Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR.03/L-122 PĖR SHĖRBIMIN E JASHTĖM TĖ REPUBLIKĖS SĖ KOSOVĖS
Jan 15 2009
LIGJI NR.03/L-122 PĖR SHĖRBIMIN E JASHTĖM TĖ REPUBLIKĖS SĖ KOSOVĖS
e enjte . 15 janar 2009

 

LIGJI  Nr. 03/L-122

PËR SHËRBIMIN E JASHTËM TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

 

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

 

Miraton

 

LIGJ PËR SHËRBIMIN E JASHTËM TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS

 

 

KREU I

 

DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

 

 

Neni 1

Qëllimi

 

Qëllim i këtij ligji është rregullimi i veprimtarisë së shërbimit të jashtëm, i organizimit, bashkërendimit dhe funksionimit të organeve që e përbëjnë shërbimin e jashtëm, dhe rregullimi i statusit të personelit të misionit diplomatik.

 

 

Neni 2

Përkufizimet

 

Për qëllim të këtij ligji, shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

 

"Anëtarët e personelit të misionit"- janë anëtarët e personelit diplomatik, të personelit administrativ dhe teknik, dhe të personelit shërbyes;

 

Anëtarët e shërbimit të jashtëm"- janë anëtarët e përhershëm të Ministrisë si dhe anëtarët e Ministrisë të caktuar në misione diplomatike dhe konsullore në shtete të tjera dhe në organizata ndërkombëtare;

 

"Gradat Diplomatike dhe Konsullore"- janë titujt e dhënë ose të fituar të përfaqësuesve diplomatikë dhe konsujve, të renditur sipas përparësisë ose epërsisë hierarkike;

 

"Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës"- është komisioni i ngarkuar me dhënien, përveç gradës ambasador, të gradave diplomatike dhe konsullore për nëpunësit e shërbimit të jashtëm, si dhe propozimin e masave disiplinore ndaj nëpunësve të shërbimit të jashtëm dhe shqyrtimin e ankesave për masat disiplinore të marra ndaj tyre;

 

 "Ministria"- është Ministria e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës;

 

"Ministri"- është Ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës;

 

"Misioni diplomatik"- është ambasada ose çdo zyrë tjerë e cila përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër ose në një organizatë ndërkombëtare në kuptimin e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961) ose të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore (1963), ose e cila përfaqëson Republikën e Kosovës si pjesë të një misioni të dy ose më shteteve, dhe të cilës zyrë i janë dhënë të gjitha privilegjet dhe imunitetet që, sipas ligjit, i gëzojnë misionet diplomatike sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike;

 

"Personeli administrativ dhe teknik"- janë anëtarët e personelit të misionit të punësuar në shërbimin administrativ dhe teknik të misionit;

 

"Personeli diplomatik"- janë anëtarët e personelit të misionit të rangut diplomatik;

 

"Personeli shërbyes"- janë anëtarët e personelit të misionit në shërbimin shtëpiak të misionit;

 

"Përfaqësuesi diplomatik"- është shefi i misionit ose një anëtar i personelit diplomatik të misionit;

 

"Shefi i misionit"- është ambasadori ose ndonjë person tjetër i autorizuar nga institucionet për ta ushtruar detyrën e tillë;

 

 "Shtetas i Republikës së Kosovës"- është personi fizik i cili mban shtetësinë e Republikës së Kosovës ashtu siç përcaktohet në Ligjin për Shtetësinë e Kosovës.

 

 

Neni 3

Baza juridike e veprimtarisë së organeve të shërbimit të jashtëm

 

Presidenti i Republikës së Kosovës udhëheq politikën e jashtme të vendit në bazë të kompetencave që i jepen me Kushtetutë. Ministri i Punëve të Jashtme dhe strukturat e tjera në varësi të Ministrisë, e ushtrojnë veprimtarinë dhe funksionet e shërbimit të jashtëm në përputhje me Kushtetutën, me këtë ligj, me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, me aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij, mbështetur në programin e Qeverisë dhe orientimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

 

 

KREU II

 

INSTITUCIONET E SHËRBIMIT TË JASHTËM

 

NЁNKREU I

 

MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME

 

Neni 4

Ministri

 

Ministri i Punëve të Jashtme drejton dhe përfaqëson shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës.

