Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 03/L-099 PĖR LETĖRNJOFTIMIN
Nėn 03 2008
LIGJI NR. 03/L-099 PĖR LETĖRNJOFTIMIN
e hėnė . 03 nėntor 2008

 

LIGJI  Nr. 03/L-099 

 

 

PËR LETËRNJOFTIMIN

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

 

Në bazë të nenit 65, pika (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

 

Më qëllim të vendosjes së rregullave ligjore për letërnjoftimin e Republikës së Kosovës;

 

Miraton këtë:

 

LIGJ PËR LETËRNJOFTIMIN

 

K R E U  I

 

 DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi

 

Ky ligj përcakton rregullat ligjore të dhënies së letërnjoftimit, kompetencën si dhe procedurën e lëshuarjes së letërnjoftimit për shtetasit e Republikës së Kosovës.

 

Neni 2

Përkufizimet

 

Nocionet e përdorura në ketë ligj kanë këtë kuptim:

 

"Letërnjoftim" nënkupton dokumentin zyrtar me të cilin shtetasi i Republikës së Kosovës vërteton identitetin e tij personal: shtetësinë, gjininë, datën e lindjes, vendlindjen si dhe adresën ku banon (vendqëndrimin).

 

"Letërnjoftimi për të huaj" është dokument zyrtar më të cilin pajiset qytetari i cili në kohen e dhënies së këtij letërnjoftimi e ka të lejuar qëndrimin e përkohshëm apo qëndrimin e përhershëm në Republikën e Kosovës.

 

"Qytetar" është shtetasi i Republikës së Kosovës apo i huaji, i cili sipas dispozitave të këtij ligji duhet të pajiset me letërnjoftim.

 

"Ministria" nënkupton Ministria e Punëve të Brendshme.

 

"Të dhënat biometrike" janë të dhëna unike që paraqesin karakteristikat unike të individit dhe shërbejnë për të përcaktuar identitetin përmes pamjes së fytyrës (portretit), shenjave të gishtërinjve, ngjyrës së syve dhe grupi i gjakut.

 

"Qëndrimi i përhershëm" nënkuptojmë vendin në të cilin shtetasi vendoset me qellim që të jetojë përgjithmonë.

 

"Ditët" nënkupton ditët e punës.

 

Neni 3

 

Letërnjoftimi mund të shërbejë si dokument identifikues (udhëtimi) për kalimin e kufirit shtetëror, në qoftë se kjo është e rregulluar me marrëveshje ndërmjet shteteve.

 

 

Neni 4

 

4.1 Çdo shtetas i Republikës së Kosovës më i vjetër se gjashtëmbëdhjetë (16) vjeç, është i detyruar të pajiset me letërnjoftim.

 

4.2  Te drejtën për t'u pajisur me letërnjoftim për të Huaj, e ka qytetari i cili në kohën e dhënies së këtij letërnjoftimi, e ka të rregulluar qëndrimin e përkohshëm apo qëndrimin e përhershëm në Republikën e Kosovës.

 

4.3  Shtetasi nuk mund të posedojë me shumë se një letërnjoftim të lëshuar në Republikën e Kosovës.

 

Neni 5

 

Shtetasi është i detyruar të ketë letërnjoftimin me vete, dhe me kërkesën e personit zyrtar të autorizuar me ligj, është i detyruar që t'ia japë letërnjoftimin për identifikim.

 

 

Neni 6

 

6.1 Shtetasi nuk ka të drejtë te japë letërnjoftimin e vet personit tjetër për përdorim apo ta përdorë letërnjoftimin e huaj si të vetin.

 

6.2 Letërnjoftimi i huaj nuk lejohet të keqpërdoret me qëllim të sigurimit të ndonjë përfitimi apo të drejte, për vete ose një personi tjetër fizik ose juridik.

 

 

K R E U II

 

KOMPETENCAT DHE MËNYRA E DHËNIES SË LETËRNJOFTIMIT

           

 

Neni 7

 

Organ kompetent për dhënien e letërnjoftimit është Ministria e Punëve të Brendshme (në vazhdim të tekstit: Ministria).

