Home arrow Ligjet per Buxhetin arrow LIGJI NR.03/L-105 PĖR BUXHETIN E REPUBLIKĖS SĖ KOSOVĖS PĖR VITIN 2009
Dhj 31 2008
LIGJI NR.03/L-105 PĖR BUXHETIN E REPUBLIKĖS SĖ KOSOVĖS PĖR VITIN 2009
e mėrkurė . 31 dhjetor 2008

 

LIGJI  Nr. 03/L-105

PËR  BUXHETIN E REPUBLIKЁS SЁ KOSOVЁS PЁR VITIN 2009

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

 

Në mbështetje të nenit 65 (1) dhe (5) të  Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

 

Me qëllim të përcaktimit të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2009,

 

Miraton

 

LIGJ PËR  BUXHETIN E REPUBLIKЁS SЁ KOSOVЁS PЁR VITIN 2009

 

 

Neni 1

Përkufizimet

 

"Mëditjet"  nënkupton pagesën plotësuese që merret në konsiderim për:

 

(a) ngarkimin me detyra specifike me përgjegjësi të veçanta;

 

(b) detyra të punës të cilat janë të rrezikshme;

 

(c) puna e natës e cila nuk paguhet si punë jashtë orarit.

 

"Buxheti i Republikës së Kosovës" nënkupton shumën e lejuar me ligj e cila vihet në dispozicion për shpenzim nga Fondi i Kosovës për një program apo qëllim specifik apo, aty ku nuk është identifikuar qëllimi specifik, për një kategori të shpenzimeve të një Organizate Buxhetore, si është e paraparë në këtë Ligj për Buxhetin e Republikës së Kosovës.

 

"Bilancet" nënkupton shumat e zotimeve të papritura, ndarjeve buxhetore të pa alokuara, alokimet e pazotuara dhe çfarëdo të ardhurash të një shume më të madhe se sa shuma e shpenzimeve dhe zotimet e papritura të bartura nga viti fiskal 2008.

 

"Organizatat Buxhetore" nënkupton të gjitha Ministritë, Komunat apo Agjencitë të cilat pranojnë ndarje buxhetore nga Fondi i Kosovës sipas këtij Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës.

 

"Të hyrat vetanake të Organizatës Buxhetore Qendrore"  nënkupton dhe përfshin çfarëdo forme të parasë publike e cila është vlerësuar ligjërisht në bazë të kthimit të kostos dhe e mbledhur si tarifa dhe pagesa nga Organizatat Buxhetore Qendrore. Megjithatë, ky përkufizim në veçanti përjashton të Ardhurat e Dedikuara për Agjencitë e Pavarura.

 

"Organizatat Buxhetore Qendrore" nënkupton të gjitha Organizatat Buxhetore duke përjashtuar Komunat.

 

"Zotimet" nënkupton shpenzimet e parashikuara, për të cilat Urdhëresa për Pagesë të Zotimit është plotësuar me rregull në pajtim me Rregullat Financiare të Thesarit dhe të cilat janë regjistruar në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës, pa marrë parasysh nëse i nënshtrohen apo jo ndonjë detyrimi ligjor.

 

"Të Ardhurat e Dedikuara" nënkupton paratë publike të cilat janë të përfituara nga burimet e posaçme të të ardhurave dhe kërkohet me ligj që tu ndahen një Agjencie të Pavarur.

 

"Njësitë e Përcaktuara" nënkupton ato njësi të përfshira në Listën A të LMFPP.

 

"Pozita e të punësuarit" nënkupton pozitën me orar të plotë apo ekuivalentin e orarit të plotë të punësimit të paraparë në Tabelën 2 të këtij Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës.

 

"ZRE" nënkupton Zyrën e Rregullatorit për Energji të themeluar në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, të shpallur me Rregulloren Nr. 2004/20 të UNMIK-ut të datës 30 qershor 2004.

 

"Kategoritë e shpenzimeve" nënkupton kategoritë për shpenzime të cilat gjenden në këtë Ligj për Buxhetin e Republikës së Kosovës: Pagat dhe Mëditjet, Mallrat dhe Shërbimet, Shërbimet Komunale, Subvencionet dhe Transferet, Shpenzimet Kapitale, dhe Rezervat.

 

"Shpenzimet"  nënkuptojnë pagesën e parave nga Fondi i Kosovës.

 

"Viti Fiskal"  nënkupton periudhën nga 1 Janari i një viti deri 31 Dhjetor të vitit të njëjtë.

 

"Alokimi i fondeve"  nënkupton shumën maksimale për Shpenzime dhe Zotime që mund të bëhen kundrejt ndarjeve specifike buxhetore, siç është përcaktuar me procedurat e përfshira në Nenin 35 të LMFPP dhe të regjistruara në SIMFK.

 

"Agjenci e pavarur"  nënkupton organet, autoritetet apo agjencitë publike të cilat janë përcaktuar si të pavarura në bazë të Kushtetutës apo në bazë të ligjit, dhe që ushtrojnë fuqi rregullatore, ekzekutive, legjislative, të administrimit publik apo gjyqësore.