 

Neni 5

Drejtoria e Përgjithshme

 

Drejtoria e Përgjithshme bashkërendon komunikimin e përhershëm të Ministrisë me misionet e shërbimit të jashtëm, është përgjegjëse për hartimin dhe realizimin e synimeve në veprimtarinë e shërbimit me jashtë, si dhe udhëheqë Zyrat përkatëse brenda Ministrisë.

 

Neni 6

Struktura e Ministrisë

 

Strukturat përkatëse të Ministrisë themelohen me akte nënligjore të Ministrisë, që kanë për qëllim realizimin e veprimtarisë së shërbimit me jashtë.

 

Neni 7

Akademia Diplomatike

 

1. Me pëlqimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri themelon Akademinë Diplomatike pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, me qëllim të përgatitjes dhe formimit profesional të anëtarëve të personelit në shërbimin e jashtëm.

 

2. Funksionimi i Akademisë Diplomatike rregullohet me akt nënligjor të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

 

 

NЁNKREU II

 

MISIONET DIPLOMATIKE

 

Neni 8

Llojet e misioneve

 

1. Misionet e Republikës së Kosovës jashtë vendit janë:

 

1.1 misionet diplomatike;

 

1.2  misionet konsullore;

 

2. Në misionet diplomatike bëjnë pjesë ambasadat dhe misionet e përhershme në organizatat ndërkombëtare.

 

3. Në misionet konsullore bëjnë pjesë konsullatat e përgjithshme, konsullatat, nënkonsullatat dhe zyrat konsullore.

 

 

Neni 9

Hapja, riorganizimi dhe mbyllja e misioneve diplomatike

 

1. Misionet diplomatike hapen, riorganizohen dhe mbyllen me vendim të Presidentit, pas konsultimit me Kryeministrin.

 

2. Misionet diplomatike veprojnë nën mbikqyrjen dhe në pajtim me udhëzimet e Ministrisë së Punëve te Jashtme.

 

3. Mënyra e funksionimit, struktura dhe numri i personelit të misioneve diplomatike përcaktohen nga Ministri i Punëve të Jashtme.

 

Neni 10

Funksionet e misionit diplomatik

 

1.  Misioni diplomatik i Republikës së Kosovës ushtron funksionet në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, me Ligjin për Ministrinë e Punëve te Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, me këtë ligj dhe me akte të tjera nënligjore në zbatim të tij.

 

2. Misioni diplomatik ushtron këto funksione kryesore:

 

2.1. përfaqëson Republikën e Kosovës në shtetin pranues ose në organizatat ndërkombëtare;

 

2.2. mbron në shtetin pranues interesat e Republikës së Kosovës dhe të shtetasve ose personave juridikë të saj, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe me legjislacionin në fuqi të shtetit pranues;

 

2.3. nxitë dhe fuqizon zhvillimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore, arsimore, shkencore, teknologjike, të informacionit, diplomatike-konsullore dhe në çdo fushë tjetër ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit pranues ose organizatës ndërkombëtare, në një frymë miqësore e bashkëpunimi;

 

2.4. informon Ministrinë e Punëve të Jashtme për zhvillimet ekonomike, politike dhe sociale të shtetit pranues dhe për veprimtarinë e organizatave ndërkombëtare pranë të cilave është akredituar, në rastet kur preket interesi i Republikës së Kosovës;

 

2.5. bashkëpunon me delegacionet e Republikës së Kosovës në bisedimet që zhvillohen në shtetin pranues dhe merr pjesë në bisedime me qeverinë e shtetit pranues në përgatitjen për nënshkrim të marrëveshjeve dy dhe shumëpalëshe si dhe në veprimtarinë e konferencave ndërkombëtare;

