Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 02/L-41 PĖR MBROJTJEN NGA ZJARRI
Pri 19 2008
LIGJI NR. 02/L-41 PĖR MBROJTJEN NGA ZJARRI
e shtunė . 19 prill 2008

LIGJI NR. 02/L-41

PËR MBROJTJEN NGA ZJARRI

Kuvendi i Kosovës,

Në mbështetje të Kreut 5.1. (f), (i), 5.5 (b) dhe 9.1.26 (a) të Kornizës Kushtetuese për Vetëqeverisje tё Përkohshme (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9 e datёs 15 maj 2001),

Me qëllim të mbrojtjes së jetës së njerëzve dhe pasurisë së tyre nga zjarri, si dhe organizimit dhe funksionimit të sistemeve që merren me mbrojtjen nga zjarri të njerëzve dhe pasurisë së tyre,

Miraton:

LIGJIN PËR MBROJTJEN NGA ZJARRI

KAPITULLI I

PËRKUFIZIMET

Neni 1

Përkufizimet

Për qëllimet e Ligjit për mbrojtjen nga zjarri:

"Ministria" nënkupton Ministrinë e cila mbanë përgjegjësinë sa i pёrket fushёs sё Gatishmërisë emergjente (Ministria e Punëve të Brendshme).

"Departamenti i Menaxhimit të Emergjencave (DME) nënkupton autoritetin më të lartë për zhvillimin dhe zbatimin e strategjisë për Gatishmëri Emergjente dhe Civile në Kosovë.

"Sektor" nënkupton njësinë brenda DME-së e cila është përgjegjëse për hartimin e planit lidhur me marrjen e masave parandaluese ndaj zjarrit.

"Stacioni i zjarrfikjes dhe shpëtimit" është objekti në të cilin janë të vendosur zjarrfikësit me pajisjet mobile të zjarrfikjes dhe shpëtimit, ku zhvillohet aktiviteti profesional lidhur me gatishmërinë e përhershme reaguese.

"Shoqata e zjarrfikjes" është një grup njerëzish të organizuar në baza vullnetare dhe profesionale, me qëllim të shpëtimit të jetës së njerëzve, pasurisë, shtazëve dhe mjedisit nga zjarri.

"Inspektor i parandalimit nga zjarri" është nëpunës i DME-së i autorizuar për mbikëqyrjen e zbatimit të masave parandaluese për mbrojtjen nga zjarri.

"Kujdestari në detyrë" organizon punën për shuarje të zjarrit dhe për shpëtimin e jetës së njerëzve në raste emergjente dhe të fatkeqësive tjera.

"Mbrojtja nga zjarri" nënkupton shpëtimin e njerëzve, të pasurisë, të shtazëve dhe të mjedisit të rrezikuar nga zjarri dhe shpërthimet, ofrimin e ndihmës teknike në fatkeqësi dhe në situata të rrezikshme, zbatimin e masave parandaluese dhe kryerjen e detyrave të tjera të përcaktuara me planin e mbrojtjes nga zjarri.

"Parandalimi" nënkupton tërësinë e masave dhe punëve, të cilat ndërmerren në parandalimin e shkaktimit të zjarrit apo për zvogëlimin e pasojave të zjarrit.

"Prona" nënkupton objektet, pjesët e objekteve dhe hapësirat, të cilat janë në pronësi të personit fizik apo juridik.

"Pronar" nënkupton personin fizik ose juridik, i cili ka në pronësi të vet objektet, pjesët e objekteve apo hapësirat.

"Shfrytëzues" nënkupton personin fizik apo juridik, i cili ka në shfrytëzim të drejtpërdrejtë objektin, pjesët e objekteve apo hapësirat.

KAPITULLI II

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 2

2.1. Me qëllim të mbrojtjes së jetës së njerëzve, të pasurisë, të shtazëve dhe mjedisit nga zjarri, ndërmerren masa dhe veprime për evitimin e shkaqeve të zjarrit, për pengimin e mundësisë së zgjerimit të zjarrit, për zbulimin dhe fikjen e zjarrit, për vërtetimin e shkaqeve të zjarrit, si dhe dhënien e ndihmës për largimin e pasojave të shkaktuara nga zjarri.

2.2. Dispozitat e këtij Ligji zbatohen edhe lidhur me objektet dhe hapësirat e objekteve me interes të posaçëm, në rast se nuk janë të rregulluar me ligj të posaçëm.

Neni 3

Përgjegjësia e përgjithshme

Çdo individ është i obliguar qё me rastin e përdorimit të burimeve dhe të materialeve të nxehtësisë, tё dritës dhe llojet e tjera të energjisë, si dhe me rastin e përdorimit të materialeve dhe tё instalimeve ndezëse dhe eksplozive të veprojë me kujdes të shtuar me qellim të mbrojtjes së njerëzve, të pasurisë, të shtazëve dhe të mjedisit nga shkaktimi i zjarrit dhe eksplodimi, qё të evitohet përhapja e tij.

Neni 4

Përgjegjësitë e veçanta

4.1. Pronarët, përkatësisht shfrytëzuesit e objekteve dhe tё hapësirave ndërtimore, si dhe personat e tjerë fizik, janë të obliguar të marrin masa për mbrojtjen nga zjarri, që janë paraparë me këtë ligj ose me akte tё tjera nënligjore të nxjerra në bazë të këtij ligji, me planet për mbrojtjen kundër zjarrit si dhe vendimeve të organeve të administratës qendrore, publike dhe tё organeve komunale .

4.2. Personat juridikë, organet profesionale publike, organet e administratës publike, ato të administratës lokale, të bashkësive lokale dhe njësitë e zjarrfikësve janë të obliguar të ndërmarrin veprimet e përcaktuara me dispozitat e këtij ligji dhe të akteve nënligjore të nxjerra në bazë të këtij ligji me mjetet e tyre, me mjetet e transportit dhe me mjete tё tjera teknike, me qëllim që të shuajnë zjarrin, të shpëtojnë jetën e njerëzve, shtazëve, pasurinë dhe ambientin e rrezikuar nga zjarri.

