Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 03/L-057 PĖR NDĖRMJETĖSIM
Nėn 03 2008
LIGJI NR. 03/L-057 PĖR NDĖRMJETĖSIM
e hėnė . 03 nėntor 2008

 

LIGJI  Nr. 03/L-057 

 

 

PËR NDЁRMJETЁSIM

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

 

Në bazë të nenit 65, pika (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

 

Me qëllim të rregullimit, organizimit, funksionimit, si dhe zgjedhjes së kontesteve në mënyrë sa më efektive me ndërmjetësim;

 

Duke respektuar historinë tradicionale të ndërmjetësimit në Kosovë, si dhe synimin për avancimin e sistemit juridik në Kosovë;

 

Miraton këtë:

 

LIGJ PËR NDËRMJETËSIM

 

KREU I

 

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi i Ligjit

 

1.1 Ky ligj rregullon procedurën e ndërmjetësimit në përgjithësi, themelimin, organizimin, funksionimin e Komisionit të Ndërmjetësimit, si dhe të drejtat, detyrat dhe përgjegjësitë e ndërmjetësuesve.

 

1.2 Me këtë ligj caktohen rregullat e procedurës së ndërmjetësimit në marrëdhëniet kontestuese në raportet juridiko-pasurore të subjekteve të së drejtës, tregtare, familjare, të punës, raporte të tjera civile, administrative dhe penale, në të cilat palët lirisht mund të disponojnë vullnetin e tyre të lirë, në rast se me ligj të veçantë nuk është paraparë përgjegjësia ekskluzive e gjykatës apo e një organi tjetër kompetent.

 

1.3 Në bazë të këtij ligji pranohet marrëveshja në mes subjekteve të së drejtës për fillimin e procedurës së ndërmjetësimit, në çdo fazë të zhvillimit të procedurës në gjykatë kompetente.

 

Neni 2

Përkufizimet

 

Për qëllimet e këtij ligji termet e përdorura kanë këtë kuptim:

 

"Ndërmjetësimi" është veprimtari jashtëgjyqësore, që realizohet nga një person i tretë (ndërmjetësi), për zgjidhje të mosmarrëveshjeve ndërmjet subjekteve të së drejtës në pajtim me kushtet e parashikuara në këtë ligj.

 

"Mosmarrëveshje" nënkupton çfarëdo mospajtimi në mes të subjekteve të së drejtës.

 

"Ndërmjetësuesi" është pala e tretë, neutrale e autorizuar të ndërmjetësojë në mes dy palëve me qëllim të zgjedhjes së mosmarrëveshjeve, në pajtim me parimet e ndërmjetësimit.

 

 

KREU II

 

PARIMET E PROCEDURËS SË NDËRMJETËSIMIT

 

 

Neni 3

Shprehja e Vullnetit

 

Për fillimin e procedurës së ndërmjetësimit duhet të ekzistojë vullneti i plotë i palëve.

 

 

Neni 4

Barazia e Palëve në Procedurë

 

Në procedurën e ndërmjetësimit palët janë të barabarta dhe kanë të drejta dhe detyrime në pajtim me ligjin.

 

Neni 5

Paanshmëria

 

Ndërmjetësuesi gjatë zhvillimit të procedurës së ndërmjetësimit është plotësisht i paanshëm dhe i pavarur nga çdo lloj ndikimi.

 

Neni 6

Fshehtësia dhe Besueshmëria

 

6.1 Procedura e ndërmjetësimit është e natyrës konfidenciale. Deklaratat dhe të gjitha informacionet tjera lidhur me procedurën e ndërmjetësimit nuk mund të përdoren si dëshmi në ndonjë procedurë tjetër, pa miratimin e palëve.

 

6.2 Ndërmjetësuesi, palët dhe përfaqësuesit e tyre janë të obliguar që ta ruajnë fshehtësinë e procedurës së ndërmjetësimit, përveç nëse palët pajtohen ndryshe.

 

6.3 Vetëm pas përfundimit të procedurës së ndërmjetësimit, me pajtimin e palëve mund të bëhet publike marrëveshja në pajtim me ligjet në fuqi.

 

 

Neni 7

Urgjenca

 

Procedura e ndërmjetësimit është urgjente.

