Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 02/L-25 PĖR THEMELIMIN E INSTITUTIT GJYQĖSOR TĖ KOSOVĖS
Pri 19 2008
LIGJI NR. 02/L-25 PĖR THEMELIMIN E INSTITUTIT GJYQĖSOR TĖ KOSOVĖS
e shtunė . 19 prill 2008

LIGJI NR. 02/L-25

PËR THEMELIMIN E INSTITUTIT GJYQËSOR TË KOSOVËS

Kuvendi i Kosovës

Në mbështetje të Kreut 5.3 pika (d), (dh), 9.1.26. pika (a) dhe 11.2 të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje të Përkohshme në Kosovë (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/09 datë 15 maj 2001),

Miraton:

LIGJIN PËR THEMELIMIN E INSTITUTIT GJYQËSOR TЁ KOSOVЁS

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1

1.1. Themelohet Instituti Gjyqësor i Kosovës (në tekstin e mëtejmë IGJK), si organ i pavarur profesional i cili gëzon statusin e personit juridik.

1.2. Selia e Institutit Gjyqësor të Kosovës është në Prishtinë.

1.3. IGJK mund të lidhë marrëveshje pune, bashkëpunimi dhe veprimtarie shkencore, profesionale me institucionet tjera vendore dhe ndërkombëtare.

1.4. Organet e IGJK-së janë: Këshilli drejtues dhe drejtori i IGJK-së.

1.5. Bordi menaxhues e emëron drejtorin i IGJK-së më bashkërendim me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm pas shpalljes së konkursit.

1.6 Në rastet e arsyetuara, Bordi menaxhues e shkarkon drejtorin e IGJK-së në bashkërendim me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm.

1.7. IGJK-ja si institucion kryesor për aftësim brenda sistemit gjyqësor të Kosovës duhet të kryej funksionet e veta bazuar në parimet e ligjshmërisë, paanshmërisë dhe efikasitetit.

1.8. IGJK-ja është organ i pavarur i cili vepron në bashkëpunim me KGJPK-në ose Institucionet tё cilat trashëgojnë pёrgjegjёsitё e tij për koordinimin e nevojave për aftësimin profesional të gjyqtarëve dhe të prokurorëve të Kosovës, për aftësimin e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, si dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me sistemin gjyqësor të Kosovës.

1.9. Strategjinë dhe programin e punës, IGJK-ja e harton në harmoni me parametrat e përgjithshme të përcaktuara nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës (në tekstin e mëtejmë KGJPK-ja) ose nga Institucionet tё cilat trashëgojnë pёrgjegjёsitё e tij, të cilët janë përgjegjës për çështjet gjyqësore dhe prokuroriale në Kosovë.

DISPOZITAT THEMELORE

Funksionet e IGJK-së

Neni 2

2.1 . IGJK-ja është institucioni kryesor përgjegjës për :

a) Aftësimin e bartësve dhe bartësve potencial të funksionit në gjyqësi (gjyqtarëve dhe prokurorëve);

b) Vlerësimin dhe organizimin e provimit përgatitor për gjyqtarë dhe prokurorë;

c) Kurset e posaçme të aftësimit për avancim të gjyqtarëve dhe prokurorëve;

d) Kurse për aftësimin bazë të gjyqtarëve porotë; dhe

e) Kurse për aftësimin e profesionistëve të tjerë në lëmin gjyqësisë të identifikuara nga IGJK-ja.

2.2. Gjatë punës së vet IGJK-ja :

a) Zhvillon plane aftësimi afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për një gjyqësi efikase, efektive dhe të paanshme;

b) Kryen edhe veprimtari të tjera profesionale si institucion profesional-kërkimor për zhvillimin e gjyqësisë në Kosovë në pajtim me standardet evropiane.

Këshilli drejtues i IGJK-së

Neni 3

3.1. Këshilli drejtues përbëhet prej 13 (trembëdhjetë) anëtarëve.

3.2. Anëtarë mandator të Këshillit janë Kryetari i Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës ose Institucionet tё cilat trashëgojnë pёrgjegjёsitё e tij dhe Drejtori i Departamentit të Administratës Gjyqësore.

3.3. 9 (Nëntë) anëtarë emërohen nga Kuvendi i Kosovës, në bashkërendim me Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm, me propozim të institucioneve vijuese:

a) 1 (një) anëtar nga Qeveria e Kosovës;

b) 2 (dy) anëtarë nga Gjykata Supreme e Kosovës;

c) 1 (një) anëtar nga Prokuroria Publike e Kosovës;

d) 1 (një) anëtar nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Prishtinës;

e) 1 (një) anëtarë nga Shoqata e Gjyqtarëve të Kosovës;

f) 1 (një) anëtarë nga Shoqate e Prokurorëve të Kosovës;

g) 1 (një) anëtarë nga Oda e Avokatëve të Kosovës;

h) 1 (një) anëtar nga Shoqata e Juristeve të Kosovës.

