Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR.03/L-060 PĖR KUALIFIKIMET KOMBĖTARE
Dhj 16 2008
LIGJI NR.03/L-060 PĖR KUALIFIKIMET KOMBĖTARE
e martė . 16 dhjetor 2008

 

LIGJI  Nr. 03/L-060

 

PËR KUALIFIKIMET KOMBËTARE

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

 

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

 

Me qëllim të rregullimit ligjor të sistemit tё kualifikimeve kombëtare në të gjitha nivelet e arsimit dhe aftësimit formal dhe joformal,

 

Miraton

 

LIGJ PËR KUALIFIKIMET KOMBËTARE

 

KREU  I

 

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi dhe objektivat e ligjit

 

1. Qëllimi i këtij ligji është krijimi i Sistemit Kombëtar të Kualifikimeve, që bazohet në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK), të rregulluara nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK).

 

2.  Objektivat e ligjit janë:

 

2.1.    të përmirësojë njohjen e kualifikimeve në të gjitha nivelet e arsimit dhe aftësimit formal dhe joformal;

 

2.2.    të sigurojë se kualifikimet përmbushin nevojat e tregut të punës, ekonomisë dhe shoqërisë;

 

2.3.   të rregullojë kualifikimet, vlerësimin dhe certifikimin, në bazë të cilësisë dhe standardeve;

 

2.4.   të përmirësojë qasjen në vlerësim dhe njohjen e mësimit paraprak;

 

2.5.   të bëjë sistemin e kualifikimeve fleksibil dhe transparent;

 

     2.6.  të përmirësojë mundësitë për përmirësim dhe transferimin për të gjithë.

 

Neni 2

Përkufizimet

 

Në këtë ligj emërtimet e mëposhtme, kanë këto kuptime: 

 

"Akreditimi" nënkupton procesin përmes të cilit Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK), i themeluar me këtë ligj, pёrcakton institucionet që vlerësojnë kandidatët dhe lëshojnë certifikata dhe diploma (institucionet e vlerësimit) dhe çdo organ tjetër që kryen funksione të tjera në emër të AKK. Institucionet e akredituara duhet të jenë objekt i monitorimit dhe auditimit nga AKK.

 

"Aprovimi" nënkupton procesin përmes të cilit Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, i themeluar me këtë ligj, njeh kualifikimet. Aprovimi jepet për një periudhë të caktuar dhe në fund të kësaj periudhe, kualifikimi duhet ti nënshtrohet riaprovimit.

 

"Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve (AKK)" është agjenci e themeluar për të zhvilluar kornizën kombëtare të kualifikimeve dhe për të rregulluar sistemin kombëtar të kualifikimeve.

 

"Arsimi formal" nënkupton programet e aprovuara të arsimit, që ofrohen në institucionet e licencuara të arsimit dhe që përdorin planprogramin, që nxirret nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT).

 

"Arsimi joformal" i referohet të nxënit tjetër, jashtë atij që ofrohet nëpërmjet programeve të përshkruara në përkufizimin "arsimi formal" në këtë ligj.

 

"Arsimi informal" është të nxënit, që rezulton nga aktivitetet e jetës së përditshme të ndërlidhura me punën, familjen apo kohën e lirë.

 

"Arsimi parauniversitar" aludon në programet shkollore të MASHT-it, që rregullohen me Ligjin mbi Arsimin Fillor dhe të Mesëm (2002/19) dhe Ligji mbi Arsimin dhe Aftësimi Profesional (02/L42, 2006).

 

"Arsimi i lartë" nënkupton nivelet e arsimit të rregulluara nga Ligji për Arsimin e Lartë (2003/14).

 

"Certifikata" është një dokument zyrtar, që dëshmon përfundimin e një kursi, programi të arsimit ose aftësimit ose përmbushjen e kërkesave nga një individ për kualifikim si dhe evidenton përfundimin e pjesshëm të një kualifikimi.

