Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 02/L-133 PĖR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TĖ INTERESIT NĖ USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
Sht 23 2008
LIGJI NR. 02/L-133 PĖR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TĖ INTERESIT NĖ USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK
e martė . 23 shtator 2008

LIGJI NR. 02/L-133

 

PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT

NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK

 

 

Kuvendi i Kosovës,

 

Në bazë të kreut 9.1.26, pika (a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9, datë 15 maj 2001) dhe me qëllim të rregullimit të konfliktit të interesit publik e atij privat të ushtruesve të funksioneve publike,

 

Miraton këtë:

LIGJ PËR PARANDALIMIN E KONFLIKTIT TË INTERESIT

NË USHTRIMIN E FUNKSIONIT PUBLIK

 

Neni 1

Qëllimi

 

Qëllimi i këtij ligji është parandalimi i konfliktit ndërmjet interesit publikë dhe interesit privatë të zyrtarit në ushtrimin e funksionit publik.

 

Neni 2

Objekti

 

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i rregullave, subjekteve, përgjegjësive dhe kompetencave për identifikimin, trajtimin dhe zgjidhjen e rasteve të konfliktit të interesit publik dhe interesit privat të zyrtarit gjatë ushtrimit të funksionit publik.

 

Neni 3

Fushëveprimi i ligjit

 

Dispozitat e këtij ligji përcaktojnë rregulla të detyrueshme për t'u zbatuar nga çdo zyrtar, kur ai merr pjesë drejtpërdrejtë apo në mënyrë të tërthortë, në një vendimmarrje gjatë ushtrimit të funksionit publik.

 

Neni 4

Përkufizimet

 

Për nevojat dhe qëllimin e këtij ligji përkufizimet e mëposhtme kanë këtë kuptim:

 

“Interes publik” nënkupton besimin dhe pritjen e publikut për sa i përket vendimmarrjes së paanshme dhe të drejtë të zyrtarëve në ushtrimin e funksionit publik.

 

“Interes privat” nënkuptojmë, interesin privat pasuror ose personal jo pasuror të zyrtarit që mund të ndikojnë në vullnetin e tij në vendimmarrje gjatë ushtrimit të funksionit publik.

 

“Konflikt i interesit” nënkuptojmë konfliktin e interesit publik dhe interesit privat të zyrtarit në kuptim të nenit 7 të këtij ligji.

 

“Person i afërt” është çdo person fizik ose juridik, i cili ka pasur ose ka lidhje interesi, pasurore ose personale jo pasurore, me zyrtarin sipas nenit 6 të këtij ligji.

 

“Zyrtar” për nevojat e këtij ligji nënkuptojmë personat sipas nenit 5 të këtij ligji.

 

Agjencion” nënkupton Agjencionin Kosovar i Antikorrupsionit, themeluar me Ligjin nr. 2004/34 kundër korrupsionit (shpallur me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2005/26, datë 12.05.2005).

 

Neni 5

Zyrtari

 

Zyrtar në kuptim të këtij ligji janë këta ushtrues të funksionit publik:

 

i. Kryetari i Kuvendit dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës;

 

ii. Të gjithë ushtruesit e funksioneve publike të emëruar nga Kuvendi i Kosovës, që nuk përmenden shprehimisht në nenin 5 të këtij ligji;

 

iii. Kryetari i Kosovës;

 

iv. Të gjithë ushtruesit e funksioneve publike të emëruar nga Kryetari i Kosovës, që nuk përmenden shprehimisht në nenin 5 të këtij ligji;

 

v. Kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat dhe zëvendësministrat e Qeverisë së Kosovës;

 

vi. Të gjithë ushtruesit e funksioneve publike të emëruar nga Qeveria, Kryeministri dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës, që nuk përmenden shprehimisht në nenin 5 të këtij ligji;

 

vii. Kryetarët dhe gjyqtarët e gjykatave të të gjitha niveleve;