KAPITULLI III

ORGANIZIMI PËR MBROJTJE NGA ZJARRI

Neni 5

Përgjegjësitë e Komunave

5.1. Komuna nё territorin e saj organizon mbrojtjen nga zjarri, kujdeset për zbatimin dhe përparimin e masave tё mbrojtjes nga zjarri.

5.2. Kuvendi i komunës nxjerr planin e mbrojtjes nga zjarri nё mbështetje të vlerësimit tё rrezikut nga zjarri nё pajtim me udhëzimet e lëshuara nga Ministria .

5.3. Kuvendi i komunës me qëllim të përcjelljes dhe të zbatimit të planit të mbrojtjes nga zjarri, së paku një herë në vit duhet të shqyrtoi përmbajtjen e tij, të vlerësoj përputhshmërinë e këtij plani me planin e ri urbanistik, me ndryshimet ndërtimore, qëllimet  ndërtimore dhe të ngjashme. Ato, gjithashtu, përcjellin realizimin financiar të mjeteve të parapara për mbrojtje nga zjarri.

5.4. Komuna organizon punën e shërbimit të oxhaktarëve si dhe kryen mbikëqyrjen e punës të shërbimit të oxhaktarëve.

Neni 6

Përgjegjësitë e Ministrisë

6.1. Ministria nxjerr programin vjetor të aktiviteteve për ndërmarrjen e masave për mbrojtje nga zjarri.

6.2. Ministria, nëpërmjet departamentit i koordinon aktivitetet e komunave për nxjerrjen e planeve tё mbrojtjes nga zjarri dhe organizon trajnimet për zjarrfikësit.

6.3. Ministria nxjerr udhëzime për kriteret dhe për metodat e përcaktimit të rrezikshmërisë nga zjarri.

Neni 7

Përgjegjësitë e subjekteve private

7.1. Lidhur me përcaktimin e organizimit adekuat dhe zbatimin e masave të mbrojtjes nga zjarri, objektet, pjesët e objekteve dhe hapësirat radhiten në katër grupe të rrezikshmërisë nga zjarri, në varshmëri prej procesit teknologjik që zhvillohet në to, lloji i materialit që prodhohet, përpunohet apo deponohet, lloji i përbërjes së materieve në ndërtimtari dhe rëndësia e tyre.

7.2. Ministria, me udhëzim administrativ, përcakton kriteret për kategorizimin dhe përcaktimin e objekteve, pjesëve të objekteve dhe hapësirave në kategoritë përkatëse të rrezikshmërisë nga zjarri, si dhe numrin minimal të zjarrfikësve në shërbim të zjarrfikjes, të ngarkuar me punët e mbrojtjes nga zjarri për objektet e radhitura në grupin e parë dhe të dytë të rrezikshmërisë nga zjarri.

Neni 8

Kategorizimi i objekteve

8.1. Pronarët, shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve te objekteve dhe hapësirave të radhitura në kategorinë e parë (I) të rrezikshmërisë, janë të obliguar të hartojnë planin e mbrojtjes nga zjarri në bazë të vlerësimeve të rrezikshmërisë, si dhe të formojnë shërbimin e mbrojtjes nga zjarri me kuadër të nevojshëm dhe mjete të domosdoshme për punë, dhe zbatimin e masave të mbrojtjes nga zjarri.

8.2. Pronarët, shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve te objekteve dhe hapësirave të grupuara në kategorinë e dytë (II) të rrezikshmërisë nga zjarri janë të obliguar të hartojnë planin e mbrojtjes nga zjarri në bazë të vlerësimeve të rrezikshmërisë nga zjarri, të kenë numër të mjaftueshëm të punëtorëve, të cilët mund të kryejnë kujdestarin, fikjen e zjarrit dhe zbatimin e masave preventive të mbrojtjes nga zjarri.

8.3. Pronarët, shfrytëzuesit e objekteve dhe tё hapësirave qё radhitën në kategorinë e parë (I) dhe nё të dytёn (II) të rrezikshmërisë, janë të detyruar të hartojnë planin e mbrojtjes nga zjarri qё duhet të jetë i harmonizuar me planin e mbrojtjes nga zjarri të komunave.

8.4. Pronarët, shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe hapësirave të radhitura në kategorinë e katërt (IV) të rrezikshmërisë nga zjarri janë të obliguar të kenë një punëtor të ngarkuar edhe me punët e mbrojtjes nga zjarri.

8.5. Në vendin e punës si punëtor përgjegjës për punët e mbrojtjes nga zjarri, personat juridikë dhe shërbimet profesionale punësojnë personat, të cilët kanë të kryer shkollën profesionale për zjarrfikës, apo ndonjë shkollë tjetër të drejtimit teknik, por duhet të kenë të dhënë provimin profesional për kryerje të punëve të mbrojtjes nga zjarri.

8.6. Ministria harton programet dhe format e dhënies së provimit profesional, në bazë të paragrafit 5 të këtij neni.

Neni 9

Aktet e brendshme

9.1. Personat juridikë, që janë pronarë ose shfrytëzues të objekteve, të pjesëve të objekteve dhe të hapësirave, duke u nisur nga kushtet dhe nevojat e tyre obligohen që në përputhshmëri me dispozitat e mbrojtjes nga zjarri, me anë të një rregulloreje të brendshme ti përcaktojnë masat dhe veprimet në lidhje me zbatimin dhe përparimin e mbrojtjes nga zjarri.

9.2. Ministria cakton përmbajtjen e rregullores nga paragrafi 1 i këtij neni, i cili ka të bëjë me mbrojtjen nga zjarri.

Neni 10

Detyrimet plotësuese

10.1. Personat fizikë që janë pronar ose shfrytëzues të objekteve, tё pjesëve të objekteve dhe tё hapësirave janë të obliguar sipas nenit 8 paragrafi  8.1 dhe 8.2 përveç sigurisë për zbatimin e masave të përcaktuara me planin e mbrojtjes nga zjarri të nxjerrin edhe rregulloren e paraparë nё nenin 9 tё këtij ligji.