 

"Certifikimi" është procesi i njohjes së të arriturave të kandidatëve për kualifikim nëpërmjet dhënies së certifikatës ose diplomës.

 

"Diploma" nënkupton dokumentin që jepet pas përfundimit të një programi ekstensiv të arsimit.

 

"Kandidati" për kualifikim, është çdo person, që kërkon të certifikohet për të arriturat në mësim të përvetësuara qoftë nëpërmjet mësimit formal, joformal ose atë informal.

 

"Korniza Evropiane e Kualifikimeve" (KEK) aludon në kornizën e Bashkimit Evropian, që ofron pikë të përbashkët referimi për nivelet dhe përshkrimet e kualifikimit, duke mundësuar ndërlidhjen dhe komunikimin në mes të kornizave të ndryshme kombëtare.

 

"Korniza Kombëtare e Kualifikimeve (KKK)" është mekanizëm kombëtar për klasifikimin e kualifikimeve të dhëna brenda sistemit kombëtar të kualifikimeve sipas një grupi të kritereve që përcaktojnë nivelet dhe llojet e rezultateve të mësimit - ligji propozon kornizën kombëtare të kualifikimeve për Kosovën, që do të jetë e krahasueshme me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve, këtej e tutje në ligj përmendet si "kornizë".

 

"Krediti" është një vlerë numerike që i jepet kualifikimit ose pjesëve të kualifikimit, dhe që paraqet vëllimin e të mësuarit të nevojshëm për të arritur kualifikimin ose një pjesë të kualifikimit. Kreditë mund të akumulohen gjatë një kualifikimi ose mund të transferohen në mes kualifikimeve ose sistemeve të kualifikimit.

 

"Kompetenca" është aftësia për t'i kryer aktivitetet kundrejt standardeve të kërkuara duke përdorur njohuri të duhura praktike dhe teorike, shkathtësi kreative dhe praktike. 

 

"Kualifikimi" është njohje zyrtare e të arriturave, me të cilin njihet përfundimi i arsimit ose aftësimit, ose realizimi i kënaqshëm në një test ose provim.

 

"Mësimi gjatë gjithë jetës" përfshin të gjitha aktivitetet e mësimit, që realizohen gjatë tërë jetës për zhvillimin e njohurive, kompetencave dhe kualifikimeve.

 

"Nivelet" e kualifikimit, janë nivele të caktuara brenda hierarkisë së Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve - nivelet dallohen sipas rritjes së ndërlikueshmërisë, thellësisë dhe pavarësisë në të mësuar.

 

"Njohja e mësimit paraprak" nënkupton procesin e vlerësimit të njohurive, shkathtësive ose kompetencave më të gjëra, të cilat një individ i ka arritur më herët, nëpërmjet mësimit formal, joformal ose informal. Kjo njohuri praktike do të shfrytëzohej për ti dhënë mundësi individit që të avancohet ose të lirohet për një pjesë të kursit ose kredisë drejt kualifikimit.

 

"Pajtueshmëria" nënkupton pajtimin me kërkesat, që caktohen me këtë ligj dhe me rregulloret e nxjerra nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve.

 

"Partnerët social" janë organizatat që përfaqësojnë në mënyrë kolektive punëdhënësit dhe punëtorët.

 

"Përshkruesit e nivelit" janë sqarim i kritereve, që përshkruajnë rezultatet e mësimit për përcaktimin e nivelit të kualifikimit.

 

"Progresi dhe transferimi" aludon në veprimin e kalimit nga një nivel në nivelin tjetër të kualifikimit, brenda hierarkisë së niveleve ose të transferimit të mësimit prej një fushe në fushën tjetër të nivelit të njëjtë.

 

"Sigurimi i cilësisë" nënkupton procesin përmes të cilit mirëmbahet cilësia dhe pajtueshmëria e standardeve të kualifikimit, vlerësimit dhe certifikimit.