 

viii. Prokurorët publik dhe zëvendësprokurorët e të gjitha niveleve;

 

ix. Personat që kryejnë funksione publike në strukturat e rendit dhe sigurisë;

 

x. Personat e akredituar jashtë vendit si përfaqësues të Kosovës;

 

xi. Udhëheqësit e sekretarive dhe zyrave të tjera të Kryetarit të Kosovës, Kuvendit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës;

 

xii. Sekretarët e përhershëm të kryeministrisë dhe të ministrive si dhe udhëheqësit e agjencive;

 

 

   xiii. Udhëheqësit e departamenteve, drejtorateve apo institucioneve tjera të nivelit qendror të krijuara me ligj apo akt tjetër, dhe vartësit e tyre të drejtpërdrejt në hierarkinë e institucionit, e që i përgjigjen për punën e tyre Kuvendit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës apo ministrive/ave;

 

xiv. Kryetari, anëtarët e kuvendeve të Komunës dhe anëtarët e Komisioneve dhe trupave tjera të kuvendeve të Komunës;

 

xv. Kryeshefi ekzekutiv, udhëheqësit e drejtorateve, inspektorateve dhe institucioneve tjera komunale;

 

xvi. Auditorët dhe inspektorët e nivelit qendror dhe lokal;

 

xvii. Udhëheqësit e bankave, institucioneve financiare me kapital publik;

 

xviii. Udhëheqësit e ndërmarrjeve publike;

 

xix. Rektori, prorektori, anëtarët e këshillit drejtues, dekanët, prodekanët si dhe sekretarët e universitetit publik; dhe

 

xx. Personat e huaj që ushtrojnë funksion publik në Kosovë, sipas porosisë dhe për interes të Kosovës.

 

 

Neni 6

Personi i afërt me zyrtarin

 

Person i afërt me zyrtarin, sipas këtij ligji është bashkëshorti ose personi që bashkëjeton me zyrtarin, të afërmit në vijë të drejt të gjakut pa kufizim, adoptuesi, i adoptuari, të afërmit në vijë të tërthortë deri në shkallë të katërt, në gjini të krushqisë deri në shkallën e dytë si dhe personat e tjerë për të cilët sipas bazave dhe rrethanave tjera konsiderohet se i lidhë interesi me zyrtarin.

 

Neni 7

Konflikti i interesit

 

Konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesit privat të një zyrtari, kur gjatë ushtrimit të funksionit të tij zyrtari ose personi i afërt ka interes privatë pasuror ose personal jo pasuror, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikon, ose mund të ndikoj në kryerjen në mënyrë të drejtë të funksionit publik, kur gjendet në situata të shkeljes së mundshme të parimeve, të kufizimeve dhe ndalesave apo detyrimeve, sipas dispozitave të këtij ligji.

 

Neni 8

Mënyra e sjelljes së zyrtarit

 

8.1 Zyrtari duhet ta kryej punën e tij me nder, me ndërgjegje si dhe në pajtim me dispozitat kushtetuese, ligjin dhe dispozitat tjera që përcaktojnë pozitën e tij si dhe të arsyetoj besimin e dhënë nga qytetarët që e kanë zgjedhur apo institucioni që e ka emëruar.

 

8.2 Zyrtari gjatë ushtrimit të funksionit publik duhet të veproj në mbrojtje të interesit publik dhe nuk ka të drejt që interesin e tij privat ta vërë para interesit publik, për mbrojtjen e të cilit është zgjedhur apo emëruar.

 

Neni 9

Parimet e veprimit të zyrtarit

 

9.1 Zyrtari duhet ta kryej punën e tij me ndershmëri, ndërgjegje, paanshmëri, të ruajë autoritetin e zyrtarit dhe institucionit dhe me punën e tij të rrisë besimin e qytetarëve në institucione.