10.2. Punëtorët të cilët kanë përgjegjësi të posaçme në personat juridikë dhe në shërbimet profesionale, secili në fushëveprimin e vet, janë përgjegjës për zbatimin e masave të mbrojtjes nga zjarri, e posaçërisht mirëmbajtjen e mjeteve dhe pajisjeve në gjendje të rregullt për fikjen e zjarrit, si dhe për njoftimin e punëtorëve për rreziqet nga zjarri në vendin e tyre të punës.

Neni 11

Për largimin e shkaktarëve, të cilët ndikojnë në përhapjen e zjarrit ose lehtësojnë zgjerimin e tij, Shoqata për sigurimin është e obliguar të përcjellë dhe të analizojë shkaktarët e zjarreve, varësisht nga lloji i sigurimit, respektivisht me lidhjen e kontratës me të siguruarit, të parashikojë masat për largimin e atyre shkaktarëve dhe gjatë kalimit të afatit të sigurimit të kontrollojë edhe zbatimin e tyre.

KAPITULLI IV

MASAT E MBROJTJES NGA ZJARRI

Neni 12

Ministria harton planin e rregullimit hapësinor në aspektin e mbrojtjes nga zjarri, në bashkëpunim më Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Neni 13

Dhënia e pëlqimit

13.1. Kushtet e posaçme të ndërtimit, në kuptim të përcaktimit të kushteve të rregullimit hapësinor, me qëllim të mbrojtjes nga zjarri, i përcakton Ministria.

13.2. Për objektet që sipas ligjit lejen e ndërtimit e jep Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, Ministria jep pëlqimin për këto ndërtime në bazë të kushteve nga paragrafi 1 i këtij neni.

13.3. Ministria me udhëzim administrativ, përcakton rregullat me të cilat parashihet se për cilat lloje të objekteve nuk aplikohet paragrafi 1 i këtij neni.

Neni 14

14.1. Personat juridikë të regjistruar për projektime janë të obliguar që për objekte, në të cilat kërkohen kushte të veçanta ndërtimi, masat e mbrojtjes nga zjarri, të parashikuara në projektin kryesor, të tregohen në mënyrë grafike të përllogaritura dhe tekstualisht të shpjeguara, që të mund të vlerësohet parashikimi, respektivisht masat e mbrojtjes nga zjarri.

14.2. Pjesë përbërëse e projektit kryesor nga paragrafi 14.1 i këtij neni, për dhënie të lejes ndërtimore, paraqet një dëshmi rreth masave të parapara të mbrojtjes nga zjarri. Në shpjegimin teorik të sqaruar duhet të përmenden dispozitat, respektivisht të praktikës teknike, të cilat bazohen në mbrojtjen nga zjarri.

14.3. Personi juridik i regjistruar për projektime, që ka punuar projektin kryesor, do të bëjë kontrollimin e të njëjtit, me qëllim të vërtetimit me rregulloren e brendshme dhe lëshon lejen, me të cilën vërtetohet se masat e mbrojtjes nga zjarri janë parashikuar në projektin kryesor dhe janë në pajtueshmëri me ligjin, kushtet teknike dhe normat.

14.4. Rregullimi nga paragrafi 14.3 i këtij neni është pjesë përbërëse e projektit kryesor.

Neni 15

Leja për ndërtim të objekteve apo rikonstruksionin e tyre jepet vetëm atëherë kur është marrë pëlqimi nga Ministria se në projektin kryesor janë përfshirë masat e mbrojtjes nga zjarri.

Neni 16

16.1. Personi i autorizuar nga Ministria merr pjesë në punën e komisionit për pranim teknik të ndërtesës, i cili formohet në bazë të dispozitave të ligjit në fuqi.

16.2. Komisioni nga paragrafi 16.1 i këtij neni, përveç punëve të tjera të dhëna me ligj të veçantë, konstaton se masat e parashikuara të mbrojtjes nga zjarri janë të përfshira në objekt.

16.3. Kur lejen e ndërtimit dhe rikonstruksionit të ndërtesave e jep Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor punët rreth paragrafit 16.1 të këtij neni i kryen personi i autorizuar nga Ministria.

16.4. Në rastin kur gjatë pranimit teknik të objekteve konstatohet se te ndërtimi apo rikonstruktimi i saj nuk janë marrë masat e mbrojtjes nga zjarri te parapara në projektin kryesor, veprohet në bazë të dispozitave në fushën e ndërtimit.

16.5. Me rastin e projektimit dhe ndërtimit të godinave banesore dhe të objekteve publike, qendrat tregtare, hotelet, kinematë, teatrot, bibliotekat, postat, spitalet, sallat sportive, sallat koncertale, si dhe objekte të tjera publike duhet të sigurohen kushtet për evakuim të sigurt të njerëzve në rastet e shpërthimit të zjarrit, shkallët emergjente, si dhe mjetet për fikje të zjarrit.

Neni 17

17.1. Për punimin final të hapësirës horizontale ose vertikale, daljet, rrugët dalëse në objektet mund të përdoren vetëm materialet që kanë karakteristika rezistuese ndaj zjarrit.

17.2. Për materialin ndërtimor nga paragrafi 17.1 i këtij neni, si dhe për kryerjen e punëve duhet të merret leja nga personi i autorizuar zyrtar i parandalimit nga zjarri dhe i jepet në shikim komisionit nga neni 16 paragrafi 16.1 i këtij Ligji.

17.3. Ministria bën përshkrimin e kushteve nga aspekti i mbrojtjes nga zjarri, të cilat duhet t'i përmbushë materiali nga paragrafi 17.1 i këtij neni.

Neni 18

18.1. Pronarët e objekteve, pjesëve të objekteve dhe hapësirave janë të obliguar të mirëmbajnë në gjendje të rregullt pajisjet, instalimet, ventilimet e gazrave, oxhaqet si dhe pajisjet e tjera të cilat paraqesin rrezik për zgjerimin e zjarrit, në harmoni me normativat teknike, normat dhe udhëzimet e prodhuesve për të cilat duhet të ketë dokumentacion.

18.2. Në qoftë se nuk mund të vërtetohet pronari nga paragrafi 18.1 i këtij neni, obligimet e përcaktuara nga paragrafi 18.1 të këtij neni i bien në barrë shfrytëzuesit.