 

"Sistemi i kualifikimeve" nënkupton sistemin e plotë brenda të cilit jepen dhe certifikohen kualifikimet, që përfshijnë kornizën kombëtare të kualifikimit dhe dispozitat ligjore për rregullimin e dhënies së kualifikimeve.

 

"Standardet" janë tregues të matshëm të të arriturave, që caktohen sipas kritereve kualitative ose kuantitative dhe duhet të arrihen nga kandidatët, që duan të kualifikohen.

 

"Vlerësimi" nënkupton proceset, përfshirë provimet dhe testet, që shfrytëzohen për të mbledhur, interpretuar dhe vlerësuar dëshminë në mësim të individit. Vlerësimi për kualifikime mund të kryhet vetëm nga institucionet ose organizatat e aprovuara nga AKK për këtë qëllim dhe të njohura si institucione të vlerësimit.

 

Neni 3

Fushëveprimtaria e këtij ligji

 

1. Ky ligj rregullon zhvillimin, mbarëvajtjen e Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve dhe dhënien e kualifikimeve.

 

2. Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, i themeluar me dispozitat e këtij ligji, krijon dhe kujdeset për kornizën gjithëpërfshirëse të kualifikimeve.

 

3.  Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve i krijuar sipas dispozitave të këtij ligji rregullon edhe dhënien e kualifikimeve brenda Kornizës, me përjashtim të kualifikimeve të cilat rregullohen me dispozitat e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe kualifikimet që rregullohen saktësisht edhe me dispozitat e ligjeve tjera.  

 

KREU II

 

KORNIZA KOMBËTARE E KUALIFIKIMEVE (KKK)

 

Neni 4

Shtrirja dhe struktura e KKK

 

1. KKK, e krijuar me dispozitat e këtij ligji duhet të përfshijë të gjitha llojet dhe nivelet e kualifikimeve dhe certifikimeve në kuadër të një strukture prej disa nivelesh.

 

2. Progresi prej një niveli në nivelin tjetër caktohet nëpërmjet rritjes së kompleksitetit dhe kërkesave të rezultateve të mësimit, të përkufizuara sipas njohurive, shkathtësive dhe kompetencave më të gjera. 

 

3. Kualifikimet e aprovuara për përfshirje në kornizë, kanë vlerat e kredive dhe hartohen në atë mënyrë që lejojnë akumulimin dhe transferimin e kredive.

 

4. Korniza përfshin:

 

4.1. Kualifikimet e dhëna në të gjitha nivelet e sistemit të arsimit dhe aftësimit, përfshirë programet e  arsimit dhe aftësimit parauniversitar dhe universitar, arsimin dhe aftësimin e të rriturve dhe mësimin gjatë gjithë jetës;

 

 4.2. Certifikimin e rezultateve të mësimit joformal dhe informal, përfshirë njohjen e mësimit paraprak dhe arritjet e kandidatëve.

 

Neni 5

Objektivat e KKK

                       

1.  Objektivat e Kornizës janë:

 

1.1.   ofrimi i bazës për bashkëpunim dhe njohje reciproke të kualifikimeve ndërmjet KKK dhe KEK;

 

1.2. sigurimi i transparencës, duke e bërë të qartë natyrën e kualifikimeve dhe marrëdhënien ndërmjet kualifikimeve, dhe ofrimi i bazës për krahasimin e të gjitha të arriturave në nivelet  e sistemit të të arsimit dhe aftësimit;

 

1.3. sigurimi se kualifikimet janë relevante për punësim, mësim si dhe përmbushin nevojat e nxënësve, ekonomisë dhe institucioneve të arsimit dhe aftësimit;

 

1.4.  nxitja e zhvillimit të mësimit gjatë gjithë jetës, përfshirë zhvillimin e vazhdueshëm të shkathtësive për të rritur.

 

1.5.  rritja e qasjes në vlerësim dhe certifikim, duke inkurajuar procese fleksibile dhe individuale të mësimit.

 

1.6.  themelimi i sistemit për akumulimin dhe transferin e kredive.