 

 

KREU III

 

PROCEDURA

 

Neni 8

Procedura e Ndërmjetësimit

 

Dispozitat e këtij ligji aplikohen pavarësisht nga ajo se ndërmjetësimi kryhet para apo pas fillimit të procedurës gjyqësore apo administrative.

 

 

Neni 9

Fillimi i Procedurës së Ndërmjetësimit

 

9.1  Procedura e ndërmjetësimit fillon në momentin kur palët pajtohen për fillimin e saj.

 

9.2  Palë në procedurën e ndërmjetësimit mund të jenë personat fizik dhe personat juridik.

 

9.3  Nëse njëra palë i kërkon palës tjetër që të ndjekë procedurën e ndërmjetësimit dhe kjo e fundit nuk i përgjigjet ftesës në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga data e pranimit të saj, konsiderohet si mospranim për fillimin e procedurës së ndërmjetësimit.

 

9.4 Para se të fillojë procedura e ndërmjetësimit, ndërmjetësuesi është i obliguar t'i informojë palët për parimet, rregullat, shpenzimet e procedurës dhe efektet juridike të marrëveshjes.

 

9.5 Kur çështja gjendet në gjykatë apo prokurori dhe nëse ato vlerësojnë se mosmarrëveshja mund të zgjidhet me ndërmjetësim, u sugjerojnë palëve procedurën e ndërmjetësimit.

 

9.6  Gjykata mundet në secilën fazë të procedurës gjyqësore, deri në përfundimin e saj, t'i sugjeroj palët në procedurën e ndërmjetësimit.

 

Neni 10

Zhvillimi i Procedurës së Ndërmjetësimit

 

10.1 Palët në procedurë janë të lira të vendosin për zhvillimin e procedurës së ndërmjetësimit.

 

10.2  Procedura e ndërmjetësimit zhvillohet nga një ndërmjetësues i vetëm, përveç në rastet kur palët pajtohen të kenë më shumë se një ndërmjetësues. 

 

10.3 Ndërmjetësimi fillon pas nënshkrimit të marrëveshjes së palëve për fillimin e procedurës së ndërmjetësimit.

 

10.4  Marrëveshja për fillimin e procedurës së ndërmjetësimit përmban: të dhëna për palët në procedurë, përfaqësuesit e tyre, objektin e mosmarrëveshjes, deklaratën e pranimit të parimeve të ndërmjetësimit, si dhe dispozitat mbi shpenzimet e procedurës, duke përfshirë honorarin e ndërmjetësuesit.

 

10.5 Pas nënshkrimit të marrëveshjes mbi ndërmjetësimin, në pajtim me palët, ndërmjetësuesi do të caktoj kohën dhe vendin e zhvillimit të ndërmjetësimit.

 

10.6 Në rast se çështja ndodhet pranë gjykatës dhe ndërkohë palët pajtohen ta zgjidhin mosmarrëveshjen e tyre përmes ndërmjetësimit, obligohen ta informojnë gjykatën, duke ia dorëzuar një kopje të marrëveshjes së nënshkruar për fillimin e procedurës së ndërmjetësimit.

 

10.7 Përveç palëve, përfaqësuesve të tyre dhe ndërmjetësuesit, në procedurën e ndërmjetësimit mund të marrë pjesë edhe pala e tretë, pas pëlqimit paraprak të palëve në procedurë.

 

10.8 Pala e tretë që merr pjesë në procedurën e ndërmjetësimit është e detyruar ta respektoj parimin e fshehtësisë së procedurës.

 

10.9 Në fillim të procedurës së ndërmjetësimit, ndërmjetësuesi do t'i njoftojë shkurtimisht palët për qëllimin e ndërmjetësimit, procedurën që do të ndiqet dhe rolin që kanë ndërmjetësuesi dhe palët.

 

Neni 11

 

11.1 Në qoftë se ndërmjetësuesi vlerëson se do të ishte në dobi të procedurës së ndërmjetësimit, ai mund të zhvilloj takime të ndara me secilën palë dhe mund të propozoj mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, por jo edhe vet zgjidhjen.

