Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 03/L-100 PĖR PENSIONET E PJESĖTARĖVE TĖ TRUPAVE MBROJTĖSE TĖ KOSOVĖS
Nėn 03 2008
LIGJI NR. 03/L-100 PĖR PENSIONET E PJESĖTARĖVE TĖ TRUPAVE MBROJTĖSE TĖ KOSOVĖS
e hėnė . 03 nėntor 2008

 

LIGJI  Nr. 03/L-100 

 

 

PËR  PENSIONET E PJESËTARËVE TË TRUPAVE MBROJTËSE TË KOSOVËS

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

 

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

 

Në pajtim me nenet 1, 6 dhe 8 të Ligjit Nr. 03/L-083 për Shpërbërjen e TMK-së,

 

Mirato:

 

LIGJ PËR PENSIONET E PJESËTARËVE TË TRUPAVE MBROJTËSE TË KOSOVËS


KREU  I


NЁNKREU  A


DISPOZITAT E PËRGJITHSHME


Neni 1

Fushëveprimi


Me këtë ligj rregullohet e drejta për pension e pjesëtarëve aktivë të TMK-së dhe trashëgimtarëve të tyre pas shpërbërjes së TMK-së. Në fushëveprimin e ligjit nuk përfshihet stafi civil i TMK-së dhe i pjesëtarët e  TMK-së që përfshihen në FSK.

 
Neni 2
Qëllimi

Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi kushteve për dhënien e pensioneve pjesëtarëve aktiv të TMK-së, në pajtim me Ligjin për Shpërbërjen e TMK-së.


Neni 3
Përkufizimet

Në kuptim të këtij ligji, shprehjet e mëposhtme kanë këto domethënie:

"Pensioni i TMK-së" pagesa e rregullt mujore që i bëhet një ish-pjesëtari të TMK-së gjatë tërë jetës.

"Trashëgimtarët"  të afërmit e varur të pensionistëve të TMK-së të cilët kanë të drejtë që të marrin pensionin e trashëgimtarit, pas vdekjes së pensionistit. Këtu përfshihen bashkëshortët që janë të martuar me pensionistin e TMK-së në kohën e vdekjes së tij/saj, fëmijët e pensionistit të TMK-së që në kohën e vdekjes së tij/saj janë nën moshën tetëmbëdhjetë vjeç, fëmijëve trashëgimtarë dhe të afërmve tjerë të varur që kanë të drejtë të marrin pensionin e trashëgimtarit nëse dhe për atë masë sa u mundësohet sipas legjislacionit të ardhshëm për pensionin e përgjithshëm publik. 

"Pensioni i trashëgimtarit" pagesa e rregullt mujore për trashëgimtarët e pensionistëve të TMK-së.


"Administrata Pensionale e Kosovës" njësia administrative në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale e cila bën pagesën e pensioneve të parapara me këtë Ligj.


"TMK" Trupat Mbrojtëse të Kosovës.


"FSK"  Forca e Sigurisë së Kosovës.


"Pensioni i zakonshëm publik" pensionin nga fondi publik i pensionimit që Qeveria e Kosovës u paguan të gjithë qytetarëve me të drejtë pensioni, nëse është përcaktuar dhe në atë masë sa përcaktohet sipas ligjit në fuqi.


"Shkollimi i rregullt"  kur një individ është student i rregullt në një institucion arsimor të akredituar. Këtu nuk përfshihen kurset me orar të pjesshëm apo me korrespondencë.


Neni 4

Barazia dhe mosdiskriminimi


Nuk lejohet kurrfarë diskriminimi në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë, mendimit politik apo ndonjë mendimi tjetër, prejardhjes kombëtare apo shoqërore, lidhjes me cilindo komunitet, pronës, gjendjes ekonomike dhe sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së kufizuar apo ndonjë gjendjeje tjetër personale. 

NЁNKREU  B

PENSIONET


Neni 5

Pensionet


1. Pensionet që përcaktohen me këtë ligj janë:


1.1. Pensionet për ish-pjesëtarët e TMK-së pas shpërbërjes së saj;


1.2. Pensionet e trashëgimtarëve për të gjithë personat e varur pas vdekjes së pensionistit siç është përcaktuar me këtë ligj.