 

"Buxheti i Kosovës"  nënkupton buxhetin e përgjithshëm të Kosovës për të gjitha Organizatat Buxhetore, për të cilat ndarjet buxhetore janë përfshirë më këtë Ligj për Buxhetin e  Republikës së Kosovës.

 

"Fondi i Kosovës"  nënkupton fondin e krijuar në Bankën Qendrore të Kosovës dhe llogaritë tjera bankare komerciale të cilat mund të krijohen nga Thesari dhe ku të gjitha paratë publike, duke përfshirë edhe interesin e mbledhur nga këto, janë të depozituara dhe nga të cilat bëhen të gjitha Shpenzimet në pajtim me këtë Ligj për Buxhetin e Republikës së Kosovës.

 

"Sistemi Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës (SIMFK)"  nënkupton regjistrin kontabël të themeluar përbrenda Thesarit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. SIMFK si përdoret këtu ka kuptimin e njëjtë si termi "Regjistrin Kontabël të Thesarit" i cili është i definuar në LMFPP.

 

"AKP"  nënkupton Agjencinë Kosovare të Pronave të themeluar në bazë të Rregullores Nr. 2006/10 të UNMIK-ut të datës 4 mars 2006, dhe të amendamentuar me Rregulloren Nr. 2006/50 të UMIK-ut të datës 16 tetor 2006.

 

"Ligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës"  nënkupton këtë ligj të miratuar nga Kuvendi për vitin fiskal 2009.

 

"LMFPP"  nënkupton Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë i vitit 2008, Ligji Nr. 2008/03-L067.

 

"Ministër"  nënkupton Ministrin e Ekonomisë dhe Financave.

 

"Të hyrat vetanake të komunave"  nënkupton dhe përfshin çfarëdo artikulli të parasë publike e cila është vlerësuar dhe mbledhur ligjërisht nga komunat nga burimet e specifikuara në nenin 8 të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, Ligji Nr. 2008/03-L049.

 

"Komunat e reja"  nënkupton ato komuna të cilat janë themeluar në bazë të Ligjit për Kufijtë Administrativë, Ligji Nr. 03/L-041.

 

"Detyrime"  nënkupton një marrëveshje ligjore, siç është kontrata apo urdhëresa për blerje, e cila është lidhur nga një Organizatë Buxhetore, dhe e cila kërkon nga ajo Organizatë Buxhetore që të kryej shpenzimin në të ardhmen.

 

"Fondet e pashpërndara"  nënkupton shumat e parave të cilat kanë mbetur të pandara apo të pashpenzuara në Fondin e Kosovës deri më 31 dhjetor të Vitit paraprak Fiskal.

 

"RTK"  nënkupton Radio Televizionin e Kosovës i cili është themeluar në përputhje me Rregulloren Nr. 2006/14 të UNMIK-ut të datës 11 prill 2006.

 

"Thesari"  nënkupton Departamentin e Thesarit përbrenda Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave.

 

"Rregullat Financiare të Thesarit" nënkupton Rregullat për Kontrollin dhe Menaxhimin Financiar, siç është e definuar në LMFPP.

 

"Fondi i Mirëbesimit"  nënkupton paratë publike të cila mbahen nga një organizatë buxhetore për dobi të një personi, organi apo ndërmarrjeje e që nuk është organizatë buxhetore.

 

Çfarëdo termash të përdorura në këtë Ligj për Buxhetin e Republikës së Kosovës e të cilat nuk janë definuar këtu do te kenë kuptimin i cili u përshkruhet në LMFPP.

 

 

Neni 2
Miratimi i Buxhetit të Kosovës
për Vitin Fiskal 2009

 

Buxheti i Kosovës për Vitin Fiskal siç është i përcaktuar në Tabelën 1, miratohet në bazë të këtij ligji. Buxheti mund të amendamentohet vetëm nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në përputhje me dispozitat e LMFPP.

 

 

Neni 3
Ndarjet Buxhetore të Buxhetit të Përgjithshëm të Kosovës

 

1. Ndarjet Buxhetore nga Fondi i Kosovës për Vitin Fiskal 2009, siç është i paraqitur në Tabelën 2 A dhe Tabelën 2 B të bashkangjitura këtij ligji, miratohen në bazë të këtij ligji.

 

2.  Ministri do të mbajë regjistrin e të gjitha ndarjeve buxhetore të miratuara, transferet e ndarjeve buxhetore dhe përshtatjet tjera të miratuara të ndarjeve buxhetore të kryera gjatë vitit Fiskal 2009 përmes SIMFK, dhe të plotësuar nëse është nevoja me regjistra tjerë. Së paku dy herë në vit, për Shqyrtimit gjashtë mujor të buxhetit për 2009 dhe për raportimin përfundimtar përbrenda tre muajsh pas përmbylljes së vitit Fiskal 2009, dhe kurdo që kërkohet nga Kuvendi, Ministri do të prezantojë para Qeverisë dhe para Kuvendit një raport gjithëpërfshirës i cili detajon dhe barazon ndarjet e miratuara buxhetore për 2009, të gjitha transferet pasuese dhe ndryshimet tjera si dhe ndarjet buxhetore përfundimtare për vitin Fiskal 2009.