Neni 19

Pronarët dhe shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe hapësirave, obligimet në bazë të nenit 18 mund t'i rregullojnë me marrëveshje përmes kontratës, në pajtim me ligjin në fuqi.

Neni 20

20.1. Për instalimin e pajisjeve të përhershme të mbrojtjes nga zjarri, ose lajmërimit të zjarrit, shpërthimit të gazrave të ndezshëm, pajisjet tjera, të cilat shërbejnë për evitimin e zjarrit dhe zgjerimit të tij, si dhe shpërthimeve, kryesi i punëve është i obliguar të sigurojë lejen nga personi juridik i autorizuar për rregullsinë e atyre instalimeve dhe pajisjeve, si dhe procesverbalin mbi kontrollin e ushtruar nga personi juridik i autorizuar dhe pastaj t'i jepen në shikim komisionit nga neni 16 paragrafi 16.1 të këtij ligji.

20.2. Rregullimi i instalimeve nga paragrafi 20.1 i këtij neni duhet të kontrollohet të paktën një herë në vit nga persona juridikë të autorizuar, në varshmëri me normativat teknike, normat dhe udhëzimet e prodhuesve. Me rastin e kontrollimit mbahet evidenca në të cilën shënohet se kur është bërë kontrollimi, kush e ka kryer dhe çfarë është vërtetuar nga kontrolli, aparatet bartëse dhe lëvizëse për shuarjen e zjarreve fillestare duhet të kontrollohen 2 herë në vit (çdo 6 muaj).

20.3. Punëkryesit e organizatës së autorizuar nga paragrafi 20.1 dhe 20.2 të këtij neni, të cilët kryejnë kontrollimin, duhet të kenë të dhënë provimin profesional për ushtrimin e kontrollit.

20.4. Ministria përcakton kushte të posaçme teknike dhe kushte të tjera, të cilat duhet t'i plotësojë personi juridik i autorizuar nga paragrafi 20.1 dhe 20.2 i këtij neni.

20.5. Ministria përcakton programin dhe mënyrën e dhënies së provimit, nga paragrafi 20.3 i këtij neni.

20.6. Ministria jep autorizimin për kryerje të punëve nga paragrafi 20.1 dhe 20.2 i këtij neni.

Neni 21

21.1. Prodhimi dhe qarkullimi i pajisjeve, stabilimenteve dhe mjeteve, të dedikuara për fikje të zjarrit, lajmërim dhe pengim të zgjerimit të zjarrit, si dhe pajisje të tjera mbrojtëse e instalime përcaktohet me udhëzim administrativ.

21.2. Në prodhimtari, veprimet dhe shërbimet me të cilat shfrytëzohen stabilimentet, mjetet, pajisjet dhe instalimet, për të cilat nuk janë miratuar normativat Kosovare, mund të aplikohen normat e BE-së.

21.3. Pajisjet, mjetet dhe stabilimentet nga paragrafi 21.1 e këtij neni, të cilat importohen nga jashtë, mund të vihen në qarkullim vetëm nëse importuesi e ka marrë certifikatën e personit juridik, të autorizuar mbi rregullsinë e atyre pajisjeve, mjeteve dhe stabilimenteve, si dhe përshtatjen e tyre për qëllimet e dedikuara. Për çdo pajisje të importuar dhe për çdo sasi të importuar të pjesëve të pajisjeve apo mjeteve për fikje të zjarrit, alarmim dhe pengim të përhapjes së zjarrit, importuesi është i obliguar që ta sigurojë certifikatën e përmendur, vetëm nëse kjo është e rregulluar ndryshe me marrëveshje ndërshtetërore.

21.4. Kur me dispozita të posaçme është caktuar që për vënien në qarkullim të pajisjeve dhe stabilimenteve nga paragrafi 21.1 deri 21.3 të këtij neni nevojitet leja nga organi kompetent, lejen e atillë e jep Departamenti.

21.5. Dispozitat nga paragrafi 21.2, 21.3 dhe 21.4. të këtij neni, vlejnë edhe për pajisjet mbrojtëse dhe personale të zjarrfikësve, të cilat i shfrytëzojnë në fikjen e zjarrit dhe intervenimet e tjera teknike.

21.6. Ministria jep autorizime për kryerjen e punëve nga paragrafi 21.3 të këtij neni.

Neni 22

22.1. Pronarët, shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe hapësirave janë të obliguar që të posedojnë pajisje dhe mjete për fikjen e zjarrit.

22.2. Llojin e pajisjeve, stabilimenteve dhe mjeteve nga paragrafi 22.1 të këtij neni, si dhe vendet në të cilat vendosen, përcaktohen me rregulla të veçanta.

22.3. Ministria nxjerr Udhëzimin Administrativ lidhur me zgjedhjen dhe caktimin e sasisë së aparateve për fikje të zjarrit, kushteve të cilat duhet t'i plotësojnë personat juridikë, të cilët e kryejnë veprimtarinë kontrolluese, servisimin dhe mirëmbajtjen e aparateve, si dhe afatin e zbatimit të kontrollit të rregullimit dhe servisimit.

22.4. Pajisjet dhe mjetet për fikje të zjarrit duhet të shfrytëzohen vetëm sipas dedikimit të jenë në gjendje të rregullt dhe posaçërisht të shënuar dhe përherë të kapshëm për përdorim.

22.5. Kontrollimin e rregullsisë dhe servisimit të aparateve nga paragrafi 22.3 të këtij neni mund ta ushtrojnë personat juridikë, si dhe shërbimet profesionale, të cilat janë teknikisht dhe profesionalisht të aftësuara, në bazë të autorizimeve të Departamentit.

22.6. Personat të cilët e kryejnë mbikëqyrjen e rregullsisë dhe servisimit të aparateve nga paragrafi 22.3 të këtij neni, duhet ta kenë dhënë provimin profesional për kryerjen e këtyre punëve.