 

Neni 8

 

8.1  Formën e letërnjoftimit e përcakton Ministria.

 

8.2  Letërnjoftimi përmban:

 

a)   simbolin e shtetit të Kosovës;

 

b)   emrin e dokumentit;

 

c)   numrin serik të letërnjoftimit;

 

d)   vendin e regjistrimit;

 

e)   emrin dhe mbiemrin;

 

f)   datën dhe vendin e lindjes;

 

g)  gjininë;

 

h)  shtetësinë;

 

i)   numrin personal;

 

j)   afatin e  kohëzgjatjes; dhe

 

k)  vendin dhe organin qe e lëshon letërnjoftimin;

 

8.3  Letërnjoftimi përmban fotografinë dhe të dhënat biometrike të bartësit të dokumentit.

 

8.4 Format e formularëve për tu pajisur me letërnjoftim, letërnjoftim të humbur, të dëmtuar, përcaktohen me akt nënligjor dhe në pajtueshmëri me dispozitat e  këtij ligji.       

 

8.5  Procesimi, personalizimi dhe prodhimi i letërnjoftimit bëhet nga Ministria.

 

8.6 Shpërndarjen e letërnjoftimit e benë organi i caktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

 

8.7  Formularët për tu pajisur me letërnjoftim prodhohen nga personi juridik, i autorizuar nga Ministria.

 

Neni 9

 

9.1 Formularët dhe letërnjoftimi shtypen në gjuhet zyrtare dhe gjuhët zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës.

 

9.2  Formularët dhe letërnjoftimi shtypen në alfabetin latin.

 

K R E U III

 

VLEFSHMЁRIA E LETËRNJOFTIMIT

 

Neni 10

 

10.1  Letërnjoftimi jepet në vlefshmëri prej dhjetë (10) viteve.

 

10.2 Për personat e moshës gjashtëmbëdhjetë (16) deri në njëzetegjashtë (26) vjet letërnjoftimi u jepet me vlefshmëri prej pesë (5) viteve.

 

10.3 Për personat më të vjetër se gjashtëdhjetë (60) vjet letërnjoftimi u jepet në vlefshmëri të përhershme.

 

 

Neni 11

 

11.1 Bartësi i letërnjoftimit i cili brenda pesë viteve humb, dëmton apo tjetërson dy apo më shumë letërnjoftime, i jepet letërnjoftimi në kohëzgjatje prej një viti.

 

11.2 Dispozita nga paragrafi 1 i këtij neni nuk zbatohet, nëse shtetasi, të cilit i është tjetërsuar letërnjoftimi, argumenton që tjetërsimin e ka lajmëruar si vepër penale.

 

Neni 12

 

12.1 Personi të cilit i është ndaluar largimi jashtë vendit, nuk mund ta përdorë letërnjoftimin për këtë qellim gjatë afatit të ndalimit.

 

12.2   Lidhur me ndalesën vendos vetëm gjykata e cila njofton Ministrinë.

 

12.3  Ankesa kundër vendimit nga paragrafi 2 i këtij neni nuk e ndalon ekzekutimin e tij.

 

12.4  Pas pushimit të arsyeve për ndalesën e përdorimit të letërnjoftimit për kalimin e kufirit shtetëror gjykata nga paragrafi 1 i këtij neni duhet të lajmërojë menjëherë Ministrinë.

 

Neni 13

 

13.1 Shtetasi duhet që brenda tridhjetë (30) ditëve të bëjë kërkesën dhe të dorëzojë letërnjoftimin në  organin kompetent nëse:

 

a)  ndërron emrin dhe mbiemrin;

 

b) ndërron vendbanimin e përhershëm;

 

c) fotografia nuk tregon më pamjen e tij të vërtetë.

 

13.2 Shtetasi nga paragrafi 1 i këtij neni, ka të drejtë të  paraqesë kërkesë për lëshimin e letërnjoftimit të ri, sipas  mënyrës së përcaktuar në nenin 16 të këtij ligji.

 

Neni 14

 

14.1  Pavarësisht nga kushtet e parapara në nenin 10 të këtij ligji, vlefshmëria e letërnjoftimit skadon:

 

a)  me vdekjen e personit;

 

b)  me humbjen e shtetësisë së Kosovës;

 

c)  nëse shtetasi e çlajmëron vendbanimin për shkak të shpërnguljes nga Republika e Kosovës;

 

d)  me kalimin e afatit të vlefshmërisë.

 

14.2 Poseduesi i letërnjoftimit nga pika b) dhe c), paragrafi 1 i këtij neni, duhet që Letërnjoftimin t'ia dorëzojë organit kompetent brenda tetë ditëve pas paraqitjes së arsyeve nga pika b dhe c e paragrafit 1 të këtij neni.