3.4. Dy anëtarë me mandat dyvjeçarë emërohen nga institucionet vijuese:

a) 1(një) anëtar nga UNMIK-u

b) 1(një) anëtar nga OSBE-ja

3.5. Nga numri i përgjithshëm i anëtarëve të Këshillit Drejtues së paku 2 (dy) anëtarë duhet të jenë nga radhët e minoriteteve.

3.6. Këshilli Drejtues është përgjegjës për:

a) Miratimin e Statutit të IGJK-së;

b) Miratimin e projektbuxhetit të IGJK-së dhe programin e trajnimeve;

c) Përcaktimin e strukturës dhe funksioneve të IGJK-së sipas këtij ligji.

d) Metodologjinë e aftësimit të bartësve dhe bartësve potencial të funksionit gjyqësor në Kosovë;

e) Dhënien e këshillave lidhur me financimin dhe kontraktimin me donatorët për përkrahjen e programeve të IGJK-së.

3.7. Anëtarët e Këshillit Drejtues zgjedhën me mandat 2 (dy) vjeçar, me të drejtë rizgjedhje, por jo më shume se 2 (dy) mandate.

3.8. Këshilli Drejtues takohet sa herë që IGJK-ja e konsideron të nevojshme por jo më pak se një herë në tre muaj.

3.9. Mbledhjet e Këshilli Drejtues konvokohen në bazë të njoftimit të kryetarit të Këshillit Drejtues të IGJK-së.

3.10. Njoftimi duhet të dërgohet jo më vonë se 5 ditë pune para mbledhjes.

3.11. Mbledhjet e Këshillit Drejtues i kryeson Kryetari i Këshillit i cili zgjidhet nga anëtarët e Këshillit.

3.12. Drejtori i IGJK-së është i pranishëm në mbledhjet e Këshillit drejtues dhe ka të drejtë të bëjë propozime por pa të drejtë vote.

Përgjegjësitë e drejtorit të IGJK-së

Neni 4

4.1 Drejtori për punën e tij i përgjigjet Këshillit drejtues.

4.2 Drejtori i IGJK-së është përgjegjës për:

a) administrimin dhe menaxhimin e përgjithshëm të IGJK-së dhe për garantimin e

zbatimit të funksioneve që i janë besuar atij,

b) sigurimin e udhëzimeve të përshtatshme, të sakta e të paanshme dhe të këshillave

profesionale të cilat do të jenë në funksion të IGJK-së,

c) menaxhimin me personelin dhe organizimin e IGJK-së,

d) nxjerrjen e vendimeve dhe udhëzimeve administrative për të gjitha çështjet që

kanë të bëjnë me funksionet e tij,

e) menaxhimin efikas dhe të suksesshëm të burimeve financiare dhe donacioneve

që i ndahen IGJK-së,

f) zbatimin e politikës jodiskriminuese të personelit brenda IGJK-së, përfshirë edhe

përfaqësimin e paanshëm gjinor dhe etnik në Kosovë.

4.3. Koordinatori i programit emërohet nga komisioni i themeluar nga Bordi menaxhues pas shpalljes publike të konkursit, në pajtim me rregullat dhe procedurat e zbatueshme për shërbimin civil.

Kushtet për emërimin e drejtorit të IGJK-së

Neni 5

5.1. Drejtor i IGJK-së mund të emërohet personi i cili:

a) Është person i cili është regjistruar ose ka të drejtë të regjistrohet si banor i përhershëm i Kosovës në Zyrën Qendrore të Regjistrimit Civil, në pajtim me Rregulloren e UNMIK-ut nr. 2000/13 të datës 17 mars 2000 mbi Zyrën Qendrore të Regjistrimit Civil.

b) është jurist i diplomuar me përvojë profesionale mbi 5 vite në gjyqësi;

c) e ka kryer provimin e jurisprudencës;

d) preferohet të ketë titull shkencor; dhe

e) njohja gjuhëve zyrtare në Kosovë konsiderohet përparësi.

5.2. Për emërimin e drejtorit, Këshilli drejtues e informon Kryeministrin dhe Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm.

Financimi i IGJK-së

Neni 6

6.1. IGJK-ja financohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

6.2. Sipas rastit, të hyrat e IGJK-së, mund të plotësohen nga donatorët dhe nga projektet hulumtuese të IGJK-së dhe entiteteve tjera vendore apo ndërkombëtare.