22.7. Programi dhe mënyra e dhënies së provimit nga paragrafi 22.6 të këtij neni përcaktohet nga Ministria.

22.8. Regjistri i personave të autorizuar juridikë, të cilët i kryejnë punët nga neni 20. paragrafi 20.1 dhe 20.2 dhe neni 21 paragrafi 21.3 të këtij Ligji, si dhe subjektet nga paragrafi 22.5 të këtij neni, shpallet në "Gazetën Zyrtare".

Neni 23

23.1. Me qëllim të pengimit dhe mënjanimit të rreziqeve nga zjarri, detyrimisht sigurohet kujdestari zjarrfikëse, gjegjësisht shërbim vëzhgues alarmues, si dhe pajisje dhe mjete përkatëse për fikje të zjarrit:

i. në objektet gjatë mbajtjes së shfaqjeve, panaireve, ekspozitave apo paraqitjeve të ngjashme;

ii. në ambiente të caktuara të jashtme në kohën kur besohet apo vlerësohet rreziku për shfaqje të zjarrit në hapësira të tilla (kryerja e korrjeve dhe shirjeve të përmasave të mëdha, kantieret e mëdha, parqet nacionale, pyjet dhe të ngjashme).

23.2. Kujdestarinë zjarrfikëse, respektivisht shërbimi vëzhgues-alarmues në rastet nga paragrafi 23.1. pika (i) e këtij neni, është i obliguar ta sigurojë organizatori, kurse nga paragrafi 23.1. pika (ii) e këtij neni, pronari, respektivisht shfrytëzuesi nëse nuk mund të vërtetohet pronari i objekteve të përmendura, respektivisht hapësirave.

Neni 24

Në komunat ku nuk është organizuar kujdestaria zjarrfikëse, respektivisht shërbimi vëzhgues-alarmues nga neni 23 i këtij Ligji, por ekziston besueshmëria nga shfaqja e zjarrit të përmasave të mëdha, organet komunale, në bazë të vlerësimit të rrezikshmërisë nga zjarri, janë të detyruar të organizojë kujdestari të tillë.

Neni 25

25.1. Proceset teknologjike në të cilat shfrytëzohen apo prodhohen fluidet dhe gazrat e ndezshme apo materiet shpërthyese, mund të kryhen vetëm në objektet ose pjesët e tyre, të cilat janë të ndara nga pjesët e tjera prodhuese dhe depozituese të objekteve me pengesa zjarrduruese që pamundësojnë zgjerimin e zjarrit.

25.2. Proceset teknologjike nga paragrafi 25.1 të këtij neni, si dhe punët me flakë të hapur në afërsi të fluideve dhe gazrave të ndezshme, materieve shpërthyese dhe të tjera, të cilat mund të shkaktojnë zjarr, duhet të organizohen në atë mënyrë që rreziku nga zjarri të mënjanohet, respektivisht të bie në masën më të vogël, varësisht nga natyra dhe kushtet e punës.

25.3. Objektet nga paragrafi 25.1 të këtij neni mund të ndërtohen vetëm në vendet ku ndërtimi i tyre nuk cenon sigurinë nga zjarri të ndërtesave ekzistuese apo hapësirës përreth.

KAPITULLI V

STACIONET ZJARRFIKËSE, TË SHPËTIMIT DHE SHOQATAT

Neni 26

26.1. Me qëllim të pjesëmarrjes në fikjen e zjarreve, shpëtimit të njerëzve dhe pasurisë së rrezikuar nga zjarri dhe shpërthimet, afrimin e ndihmës teknike në fatkeqësitë dhe situatat e rrezikshme, zbatimin e masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarri dhe kryerjen e veprimtarive të tjera të përcaktuara me planet e mbrojtjes nga zjarri themelohen stacionet zjarrfikëse dhe të shpëtimit dhe shoqatat vullnetare zjarrfikëse.

26.2. Punët nga paragrafi 26.1 të këtij neni, stacionet zjarrfikëse e të shpëtimit dhe shoqatat zjarrfikëse i kryejnë, pa marrë parasysh se për pasurinë e kujt ka të bëhet, dhe raportet mbi punët e kryera i përcillen drejtorisë kompetente komunale.

Neni 27

Themelimi, organizimi dhe çështje të tjera të rëndësishme për veprimtarinë e stacioneve të zjarrfikjes dhe shoqatave do të rregullohen me udhëzim administrativ të nxjerrë nga Ministria në mbështetje të këtij Ligji.

Neni 28

28.1. Nëse komuna vlerëson se ekziston rrezikshmëria e lartë për paraqitje të zjarrit nga faktori industrial apo procese të tjera të punës, njësitë e zjarrfikjes mund të themelohen edhe në vendbanime ose bashkësi tjera.

28.2. Ministria përcakton kriteret për organizimin e njësive te zjarrfikjes dhe shpëtimit te ndërmarrjeve dhe vendbanimeve.

28.3. Dy apo më shumë komuna, ndërmarrje industriale mund të themelojnë njësinë e zjarrfikjes së përbashkët të aftë për intervenim, nëse konfiguracioni gjeografik e mundëson një gjë të tillë.

Neni 29

Kuvendet e dy apo më shumë komunave mund të formojnë njësitë e përbashkëta të zjarrfikjes dhe shpëtimit me aktin mbi formimin e njësisë së zjarrfikësve, ku përcaktohet fushëveprimi i punës, organizimi i brendshëm, pajisjet teknike, të drejtat dhe detyrat e themeluesve dhe mënyra e financimit.

Neni 30

30.1. Ndërmarrjet punuese që prodhojnë, përpunojnë dhe mbajnë materie ndezëse, eksplozive, gazra dhe materie të tjera që ndizen lehtë kanë për detyrë të kenë njësinë e zjarrfikjes nëse për këtë janë të obliguar me vendim të Kuvendit të Komunës.

30.2. Ndërmarrjet nga paragrafi 30.1 të këtij neni kane për detyrë që të ushtrojnë punëtorët e vet me njohjen e rrezikshmërisë nga zjarri dhe eksplodimet, t'i shfrytëzojnë veglat dhe mjetet përkatëse dhe t'i përdorin me sukses në rastet e shpërthimit të zjarrit instalimet "S" Ekzekutim.