 

2.6.  promovon paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare;

 

2.7.  promovon, mbron dhe fuqizon sigurinë dhe statusin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës;

 

2.8.  kontribuon në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të njohura në nivel universal;

 

2.9. mbron të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të shtetasve të Republikës së Kosovës brenda fushës së kompetencës së vet;

 

2.10.  mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, dhe interesat tjera të Republikës së Kosovës;

 

2.11.  promovon veprimtarinë e organizatave publike, qendrave ose instituteve të Republikës së Kosovës jashtë.

 

3. Misioni diplomatik kryen edhe funksione ose veprimtari të tjera për të cilat autorizohet nga Ministri i Punëve të Jashtme në pajtim me këtë ligj, me Ligjin për Ministrinë e Punëve te Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe akte të tjera nënligjore.

 

4. Misioni diplomatik kryen edhe funksione konsullore në shtetin pranues. Nëse ka misione konsullore të Republikës së Kosovës në të njëjtin shtet, misioni diplomatik kryen funksione konsullore në atë pjesë të territorit që nuk përfshihet në juridiksionin e misionit konsullor. Funksionet konsullore ushtrohen nga një diplomat i misionit diplomatik, i ngarkuar për veprimtarinë konsullore, me miratimin e Ministrit të Punëve të Jashtme, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963, Ligjin për Shërbimin Konsullor dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

 

 

Neni 11

Misioni i posaçëm

 

1.  Misioni i posaçëm është një mision i përkohshëm, që përfaqëson Republikën e Kosovës në një shtet tjetër ose organizatë ndërkombëtare, me pëlqimin e tyre, për të negociuar ose kryer detyra të posaçme, të cilat janë në interes të Republikës së Kosovës.

 

2. Themelimi, përbërja dhe funksionet e misionit të posaçëm përcaktohen me vendim të Presidentit, pas konsultimit me Kryeministrin. 

 

 

Neni 12

Personeli i misioneve diplomatike

 

1.  Personeli i misioneve diplomatike përbëhet nga personeli diplomatik, personeli administrativ dhe teknik, dhe personeli shërbyes.

 

2.  Në personelin e misioneve diplomatike mund të përfshihen edhe nëpunës të caktuar në bazë të një marrëveshjeje të nivelit të shërbimit, mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve tjera, për të kryer detyra në fushën ekonomike, kulturore, shkencore dhe të mbrojtjes dhe në çdo fushë tjetër për një kohë të caktuar. Gjatë kohës së shërbimit në misionin diplomatik, këta nëpunës gëzojnë të njëjtin status me anëtarët e personelit të misionit dhe pas përfundimit të këtij shërbimi rikthehen në pozicionin e mëparshëm, duke rifituar statusin që kanë pasur ose në një pozicion të barasvlershëm me të.

 

 

Neni 13

Emërimi dhe lirimi nga detyra i shefit të misionit

 

Emërimi dhe lirimi i shefit të misionit rregullohet me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe aktet nënligjore të Ministrisë së Punëve te Jashtme.  

 

Neni 14

Funksionet e shefit të misionit diplomatik

 

1. Shefi i misionit diplomatik, në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, ushtron këto funksione kryesore:

 

1.1.  përfaqëson dhe vepron në emër të Republikës së Kosovës në shtetin pranues ose organizatat ndërkombëtare;

 

1.2.   inicion dhe nënshkruan instrumente diplomatike;

 

1.3.   jep deklarata dhe mban qëndrime në emër të Republikës së Kosovës.

 

2. Shefi i misionit ka autoritet mbi të gjitha shërbimet civile dhe ushtarake që ushtrojnë veprimtarinë në misionin diplomatik. Ai drejton, udhëzon, kontrollon dhe vlerëson të gjithë veprimtarinë zyrtare të personelit të misionit diplomatik, si dhe kryen funksione të tjera, sipas përcaktimeve të këtij ligji dhe të akteve të tjera nënligjore.