 

1.7. rritja e cilësisë dhe rëndësisë së arsimit dhe aftësimit, duke nxitur zhvillimin e kualifikimeve në bazë të standardeve të njohurive, shkathtësive dhe kompetencave të krahasueshme me nivelin ndërkombëtar dhe të të mbështetura në sigurimin rigoroz të cilësisë.

 

1.8. rritja e punësimit dhe mundësive për mësim për individë, duke ofruar bazën për njohjen dhe certifikimin e mësimit dhe të arriturave.

 

1.9. mbështetja e vazhdimit dhe qëndrueshmërisë së reformave të sistemit të arsimit dhe aftësimit të bazuara në kërkesa.

 

Neni 6

Kriteret për aprovimin e kualifikimeve

 

1. Kriteret dhe procedurat për aprovimin e kualifikimeve për t'u përfshirë në Kornizë, përshkrimi i çdo niveli dhe kriteret e përgjithshme për çdo lloj të kualifikimit, caktohen dhe publikohen nga Autoriteti Kombëtar i Kualifikimeve, duke u bazuar në këshillimet me palët me interes.

 

2.  Kërkesat janë në pajtim me nivelet e KEK-ut.

 

KREU III

 

THEMELIMI I AKK

 

Neni 7

Statusi i AKK

 

1.  AKK është organ i pavarur publik, i cili themelohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë (MASHT), që vepron në marrëveshje me zyrën e kryeministrit, ministrive relevante dhe partnerëve social.

 

2.  AKK ka cilësinë e personit juridik dhe është përgjegjës për veprimet e tij në pajtim me ligjet në fuqi.

 

 

3.  AKK ka selinë, emblemën, vulën dhe në qarkullimin juridik mund të jetë palë paditëse dhe e paditur.

 

Neni 8

Anëtarësia e AKK

 

1.  AKK ka Këshillin drejtues prej trembëdhjetë (13) anëtarësh, të aprovuar nga Qeveria e Kosovës. Ata do të përfaqësojnë ministritë, organizatat e partnerëve social dhe universitetet publike.

 

2.  Anëtarët e Këshillit drejtues përbëhen nga:

 

2.1.   dy (2) përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT);

 

2.2.   një (1) përfaqësues i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS);

 

2.3.   një (1) përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI);

 

2.4.   një (1)  përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF);

 

2.5.   një (1)  përfaqësues i ministrive tjera relevante;

 

2.6.   dy (2) përfaqësues të universiteteve;

 

2.7.   dy  (2) përfaqësues të organizatave të partnerëve social;

 

2.8.   një (1)  përfaqësues të OJQ-ve për arsim dhe aftësim;

 

2.9.   një (1)  përfaqësues të ofruesve të arsimit dhe aftësimit nga sektori privat;

 

2.10.         një (1)  përfaqësues për nxënësit me nevoja të veçanta.

 

3. Këshilli drejtues e zgjedh kryetarin/en dhe zëvendëskryetarin/en nga radhët e veta. Kryetari/ja drejton mbledhjet e këshillit dhe përfaqëson këshillin në kapacitetin ekzekutiv.

 

4. MASHT fton organizatat e bartësve të bëjnë emërimin e anëtarëve.

 

5. Me qëllim të përpilimit të listës fillestare të personave të emëruar, MASHT themelon një komision të veçantë, Komisioni miraton metodën pasuese të përzgjedhjes së anëtarëve dhe rregullave për periudhën e shërbimit, pjesëmarrjes dhe shkarkimit, që do të caktohen me një akt nënligjor të punës të hartuar nga AKK.

 

Neni 9

Mbledhjet e AKK

 

1.  Këshilli drejtues i AKK takohet së paku gjashtë (6) herë në vit.

 

2.  Vendimet merren me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve.

 

Neni 10

Angazhimi i ekspertëve

 

1.  AKK themelon këshillat dhe grupet punuese, varësisht nga nevoja për këshilla dhe kryerje të aktiviteteve të specializuara për të mbështetur ushtrimin e funksioneve të veta, ashtu siç është caktuar në këtë ligj.