6.3. Të gjitha kontributet e dhuruara nga donatorët regjistrohen si mjete buxhetore të dedikuara për IGJK-në.

Provimi përgatitor dhe kursi i trajnimeve për kandidatët që pretendojnë

të emërohen gjykatës apo prokuror

Neni 7

7.1. IGJK-ja u ofron kandidatëve të përzgjedhur për gjykatës dhe prokuror aftësim të mëtutjeshëm.

7.2. Kandidatët për postin e gjyqtarit apo prokurorit zgjedhën në bazë të konkurrimit publik dhe të hapur përmes të cilit ata i nënshtrohen provimit përgatitor për gjyqtarë dhe prokurorë. Personi mund të zgjedhet si kandidat për postin e gjyqtarit apo prokurorit vetëm nëse e kalon provimin përgatitor për gjyqtar dhe prokuror. Përvoja e punës dhe rezultati i provimit të jurisprudencës gjithashtu mund të merren parasysh në zgjedhjen e kandidatëve për postin e gjyqtarit apo prokurorit.

7.3. Vlerësimin e suksesit të arritur në provimin përgatitor dhe kursin aftësues e bën IGJK-ja në bazë të kritereve dhe rregullave të përcaktuara nga KGJPK-ja apo Institucionet tё cilat trashëgojnë pёrgjegjёsitё e tij.

7.4. Kandidatët që punojnë në gjykata apo prokurori në cilësinë e bashkëpunëtorit profesional, kurset mund ti ndjekin pa shkëputje nga marrëdhënia e punës.

7.5. Kandidatët e zgjedhur marrin një honorarë që paguhet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

Kursi i aftësimit praktik për kandidatët që synojnë

të emërohen gjyqtar apo prokuror

Neni 8

8.1 IGJK, në bashkëpunim me KGJPK-në apo Institucionet tё cilat trashëgojnë pёrgjegjёsitё e tij, do të jetë përgjegjës për:

a) identifikimin e gjykatave dhe prokurorive publike të cilat mund t'i mbështesin trajnimet për kandidatët që synojnë të bëhen gjyqtarë apo prokurorë;

b) caktimin e gjyqtarit-prokurorit i cili do ta mbikëqyrë kandidatin gjatë aftësimit.

8.2. Puna e kandidatit gjatë kursit të aftësimit do të vlerësohet nga gjyqtari apo prokurori mbikëqyrës në bazë të kritereve dhe rregullave të parapara nga KGJPK-ja apo Institucionet tё cilat trashëgojnë pёrgjegjёsitё e tij.

8.3. E drejta për honorar (mëditje), e paraparë në nenin 7.5 të këtij Ligji vlen edhe në këtë rast.

Kursi elementar i aftësimit për gjyqtarët porotë dhe

profesionistët tjerë të emëruar

Neni 9

9.1. Me propozim të KGJPK-së, apo Institucionet tё cilat trashëgojnë pёrgjegjёsitё e tij, IGJK-ja do të organizojë kursin elementar të aftësimit për gjyqtar porotë.

9.2. Pas identifikimit të nevojave nga Këshilli drejtues, IGJK-ja do të organizojë kurse për trajnimin e profesionistëve të tjerë në fushën e drejtësisë.

Kurset e veçanta aftësuese për avancim në punë

Neni 10

10.1. IGJK-ja në konsultim me KGJPK-në apo Institucionet tё cilat trashëgojnë pёrgjegjёsitё e tij, do të organizojë kurse të veçanta aftësimi për gjyqtarë dhe prokurorë që janë apo do të avancohen brenda sistemit gjyqësor.

10.2. Gjyqtarët dhe prokurorët e posa emëruar kanë të drejtë dhe janë të obliguar të marrin pjesë në kurset e veçanta për aftësim dhe avancim, pa shkëputje nga marrëdhënia e punës, në pajtim më dispozitat në fuqi për shërbimin civil të Kosovës.

DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

Hyrja në fuqi

Neni 11

11.1. Çështjet që kanë të bëjnë me organizimin dhe funksionimin të IGJK-së e të cilat nuk janë rregulluar me këtë ligj mundë të rregullohen me statutin e IGJK-së dhe me akte tjera nënligjore.

11.2. Me hyrjen në fuqi të këtij ligji pushojnë të vlejnë dispozitat e ligjeve tjera që janë në kundërshtim me të.

11.3. Përgjegjësitë e përcaktuara më këtë ligj për KGJPK-në dhe DAGJ-in barten tek institucionet trashëguese të tyre ose institucionet që do t'i ushtrojnë kompetencat e tanishme të tyre.

11.4 Ky Ligj hyn në fuqi, pas miratimit në Kuvendin e Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.

24.04 2006

UNMIK/REG/2006/23

 
< Mbrapa   Para >