 

 

Neni 4
Ndarjet buxhetore komunale

 

1. Pavarësisht nga neni 3, Ndarjet buxhetore në Tabelën 2 B që janë të bazuara në Të hyrat vetanake komunale janë të autorizuara vetëm në atë nivel ku të hyrat e tilla depozitohen në Fondin e Kosovës dhe regjistrohen në kohë në SIMFK.

 

2.  Në rastet kur gjatë vitit fiskal shumat e të hyrave vetanake të një komune, që janë depozituar në Fondin e Kosovës dhe regjistruar në SIMFK, kalojnë shumat e të hyrave të ndara në Tabelën 2 B të asaj komune, nëpërmjet kësaj autorizohet Ndarja buxhetore automatike për atë të hyra të tepërta. Edhe nëse ofrohen, të hyrat e tilla të tepërta nuk mund të alokohen apo shpenzohen deri sa të bëhet rregullimi në buxhetin e asaj komune nga Kuvendi Komunal në pajtim me procedurat e përcaktuara në LMFPP.

 

3.  Të hyrat vetanake komunale nga arsimi duhet të regjistrohen veçmas dhe të hyrat e tilla mund të autorizohen dhe shfrytëzohen nga komuna vetëm për qëllime të arsimit. Të hyrat vetanake nga bashkëpagesat e kujdesit primar shëndetësor duhet të regjistrohen veçmas dhe të hyrat e tilla mund të autorizohen dhe shfrytëzohen nga komuna vetëm për qëllime të kujdesit primar shëndetësor.

 

4. Ndarjet Buxhetore për Programet e Pagesave për Peformancë në Tabelën 2 B mund të përdoren nga Komunat vetëm për pagesën e performancës në shëndetësi në pajtim principet dhe kriteret të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Këto ndarje buxhetore mund të shpenzohen vetëm me autorizim paraprak nga Ministria e Shëndetësisë duke konfirmuar të arriturat e Komunave për caqet e performancës.

 

5.  Ndarjet Buxhetore për të fianacuar një Komunë të re në Tabelën 2 B mund të shpenzohen vetëm nga komunat ekzistuese për qëllimet e përfitimit komuniteteve përbrenda zonave kadastrale të Komunave të reja. Ministri mund të lëshoj udhëzime administrative në qeverisjen, financat, administrimin dhe kontrollin e brendshëm për Komunat e reja në konsultim me Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar dhe komunat përkatëse. Komunat ekzistuese do të raportojnë Ministrit në baza të rregullta tremujore për të gjitha shpenzimet.

 

6.  Pas themelimit të një Komune të Re si një Organizatë Buxhetore në pajtim me Ligjin për Kufijtë e Administrimit Komunal, Ligji nr. 03/L-041. Ndarjet buxhetore për Komunat e Reja të përcaktuara në Tabelën 2 A dhe 2 B do të transferohen automatikisht në atë Komunë të Re në pajtim me nenin 31 të  LMFPP.

 

 

Neni 5
Të hyrat vetanake të Organizatave buxhetore të nivelit qendror

 

1. Të gjitha të hyrat vetanake për organizatat buxhetore të nivelit qendror duhet të depozitohen nga Organizatat buxhetore qendrore në Fondin e Kosovës dhe regjistrohen në SIMFK në pajtim me Rregullat financiare të Thesarit.

 

2. Ministri autorizohet me këtë të nënshkruaj një Memorandum Mirëkuptimi me një organizatë buxhetore të nivelit qendror që do të ndajë të hyrat vetanake të saj, me kufizimet në vijim:

 

2.1.  shuma e të hyrave që do të ndahen nuk duhet të kalojë shumën e mbledhur;

2.2.  shuma e ndarë nga të hyrat vetanake kufizohet nga ato të hyra të mbledhura dhe të regjistruara në SIMFK pas datës kur nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit. Edhe nëse ofrohen, mjetet e pashpenzuara të bartura SIPAS nenit 7 të këtij ligji mund të përfshihen në Memorandumin e Mirëkuptimit;

2.3.   përveç mënyrës së parashikuar në paragrafin 6. të nenit 10 të këtij ligji, të hyrat vetanake nuk duhet të ndahen për të financuar mëditje të reja;

2.4.  të hyrat vetanake të organizatave buxhetore që janë planifikuar në të hyrat jo-tatimore në Tabelën 1, nuk mund të jenë pjesë e Memorandumit të Mirëkuptimit.

 

Neni 6
Të hyrat e dedikuara të Agjencive të pavarura

 

1. Të gjitha të hyrat e dedikuara duhet të depozitohen nga Agjencitë e pavarura në Fondin e Kosovës dhe regjistrohen në SIMFK në pajtim me Rregullat financiare të Thesarit. Po ashtu, nga të gjitha Agjencitë e pavarura kërkohet të dorëzojnë në Thesar planin e rrjedhës së parasë së gatshme.