 

3. Shefi i misionit përgjigjet përpara Ministrit të Punëve të Jashtme për zbatimin e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës në shtetin pranues dhe vepron në pajtim me detyrat dhe përgjegjësitë e dhëna nga ky ligj, si dhe me udhëzimet e dhëna nga strukturat përkatëse në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

 

4. Shefat e misioneve për çështje të interesit të veçantë mund të dërgojnë një raport ose rekomandim edhe te Presidenti, Kryeministri, dhe Ministrat e tjerë në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre.

 

5. Shefi i misionit bashkërendon dhe mbikëqyr veprimtarinë e misioneve konsullore të Republikës së Kosovës në shtetin pranues. 

 

 

Neni 15

Akreditimi në disa vende

 

1. Një shef misioni në një shtet mund të akreditohet edhe në një ose disa shtete të tjera, pavarësisht nëse ka mision diplomatik ose mision konsullor në këto shtete.

 

2. Shefi i misionit diplomatik dhe anëtarët e tjerë të personelit diplomatik, të akredituar në disa shtete në të njëjtën kohë, kryejnë në shtetet e tjera të njëjtat funksione që kryejnë në shtetin ku janë rezidentë.

 

3. Në shtetet ku nuk ka mision diplomatik, mund të emërohen si ambasadorë jorezidentë diplomatët me gradën ambasador. Ata kryejnë funksionet e njëjta të përfaqësimit si ambasadorët rezidentë.

 

 

Neni  16

I ngarkuari me punë

 

1.  I ngarkuari me punë emërohet me dekret të Presidentit, pas propozimit të Qeverisë. Procedurat për akreditimin e të ngarkuarit me punë zbatohen nga Ministria e Punëve të Jashtme.

 

2.  I ngarkuari me punë i përkohshëm emërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme.

 

3.  Në mungesë të shefit të misionit ose në rast pamundësie të shefit të misionit për të ushtruar funksionet e tij/saj, një i ngarkuar me punë i përkohshëm vepron përkohësisht si shef i misionit.

 

  

 

KREU III

 

NËPUNËSIT E SHËRBIMIT TË JASHTËM

 

 

NЁNKREU I

STATUSI I PERSONELIT TË SHËRBIMIT TË JASHTËM

 

Neni 17

Ushtrimi i funksioneve diplomatike

 

1. Funksionet diplomatike në shërbimin e jashtëm ushtrohen nga anëtarët e personelit diplomatik në pajtim me dispozitat e këtij ligji.

 

2. Gjatë ushtrimit të funksioneve diplomatike, personeli diplomatik ndihmohet nga personeli administrativ dhe teknik, dhe personeli shërbyes.

 

 

Neni 18

Përfaqësuesit diplomatikë

 

Përfaqësuesi diplomatik ushtron funksione dhe kryen detyra në shërbimin diplomatik të Republikës së Kosovës, në pajtim me Kushtetutën, Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, këtë ligj dhe me aktet e tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi.

 

 

Neni 19

Kriteret për pranimin në shërbimin e jashtëm

 

1. Kriteret e përgjithshme për përzgjedhjen e ambasadorëve dhe konsujve si dhe shefave të tjerë të misioneve rregullohen me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe me aktet nënligjore në zbatim të tij.

 

2.  Anëtarët e personelit të shërbimit të jashtëm i plotësojnë kërkesat si në vijim:

 

2.1.  kanë shtetësi të Kosovës;

 

2.2.  kanë zotësi të plotë për të vepruar;

 

2.3.  nuk janë dënuar për kryerje të veprës penale;

 

2.4.  nuk janë subjekt i masës disiplinore të largimit nga puna;

 

2.5.  janë në gjendje të mirë shëndetësore për të kryer detyrën;

 

2.6.  kanë përgatitje të duhur profesionale;

 

2.7.  zotërojnë gjuhë të huaj të pranueshme dhe të përshtatshme për punën në shërbimin e jashtëm;

 

2.8.  kanë kaluar provimin pranues të organizuar në bazë të proceduarve të përcaktuara me akt nënligjor të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

 

3. Posedimi i shtetësisë së Kosovës nuk është i domosdoshëm për personelin administrativ dhe teknik, dhe personelin shërbyes.