Neni 31

Stacionet e zjarrfikjes dhe shpëtimit i udhëheq eprori, i cili duhet të ketë përgatitjen adekuate dhe i cili është i aftësuar profesionalisht për të udhëhequr me stacionin zjarrfikës.

Neni 32

Në stacionin e zjarrfikjes dhe shpëtimit mund të pranohet në punë personi, i cili përveç kushteve të përgjithshme duhet të ketë të kryer më së paku shkollën e mesme dhe të mos jetë më i vjetër se 35 vjet, dhe në pikëpamje psiko-fizike i aftë për kryerje të punëve në këtë shërbim. Aftësinë psiko-fizike e vërteton komisioni i posaçëm i institucionit përkatës.

Neni 33

Në kryerjen e punëve nga lëmi i zjarrfikjes dhe shpëtimit nuk mund të angazhohet personi që nuk është i aftësuar nga ana profesionale për shuarje të zjarrit dhe për shpëtim.

Neni 34

34.1. Stacioneve të zjarrfikjes dhe shpëtimit ndihmë profesionale iu ofron Departamenti, jep udhëzime profesionale dhe kryen mbikëqyrjen mbi punën e këtyre shërbimeve.

34.2. Njësitë e shërbimit të zjarrfikjes dhe shpëtimit kanë për detyrë të mbajnë evidencën e përcaktuar dhe të informojnë Departamentin mbi kryerjen e detyrave nga fushëveprimi i vet.

Neni 35

Punëtorët e njësisë së shërbimit të zjarrfikjes dhe shpëtimit kanë uniformën e tyre të njëjtë në tërë territorin e Kosovës. Gjatë shuarjes së zjarrit dhe shpëtimit të njerëzve dhe pasurisë së tyre punëtorët duhet të jenë të pajisur me mjete mbrojtëse të parapara me udhëzim administrativ.

KAPITULLI VI

FIKJA E ZJARRIT

Neni 36

Pronarët, shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe hapësirave, si dhe çdo person i cili e vëren rrezikun e drejtpërdrejtë nga shkaktimi i zjarrit ose e vëren zjarrin, është i obliguar ta mënjanojë rrezikun, respektivisht ta fikë zjarrin nëse mund ta bëjë këtë pa rrezik për vete apo për persona të tjerë. Nëse ai person nuk mund ta bëjë këtë vetëm, është i obliguar të informojë stacionin më të afërt të zjarrfikjes dhe shpëtimit, stacionin më të afërt të SHPK-së apo Qendrën për vështrim, alarmim dhe informim.

Neni 37

Mënyra e organizimit dhe menaxhimit të aksioneve të fikjes së zjarrit dhe intervenimeve teknike do të rregullohet me udhëzim administrativ.

KAPITULLI VII

MBIKËQYRJA LIDHUR ME ZBATIMIN E MASAVE TË MBROJTJES NGA ZJARRI

Neni 38

38.1. Mbikëqyrjen dhe inspektimin lidhur me zbatimin e masave për mbrojtjen nga zjarri të objekteve, stabilimenteve dhe pajimeve me rëndësi të veçantë e bëjnë inspektorët e parandalimit nga zjarri pranë Departamentit.

38.2. Mbikëqyrjen dhe inspektimin lidhur me zbatimin e masave për mbrojtjen nga zjarri të objekteve, stabilimenteve dhe pajimeve, të cilat nuk janë të rëndësisë së veçantë e bëjnë inspektorët e parandalimit nga zjarri të drejtorive komunale për mbrojtje civile dhe gatishmëri emergjente.

38.3. Mbikëqyrjen lidhur me zbatimin e masave mbrojtëse nga zjarri në pyje e kryejnë inspektorët e pyjeve, të cilët në kryerjen e këtyre detyrave kanë autorizime të inspektorit për parandalim nga zjarri të Drejtorisë Komunale.

38.4. Mbikëqyrjen lidhur me zbatimin e masave mbrojtëse nga zjarri në bujqësi e kryejnë inspektorët e bujqësisë, të cilët për kryerjen e këtyre detyrave kanë autorizime të inspektorit për parandalim nga zjarri të Drejtorisë Komunale.

Neni 39

39.1. Me vendimin e organit kompetent të Komunës, krahas pëlqimit paraprak të marrur nga Ministria, për punë të caktuara të kontrollit të masave të parapara për mbrojtje nga zjarri, të përcaktuara me këtë Ligj dhe me udhëzimet të nxjerra në bazë të Ligjit mund të autorizohen stacionet e zjarrfikësve dhe të shpëtimit dhe shoqatat e zjarrfikësve.

39.2. Me vendimin nga paragrafi 39.1 të këtij neni, përcaktohen:

i. lloji i objekteve, pjesëve të objekteve dhe hapësirave të hapura, të cilat do të përfshihen në kontrollim,

ii. mënyra dhe procedura e kryerjes së punëve kontrolluese,

iii. mënyra e informimit të Drejtorisë kompetente të emergjencave mbi mangësitë e konstatuara gjatë kontrollimit,

iv. kushtet të cilat duhet t'i plotësojnë personat për ushtrimin e kontrollit nga aspekti i përgatitjes profesionale.

39.3. Ministria, me udhëzim administrativ, përcakton formën e kartelave identifikuese, me të cilat vërtetohet identiteti i personave të autorizuar për kryerjen e punëve të inspektimit.

Neni 40

40.1. Punët e inspektorit të Departamentit i kryen personi, i cili e ka përgatitjen superiore profesionale, gjegjësisht përgatitjen e lartë profesionale të profilit teknik apo të ngjashme dhe provimin e dhënë profesional.

40.2. Punët e inspektorit në drejtoritë komunale i kryen personi, i cili e ka përgatitjen superiore profesionale, gjegjësisht përgatitjen e lartë profesionale të profilit teknik apo të ngjashme dhe provimin e dhënë profesional.

40.3. Për punën e vet inspektori komunal i përgjigjet Drejtorisë Komunale për Mbrojtje Civile dhe Gatishmëri Emergjente dhe Departamentit.

40.4. Sektori i parandalimit - niveli qendror, krahas punëve të tij kryen edhe mbikëqyrjen e punës dhe aktivitetit të inspektorit komunal të parandalimit.