   

Neni 6

Përfituesit


1. Përfitues të pensioneve janë pjesëtarët aktiv të TMK-së sipas kushteve të përcaktuara në nenin 7 të këtij ligji.


2. Përfituesit e pensioneve për trashëgimtarë, janë trashëgimtarët e përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji.


KREU II

PENSIONI I TMK-së


NЁNKREU  A


Neni 7

Individët që kanë të drejtë për pension


1. Individët që kanë të drejtë pensioni duhet të përmbushin kushte në vijim:


1.1. Të kenë arritur moshën pesëdhjetë vjeçare (50) dhe përjashtimisht moshën dyzet e pesë (45) siç është përcaktuar në paragrafin 3 të këtij neni.


1.2. Të jenë apo të kenë qenë pjesëtarë aktivë të TMK-së në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit për shpërbërjen e TMK-së ose të jenë pjesëmarrës aktivë të Skemës pilote të riintegrimit të TMK-së.


1.3. Të mos bëhen pjesëtarë aktiv FSK.


1.4. Të kenë shërbyer për pesë vjet në TMK.


2. Pjesëtarët e TMK-së të cilët janë shkarkuar nga shërbimi për mosrespektimin e rregullave nuk kanë të drejtë për pension të TMK-së. 


3. Personat në mes të moshës dyzet e pesë/ dhe pesëdhjetë vjet kanë të drejtë të zgjedhin pensionin e parakohshëm të TMK-së në qoftë se ata i përmbushin kriteret e përcaktuara në nënparagrafët 1.2, 1.3 dhe 1.4 të këtij neni.


Neni 8

Individët në mes të moshës dyzet e pesë dhe pesëdhjetë vjeçare


1.  Pjesëtarët e TMK-së të cilët kanë të drejtë për pension të TMK-së do të kenë mundësi të zgjedhin midis pensionit të parakohshëm të TMK-së kur ta kenë arritur moshën minimale dyzet e pesë vjeçare ose pensionit të përgjithshëm kur ta kenë arritur moshën pesëdhjetë vjeçare.


2. Zgjedhja e variantit të lartpërmendur bëhet brenda periudhës prej gjashtë muajsh pas ditës së hyrjes në fuqi të ligjit.


3. Varianti që rregullohet në bazë të paragrafit 1 të këtij neni miratohet vetëm një herë, nuk ndryshohet dhe nuk transformohet në pension të përgjithshëm të TMK-së me arritjen e moshës minimale pesëdhjetë vjeçare.


4. Pensioni i parakohshëm i TMK-së i cekur më lartë paguhet kur të arrihet mosha e përcaktuar.


Neni 9

Individët nën moshën dyzet e pesë vjeçare


1. Pjesëtarët e TMK-së të cilët në kohën e shpërbërjes së TMK-së janë nën moshën dyzet e pesë vjeçare (45) fitojnë të drejtën për pension të parakohshëm të TMK-së, ose të drejtën për pension të TMK-së, kur të arrijnë moshën e kërkuar.


2. Pjesëtarët e TMK-së që zgjedhin të marrin pensionin e parakohshëm të TMK-së duhet të përcaktohen për këtë zgjedhje brenda gjatë muajsh pas ditëlindjes dyzetepesë (45).


3. Pensioni për pjesëtarët e lartpërmendur që kanë të drejtë në të, paguhet sipas nenit 8.4 të këtij ligji.


NЁNKREU  B

RREGULLIMI I PENSIONIT


Neni 10

Shuma e pensionit


1.  Shuma e pensionit të TMK-së llogaritet në bazë të dy elementeve:


1.1. Përqindjes;


1.2. Pagave të pjesëtarëve të TMK-së.


Paga që merret parasysh është paga mujore mesatare e  tri (3) viteve të fundit që i është dhënë pjesëtarit të caktuar të TMK-së.


2. Përqindja është si vijon:


2.1. 70% për një pension të TMK-së.


2.2. 50% për një pension të parakohshëm të TMK-së.