 

 

Neni 20

Pranimi në shërbimin e jashtëm

 

Pranimi në shërbimin e jashtëm bëhet nëpërmjet konkursit të hapur, në pajtim me Ligjin për Ministrinë e Punëve te Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe legjislacionin në fuqi.

 

 

Neni 21

Transferimi, lëvizja paralele, ngritja në detyrë

 

1. Transferimi, lëvizja paralele dhe ngritja në detyrë e nëpunësit të shërbimit të jashtëm bëhet me vendim të Ministrit të Punëve të Jashtme, në bazë të propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm. Në çdo rast, propozimi shoqërohet dhe mbështetet në vlerësimin e punës të paraqitur nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i nëpunësit.

 

2. Procedurat e kryerjes së transferimit, lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë përcaktohen në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm.

 

 

Neni 22

Kohëzgjatja në misionet diplomatike

 

Përfaqësuesit diplomatikë qëndrojnë në shërbim në të njëjtin mision diplomatik për një periudhe katër (4) vjeçare, ose ndryshe siç kërkohet për të përmbushur nevojat e Ministrisë dhe në diskrecion të Ministrit të Punëve të Jashtme.

 

 

Neni 23

Tërheqja e parakohshme nga misioni diplomatik

 

1. Presidenti i Republikës së Kosovës urdhëron tërheqjen e një ambasadori apo shefi të misionit nga misioni diplomatik përpara mbarimit të afatit të caktuar, për arsyet e mëposhtme:

 

1.1.   për nevoja pune në Ministrinë e Punëve të Jashtme;

 

1.2.   në bazë të kërkesës së vetë përfaqësuesit diplomatik;

 

1.3.   për arsye të vlerësimit negativ të punës së përfaqësuesit diplomatik;

 

1.4.   për shkelje të dispozitave të këtij ligji ose të akteve të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi;

 

1.5.  kur një gjë e tillë kërkohet nga shteti pranues.

 

2. Tërheqja e të gjithë përfaqësuesuesve të tjerë diplomatikë, duke mos e përfshirë shefin e misionit, për të njëjtat arsye të përcaktuara në paragrafin 1 të këtij neni, bëhet me urdhërin e Ministrit të Punëve të Jashtme.

 

 

Neni 24

Pezullimi nga Shërbimi i Jashtëm

 

1. Nëpunësit e Shërbimit të Jashtëm mund të pezullohen nga ushtrimi i funksioneve të tij/saj:

 

1.1.  kur ndaj tij/saj fillon procedura për vepër penale, deri në marrjen e një vendimi gjyqësor të formës së prerë;

 

1.2.  për periudha specializimi, më shumë se gjashtë (6) muaj, të ndërmarra me nismën e vetë nëpunësit, por me miratimin e Drejtorit të Përgjithshëm.

 

2. Gjatë periudhës së pezullimit, nëpunësi i shërbimit të jashtëm nuk paguhet, përveç në rastin e një vendimi të veçantë në pajtim me rregullat e Shërbimit Civil.

 

3. Në rastin e parashikuar në nënparagrafin 1.1 të këtij neni, kur çështja penale pushohet ose kur me vendim gjyqësor të formës së prerë deklarohet i pafajshëm, nëpunësi rikthehet në shërbimin e jashtëm dhe, njëkohësisht, rifiton statusin, pagën dhe çdo të drejtë tjetër, që nga çasti i pezullimit.

 

4. Për rastin e parashikuar në nënparagrafin 1.1 të këtij neni, periudha e pezullimit merret në konsideratë për efekt të llogaritjes së afatit kohor, të nevojshëm për fitimin e gradave diplomatike.