40.5. Ministria me udhëzim administrativ e përcakton programin dhe mënyrën e dhënies së provimit profesional për inspektorët nga paragrafi 40.1 dhe 40.2 të këtij neni.

Neni 41

41.1. Në kryerjen e mbikëqyrjes, inspektori për parandalim nga zjarri i Drejtorisë Komunale dhe inspektori i Departamentit ka të drejtë të inspektojë të gjitha hapësirat e mbyllura dhe të hapura, stabilimentet dhe pajisjet, si dhe të ndërmarrë edhe veprime të tjera për përcaktimin e zbatimit të masave për mbrojtje nga zjarri (në kuptim të nenit 38 paragrafi 38.1 dhe 38.2).

41.2. Në kryerjen e mbikëqyrjes, inspektorët komunalë dhe inspektori i Departamentit mund të hyjnë në shtëpi në kërkim të banorëve vetëm në rast mënjanimi të rrezikut serioz për jetë dhe shëndet të njerëzve apo pasurisë së përmasave të mëdha.

41.3. Pronarët, shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe hapësirave janë të obliguar t'u mundësojnë kryerjen e punëve inspektorëve, t'u japin në shikim dokumentacionin, informatat dhe shënimet e nevojshme.

Neni 42

Në qoftë se gjatë ushtrimit të mbikëqyrjes, inspektori komunal dhe inspektori i Departamentit konstatojnë se gjatë ndërtimit të objekteve nuk zbatohen masat e mbrojtjes nga zjarri, të parapara në projektin kryesor, punimet ndërpriten përkohësisht dhe njoftohet organi kompetent ndërtimor.

Neni 43

43.1. Në qoftë se gjatë ushtrimit të mbikëqyrjes, inspektori komunal dhe inspektori i Departamentit konstatojnë se në qarkullim ndodhet pajisja për fikje të zjarrit si dhe pajime të tjera që nuk i plotësojnë kushtet nga neni 21 i këtij Ligji, me vendim do të urdhërojë që ajo pajisje apo mjet të hiqet nga qarkullimi.

43.2. Ankesa në vendim nga paragrafi 43.1 i këtij neni nuk e ndalon ekzekutimin e këtij vendimi.

Neni 44

44.1. Mbi kontrollin e kryer, inspektori i parandalimit nga zjarri është i obliguar të përpilojë procesverbalin.

44.2. Një kopje e procesverbalit i dorëzohet pronarit, respektivisht shfrytëzuesit të objektit, pjesës së objektit dhe hapësirës ku është kryer inspektimi.

Neni 45

Gjatë ushtrimit të inspektimit, inspektori për parandalim nga zjarri është i obliguar të bashkëpunojë me inspeksionet e tjera, si dhe personat juridikë dhe shërbimet profesionale.

Neni 46

Në ushtrimin e kontrollit, inspektori i parandalimit nga zjarri është i obliguar që të ruaj si sekrete shënimet, të cilat, në mbështetje të ligjit apo aktit të përgjithshëm, janë të përcaktuara si sekret shtetëror, zyrtar apo afarist.

Neni 47

47.1. Me qëllim të pengimit të shfaqjes së zjarrit, mundësisë së shpëtimit të njerëzve dhe pasurisë së rrezikuar nga zjarri dhe mundësimit të fikjes së zjarrit, Ministria me vendim do të urdhërojë pronarët, shfrytëzuesit e objektit apo pjesës së objektit dhe ambientit që të ndërmarrin masa të caktuara të mbrojtjes nga zjarri, të përcaktuara me ligj dhe udhëzime të nxjerra në bazë të ligjit, rregullat e pranuara të praktikës teknike, planeve për mbrojtje nga zjarri që të:

i. bien në gjendje të rregullt stabilimentet, instalimet apo pajisjet;

ii. të rekonstruktojnë objektin apo pjesët e caktuara të ambienteve në të;

iii. të largojnë mbeturinat nga lokalet e hapura dhe të mbyllura, të cilat kanë mbetur në procesin e punës apo janë paluar në vendet e ndaluara me ligje të veçanta;

iv. të largojnë lëndë nga lokalet apo hapësirat, të cilat paraqesin rrezik për shkaktimin dhe përhapjen e zjarrit apo pamundësojnë dalje të shpejtë dhe të sigurt nga objektet apo hapësirat ndërtimore;

v. mirëmbajnë të gjitha rrugët pyjore në gjendje që të mundësohet afrimi në çdo kohë i automjeteve zjarrfikëse;

vi. vendosin instalime stabile, gjysmë stabile, të lëvizshme, pajime të tjera përkatëse dhe instalime për alarmim dhe fikje të zjarrit, si dhe pajisje dhe instalime të tjera mbrojtëse;

vii. ketë dalje të nevojshme nga objektet apo pjesët e objekteve për mundësimin e daljes së shpejtë të personave në rast zjarri;

viii. të pamundësojnë afrimin e automjeteve, të cilat gjatë punës munden të hedhin shkëndija në vendet ku do të paraqesin rrezik nga zjarri;

ix. mbajnë në gjendje të rregullt pajisjen zjarrfikëse dhe mjetet tjera për fikje të zjarrit apo ato pajisje dhe mjete t'i vënë në vend të caktuar dhe të dukshëm;

x. largojnë në ato elemente nga stabilimentet, instalimet dhe pajisjet të cilat gjatë punës mund të shkaktojnë zjarr;

xi. largojnë materiet e ndezshme, të cilat u janë shtuar elementeve konstruktive të objekteve apo të cilave u janë përpunuar hapësirat dalëse horizontale e vertikale të rrugëve nëse ato elemente paraqesin rrezik për shkaktim dhe përhapje të shpejtë të zjarrit;

xii. pamundësojnë hedhjen nga jashtë të sendeve, të cilat do të mund të shkaktojnë zjarr në ndërtesë apo ambient të hapur në të cilin afrimi është i kufizuar;

xiii. furnizojnë sasinë dhe llojin e caktuar të pajisjes teknike dhe mjeteve për alarmim dhe fikje të zjarrit;

xiv. sigurojnë kujdestari zjarrfikëse në objekte apo ambiente të hapura.