Neni 11

Dallimet në statusin e pensionistëve


1.  Përfituesi ka të drejtë të marrë pension pavarësisht nga ndonjë punësim tjetër në sektorin publik ose privat.


2.  Rregulla e lartpërmendur nuk vlen për ata të cilët janë bërë pjesëtarë aktiv të FSK-së.


3.  Ata të cilët bëhen pjesë e Programit të Riintegrimit gjithashtu kanë të drejtë të marrin pension.


Neni 12

Humbja e të drejtës për pension të TMK-së


1. Përfituesi e humb të drejtën e tij për pension të TMK-së në rast të:


1.1. Vdekjes së përfituesit.


1.2. Hyrjes në FSK si pjesëtar aktiv.


1.3. Ndonjë rrethane tjetër që përcaktohet me dispozitat e përgjithshme për pensionin e zakonshëm publik, nëse është përcaktuar dhe në atë masë sa përcaktohet sipas ligjit në fuqi.


Neni 13

Bashkimi i periudhave


Periudha e shërbimit në TMK vlerësohet si pjesë e kohës së shërbimit për qëllime të pensionimit të FSK-së.


KREU III

PENSIONET E TRASHËGIMTARËVE


NЁNKREU  A

PENSIONET E TRASHËGIMTARËVE


Neni 14

Pensionet


1. Pensionet për trashëgimtarët e pensionistit të TMK-së siç është përcaktuar në nenin 3 të këtij ligji, janë siç vijon:


1.1. Pensioni i bashkëshortit/es.


1.2. Pensioni i fëmijëve trashëgimtarë.


1.3. Çdo pension tjetër në rast të vdekjes në bazë të kushteve të njëjta të përcaktuara për pensionin e zakonshëm publik, nëse është përcaktuar dhe në atë masë sa përcaktohet sipas ligjit në fuqi.


2.  Të gjitha pensionet e lartpërmendura paguhen pavarësisht numrit të përfituesve.


NЁNKREU  B

PENSIONI I BASHKЁSHORTIT/ES


Neni 15

Individët me të drejtë pensioni


Individi, i cili është në martesë me një pensionist të TMK-së në kohën e vdekjes së tij, ka të drejtë të marrë pensionin e bashkëshortit/es.


Neni 16

Shuma e pensionit


Shuma e pensionit të bashkëshortit/es përbëhet prej 60% të pensionit që i është paguar pensionistit që ka vdekur.


Neni 17

Dallimet e statusit të pensionit të bashkëshortit/es


Përfituesi ka të drejtë të marr pensionin pavarësisht nga ndonjë punësim tjetër në sektorin publik ose privat.


Neni 18

Humbja e të drejtës për pension


1. Përfituesi humb të drejtën e tij për pension të TMK-së në rastet e mëposhtme:


1.1. Vdekjes.


1.2. Martesës së re.


2.  Përfituesi, ose trashëgimtari(ët) i tij është i obliguar të informojë me shkrim administratën pensionale të Kosovës për çdo ndryshim të rrethanave të cilat ndikojnë në fitimin e të drejtës për marrjen e pensionit, që rrjedhin nga Ligji për Pensionin e TMK-së brenda një muaji pas ndryshimit të këtyre rrethanave. Nëse një gjë e tillë nuk bëhet, atëherë do të bëhet pagesa që është e barabartë me përfitimet e marra pas ndryshimit të statusit dhe një gjobë në shumë të njëjtë.


NЁNKREU  C

PENSIONI I FЁMIJЁVE TRASHЁGIMTAR


Neni 19

Individët me të drejtë pensioni


1.  Fëmijët e pensionistit të TMK-së, të cilët janë nën moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare në kohën e vdekjes së tij kanë të drejtë që pas vdekjes së pensionistit të marrin pensionin e fëmijëve trashëgimtarë.


2.  Mosha e rregulluar në paragrafin 1 të këtij neni ngritet në njëzetegjashtë (26) në rastet kur fëmijët vijojnë shkollimin e rregullt, brenda kohëzgjatjes së periudhës së shkollimit të rregulluar me ligj.


3. Fëmijët me aftësi të kufizuara të pensionistit të TMK-së kanë të drejtë të marrin pension e fëmijëve trashëgimtarë pavarësisht nga mosha, nëse ata janë me aftësi të kufizuara në datën e vdekjes së pensionistit, sipas kushteve të njëjta të përcaktuara për pensionin e zakonshëm publik, nëse është përcaktuar dhe në atë masë sa përcaktohet sipas ligjit në fuqi.