 

 

 Neni 25

Humbja e statusit në shërbimin e jashtëm

 

1. Përfaqësuesi diplomatik humb statusin në këtë shërbim kur:

 

1.1.  largohet në mënyrë vullnetare nga shërbimi i jashtëm;

 

1.2.  me humbjen e zotësisë për të vepruar;

 

1.3.  dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerje të veprës penale;

 

1.4.  kryen shkelje të rënda, të parashikuara në rregullat e Shërbimit Civil, si dhe në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm, për të cilat ndaj tij merret masa e largimit nga puna.

 

 

NЁNKREU II

 

GRADAT

 

 

Neni 26

Gradat diplomatike dhe konsullore

 

1.  Përfaqësuesit diplomatikë dhe konsujt, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në misionet diplomatike, marrin grada diplomatike ose konsullore.

 

2. Gradat diplomatike në shërbimin e jashtëm janë:

 

2.1.  ambasador;

 

2.2.  ministër

 

2.3.  ministër këshilltar;

 

2.4.  këshilltar;

 

2.5.  sekretar i parë;

 

2.6.  sekretar i dytë;

 

2.7.  sekretar i tretë;

 

2.8.  atashe.

 

3. Gradat konsullore në shërbimin e jashtëm janë:

 

3.1.  konsull i përgjithshëm;

 

3.2.  konsull;

 

3.3.  zëvendëskonsull;

 

3.4.  agjent konsullor.

 

 

Neni 27

Barasvlera e gradave

 

Përfaqësuesit diplomatikë mund të kalojnë nga një gradë diplomatike në një gradë konsullore, dhe konsujt mund të kalojnë nga një gradë konsullore në një gradë diplomatike në përputhje me funksionet dhe detyrat e ngarkuara. Në çdo rast, kalimi bëhet duke respektuar barasvlerën e gradave si në vijim:

 

Konsulli përgjithshëm;

Ministër këshilltar ose këshilltar;

Konsull;

Sekretar i parë ose i dytë;

Zëvendëskonsull;

Sekretar i dytë ose i tretë;

Agjent konsullor.

Sekretar i tretë ose atashe.

 

 

Neni 28

Dhënia e gradave

 

1.  Avancimi i nëpunësve të shërbimit të jashtëm bëhet duke u mbështetur në sistemin e gradimit. Elementet kryesorë në dhënien e një grade për anëtarin e shërbimit të jashtëm janë koha e shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës.

 

2.  Përveç gradës ambasador, gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës, mbi bazën e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të bëra, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm.

 

3.  Grada diplomatike ambasador miratohet nga Presidenti, me propozimin e Qeverisë.

 

Neni 29

Periudha për kalimin nga një gradë në tjetrën

 

1. Periudha minimale për kalimin nga një gradë në një tjetër përcaktohet me Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm.

 

2.  Kriteret për fitimin e gradës ministër këshilltar dhe ministër  përcaktohen në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm.

 

 

Neni 30

Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës

 

1. Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës ka për detyrë:

 

1.1. dhënien e gradave diplomatike dhe konsullore për nëpunësit e shërbimit të jashtëm në përputhje me këtë ligj dhe Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm;

 

1.2. shqyrtimin e ankesave të nëpunësve të shërbimit të jashtëm ndaj të cilëve është marrë masë disiplinore nga eprori i tyre i drejtpërdrejt;

 

1.3. shqyrtimin e rasteve të shkeljeve të rënda të kryera nga nëpunësit e shërbimit të jashtëm dhe propozimin te Ministri i Punëve të Jashtme i masave disiplinore për nëpunësit që kanë kryer këto shkelje.

 

2. Përbërja e Komisionit të Gradave dhe Disiplinës përcaktohet me Rregulloren e Shërbimit të Jashtëm.

 

3. Mënyra e funksionimit të Komisionit të Gradave dhe të Disiplinës përcaktohen në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm.