 

2. Me këtë të gjitha të hyrat e dedikuara ndahen për secilën Agjenci të pavarur sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Kjo ndarje buxhetore përfshin të gjitha të hyrat e dedikuara ashtu si pranohen gjatë vitit fiskal 2009.

 

3. Tërë bilanci i pashpenzuar i të hyrave të dedikuara nga viti fiskal 2008 ndahet dhe autorizohet për vitin fiskal 2009 në Agjencitë e pavarura sipas Kushtetutës dhe ligjeve të tyre në fuqi. Sidoqoftë, me kusht që shuma maksimale e të Hyrave të Dedikuara e cila ndahet përmes këtij ligji nuk mund të tejkalojë shumën e specifikuar në tabelën 2 të këtij ligji dhe pjesa e mbetur më nuk mundet të konsiderohet si e Hyrë e Dedikuar.

 

4.  Shuma e të hyrave të dedikuara të ndara në paragrafët 2. dhe 3. të këtij neni nuk duhet të kalojë ndarjen maksimale për agjencitë e pavarura të specifikuar në Tabelën 2 të këtij ligji.

 

5.  Nëse në çfarëdo kohe gjatë vitit fiskal 2009 ka mjete të pamjaftueshme të mbledhura dhe në dispozicion, sipas paragrafëve 2. dhe 3. të këtij neni, për të plotësuar kërkesat e përcaktuara në planin e rrjedhës së parasë së gatshme të dorëzuar në Thesar, mjetet tjera publike nga Fondi i Kosovës autorizohen në këtë mënyrë për tu ndarë në një shumë të mjaftueshme për të plotësuar deficitin. Edhe nëse ofrohen, gjatë tërë kohës të hyrat e dedikuara duhet të aplikohen dhe përdoren si burim financimi me prioritet të parë për pagesat e Shpenzimeve të Agjencisë së pavarur para se të ndahen dhe përdoren burimet tjera të financimit.

 

6.  Përderisa pranohen dhe ndahen të hyrat e dedikuara për vitin fiskal 2009, ato do të zëvendësojnë të tërë ndarjet dhe financimet e bëra sipas paragrafit 5 të këtij neni në atë nivel që financimi i deficitit nga Fondi i Kosovës të mos jetë shpenzuar ende.

 

Neni 7
Ndarja dhe rindarja e fondeve të bartura

 

1. Jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas lëshimit të ndarjeve buxhetore të plota për vitin fiskal 2009, Qeveria dorëzon në Kuvend Pasqyrën preliminare ku tregohen shumat totale, burimet dhe shfrytëzimet e fondeve të bartura si bilance nga viti fiskal 2008, që përfshijnë:

 

1.1.   bilancet e pashpenzuara të të hyrave vetanake të Qeverisë qendrore;

   

1.2.   bilancet e pashpenzuara të të hyrave  vetanake të Komunave;

 

1.3.   bilancet e pashpenzuara të granteve  të përcaktuara të donatorëve;

 

1.4.   bilancin e fondeve të mirëbesimit që  mbahen nga organizatat buxhetore;

 

1.5.   fondet që do të mbahen si kursime të ruajtura; dhe

 

1.6.   huat e pashpenzuara për entitetet e përcaktuara.

 

2. Jo më vonë se tridhjetë (30) ditë pas lëshimit të ndarjeve buxhetore të plota për vitin fiskal 2009, Qeveria dorëzon në Kuvend Tabelën që tregon ndryshimet e bëra në Tabelën 3 të bashkëngjitur, që kërkohet nga organizatat buxhetore për të përmbushur obligimet e pakryera financiare që lidhen me projektet kapitale shumëvjeçare. Ndryshimet në Tabelën 3 kufizohen në sa vijon:

 

2.1.  ndarja buxhetore totale për projektet kapitale, të dhënë në Tabelën 2, për cilëndo organizatë buxhetore apo program, nuk do rritet si rezultat i këtyre ndryshimeve;

2.2.  cilido projekt i ri i shtuar në Tabelën 3 duhet të jetë projekt kapital që ka qenë pjesë e Tabelën 3 të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit 2008;

2.3.  sidoqoftë, me kusht që projektet e reja kapitale mund të shtohen në Tabelën 3 atëherë kur projekti kapital financohet plotësisht nga bilancet e  pashpenzuara të cilat janë paraparë në paragrafin 1. të këtij neni dhe të ndara në Vitin Fiskal 2009.

 

3. Bilancet e pashpenzuara të të hyrave vetanake të organizatave buxhetore qendrore nga viti fiskal 2008, të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SMIFK si ndarje buxhetore për një organizatë buxhetore qendrore, përmes kësaj ndahen për vitin fiskal 2009, nëse këto fonde janë të përfshira në Memorandumin e Mirëkuptimit, të përshkruar në nenin 5 të këtij ligji.

 

4. Bilancet e pashpenzuara të "Të hyrave vetanake të komunave" nga viti fiskal 2008, të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SMIFK si ndarje buxhetore për një komunë, ndahen për vitin fiskal 2009.