 

 K R E U  IV

 

LËSHIMI I LETËRNJOFTIMIT

 

Neni 15

 

15.1  Shtetasi e paraqet personalisht kërkesën për tu pajisur me letërnjoftim në organin kompetent.

 

15.2  Për shtetasit më të rinj se tetëmbëdhjetë (18) vjet si dhe shtetasit që nuk kanë zotësi veprimi kërkesën e paraqet përfaqësuesi ligjor.

 

15.3  Organi kompetent i lëshon paraqitësit të kërkesës dëshmi mbi pranimin e kërkesës.

 

Neni 16

 

16.1 Kërkesa për tu pajisur më letërnjoftim bëhet me formularë të paraparë.

 

16.2. Formulari nga paragrafi 1 i  këtij neni, duhet të përmbajë të dhënat paraprake:

 

a)  emrin dhe mbiemrin;

 

b)  datën e lindjes, vendin e lindjes, numrin personal dhe gjininë;

 

c)  vendbanimin;

 

d)  vendqëndrimin;

 

e)  shtetësinë;

 

f)  emrat e prindërve, datat e lindjes dhe numrat personal;

 

g)  datën dhe vendin e paraqitjes së kërkesës;

 

h)  emrin dhe mbiemrin si dhe vendbanimi i përfaqësuesit ligjor.

 

16.3 Kërkesës për tu pajisur me letërnjoftim, organi kompetent duhet t'i bashkëngjes në format elektronike shënimet biometrike si fotografia, shenjat e gishtërinjve, nënshkrimi, në harmoni me standardet ndërkombëtare.

 

16.4   Në kërkesën për tu pajisur me letërnjoftim, të dhënat duhet të jenë të sakta.

 

16.5 Organi kompetent është i detyruar të lëshojë letërnjoftimin, më së voni pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e paraqitjes së kërkesës.

 

16.6  Letërnjoftimi mund t'i dorëzohet shtetasit drejtpërdrejt nga organi kompetent.

 

16.7. Nëse shtetasi nuk e tërheq letërnjoftimin brenda tridhjetë (30) ditëve, letërnjoftimi i kthehet organit kompetent.

 

16.8. Përjashtimisht nga paragrafi 7 i këtij neni në raste të arsyeshme afati për tërheqjen e letërnjoftimit mund të zgjatet për një kohë arsyeshme, por jo më gjatë se gjashtë muaj.

 

 

Neni 17

 

17.1 Dëmtimin, humbjen apo vjedhjen e letërnjoftimit, shtetasi duhet ta lajmërojë të organi kompetent brenda tetë ditëve, duke bërë përshkrimin e rrethanave të dëmtimit, humbjes apo vjedhjes së letërnjoftimit.

 

17.2 Dëmtimin, humbjen apo vjedhjen e letërnjoftimit jashtë vendit, shtetasi duhet që brenda tetë ditëve pas hyrjes në Republikën e Kosovës, të lajmërojë organin kompetent në mënyrën, e përcaktuar nga paragrafi 1 i këtij neni.

 

17.3 Pas shpalljes së letërnjoftimit të humbur si të pavlefshëm, organi kompetent me kërkesë të shtetasit i lëshon atij letërnjoftimin e ri.

 

K R E U  V

 

EVIDENCAT

 

Neni 18

 

18.1  Evidencën mbi kërkesat e pranuara dhe letërnjoftimet e lëshuara i udhëheq dhe i mbanë Ministria.

 

18.2  Evidenca nga paragrafi 1 i këtij neni, përmban:

 

a) të dhënat nga paragrafi 2 dhe 3 të nenit 16 të këtij ligji;

 

b) datën e lëshimit të letërnjoftimit;

 

c) afatin e vlefshmërisë së letërnjoftimit;

 

d) numrin serik të regjistrimit të letërnjoftimit;

 

e) të dhënat për letërnjoftimet e dëmtuara, të humbura, të vjedhura dhe të shpallura të pavlefshme;

 

f) të dhënat nga paragrafi 1 i nenit 12 të këtij ligji.

 

18.3  Të dhënat nga evidenca i udhëheqë Ministria, pesë vite pas pushimit të vlefshmërisë të letërnjoftimit.

18.4  Të dhënat për ndalimin e përdorimit të letërnjoftimit për kalimin e kufirit shtetëror organi kompetent i shkatërron pas pesë viteve, kur kalon arsyeja për këtë ndalesë.

 

Neni 19

 

Institucionet shtetërore varësisht nga autorizimi i përcaktuar me ligj, mund t'i përdorin të dhënat nga evidenca për letërnjoftimet e lëshuara në pajtim me ligjin e aplikueshëm në Kosovë për mbrojtjen e të dhënave personale.