 

2.  Për aktivitetet e AKK shfrytëzohen resurset njerëzore të ministrive dhe institucioneve tjera varësisht nga nevoja për përkrahjen e funksioneve të veta, të caktuara me këtë ligj. 

 

Neni 11

Zyra dhe personeli

 

1.   Këshilli për emërime të larta e emëron drejtorin e AKK.

 

2.  Personelin e përhershëm me orar të plotë në pajtim me rregulloren për shërbyesit civil e zgjedh drejtori në konsultim me Këshillin drejtues të AKK.

 

3.  Drejtori i AKK është përgjegjës për udhëheqjen dhe ofrimin e shërbimeve profesionale, raportimin te Këshilli drejtues dhe të veprojë si sekretar i Këshillit drejtues pa të drejtë vote.

 

4.  Drejtori i AKK emërohet me gradën e shërbyesit civil, në nivel të njëjtë me sekretarin e përhershëm  të ministrisë. 

 

Neni 12

Raportimi i AKK

 

AKK paraqet raportin mbi progresin e aktiviteteve të veta tek MASHT, Zyra e Kryeministrit dhe ministritë relevante të AKK, çdo gjashtë muaj, ndërsa raportin vjetor e parashtron te Qeveria e Kosovës. Raportet publikohen në web-faqe të AKK.

 

KREU  IV

 

FUNKSIONET E AKK

 

       Neni 13

      Hartimi i politikës

 

AKK zhvillon politikat dhe strategjitë për krijimin dhe zbatimin e Sistemit Kombëtar të Kualifikimeve.

             

Neni 14

Rregullorja për KKK

 

1.  Funksionet e AKK lidhur me KKK janë:

 

1.1.  hartimi i KKK, duke caktuar nivelet e kornizës, llojet dhe nivelet e certifikatave dhe diplomave që do përfshihen, me synim të lehtësimit të progresit dhe transferimit përmes mënyrave të ndryshme të mësimit dhe sigurimin e pajtueshmërisë me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve;

 

1.2.  themelimi i kritereve dhe proceseve për aprovimin e kualifikimeve të propozuara të përfshihen në KKK;

 

1.3.   aprovimi i kualifikimeve, që do të përfshihen në nivelet e caktuara të kornizës dhe riaprovimi i tyre sipas nevojës;

      

1.4.   ushtrimi i funksioneve të tilla shtesë, që plotësojnë ato në nën-paragrafët më lartë të këtij paragrafi. 

 

2. Gjatë ushtrimit të këtyre funksioneve, AKK bashkëpunon me sektorin e arsimit të lartë, përfshirë Agjencinë për Akreditim të Kosovës dhe universitetet publike.

 

Neni 15

Rregullimi i dhënies së kualifikimeve

 

1 Përveç përgjegjësive lidhur me KKK, funksionet e AKK për rregullimin e dhënies së kualifikimeve janë:

 

1.1.  aprovimi dhe sipas nevojës riaprovimi i dispozitave për standarde, vlerësim dhe certifikim për çdo kualifikim në KKK ;

 

1.2.  akreditimi, rregullimi dhe monitorimi i institucioneve të vlerësimit dhe institucioneve që kryejnë funksione tjera në emër të AKK, për të siguruar pajtueshmërinë me kërkesat për çdo kualifikim të aprovuar;

 

1.3.   sigurimi i jashtëm i cilësisë së vlerësimeve, që çojnë te dhënia e kualifikimeve në KKK;

 

1.4.  mirëmbajtja e bazës së të dhënave dhe evidencave të verifikuara dokumentuese të kualifikimeve në KKK dhe të certifikatave dhe diplomave të dhëna; 

 

1.5. shqyrtimi i ankesave të kandidatëve lidhur me vendimet e diskutueshme të vlerësimit nga qendrat për vlerësim dhe institucionet që kryejnë funksione tjera në emër të AKK ;

 

1.6. bëjë rishikime periodike të vlerësimit dhe krahasime ndërkombëtare të kualifikimeve;

 

1.7.  këshillimi i institucioneve përgjegjëse për njohjen e kualifikimeve të huaja, për qëllime akademike ose punësimi, mbi çështjet e krahasueshmërisë dhe barasvlerës;

 

1.8.   ushtrim i funksioneve shtesë, që i plotësojnë ato në nën-paragrafët më lartë të këtij paragrafi. 