 

 

5.  Bilancet e pashpenzuara të granteve të përcaktuara të donatorëve, të regjistruara në SMIFK, ndahen për vitin fiskal 2009 nëse ka një marrëveshje detyruese ligjore në fuqi.

 

6.  Bilancet e pashpenzuara të huave për entitetet e përcaktuara dhe të autorizuara në vitin fiskal 2008, ndahen për vitin fiskal 2009.

 

7.  Bilancet e pashpenzuara të fondit të mirëbesimit nga viti fiskal 2008 dhe të regjistruara në SMIFK, ndahen për vitin fiskal 2009.

 

 

Neni 8
Ndarja e granteve të donatorëve

 

1. Në pajtim me LMFPP, të gjitha grantet e donatorëve depozitohen në Fondin e Kosovës, përveç nëse kërkohet ndryshe nga donatori dhe nëse ka një pajtim me shkrim nga ana e Ministrit. Të gjitha grantet e donatorëve duhet të regjistrohen në SMFIK.

 

2. Pas kompletimit të procedurave në Rregullat financiare të Thesarit, grantet e donatorëve do të ndahen për qëllim(et) e specifikuara, dhe mund të alokohen dhe të shpenzohen për at(o) qëllim(e).

 

3. Kur marrëveshja për grantin e donatorit kërkon shprehimisht që donatori të bëjë kompensimin e shpenzimeve të caktuara që shkaktohen nga organizata buxhetore, shuma e plotë e grantit ndahet pas ekzekutimit të marrëveshjes së grantit

 

 

Neni 9
Ndarjet buxhetore të tjera

 

1. Të gjitha paratë publike që mbahen nga AKP në ushtrimin e përgjegjësisë së saj për dizajnim, implementim dhe administrim të Skemës së qirave për pronat që AKP i ka në inventarin e saj, dhe pagesat tjera përkatëse nga llogaria e AKP-së, regjistrohen si duhet në SMFIK dhe konsiderohen si pjesë e Fondit të Kosovës në përputhje me kornizën legjislative të AKP-së, LMFPP-në dhe rregullat financiare të Thesarit. Ato para publike që mbahen nga AKP-ja, do të konsiderohen të ndara për qëllim(et) specifike, të autorizuara sipas ligjit të zbatueshëm dhe Skemës së qirave të AKP-së, dhe mund të alokohen dhe shpenzohen për at(o) qëllim(e).

 

2. Të gjitha tarifat e transmetuesit publik, të transferuara në Fondin e Kosovës nga ana e RTK-së, që përbëjnë atë pesë për qind (5%) të tarifave të transmetuesit publik, dhe që janë të përcaktuara për përkrahjen e mediave minoritare, shumetnike dhe në situatë të pafavorshme, përmes kësaj i ndahen Zyrës së Kryeministrit.

 

3. Të gjitha fondet e mirëbesimit do të regjistrohen si duhet në SMIFK dhe do të konsiderohen pjesë e Fondit të Kosovës, në përputhje me LMFPP-në dhe me rregullat financiare të Thesarit. Ato fonde të mirëbesimit përmes kësaj ndahen për shfrytëzim nga apo në emër të përfituesve të përcaktuar.

 

Neni 10
Limitet në zotime dhe shpenzime

 

1. Nga secila organizatë buxhetore kërkohet të sigurojë që numri i pozitave të saj të punësimit për vitin 2009, në asnjë kohë gjatë vitit fiskal 2009, të mos kalojë numrin e pozitave të punësimit të specifikuar në Tabelën 2 të bashkëngjitur në këtë ligj.

 

2. Dështimi për të vepruar në pajtim me limitet në numrin e të punësuarve është shkelje e këtij Ligji dhe e LMFPP-së. Ndëshkimet e parashikuara me LMFPP do të zbatohen në ato raste.

 

3. Shpenzimi i parave publike nga kategoria e shpenzimeve subvencione e transfere, është e kufizuar në rrethanat kur ka bazë ligjore të qartë për ato shpenzime, sipas ndonjë ligji tjetër përveç këtij ligji.

 

4. Shpenzimi i parave publike nga kategoria e shpenzimeve mallra e shërbime, nuk është i lejuar për pagesën e punonjësve, qoftë në formë të mëditjeve apo si kontribute në natyrë, përfshirë këtu shujtat apo dhuratat. Të gjitha mëditjet ekzistuese duhet ti raportohen Ministrit përbrenda 15 ditëve pas miratimit të këtij ligji. Mëditjet nuk do të paguhen në Vitin Fiskal 2009 deri sa Organizata Buxhetore nuk do të ketë dorëzuar një raport i cili përmban bazën ligjore, qëllimin dhe shumën e të gjitha mëditjeve ekzistuese dhe të mëditjeve të cilat janë dorëzuar dhe miratuar nga Qeveria. Transferimi në Kategorinë e Shpenzimeve nën Paga dhe Mëditje do të bëhet e pagueshme për të gjitha mëditjet e miratuara nga Kategoria e Shpenzimeve në të cilën janë përfshirë këto mëditje në Buxhetin për Vitin Fiskal 2009. Mirëpo, me kusht që shuma e përgjithshme e ndarë në bazë të këtij ligji për secilën nga Organizatat Buxhetore nuk do të rritet dhe të gjitha transferet do të regjistrohen në SIMFK.