 

K R E U  VI

 

MBIKËQYRJA

 

Neni 20

 

20.1 Mbikëqyrjen për zbatimin e dispozitave të këtij ligji e bënë Ministria e Punëve të Brendshme.

 

20.2 Ministria e Punëve të Brendshme, ka të drejtën të mbikëqyrë personin juridik, ndërmarrjet apo organizatat nga paragrafi 7 i nenit 8 të këtij ligji.

 

K R E U  VII

 

DISPOZITAT NDЁSHKIMORE

 

Neni 21

 

Me gjobë prej njëqind (100) deri dyqind (200) € ose me burgim deri në tridhjetë (30) ditë dënohet për kundërvajtje shtetasi:

 

a) që nuk e ka letërnjoftimin valid, të pajisur me fotografi, që e ka lëshuar organi kompetent nga paragrafët 1 dhe 2 të nenit 4 të këtij ligji;

 

b) që me kërkesën e personit zyrtar, të autorizuar me ligj, nuk dëshiron ta  jap për identifikim letërnjoftimin, sipas nenit 5 të këtij ligji;

 

c) që letërnjoftimin e tij e jep apo huazon personit tjetër për përdorim ose përdor letërnjoftimin e huaj si të vetin,  paragrafi 1 i nenit 6 të këtij ligji;

 

d)  që në kërkesën për tu pajisur me letërnjoftim, shënon të dhëna të pavërteta, paragrafi 4 i nenit 16 të këtij ligji;

 

e)  përdor letërnjoftimin në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 12 të këtij ligji;

 

f)  që ka më shumë se një letërnjoftim të vlefshëm, paragrafi 3 i nenit 4 të këtij ligji;

 

g) që përdor letërnjoftimin e huaj me qëllim të sigurimit të ndonjë përfitimi apo të drejte, paragrafi 2 i nenit 6 të këtij ligji.

           

 

Neni 22

 

Me gjobë prej pesëdhjetë (50) deri në dyqind (200) € do të dënohet për kundërvajtje shtetasi:

 

a) që nuk ia dorëzon organit kompetent letërnjoftimin në afatin e caktuar në paragrafin 1 të nenit 13 të këtij ligji;

 

b)  që nuk e  ka me vete letërnjoftimin;

 

c) kur nuk ia dorëzon organit kompetent letërnjoftimin në afatin e caktuar pas paraqitjes së arsyeve për pushimin e vlefshmërisë së tij, paragrafi 2 i nenit 14 të këtij ligji;

 

d) që në afatin e caktuar me ligj dhe në mënyrë të rregullt nuk e lajmëron organin kompetent për humbjen apo gjetjen e  letërnjoftimit, paragrafi  1 dhe 2  i nenit 17 të këtij ligji.

 

Neni 23

 

Të gjitha mjetet të cilat përfitohen nga gjobat, derdhen në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës.

 

KREU VIII

 

DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

 

Neni 24

 

Ministria, tre muaj pas aprovimit të këtij ligji:

 

a) cakton formën e formularëve nga nenet  8, 16, 17, dhe 18, të këtij ligji dhe mënyrën e evidentimit të ndalesës nga paragrafi 2  i nenit 12 të këtij ligji;

 

b) cakton mënyrën e udhëheqjes së evidencës nga neni i 18 i këtij ligji;

 

c) cakton formën dhe mënyrën e punimit të letërnjoftimit si dhe, ruajtjen, përdorimin, kthimin dhe shkatërrimin e të dhënave nga neni 16 i këtij ligji.

 

Neni 25

 

Letërnjoftimi i lëshuar para hyrjes në fuqi të këtij ligji, mund të përdoret deri në skadimin e vlefshmërisë së tij por jo më gjatë se një (1) vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

KREU IX

 

DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

 

Neni 26

 

Ky ligj do të zëvendësojë të gjitha dispozitat e ligjit të aplikueshëm me të cilat është në papajtueshmëri.

 

Neni 27

 

Ministria e Punëve të Brendshme do të nxjerr akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji.

 

KREU X

 

HYRJA NE FUQI

 

Neni 28

 

Ky ligj hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

 

Ligji Nr. 03/ L- 099                

3 Tetor 2008   

 

Shpallur me dekretin Nr. DL- 049- 2008, datë 13.10.2008 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,   Dr. Fatmir  Sejdiu.

 

 
< Mbrapa