 

2. Certifikatat dhe diplomat e dhëna për të gjitha kualifikimet në kornizë miratohen me vulë të autoritetit dhe përfshijnë titullin e aprovuar të kualifikimit, nivelin e tij në KKK dhe informata të tilla varësisht nga kërkesa e AKK;

 

3. Funksionet rregulluese të AKK, të numëruara më lartë nuk vlejnë për kualifikimet e dhëna nga institucionet, që rregullohen nga Ligji për Arsimin e Lartë (2003/14) apo me ligje tjera.

 

4. AKK ka autoritetin për të deleguar funksionet e Sistemit Kombëtar të Kualifikimeve te institucionet që përmbushin kërkesat, që caktohen nga AKK.

 

KREU V

 

AKREDITIMI DHE PËRGJEGJËSITË  E INSTITUCIONEVE TË VLERËSIMIT

 

Neni 16

Akreditimi i institucioneve për vlerësim

 

1.  Vlerësimi i kandidatëve për kualifikim dhe dhënia e certifikatave dhe diplomave në kornizë do të kryhet nga institucionet e akredituara për këtë qëllim nga AKK, të njohura si institucione të vlerësimit.

 

2.   Kërkesat që pritet të përmbushen nga këto institucione caktohen në akt nënligjor, që nxirret nga AKK, në pajtim me këtë ligj.

 

Neni 17

Përgjegjësitë e institucioneve të vlerësimit

 

1.  Përgjegjësitë e institucioneve të vlerësimit janë:

 

1.1.   pranimi dhe regjistrimi i kandidatëve për kualifikim;

 

1.2.  vlerësimi i kandidatëve nga mësimi formal, joformal dhe informal dhe mbajtja e evidencave të vlerësimeve të kandidatëve; 

 

1.3.   njohja e kredive të arritura nga kandidatët dhe mundësimi i transferimit të tyre;

 

1.4.  zbatimi i sigurimit të brendshëm të cilësisë, që çon te kualifikimet e aprovuara, për të siguruar pajtueshmëri në aplikimin e standardeve;

 

1.5.  dhënia e certifikatave ose diplomave të kualifikimit, të miratuara nga AKK;

 

1.6.  raportimi i AKK mbi certifikatat dhe diplomat e dhëna te kandidatët individual;

 

1.7.   përgjegjësi të tjera, që mund të caktohen me rregullore, që nxirret nga AKK.

 

2. Institucionet për vlerësim, nevojitet të sigurojnë qasje më të madhe për vlerësimin dhe certifikimin edhe të kandidatëve që nuk ndjekin programet specifike të arsimit dhe aftësimit, përfshirë dhe kandidatët që ofrojnë dëshmi për të arriturat paraprake, të fituara nëpërmjet mësimit joformal ose informal.

 

KREU VI

 

ZBATIMI

 

Neni 18

Kontrollimi i pajtueshmërisë

 

1.  Institucionet për vlerësim dhe institucionet për certifikim që AKK i ka akredituar për kryerjen e funksioneve në sistemin kombëtar të kualifikimeve, monitorohen nga AKK për të siguruar pajtueshmërinë me kërkesat dhe përgjegjësitë që caktohen me akt nënligjor, që aludohet në paragrafin 2. të nenit 16 dhe paragrafin 1. të nenit 17 të këtij ligji.