 

9.2   Zyrtari ushtron funksionin e tij në pajtim me ligjin dhe kodin e mirësjelljes.

 

9.3 Zyrtari përgjigjet personalisht për veprimet e tij gjatë ushtrimit të funksionit në të cilin është emëruar apo zgjedhur nga institucioni apo qytetarët.

 

9.4 Zyrtari nuk ka të drejt të shfrytëzojë dhe duhet të përmbahet nga shfrytëzimi i funksionit publik për përfitim personal.

 

9.5 Zyrtari gjatë ushtrimit të funksionit publik nuk ka të drejt të krijojë marrëdhënie varësie nga persona tjerë që do të mund të ndikonin në paanshmërinë dhe shprehjen e vullnetit të lirë në vendimmarrje.

 

9.6 Zyrtari për punën që kryen në ushtrimin e funksionit nuk ka të drejt të pranojë apo kërkojë shpërblim tjetër përveç kompensimit apo pagës nga institucioni.

 

9.7 Zyrtari nuk duhet të lejoj që interesat e tij private të bien në konflikt me funksionin e tij. Ai duhet të shmang konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, apo i mundshëm.

 

9.8 Zyrtari gjatë ushtrimit të funksionit të tij duhet të veprojë me transparencë duke respektuar të drejtën e organeve përfaqësuese dhe të drejtën e qytetarëve që të informohen për veprimet e zyrtarit si personalitet publik.

 

Neni 10

Kufizimi i zyrtarit në ushtrimin e veprimtarive të tjera, jashtë ushtrimit të funksionit

 

Zyrtari gjatë ushtrimit të funksionit publik nuk mund të ushtroj funksion tjetër, përjashtimisht vetëm me pëlqimin e institucionit i cili e ka zgjedhur apo emëruar dhe që nuk është në kundështim me dispozitat e këtij ligji apo ligjit tjetër.

 

Neni 11

Veprimet e ndaluara për zyrtarin

 

Zyrtarit në ushtrimin e veprimtarisë së tij i ndalohen këto veprime:

 

i. të kërkojë apo pranoj shpërblim apo premtim shpërblimi lidhur me ushtrimin e funksionit:

 

ii. të fitojë ndonjë të drejt, apo të pranoj premtim për fitimin e saj, në rastet kur shkelet parimi i barabarësisë para ligjit;

        

iii. keqpërdorimi i autorizimeve të cilat rrjedhin nga ushtrimi i funksionit publik;

 

iv. të kërkojë, përvetësojë, pranojë gjëra me vlerë apo shërbime në kompensim të votës së tij në vendimmarrje;

v. të ndikojë në vendimin e ndonjë zyrtari apo trupi për arsye të përfitimit material personal apo personit në lidhje me të;

 

vi. të premtojë punësim apo ndonjë të drejt tjetër në ndërrim për dhuratë apo dhuratë të premtuar;

 

vii. të ndikojë në marrje - dhënie të punëve apo furnizimeve publike për përfitime personale;

 

viii. të shfrytëzojë informatat e besueshme që i ka në dispozicion apo të marra në mirëbesim në ushtrimin e funksionit për përfitime personale apo për përfitime të personave të afërt;

 

ix. të ndikojë në vendimmarrje të organeve legjislative, gjyqësore apo ekzekutive duke shfrytëzuar pozitën e zyrtarit me qëllim të përfitimit personal apo të personave të afërt;

 

x. të  ndërmarr veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten interesit personal të tijë apo interesit të personave të afërt;

 

xi. të ndërmarr veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten apo do të favorizonin interesin privat të ndonjë personi tjetër në dëm të interesit publik. 

 

Neni 12

Kufizimet e zyrtarit pas largimit nga ushtrimi i funksionit publik

 

12.1   Zyrtari i cili përfundon ushtrimin e funksionit publik nuk ka të drejtë për 1(një) vit të punësohet ose të emërohet në pozitë udhëheqëse, apo të përfshihet në kontrollin e ndërmarrjeve publike apo private, nëse detyrat e tij gjatë periudhës 2 (dy) vjeçare para përfundimit të ushtrimit të funksionit publik kanë qenë drejtpërdrejtë të lidhura me mbikëqyrjen apo kontrollin e afarizmit të atyre ndërmarrjeve.