 

4. Llojet e shkeljeve dhe masat disiplinore përcaktohen në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm.

 

 

 

KREU IV

 

TË DREJTAT DHE DETYRAT E NËPUNËSIT TË SHËRBIMIT TË JASHTËM

 

 

Neni 31

Të drejtat e nëpunësit të shërbimit të jashtëm

 

1. Nëpunësi i shërbimit të jashtëm ka të drejtë:

 

1.1.  të gëzojë statusin e diplomatit, në shtetin apo shtetet ku ai/ajo është akredituar;

 

1.2.  të fitojë gradë në shërbimin e jashtëm të Republikës së Kosovës, në bazë të kritereve të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm;

 

1.3.  të mbajë funksione në Ministrinë e Punëve të Jashtme ose në misionet diplomatike, në përputhje me nivelin profesional dhe gradën që gëzon;

 

1.4. të gëzojë imunitetet dhe lehtësitë që i jep statusi i diplomatit, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare gjatë periudhës kur ndodhet me shërbim jashtë shtetit;

 

1.5. të përfitojë nga kualifikimet dhe trajnimet e ofruara nga Ministria e Punëve të Jashtme;

 

1.6.  të ketë trajtim financiar të posaçëm, në përputhje me statusin e tij dhe legjislacionin ne fuqi;

 

1.7. të gëzojë të gjitha të drejtat e tjera të njohura në legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe të shtetit pranues.

 

 

Neni 32

Detyrat e nëpunësit të shërbimit të jashtëm

 

1. Nëpunësi i shërbimit të jashtëm ka për detyrë:

 

1.1. të ushtrojë me ndershmëri dhe korrektësi funksionet dhe detyrat e ngarkuara, në përputhje me urdhrat, udhëzimet dhe rregulloret e Ministrisë së Punëve të Jashtme, aktet ndërkombëtare dhe me legjislacionin e Republikës së Kosovës;

 

1.2.  të mbajë përgjegjësi të plotë për ligjshmërinë e veprimeve gjatë kryerjes së detyrës;

 

1.3.  të mbrojë interesat e shtetit të Kosovës dhe të shtetasve dhe personave juridikë të Republikës së Kosovës në shtetin ose shtetet ku është akredituar dhe ushtron funksionet e tij;

 

1.4.  të zbatojë rregullat për informacionin e klasifikuar edhe pas largimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të sigurojë ruajtjen e të dhënave dhe të informatave që i janë besuar;

 

1.5.  të pezullojë aktivitettin e tij në një parti, organizate ose shoqate politike gjatë periudhës në shërbimin e jashtëm;

 

1.6.  të mbajë, në të gjitha rrethanat, një qëndrim moral të denjë dhe profesional;

 

1.7.  të mos bëjë deklarata që bien në kundërshtim me qëndrimin e Republikës së Kosovës në marrëdhënie me shtetet e tjera ose organizatat ndërkombëtare;

 

1.8.  të respektojë ligjet dhe rregulloret e shtetit ose të shteteve ku është akredituar, dhe të mos përfshihet në veprimtari të cilat mund të vlerësohen si ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit ose të shteteve ku zhvillon veprimtarinë;

 

1.9 të ushtrojë veprimtarinë e vet në përputhje me imunitetet dhe privilegjet që gëzon si anëtar i misionit diplomatik;

 

1.10 të mos ushtrojë në shtetin ose shtetet ku është akredituar veprimtari tregtare ose çdo veprimtari tjetër fitimprurëse për llogari të tij ose të familjes së tij. 

 

2. Shkelja e një detyrimi paraqet arsye për masë disiplinore.

 

 

 

KREU V

 

TRAJTIMI FINANCIAR I PUNONJËSVE TË SHËRBIMIT TË JASHTËM

 

 

Neni 33

Pagat e punonjësve të shërbimit të jashtëm

 

Pagat e punonjësve të shërbimit të jashtëm caktohen në bazë të funksionit, gradave dhe përvojës në punë në pajtim me ligjet përkatëse në fuqi.