 

2. Në rastet kur identifikohet dështimi për pajtueshmëri me kërkesat e caktuara, qendra për vlerësim ose institucionet tjera të akredituara kërkohen të zbatojnë ndryshime. Në raste të tilla AKK nxjerr një deklaratë me shkrim, që shpjegon bazën për gjetjen e papajtueshmërisë, duke përshkruar veprimet që do të ndërmerren nga qendra për vlerësim ose organi tjetër i akredituar përkatës dhe duke përcaktuar datën se kur do të ndërmerret veprimi.  

                         

Neni 19

Sanksionet

 

Në raste ku konstatohet një papajtueshmëri e vazhdueshme me kriteret, AKK mund të tërheqë akreditimin.

 

Neni 20

Përdorimi i kualifikimeve të aprovuara në programet publike

 

MASHT, ose ku është e nevojshme edhe ministritë e tjera përgjegjëse, mund të kërkojnë programe publike të arsimit dhe aftësimit, që çojnë vetëm te kualifikimet e caktuara, të aprovuara nga AKK. Kjo   rregullohet me akt nënligjor, që nxirret nga ministria përgjegjëse. 

 

KREU VII

 

Neni 21

Financimi

 

1.  Financimi i nevojshëm për të realizuar përgjegjësitë, që caktohen në dispozitat e këtij ligji, sigurohen nga buxheti i Kosovës.

 

2.  Përjashtimisht nga neni 1 AKK, në pajtim me dispozitat e këtij ligji, ka të drejtë të sigurojë financimin nga burimet tjera duke përfshirë ministritë tjera dhe donatorët sipas këtij ligji.

 

3.  Taksat dhe pagesat prej institucioneve të arsimit dhe aftësimit, përfshirë tarifat për shërbimet e arsimit, tarifat për regjistrim, pagesat për certifikim diploma dhe donacionet, të cilat mund të përdoren për të mbuluar koston e aktiviteteve, që janë shtesë e funksioneve kryesore. Kjo duhet të rregullohet me akt nënligjor, që do të nxirret nga MASHT.

 

 

 

Neni 22

Procedurat e buxhetit

 

AKK elaboron dhe parashtron planin vjetor financiar për aprovim te MASHT, që cakton buxhetin për një vit. Plani përfshin vlerësimet paraprake të të hyrave dhe ndarjen e shpenzimeve të llogaritura.

 

KREU VIII

 

DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

 

Neni 23

Dispozitat kalimtare

 

1.  Periudha kalimtare e AKK është një periudhë prej njëzetekatër (24) muajsh pas hyrjes në fuqi të këtij ligji. Gjatë kësaj periudhe MASHT në konsultim me Zyrën e Kryeministrit, ministritë relevante, partnerët social dhe palët tjera me interes të AKK, do të nxjerrë rregullore të përkohshme për punën e AKK. Rregullorja e punës së AKK-së do të nxirret jo më vonë se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

2.  Dispozitat e përkohshme ligjore hyjnë në fuqi jo më vonë se gjashtë (6) muaj pas ditës që nxirret rregullorja e punës.

 

3.  Këshilli drejtues i AKK do të themelohet jo më vonë se një (1) vit pas ditës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

4.  Hapja e zyrës së AKK dhe emërimi i drejtorit dhe personelit të përhershëm, do të bëhet jo më vonë se njëzetekatër (24) muaj nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

5.  Të gjitha aktet nënligjore që implementojnë këtë ligj do nxirren brenda dymbëdhjetë (12) muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

 

6.  Më hyrjen në fuqi të këtij ligji shfuqizohen dispozitat ligjore të cilat e kanë rregulluar këtë fushë të kualifikimeve pa përfshirë dispozitat që rregullojnë arsimin e lartë.

 

Neni 24

Hyrja në fuqi

 

 

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

 

 

Ligji  Nr. 03/ L-060                

7 Nëntor 2008

                                                    

Shpallur me dekretin Nr. DL- 062- 2008, datë 27.11.2008 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,   Dr. Fatmir  Sejdiu.

                                                            

 

 
< Mbrapa   Para >