjedhin nga zyra. E njëjta gjë vlen edhe për përgjegjësinë për të punësuarit në zyrën e përbashkët.

 

2. Përgjegjësia profesionale dhe personale mbetet përgjegjësi individuale e avokatëve të zyrës.

 

Neni 33

Shoqëritë e Avokatëve

 

1.  Dy ose më tepër avokatë të regjistruar në regjistrin e Odës së Avokatëve mund të themelojnë një zyrë avokatie me cilësi të personit juridik (Shoqëritë e Avokatëve).

 

2.  Shoqëritë e Avokatëve, si persona juridikë, themelohen në përputhje me dispozitat ligjore mbi shoqëritë tregtare.

 

3.  Anëtar i Shoqërisë mund të jetë vetëm avokati i regjistruar në regjistrin e Odës së Avokatëve.

 

4.  Kryerja e veprimtarisë në kuadër të Shoqërisë së Avokatëve mund t'iu besohet anëtarëve të shoqërisë së avokatëve, juristëve të punësuar në shoqërinë e avokatëve ose praktikantëve në shoqëri të avokatëve.

 

5.  Me aktet normative të Odës do të parashihet themelimi, veprimtaria dhe pushimi i Shoqërisë së Avokatëve.

 

 

KREU VII

 

PRAKTIKANTËT NË ZYRËN E AVOKATIT

 

Neni 34

Praktikanti i avokaturës

 

1.  Praktikanti i avokaturës është person i cili kryen praktikën tek një avokat me qëllim aftësimi profesional  dhe është i regjistruar në Regjistrin e praktikantëve të Odës së Avokatëve.

 

2.  Atij nuk i lejohet ushtrimi i profesionit si i pavarur por vetëm në kuadër të veprimtarisë së caktuar nga avokati mbikëqyrës të tij.

 

3.  Të drejtat dhe detyrimet e praktikantit të avokatit rregullohen me statutin e Odës së Avokatëve në pajtim me ligjin.

 

Neni 35

Regjistrimi si praktikant i avokatisë

 

1. Regjistrimi i praktikantit të avokatisë bëhet me kërkesën formale për regjistrim në Regjistrin e praktikantëve të avokatisë të Odës së Avokatëve. Në lidhje me kërkesën vendos Oda e Avokatëve.

 

2. Parakusht për regjistrim është që parashtruesi i kërkesës:

 

2.1.  ta ketë aftësinë e veprimit;

 

2.2.   ta ketë të kryer fakultetin juridik.

 

2.3.   t'i përmbushë parakushtet e tjera të përcaktuara me nenin 6 të këtij ligji.

 

3.  Dispozitat tjera detyrimore dhe disiplinore të aplikueshme për avokatët aplikohen edhe për praktikantët.

 

4.  Oda e Avokatëve dhe avokatët duhet të zhvillojnë programe trajnimi, praktike dhe teorike, për praktikantët e avokatisë.

 

5.  Praktikanti i avokaturës fshihet nga regjistri i praktikantëve të avokaturës nëse pas tre viteve që nga fillimi i veprimtarisë si praktikant nuk e jep provimin e avokaturës.

 

Neni 36

Anulimi i regjistrimit

 

Procedura e regjistrimit të praktikantit mund të anulohet si pasojë e regjistrimit të parregullt. Në këtë rast duhet të përsëritet procedura e regjistrimit.

 

Neni 37

Të drejtat dhe detyrimet

 

1.  Praktikanti i avokatisë i nënshtrohet detyrimeve të njëjta sikur avokati.

 

2.  Praktikantit të avokatisë i lejohet përfaqësimi i avokatit të tij mbikëqyrës pranë Gjykatave Komunale. Praktikanti i avokaturës është i detyruar t'i përmbahet udhëzimeve të avokatit mbikëqyrës.

 

3.  Veprimtaria e pavarur e praktikantit të avokatisë nuk është e lejuar.

 

Neni 38

Përgjegjësia për praktikantin e avokatisë

 

1. Për dëmet e shkaktuara nga praktikanti, në kuadër të kryerjes së detyrës si praktikant i avokatisë, është përgjegjës avokati mbikëqyrës.

 

2. Për dëmet e shkaktuara, me qëllim ose për shkak të pakujdesisë së rëndë nga praktikanti i avokatisë, është përgjegjës praktikanti.

 

 

KREU VIII

 

AKTET NORMATIVE TЁ ODЁS

 

Neni 39

 

1. Oda e Avokatëve është e obliguar t'i nxjerrë aktet normative si vijon:

  

1.1.    statutin e Odës së Avokatëve;

 

1.2.   kodin e etikës profesionale;

 

1.3.  rregulloren mbi kompensimin e avokatëve dhe përpilimin e tabelës së tarifës për  kompensimin e avokatëve;

 

1.4.  rregulloren mbi  Zyrën e Përbashkët së Avokatëve;

 

1.5.  rregulloren mbi themelimin, organizimin dhe funksionimin e Shoqërive të Avokatëve;

 

1.6.  rregulloren mbi procedurën disiplinore;

 

1.7.  rregulloren mbi regjistrimin e avokatëve të huaj:

 

1.8.  aktet e tjera të nevojshme për organizimin dhe rregullimin e avokatisë.

 

2. Aktet juridike të nxjerra nga Oda e Avokatëve të Kosovës duhet të bëhen publike.

 

 

KREU IX

 

DISPOZITAT E FUNDIT

 

Neni 40

Dispozita të përkohshme dhe kalimtare

 

1. Kërkesat për regjistrimin e avokaturës, të cilat janë parashtruar para hyrjes në fuqi të këtij ligji, zgjidhen me procedurat e aplikueshme në kohën e parashtrimit të kërkesës.

 

2. Procedurat disiplinore të inicuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, zgjidhen me dispozitat e aplikueshme me inicimin e procedurës.

 

3.  Procedurat e emërimit si praktikant i avokaturës si dhe periudha e kryerjes së stazhit nga ana e tyre, për personat të cilët janë emëruar para hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk preken nga procedurat dhe dispozitat e këtij ligji.

 

4.  Oda e Avokatëve është e detyruar që brenda një afati prej tetë (8) muajsh, të harmonizojë ose ndryshojë Statutin dhe Kodin e Etikës Profesionale në pajtim me këtë ligj.

 

5.  Dispozitat e  Statutit dhe Kodit të Etikës Profesionale të miratuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të zbatohen deri në ndryshimin e tyre, deri sa nuk bien në kundërshtim me dispozitat dhe qëllimin e këtij ligji. 

 

Neni 41

Dispozitat e fundit

 

1. Ky ligj shfuqizon Ligjin mbi Avokaturën dhe Ndihmën tjetër Juridike, Gazeta Zyrtare e KSAK, nr. 011-69/79.

 

2.  Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

 

 

Ligji  Nr. 03/ L-117             

20 nëntor 2008   

 

 

Shpallur më Vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nr. 03-V-085, datë 12 shkurt 2009.

 

 
< Mbrapa