 

11.2  Ndërmjetësuesi duhet t'i trajtoj në mënyrë të barabartë palët në procedurë.

 

11.3 Palët janë të obliguara që të prezantojnë në mënyrë sa më reale dhe të vërtetë rrethanat e rastit kontestues.

 

Neni 12

Arritja e marrëveshjes

 

12.1 Arritja e marrëveshjes në procedurën e ndërmjetësimit varet ekskluzivisht nga vullneti i palëve.

 

12.2 Ndërmjetësuesi është i detyruar të ndihmoj palët dhe duhet të jetë i përkushtuar për arritjen e marrëveshjes.

 

12.3 Pasi që palët të kenë arritur marrëveshje në procedurën e ndërmjetësimit, ndërmjetësuesi përpilon marrëveshjen me shkrim, të cilën duhet ta nënshkruajnë palët dhe ndërmjetësuesi.

 

12.4 Marrëveshja e paraparë në paragrafin 3 të këtij neni ka fuqinë e dokumentit përfundimtar dhe është i detyrueshëm.

 

12.5  Në rast se dosja e lëndës gjendet në gjykatë, marrëveshja e arritur me shkrim duhet ti dërgohet gjykatës, e cila pas aprovimit, e ka fuqinë e titullit ekzekutiv.

 

Neni 13

Kohëzgjatja e Procedurës

 

 Procedura e ndërmjetësimit zgjatë deri në nëntëdhjetë (90) ditë.

 

Neni 14

Përfundimi dhe ndërprerja e procedurës

 

14.1 Procedura e ndërmjetësimit përfundon me:

 

a)  arritjen e marrëveshjes në mes të palëve;

 

b) tërheqjen e cilësdo palë, në çfarëdo kohe gjatë zhvillimit të procedurës, duke deklaruar se nuk ka interes për vazhdimin e procedurës së ndërmjetësimit;

 

c)  konfirmim të ndërmjetësuesit, pas konsultimit me palët kur vlerësohet se vazhdimi i procedurës nuk është i arsyeshëm;

 

d)  kalimin e afatit ligjor për arritjen e marrëveshjes.

 

14.2  Pas përfundimit të procedurës së ndërmjetësimit, ndërmjetësuesi është i detyruar ta njoftoj gjykatën apo organin tjetër kompetent me shkrim lidhur me përfundimin e procedurës së ndërmjetësimit në çdo rast kur pranë gjykatës apo organin tjetër kompetent ekziston dosja e lëndës për të cilin është zhvilluar ndërmjetësimi.

 

14.3  Ndërmjetësuesi mund ta ndërpres procedurën e ndërmjetësimit nëse gjatë zhvillimit të procedurës ekzistojnë apo shfaqen arsye që e vënë në pyetje paanshmërinë e tij.

 

14.4 Marrëveshja e arritur në procedurën e ndërmjetësimit ka fuqinë e marrëveshjes gjyqësore, nëse aprovohet nga gjykata, prokuroria apo nëse vërtetohet nga organi tjetër kompetent.

 

14.5 Gjykata ose prokuroria mund ta anuloj marrëveshjen e arritur me ndërmjetësim, kur konstaton se është lidhur në kundërshtim me ligjin në fuqi, kur nuk pasqyrohet vullneti i palëve në konflikt, kur janë cenuar rëndë të drejtat dhe interesat e tyre ose kur zhdëmtimi është haptazi në disproporcion me dëmin e shkaktuar.

 

Neni 15

Konflikti i interesit

 

Në rast se paraqitet konflikt i interesave, ndërmjetësuesi përjashtohet nga procedura e ndërmjetësimit, përveç nëse palët, pasi të janë informuar për ekzistimin e rrethanave të tilla, janë pajtuar që ai të zhvillojë procedurën.

 

Neni 16

Shpenzimet e procedurës dhe honorari për ndërmjetësues

 

16.1 Shpenzimet e procedurës së ndërmjetësimit do të paguhen proporcionalisht nga palët, përveç nëse nuk janë marrë vesh ndryshe.

 

16.2   Honorari për ndërmjetësuesin do të rregullohet me akt nënligjor, të cilin e nxjerr Ministri i Drejtësisë.

 

KREU IV

 

KOMISIONI I NDËRMJETËSIMIT

 

Neni 17

Themelimi dhe kompetencat e Komisionit

 

17.1  Komisioni i Ndërmjetësimit themelohet nga Ministria e Drejtësisë.

 

17.2 Komisioni përbëhet nga Kryetari dhe katër (4) anëtarë. Kryetari i Komisioni duhet të jetë shërbyes civil dhe emërohet nga Ministria e Drejtësisë.