 

5. Një organizatë buxhetore nuk duhet të shpallë ftesën për tender për një projekt kapital të aprovuar, të identifikuar në Tabelën 3, pas 31 tetorit 2009, për shpenzim potencial në vitin fiskal 2009, përveç nëse ato shpenzime janë planifikuar për atë projekt kapital për vitet 2010 apo 2011, në Tabelën 3.

 

6. Propozimi nga një organizatë buxhetore për tu paguar mëditje të reja punonjësve, dorëzohet tek Ministri për Ekonomi e Financa për aprovim, para se të bëhet zotimi apo shpenzimi i mëditjeve të reja. Pas konsultimit me Qeverinë dhe me Ministrin e Shërbimeve Publike, Ministri për Ekonomi e Financa aprovon apo refuzon ato propozime në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga marrja e propozimit. Mëditjet paguhen nga ndarjet buxhetore në kategorinë e shpenzimeve për "paga dhe mëditje."

 

7. Shpenzimet që kanë të bëjnë me shpronësimin duhet të aprovohen nga Qeveria para se të bëhet shpenzimi i tyre.

 

8. Në rast se një individ apo një entitet pranon ndonjë pagesë nga Fondi i Kosovës, si rrjedhim i gabimit, ngatërrimit apo lëshimit, ato fonde i kthehen Fondit të Kosovës në afat prej pesë ditësh nga pranimi i njoftimit me shkrim nga Drejtori i Thesarit, me të cilin njoftohet pala pranuese që ajo pagesë është bërë gabimisht. 

 

Neni 11
Pagesat e paradhënies

 

1. Organizatat Buxhetore mund të paguajnë paradhënie kontraktuesve të projekteve kapitale të cilat janë aprovuar në përputhje me këtë ligj, deri në maksimumin e pesëmbëdhjetë për qindëshit (15 %) të vlerës së kontratës. Mirëpo, me kusht që një pagesë e tillë e paradhënies do të bëhet vetëm në bazë të kontratës së lidhur ligjore që është arritur në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik e cila kontratë duhet të përmbaj garancionin e performancës dhe orarin qartazi të përcaktuar të pagesave, e cila njëkohësisht parasheh punën që duhet kryer para se të bëhet secila pagesë. Pas pranimit të kërkesës dhe arsyeshmërisë së saj me shkrim nga Organizata Buxhetore dhe pas aprovimit të Ministrit, Qeveria mund të aprovoj pagesën e paradhënies në vlerë jo më të lartë se tridhjetë përqind (30%) të vlerës së kontratës

 

2. Organizatat Buxhetore mund të bëjnë pagesat e paradhënies për të punësuarit që udhëtojnë jashtë në përputhje me rregullat që aktualisht janë në fuqi për udhëtimet jashtë vendit dhe në përputhje me rregullat financiare të Thesarit. Paradhëniet e tilla do të mbyllen, ndërsa që shumat e pashpenzuara do të kthehen në Fondin e Kosovës, në përputhje me Rregullat Financiare të Thesarit.

 

 

Neni 12
Shpenzimet e paparashikuara dhe rezervat

 

1. Mjetet për shpenzimet e paparashikuara janë të ndara në kuadër të rezervës së Ministrit të Financave dhe Ekonomisë në Tabelën 2 A. Shuma mund të bartet nga rezerva e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë në përputhje me nenin 29 të LMFPP. Shumat e autorizuara për shpenzimet e paparashikuara mund të shfrytëzohen vetëm për nevojat urgjente dhe të paparashikuara.

 

2. Në  harmoni me nenin 29.3 të LMFPP, Qeveria mund të autorizoj ministrin që të lejoj shpenzimin nga shpenzimet e paparashikuara deri në vlerën prej 20,000 eurove, sipas kërkesës dhe arsyeshmërisë së Organizatave Buxhetore. Shuma e totalit të këtij autorizimi në emër të ministrit nuk mund të kalojë  njëzetë përqind (20%) të shumës së ndarë vjetore në shpenzimet e paparashikuara.

 

3. Mjetet për shpenzime kontingjente janë të ndara në kuadër të rezervës për Implementimin e Statusit në Tabelën 2 A. Mjetet e ndara në kuadër të Rezervës për Implementimin e Statusit do të bartën vetëm për programet që i mbështesin përgjegjësitë e reja të Qeverisë të ndërlidhura me Statusin. Këto mjete do të lirohet vetëm për programet, projektet dhe funksionet e veçanta të specifikuara në planin(planet)  e aprovuar(a) nga Qeveria.