Neni 20

Shuma e pensionit


1. Pensioni i fëmijëve trashëgimtarë përbëhet prej 20% të pensionit që i paguhet pensionistit që ka vdekur. Nëse pensionisti ka më shumë se një fëmijë, i njëjti pension për fëmijëve trashëgimtarë ndahet mes tyre.


2. Shuma e përmendur në paragrafin 1 të këtij neni rritet nga pensioni e bashkëshortit/es nëse nuk ka të ve, që mund të marr pensionin e bashkëshortit/es së tij/saj ose nëse bashkëshorti/ja e ka humbur të drejtën për pension të TMK-së.


Neni 21

Dallimet e statusit të pensionistëve


Përfituesi ka të drejtë të merr pensionin pavarësisht nga ndonjë punësim tjetër në sektorin publik ose privat.


Neni 22

Humbja e së drejtës për pension


1. Përfituesi e humb të drejtën e tij/saj për pension të fëmijëve trashëgimtarë në rast të:


1.1.  Vdekjes së përfituesit.


1.2. Përfundimit ose ndërprerjes të shkollimit në rast se përfituesit janë mbi moshën tetëmbëdhjetë (18) vjeçare.


1.3. Shërimit nga aftësia e kufizuar.


NЁNKREU  D

PЁRFITIMET PЁR TЁ AFЁRMIT E TJERЁ TЁ VARUR


Neni 23


Përfitimet tjera për të afërmit e varur i nënshtrohen kushteve të njëjta të përcaktuara për pensionin e zakonshëm publik, nëse është përcaktuar dhe në atë masë sa përcaktohet sipas ligjit në fuqi.


KREU  IV

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME PËR TË GJITHA PENSIONET


NЁNKREU A

INDEKSIMI I PENSIONIT 


Neni 24


Pensionet e rregulluara me këtë ligj indeksohen në bazë të kushteve të njëjta si për pensionin e zakonshëm publik, nëse është përcaktuar dhe në atë masë sa përcaktohet sipas ligjit në fuqi.


NЁNKREU  B

MENAXHIMI DHE ADMINISTRIMI


Neni 25

Organi administrativ kompetent


Administrata pensionale e Kosovës, si njësi administrative brenda Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, menaxhon dhe administron pagesën e pensioneve të caktuar me këtë ligj.


Neni 26

Procedurat administrative


Pensionet e përcaktuara me këtë ligj kërkohen sipas procedurave të parapara për pensionin e zakonshëm publik.


Neni 27

Zgjidhja e kontesteve


Përfituesi mund të kërkojë që çdo mosmarrëveshje që del nga ky ligj të zgjidhet në organin kompetent administrativ apo gjyqësor në bazë të ligjit në fuqi.


KREU V

DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE DHE KALIMTARE


Neni 28

Periudha kalimtare


1.  Demobilizimi i pjesëtarit të TMK-së gjatë periudhës ndërmjet hyrjes në fuqi të ligjit për shpërbërjen e TMK-së dhe hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk do të rezultojë në humbjen e të drejtave për ata të cilët kanë të drejtën për çdo lloj pensioni të përcaktuar me ketë ligj.


2.  Në rast të demobilizimit gjatë periudhës së lartpërmendur, pensioni paguhet prej datës së çmobilizimit.


Neni 29

Trashëgimtarët e individëve të cilët kanë vdekur para hyrjes në fuqi të këtij Ligji


Përfituesit e anëtarëve aktiv të TMK-së (përfshirë anëtarët e Skemës Pilote të Riintegrimit) të cilët kanë vdekur derisa kanë qenë duke shërbyer si pjesëtarë të TMK-së, që kanë shërbyer në TMK për më shumë se pesë (5) vite dhe që kanë vdekur para hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë të drejtë për pensionin për trashëgimtarë.


Neni 30

Hyrja në Fuqi


Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.


Ligji  Nr. 03/ L-100                

10 Tetor 2008   


Shpallur me dekretin Nr. DL- 051- 2008, datë 21.10.2008 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,   Dr. Fatmir Sejdiu.

                                                    
 
 
Para >