 

Neni 18

Anëtarët e Komisionit

 

18.1 Subjektet që përfaqësohen në Komision janë:

 

a)  Ministria e Drejtësisë;

 

b)  Këshilli Gjyqësor i Kosovës;

 

c)  Këshilli Prokurorial i Kosovës;

 

d)  Oda e Avokatëve të Kosovës;

 

e)  Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale;

 

18.2 Subjektet e propozuara në paragrafin 1 të këtij neni përfaqësohen me nga një anëtarë.

 

18.3 Kryetari i Komisionit shërben për mandat katër (4) vjeçar me mundësi të rizgjedhjes edhe për një mandat tjetër.

 

18.4 Anëtarët e Komisionit shërbejnë për një mandat  tre (3) vjeçar me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër. Mandatet e para do të jenë të shkallëzuara si në vijim: dy (2) anëtarë për dy (2) vjet, një (1) anëtarë për tre (3) vjet, dhe një (1) anëtarë për katër (4) vjet. 

 

18.5 Me përfundim të mandatit të çdo anëtari të Komisionit, Ministri i Drejtësisë kërkon menjëherë nga subjektet të parapara nga paragrafi 1 i këtij neni që të caktojnë anëtarin e tyre. Vendi i lirë duhet të plotësohet brenda tridhjetë (30) ditësh.

 

Neni 19

Detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit

 

Detyrat dhe përgjegjësitë e Komisionit janë:

 

a)  përcaktimi i politikave zhvillimore lidhur me fushën e ndërmjetësimit;

 

b) nxjerrja dhe mbikëqyrja e zbatimit të rregullave të Kodit të etikës profesionale për ndërmjetësues;

 

c) nxjerrja e vendimeve dhe rekomandimeve për rregullimin e fushë-veprimtarisë së ndërmjetësimit;

 

d)  nxjerrja e rregullores së punës së tij;

 

e)  përpilimi dhe mbajtja e regjistrit për ndërmjetësues;

 

f)  dhënia e mendimeve profesionale;

 

g)  organizimi i trajnimeve dhe kurseve për ndërmjetësues;

 

h)  informimi i publikut për mundësitë e ndërmjetësimit;

 

i)  ushtrimi i detyrave tjera të përcaktuara me këtë ligj.

 

 

Neni 20

Kushtet për Zgjedhjen e Kryetarit dhe  Anëtarëve të Komisionit

 

Anëtarët dhe Kryetari i Komisionit duhet t'i plotësojnë këto kushte:

 

a)  të ketë përgatitje universitare adekuate;

 

b)  të ketë të paktën tri vite përvojë pune në profesion;

 

c)  të gëzoj reputacion të lartë në shoqëri;

 

d)  të mos jetë i dënuar për vepër penale me dashje për të cilën parashihet dënimi me burg mbi gjashtë muaj.

 

 

Neni 21

Mbledhjet dhe Votimi

 

21.1 Kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e takimeve të Komisionit përbëhet nga gjysma e anëtarëve të Komisionit dhe kryetari.

 

21.2 Vendimet e Komisionit miratohen me shumicë të thjeshtë të votave.

 

21.3 Anëtarët e mbivotuar kanë të drejtë t'ia bashkëngjisin mendimin e tyre të kundërt vendimit të aprovuar.

 

KREU V

 

Ndërmjetësuesi

 

Neni 22

Kushtet e kërkuara për ndërmjetësuesit

 

22.1 Ndërmjetësues mund të jetë çdo person i cili i plotëson kushtet e përgjithshme për punësim në përputhje me ligjin në fuqi.