 

12.2  Përjashtimet nga kufizimet sipas paragrafit 1 të këtij neni do të përcaktohen nga Agjencioni me akt nënligjor.

 

Neni 13

Ushtrimi i veprimtarive tjera nga zyrtari

 

13.1 Zyrtari i zgjedhur si përfaqësues i partisë politike ruan të drejtën e ushtrimit të funksionit në parti politike nëse me ligj të veçantë nuk është paraparë ndryshe.

 

13.2 Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari mund të ushtrojë punë nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës dhe veprimtarisë humanitare.

 

13.3 Gjatë kohës së ushtrimit të funksionit publik, zyrtari mund të realizojë fitime në bazë të drejtave të autorit, patentat dhe të drejtave të ngjashme.

 

 

Neni 14

Anëtarësia e zyrtarit në organizata joqeveritare

 

14.1 Zyrtari mund të jetë anëtar i organit drejtues të organizatës joqeveritare nga lëmi i veprimtarisë humanitare, të kulturës, sportit dhe të ngjashme pa të drejtë pagese, përjashtimisht kompensimit për shpenzime të udhëtimit, dhe të ngjashme.

 

14.2 Organizata joqeveritare me anëtar të organit drejtues nga paragrafi 1 i këtij neni nuk mund të përfitoj mjete nga Buxheti i Kosovës nëse anëtari i organit drejtues të organizatës joqeveritare, në cilësinë e zyrtarit, ka ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në vendimmarrje, me rastin e vendosjes për Organizatat Joqeveritare përfituese nga mjetet e Buxhetit të Kosovës.

 

Neni 15

Detyrimi i zyrtarit për parandalimin e konfliktit të interesit

 

15.1 Me zgjedhjen ose emërimin e tij, zyrtari ka për detyrë të parandalojë dhe të zgjidhë vetë, sa më parë dhe në mënyrën sa më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit të tij të interesit.

 

15.2 Në rast se zyrtari është në mëdyshje për ekzistencën apo jo të një konflikti interesi të lidhur me të, ai duhet të këshillohet sa më parë me udhëheqësin e drejtpërdrejtë apo organin udhëheqës.

 

15.3 Çdo udhëheqës dhe institucion udhëheqës duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dhe zgjidhur rastet e konfliktit të interesit.

 

15.4 Në rast se udhëheqësi apo institucioni udhëheqës nuk është i bindur për ekzistimin e konfliktit të interesit apo dyshon se edhe ai ka ose mund të ketë konflikt të interesit atëherë i drejtohet Agjencionit, për marrje të vendimit për rastin.

 

15.5 Zyrtarët udhëheqës të institucioneve, që nuk kanë udhëheqës të drejtpërdrejt për situatën e përshkruar në paragrafin 2 të këtij neni i drejtohen Agjencionit.

 

Neni 16

Ndikimi në vullnetin e zyrtarit

 

16.1 Nëse ndaj zyrtarit gjatë dhe lidhur me ushtrimin e funksionit publik ushtrohet ndikim i drejtpërdrejt apo i tërthortë, haptazi apo në mënyrë anonime për të votuar apo marr vendim të caktuar, duhet të njoftoj me shkrim udhëheqësin apo organin udhëheqës që të mënjanohen ndikimet mbi vullnetin e tij.

 

16.2 Rasti i tentimit të ndikimit në vullnetin e zyrtarit nga paragrafi 1 i këtij neni duhet ti lajmërohet institucionit që e ka zgjedhur apo emëruar si dhe Agjencionit i cili pas shqyrtimit do të vendos nëse ka nevojë ose jo të lajmërohet rasti organeve të ndjekjes.