 

4. Fondet për shpenzimet kontingjente janë të ndara për Rezervën Komunale për Komunat e Reja nën Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Kjo rezervë komunale mund të shpenzohet në dobi të komuniteteve përbrenda zonës kadastrale të Komunave të Reja nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në konsultim me Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar dhe Komunave përkatëse, apo tu transferohet drejtpërdrejtë Komunave të Reja pas themelimit të tyre.

 

5.  Fondet për shpenzime kontigjente do të ndahen në fondin për rritjen e pagave në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Ky fond do të transferohet tek Organizatat Buxhetore nga Ministri në përputhshmëri  me planin e përgatitur nga Ministri i Shërbimeve Publike dhe nga Ministri i Financave me të cilën specifikohen të punësuarit të cilët do të marrin rritjen e pagave, dhe të shumës së propozuar të rritjes së pagave, e cila në asnjë rast nuk duhet të tejkaloj 10 % të nivelit të pagës së tanishme, duke përjashtuar mëditje, për secilin të punësuar. Ky plan duhet të dorëzohet dhe të aprovohet nga Qeveria  para se këto fonde të transferohen në Organizatat Buxhetore në "Kategorinë e Shpenzimeve për Pagat dhe Mëditjet". Të gjitha këto lloj transferesh janë të aprovuara dhe të tilla nuk janë subjekt i limitimit të transfereve të përfshira në nenin 30 të LMFPP. Në rastin e Komunave si marrës të trasfereve të tilla , kjo do të trajtohet si një shtesë në grantet relevante të Komunave.

 

6.  Fondet për shpenzime kontigjente janë të ndara tek Fondi për Kuadrot nën Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave. Ky fond mund të transferohet në një Organizatë Buxhetore në kategorinë e shpenzimeve për pagat dhe mëditjet nga ana e Ministrit në përputhshmëri me planin i cili e specifikon pozitat e punësimit dhe të shumave të fondit të cilat janë specifikisht të nevojshme për të tërhequr dhe mbajtur stafin jo të politizuar me aftësi të larta në pozitat të rëndësisë së veçantë kombëtare në sferat e zhvillimit të politikave. Ky plan duhet të dorëzohet dhe të aprovohet nga Qeveria para se të bëhet ndonjë transfer i këtij fondi. Të gjitha transferet e tilla me këtë janë të aprovuara dhe si të tilla nuk janë subjekt i limitimeve të transfereve të përfshira në nenin 30 të LMFPP.

 

7.  Ministri do të dorëzoj raport tremujor për shfrytëzimin e shpenzimeve kontingjente në Kuvend.

 

 

Neni 13
Transferi i shumave të ndara buxhetore

 

1. Ministri mundet, nëse i ofrohen arsyetime të vlefshme nga kryesuesi i organizatës Buxhetore, të autorizoj transferin e një ose më tepër ndarjeve buxhetore në përputhje me nenin 30 të LMFPP. Mirëpo, duke i pasur parasysh kufizimet që përmban neni 30 i LMFPP për transferet,  do të aplikohet vetëm në shumën kumulative totale që do të mund të transferohet gjatë vitit fiskal 2009, e cila do të përmbaj secilin transfer të kërkuar ndarazi.

 

2. Pavarësisht dispozitave që gjenden paragrafin 1. të këtij neni dhe paragrafin 4.  të nenit 10 të këtij ligji, asnjë transfer i ndarjeve buxhetore brenda organizatës buxhetore nuk mund të bëhet në kategorinë e Pagave dhe mëditjeve pa aprovimin paraprak të Kuvendit. Tutje, aprovimi paraprak i Kuvendit  gjithashtu është i nevojshëm për çfarëdo transferi në mes të Organizatave Buxhetore.

 

3. Pas aprovimit të çdo transferi, do të bëhet përshtatja e shumave të ndara në Tabelën 2 nga ana e Ministrit dhe e tërë kjo do të regjistrohet në SIMFK.

 

 

Neni 14
Ndryshimet në shumat e alokuara për projektet kapitale
përbrenda një Programi

 

1.  Mjetet mund të alokohen vetëm në projektet kapitale të listuara në Tabelën 3. Për projektet kapitale të paraqitura në pasqyrën 3, Ministri mundet, nëse i ofrohen arsyetime të vlefshme nga ana e kryesuesit të Organizatës Buxhetore, të autorizoj lëvizjen e mjeteve të alokuara nga një projekt kapital në tjetrin brenda programit të njëjtë të asaj Organizate Buxhetore, me kusht që shuma  e të gjitha lëvizjeve të mjeteve brenda programit për vitin fiskal është më e vogël ose e barabartë me pesëmbëdhjetë për qind (15%) të vlerës totale të kategorisë ekonomike kapitale të aprovuar për atë program.

 

2. Për çdo projekt kapital të paraqitur në Tabelën 3, Ministri mundet, nëse i ofrohen arsyetime të vlefshme nga ana e kryesuesit të Organizatës Buxhetore, të dorëzoj kërkesë për aprovim në Qeveri, për lëvizjen e mjeteve të alokuara nga një projekt kapital në tjetrin brenda programit të njëjtë të asaj Organizate Buxhetore në shumën më të lartë se pesëmbëdhjetë për qind (15%) por më pak se njëzet e pesë për qind (25%) të vlerës totale të të gjitha lëvizjeve të mjeteve kapitale brenda programit për vitin fiskal.