 

22.2  Ndërmjetësuesi përveç asaj që u cek në paragrafin 1 të këtij neni, duhet t'i plotësoj edhe këto kushte:

 

a)  të ketë diplomë universitare;

 

b)  të ketë kaluar me sukses kursin e trajnimit për ndërmjetësim;

 

c) të ketë ndërmjetësuar nën mbikëqyrjen e një ndërmjetësuesi të paktën në gjashtë seanca;

 

d) të mos ketë qenë i dënuar për vepër penale me dashje për të cilën parashihet dënimi mbi gjashtë muaj burgim;

 

e)  të ketë kualitete të larta morale;

 

f)  të jetë i regjistruar në regjistrin e ndërmjetësuesve.

 

22.3 Trajnimet për ndërmjetësues i organizon Komisioni i ndërmjetësimit në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.

 

22.4 Personit i cili është i suksesshëm në kryerjen e trajnimit për ndërmjetësues do t'i lëshohet një certifikatë, e cila shërben si bazë për hyrjen në regjistrin e ndërmjetësuesve.

 

22.5 Certifikimin e ndërmjetësuesve e bënë Komisioni i ndërmjetësimit.

 

Neni 23

Licencimi i Ndërmjetësuesve

 

23.1 Ministria e Drejtësisë licencon ndërmjetësuesit të cilët i përmbushin kushtet e parapara në këtë ligj.

 

23.2 Me propozimin e Komisionit, Ministria e Drejtësisë pezullon apo revokon licencën e ndërmjetësuesit, në përputhje me këtë ligj.

 

Neni 24

Regjistri i ndërmjetësuesve

 

24.1  Komisioni mbanë regjistrin publik të ndërmjetësuesve të licencuar.

 

24.2  Regjistri përmban të gjitha të dhënat personale për secilin ndërmjetësues.

 

24.3 Kopjet e regjistrit shpërndahen rregullisht në gjykata, prokurori dhe në institucione të tjera kompetente.

 

24.4 Komisioni fshinë nga regjistri emrin e secilit ndërmjetësues, pasi të jetë marrë vendimi i formës së prerë nga Ministria në pajtim me paragrafin 2 të nenit 23 të këtij ligji.

 

24.5  Ndërmjetësuesi fshihet nga lista në rast të:

 

a)  kërkesës së tij ;

 

b)  vdekjes;

 

c)  revokimit të licencës;

 

d)  humbjes së aftësisë së veprimit;

 

e)  ushtrimit të ndonjë detyre apo funksioni, i cili është në kundërshtim ndërmjetësimin apo me ligjin në fuqi.

 

 

KREU VI

 

TË DREJTAT DHE DETYRIMET

 

Neni 25

Të drejtat dhe detyrimet e ndërmjetësuesve dhe palëve

 

Të drejtat dhe detyrimet e ndërmjetësuesit në njërën anë dhe palëve në anën tjetër, caktohen para fillimit të procedurës së ndërmjetësimit. Ndërmjetësuesi dhe palët pajtohen për të drejtat dhe detyrimet të cilave duhet tu përmbahen deri në përfundim të procedurës, në pajtim me ligjin në fuqi dhe normat e moralit.

 

Neni 26

Njohja e ndërmjetësuesve të huaj

 

Shtetasi i huaj mund të shërbej si ndërmjetësues në Kosovë në raste individuale dhe sipas kushtit të reciprocitetit, pas marrjes së pëlqimit paraprak nga Ministria e Drejtësisë.

 

Neni 27

Dispozitat ndëshkimore

 

Ndërmjetësuesi, i cili gjatë ushtrimit të detyrës së tij zbulon në mënyrë të kundërligjshme sekretin zyrtar apo në çfarëdo forme keqpërdorë detyrën zyrtare, përgjigjet sipas Kodit Penal të Kosovës.  

 

 

KREU VII

 

DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

 

Neni 28

 

28.1 Gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, nxirren aktet nënligjore.

 

28.2 Me këtë ligj nuk rregullohet procedura e ndërmjetësimit për të mitur dhe arbitrazhi tregtar. Këto dy procedura rregullohen me ligje të veçanta.

 

Neni 29

Hyrja në fuqi

 

 

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

Ligji  Nr. 03/ L-057                

18 Shtator  2008   

                                                    

Shpallur me dekretin Nr. DL- 048 - 2008, datë 03.10.2008 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,   Dr. Fatmir Sejdiu.

 

Herėn e fundit ėshtė azhuruar mė : ( e hėnė . 03 nėntor 2008 )
 
< Mbrapa   Para >