 

16.3 Në rast tentim të ndikimit në vullnetin e zyrtarit, sipas paragrafit 1 të këtij neni zyrtari duhet të veproj në pajtim me ligjin duke ndërmarr këta hapa:

 

i.  të refuzojë ofertën e tillë;

 

ii. të provojë identifikimin e personit që ka bërë ofertën e tillë nëse oferta është anonime;

 

iii. nëse është fjala për dhuratë e cila për shkak të rrethanave nuk mund të kthehet, zyrtari duhet menjëherë ta njoftojë me shkrim dhe ta dorëzojë të udhëheqësi mundësisht sa më shpejt, maksimalisht deri në 5 (pesë) ditë; si dhe

 

iv. të tregojë dëshmitarët e ndodhisë nëse kjo është e mundur.

 

16.4 Votimi dhe vendimi i marrë nën ndikim mbi vullnetin e zyrtarit është i pavlefshëm.

 

Neni 17

Bartja e të drejtave në drejtimin e ndërmarrjes

 

17.1 Zyrtari pronar i aksioneve gjegjësisht pjesës së kapitalit, në vlerë mbi 20%, të kapitalit të ndërmarrjes gjatë kohës së ushtrimit të funksionit duhet ti bart të drejtat në drejtimin e ndërmarrjes në ndonjë person tjetër (në tekstin në vijim personi i besuar), por jo në personat nga neni 6 i këtij ligji.

 

17.2 Personi i besuar nga paragrafi 1 i këtij neni do të veprojë në drejtim të realizimit të drejtave të anëtarit dhe të drejtave nga kapitali në emër të tij por për llogari të zyrtarit.

 

17.3 Personi i besuar, nga paragrafi 1 i këtij neni konsiderohet person i afërt në kuptim të nenit 6 të këtij ligji.

 

17.4 Nëse personi i besuar krijon marrëdhënie afariste me institucionet e qeverisjes qendrore apo lokale, me ndërmarrjet publike apo me ndërmarrjet ku kapitali i pronës publike ka më shumë se 25% të kapitalit apo aksioneve, është i detyruar që të njoftoj zyrtarin lidhur me marrëdhëniet e tilla afariste.

 

17.5 Gjatë kohës derisa të drejtat për administrim me ndërmarrjen i janë bartur personit tjetër, zyrtari nuk ka të drejtë të jap informata, udhëzime, urdhëresa apo në ndonjë mënyrë tjetër të qëndroj në lidhje me personin e besuar ashtu që të ketë ndikim në realizimin e të drejtave dhe përmbushjen e detyrave që dalin nga të drejtat e anëtarëve të ndërmarrjeve të tilla.

 

17.6 Zyrtari ka të drejt që 1 (njëherë) në vit të informohet për ecuritë dhe gjendjen në ndërmarrjen ku ka pjesëmarrje, më shumë se një herë në vit mund të informohet për gjendjen në ndërmarrje vetëm sipas kërkesës së aprovuar nga Agjencioni.

 

17.7 Zyrtari nuk mund të jetë anëtar i organeve drejtuese të ndërmarrjeve.

 

17.8 Përjashtimisht zyrtari mund të jetë anëtar i organit drejtues të ndërmarrjes në pronë publike apo shoqatës aksionare me pronë publike, mirëpo pa të drejt kompensimi apo pranimi të dhuratës përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve tjera të nevojshme.

 

17.9 Zyrtari ka të drejt të jetë anëtar i organeve drejtuese dhe mbikëqyrëse i personave të tjerë juridik jofitimprurës dhe personave juridik tjerë, të cilat kryejnë punë shkencore, humanitare, kulturore, sportive dhe veprimtari të ngjashme, por pa të drejt pranimi të kompensimit dhe të dhuratave në atë cilësi, përveç të drejtës në kompensim të shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve tjera të nevojshme.

 

17.10 Zyrtari i cili ushtron veprimtari të pavarur, ndërmarrje apo veprimtari tjetër fitimprurëse, është i detyruar për këtë të lajmërojnë institucionin ku ushtron funksioni publik në afatin prej tridhjetë ditësh nga dita e pranimit të funksionit.