 

 

Neni 34

Trajtimi i familjeve të personelit të misioneve diplomatike

 

1. Bashkëshortit/es, i/e cili/a e shoqëron nëpunësin në misionin diplomatik, i njihet koha e qëndrimit jashtë shtetit për efekt të përvojës në punë dhe të pagesës së kontributeve të përcaktuara në legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

 

2. Bashkëshorti/ja, që në kohën e emërimit të përfaqësuesit diplomatik jashtë shtetit ka punuar në një institucion publik, ka të drejtë të kthehet në këtë vend pune pas kthimit të bashkëshortit/es në atdhe. Institucioni publik ku bashkëshorti/ja ka qenë i/e punësuar, ka detyrimin ta rimarrë në të njëjtin pozitë pune ose në një pozitë të barasvlershme.

 

3. Ministria e Punëve të Jashtme garanton arsimimin fillor dhe të mesëm të fëmijëve të të anëtarëve të personelit të misionit diplomatik dhe ku është e nevojshme, siguron financimin e këtij arsimimi. Mënyra, kriteret dhe kushtet e financimit përcaktohen me Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm.

4. Fëmijët, deri në moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare, të anëtarëve të personelit të misionit përfitojnë sigurimet shëndetësore sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

  

 

 

KREU VI

 

NËPUNËSIT ADMINISTRATIVË DHE PERSONELI NDIHMËS

 

 

Neni 35

Statusi i personelit administrativ, teknik dhe shërbyes

 

1.  Nëpunës administrativë në shërbimin e jashtëm quhen nëpunësit të cilët kryejnë detyra në sektorët e buxhetit dhe të financës, në fushën e përpunimit të të dhënave dhe në çështje administrative. Për këta nëpunës zbatohen rregullat e Shërbimit Civil dhe aktet tjera nënligjore në zbatim të tij.

 

2.  Personel teknik në shërbimin e jashtëm quhet ajo kategori punonjësish të cilët kryejnë detyra në sektorët ndihmës dhe të mirëmbajtjes. 

 

3.  Personel shërbyes në shërbimin e jashtëm quhet ajo kategori punonjësish të cilët kryejnë detyra në shërbimin shtëpiak të misionit.

 

 

Neni 36

Rekrutimi i stafit vendor

 

Misionet diplomatike mund të punësojnë shtetas të shtetit pranues, sipas procedurave të parashikuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm, për kryerjen e punëve administrative, teknike dhe shërbyese.

 

 

KREU VII

 

DISPOZITA KALIMTARE

 

Neni 37

 

1.  Të gjithë të emëruarit si të ngarkuar me punë në kohën e hapjes së misioneve të para diplomatike të Republikës së Kosovës, kanë gradën ministër këshilltar.

 

2.  Të gjithë të emëruarit tjerë në kohën e hapjes së misioneve të para diplomatike të Republikës së Kosovës, kanë atë gradë e cila u jepet në rastin e emërimit.

3. Periudha që nga emërimi i tyre numërohet për qëllim të fitimit të gradave diplomatike në shërbimin e jashtëm.

 

 

KREU VIII

 

DISPOZITA TË FUNDIT

 

Neni 38

Nxjerrja e akteve nënligjore

 

1.  Ministria e Punëve të Jashtme ngarkohet të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

           

2.  Ministria e Punëve të Jashtme, brenda tre (3) muajve nga miratimi i këtij ligji, përgatit Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm. Rregullorja miratohet me vendim të Qeverisë. 

 

 

Neni 39

Hyrja në fuqi

 

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

 

 

Ligji  Nr. 03/ L-122          

16 Dhjetor 2008                                                   

                                                            

Shpallur me dekretin Nr. DL-071-2008, datë 30.12.2008 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,   Dr. Fatmir Sejdiu

 

 
< Mbrapa   Para >