 

3.  Kërkesat për lëvizjen e mjeteve të alokuara në vlerën nga një projekt kapital në tjetrin brenda programit të njëjtë të asaj Organizate Buxhetore në vlerën e barabartë ose më të lartë se njëzet e pesë për qind (25%) të vlerës totale të të gjitha lëvizjeve të mjeteve kapitale brenda programit për vitin fiskal që gjendet në Tabelën 3, mund të autorizohet vetëm pas ofrimit të arsyetimit të vlefshëm nga ana e kryesuesit të Organizatës Buxhetore të dorëzuar tek Ministri, i cili do ta merr aprovimin paraprak nga Qeveria dhe aprovimin me shkrim nga ana e Kuvendit të Kosovës.

 

4.  Projektet e reja kapitale mund të shtohen në Tabelën 3 me kusht se ata financohen sipas procedurave të autorizuara të përshkruara në paragrafin 2. të nenit 4, paragrafin 2. të nenit 7 të këtij ligji si dhe paragrafëve 2. dhe 3. të këtij neni dhe nëse ato i shtohen Programit të Investimeve Publike në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga ana e Ministrit.

 

5. Për qëllimet e paragrafëve 1., 2., 3. dhe 4. të këtij neni, duhet të përgatitet një arsyetim i vlefshëm nga ana e kryesuesit të Organizatës përkatëse Buxhetore i cili do të përmbaj së paku, faktet që kostoja e vlerësuar e projektit kapital është më e lartë se mjetet në dispozicion që përcaktohet në përputhje me nenin 8 të Ligjit të Prokurimit Publik Nr. 2003/17, apo që një projekti kapital ka nevojë për më pak se sa shuma e specifikuar, sikurse edhe përshkrimin e ndikimit që kërkesa mund ta ketë në Programin e Investimeve Publike.

 

6. Pavarësisht dispozitave paraprijëse në këtë nen, ndryshimi i shumave të alokuara në projektet kapitale për Organizatat Buxhetore Komunale që janë paraqitur në Tabelën 3 mund të autorizohen nga Ministri pas miratimit  nga Kuvendi Komunal

 

 

 

Neni 15
Vlerësimet buxhetore për legjislacionin e propozuar

 

Para dorëzimit të secilit ligj të propozuar në Qeveri për shqyrtim dhe pas konsultimeve me Ministrin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, Organizata Buxhetore është e obliguar të dorëzoj në Qeveri një vlerësim të ndikimeve buxhetore që mund ta ketë ligji i propozuar në Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2009, si dhe buxhetet e jo më pak se dy viteve vijuese ashtu siç parashihet në nenin 26 të LMFPP.

 

Neni 16
Kredia për entitetet e caktuara dhe Ndërmarrjet në Pronësi Publike

 

1. Ministri ka autoritet që Entiteteve të Caktuara sipas Nenit 50.2 të LMFPP dhe ndërmarrjeve në Pronësi Publike sipas Ligjit për Ndërmarrjet në Pronësi Publike Nr. 03/L-087 tu jap kredi të kthyeshme në shumë dhe në përputhje me Afatet dhe Kushtet të aprovuara nga Qeveria. Shumat e aprovuara për kredi të tilla ndahen në bazë të këtij ligji dhe janë të paraqitura në Tabelën 1. Kredia e kthyeshme ose kredia do të bazohet në marrëveshjen e arritur në mes të Entitetit të Caktuar dhe Ndërmarrjes në Pronësi Publike që i pranojnë huat ose kreditë në njërën anë dhe Ministrit në anën tjetër, ndërsa që do të përdoren vetëm për qëllimet e shpenzimeve kapitale.

 

2.  Nëse një ndërmarrje publike ose pjesë e saj që ka përfituar kredi në pajtim me paragrafi 1. të këtij neni  nga Buxheti i Republikës së Kosovës dhe që ka vendim për privatizimin, dhënien me koncesion ose formave tjera të partneritetit privat-publik në vitin 2009, atëherë kredia e dhënë ndërmarrjeve të tilla do të përfshihet si pjesë e kontratës dhe do të paguhet (rikthehet) në përputhshmëri me Tabelën 1 të bashkangjitur.

 

 

Neni 17
Skadimi i
Buxhetit të Republikës së Kosovës

 

I gjithë Buxheti i Republikës së Kosovës dhe alokimi i mjeteve të bëra në vitin fiskal 2009, automatikisht do të skadojnë në mesnatë të 31 dhjetorit 2009.

 

 

Neni 18

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi më 1 janar 2009.

 

Ligji  Nr. 03/ L-105               

19 Dhjetor  2008                                                       

 

Shpallur me dekretin Nr. DL-081-2008, datë 30.12.2008 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,   Dr. Fatmir  Sejdiu.

                                                            

 
Para >