 

Neni 18

Përgjegjësia për zbatimin e këtij ligji

 

Autoriteti qendror kompetent për zbatimin e këtij ligji është Agjencioni Kosovar i Antikorrupcionit.

 

Neni 19

Baza e veprimit të Agjencionit

 

Agjencioni vepron duke u bazuar në këtë ligj dhe në legjislacionin tjetër në fuqi lidhur me këtë qështje.

 

Neni 20

Inicimi i procedurës nga Agjencioni

 

20.1 Procedura para Agjencionit fillon zyrtarisht nga Agjencioni, me kërkesën e udhëheqësit mbikëqyrës, organit mbikëqyrës të zyrtarit apo me kërkesën e vet zyrtarit.

 

20.2 Agjencioni mund ta fillojë procedurën në bazë të lajmërimit të ndonjë personi tjetër apo lajmërimit anonim.

 

20.3 Agjencioni për fillimin e procedurës do ta informojë zyrtarin dhe do të kërkojë ballafaqimin e tij me deponimet e denoncimit.

 

20.4 Procedura nga Agjencioni është e mbyllur për publikun. Agjencioni i bën të njohura vetëm rezultatet përfundimtare të procedurës së zhvilluar.

 

20.5 Agjencioni në rast të dyshimit për ekzistimin e shkeljes do të njoftoj zyrtarin për të cilin ekziston dyshimi se ka bërë shkelje të rregullave të sjelljes të përcaktuara me këtë ligj.

 

20.6 Agjencioni në mënyrë të pavarur i vërteton faktet, ndërsa institucionet tjera në kuadër të kompetencave të tyre janë të detyruara që pa shtyrje, sipas kërkesës së Agjencionit t’i vejnë në disponim faktet dhe të dhënat e kërkuara.

 

20.7 Pas zhvillimit të procedurave të parapara, Agjencioni, bie vendim në formë të shkruar, nëse veprimet e caktuara apo lëshimet e zyrtarit, paraqesin shkelje të këtij ligji.

 

20.8 Vendimi sipas paragrafit 7, të këtij neni i dërgohet për ekzekutim institucionit ku punon zyrtari përkatës, duke pasur parasysh edhe Ligjin kundër Korrupcionit.

 

20.9 Për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve, nga paragrafi 7 i këtij neni, Agjencioni formon Komisionin për Shqyrtimin e Ankesave. Organizimi dhe funksionimi i Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave do të rregullohet me akt nënligjor.

          

Neni  21

Sanksionet për shkeljen e dispozitave të këtij ligji

 

Zyrtari, me pranimin e funksionit publik sipas nenit 5 të këtij ligji, do të jep deklaratë me shkrim e cila përmban edhe pëlqimin për zhvillimin e procedurës para Agjencionit. Sipas kërkesave të këtij ligji zyrtarët do të japin deklaratën, që sipas propozimit dhe kërkesës së Agjencionit do të ofrojnë dorëheqje, institucionit i cili ka bërë emërimin e tij, për format më të rënda të shkeljeve të këtij ligji.

 

Neni 22

Mos përjashtimi i përgjegjësive tjera ligjore

 

Dispozitat e këtij ligji nuk përjashtojnë përgjegjësinë disiplinore, materiale e penale të zyrtarit sipas ligjeve përkatëse për rastet që trajtohen nga Agjencioni sipas këtij ligji.

 

Neni 23

Zbatimi i ligjit

 

Për zbatimin e këtij ligji, Agjencioni, nxjerr aktet përkatëse nënligjore.

 

Neni 24

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës dhe 30 ditë shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.

 

 

 

UNMIK/REG/ 2008/32

14.06.2008
Herėn e fundit ėshtė azhuruar mė : ( e mėrkurė . 01 tetor 2008 )
 
< Mbrapa   Para >