47.2. Ministria me vendim do të ndalojë për shkak të rrezikshmërisë së drejtpërdrejtë nga zjarri:

i. mbajtjen e lëndëve sekondare (repromaterialit), produkteve finale apo lëndëve tjera në ambientet e hapura apo të mbyllura depozituese;

ii. përdorimin e flakës së hapur në ambiente të mbyllura dhe të hapura (pirja e duhanit, saldimi, drita me flakë të hapur, vend ndezje të hapura - vatra, elektro instalime, të cilat nuk kanë ekzekutim sigurues, e të ngjashme.);

iii. përdorimin e objekteve, apo pjesëve të objekteve, stabilimenteve, instalimeve dhe pajisjeve tjera nëse me adaptimin e tyre nuk mund të hiqet mangësia që mund të shkaktojë zjarr;

iv. përdorimin e pajisjeve, instalimeve dhe mjeteve derisa nuk merren masat që rreziku të evitohet.

v. kryerjen e punëve të caktuara në objekt apo pjesë të objektit, ambient apo sipërfaqe (ngjyrosje, toçitje të fluideve të ndezshme dhe gazrave, ndezje të bojërave etj.).

47.3. Ankesa kundër vendimit nga paragrafi 47.2 i këtij neni nuk e ndalon ekzekutimin e tij.

Neni 48

48.1. Departamenti mban evidencë nga lëmi i mbrojtjes nga zjarri për tërë territorin e Kosovës.

48.2. Drejtoritë komunale për territorin për të cilin janë kompetente janë përgjegjëse të mbajnë evidenca nga lëmi i mbrojtjes nga zjarri dhe këto evidenca t'ia përcjellin Departamentit.

48.3. Ministria përcakton përbërjen e evidencave nga paragrafi 48.1 dhe 48.2 të këtij neni, si dhe mënyrën e mbajtjes së tyre.

Neni 49

Ministria lidhur me zbatimin e masave për mbrojtjen nga zjarri të përcaktuara me këtë Ligj dhe rregullave të miratuara në bazë të Ligjit ia beson verifikimin e kryerjes së punëve tekniko-profesionale (ekzaminime, shqyrtime laboratorike etj.) institucioneve përkatëse shkencore.

KAPITULLI VIII

SHKOLLIMI DHE AFTËSIMI

Neni 50

Ministria në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, të Shkencës dhe të Teknologjisë merr masat e nevojshme për shkollimin dhe aftësimin për punët e mbrojtjes nga zjarri.

KAPITULLI IX

FINANCIMI

Neni 51

51.1. Mjetet për aktivitetin dhe zbatimin e masave të posaçme të mbrojtjes nga zjarri nga neni 6 paragrafi 6.1 të këtij Ligji sigurohen nga Buxheti i Kosovës.

51.2. Mjetet për rritje të masave të mbrojtjes nga zjarri, të vërtetuara me planin e mbrojtjes nga zjarri të kuvendeve komunale sigurohen nga buxhetet komunale.

51.3. Financimi i Shoqatës së zjarrfikësve rregullohet me udhëzim administrativ të posaçëm.

Neni 52

Pronarët, shfrytëzuesit e objekteve, pjesëve të objekteve dhe hapësirave, në harmoni me planin e mbrojtjes nga zjarri dhe rregulloren e brendshme, sigurojnë mjetet për zbatimin e masave të mbrojtjes nga zjarri.

KAPITULLI X

MASAT NDËSHKIMORE

Neni 53

53.1. Me gjobë në të holla në vlerë prej 300 deri 3.000 € për shkelje ekonomike do të dënohen personat juridikë:

i. nëse lëshon leje në projektin kryesor, i cili nuk është hartuar në harmoni me këtë Ligj, kushtet e rregullimit hapësinor, si dhe normativat teknike (neni 14);

ii. nëse pa leje i kryen punët e parapara nga nenet 20, 21 dhe 22 të këtij Ligji.

iii. në qoftë se jep leje lidhur me rregullimin e pajimeve, instalimeve të cilat shërbejnë për fikjen dhe lajmërim të zjarrit dhe pajisje, instalime të tjera, të cilat nuk u përgjigjen normave teknike në bazë të nenit 20 paragrafi 20.1 dhe 20.2 si dhe neni 21 paragrafi 21.3;

iv. në qoftë se kryen punët në kontrollimin dhe servisimin e aparateve të mbrojtjes nga zjarri pa leje (neni 22 paragrafi 22.5) apo i kryen në kundërshtim me ligjin.

53.2. Për shkelje ekonomike nga paragrafi 53.1 i këtij neni, personi përgjegjës në personin juridik do të dënohet me gjobë në të holla, në shumën 100 deri 300 €.

Neni 54

54.1. Me gjobë në të holla në shumën prej 100 deri 1.000 € do të dënohet për shkelje personi juridik:

i. në qoftë se nuk merr pjesë në shuarje të zjarrit dhe shpëtim të njerëzve dhe të mirave materiale në bazë të nenit 4, paragrafi 2.

ii. në qoftë se nuk sjell rregulloren me të cilin përcaktohen masat dhe punët lidhur me rregullimin dhe përparimin e mbrojtjes nga zjarri, apo nuk zbaton masat në përparimin e mbrojtjes nga zjarri të parapara me rregulloren pёr mbrojtjen nga zjarri (neni 9);

iii. në qoftë se nuk përcjell dhe nuk analizon shkaktarët të cilët mund të vijnë deri te zjarri dhe deri te zgjerimi i zjarrit (neni 11)

iv. kryerësi i punimeve, për përpunim e sipërfaqeve të daljeve horizontale dhe vertikale dhe rrugëve dalëse në objekte, përdor material ndërtimor i cili nuk i justifikon karakteristikat rezistuese ndaj zjarrit (neni 17)

v. në qoftë se nuk mirëmban në gjendje të rregullt stabilimentet, pajisjet elektrike, të gazit, ventilimin dhe instalime të tjera, oxhaqet dhe pajisje të tjera dhe nëse për mirëmbajtje nuk posedon dokumentacion (neni 18 paragrafi 18.1);

vi. nëse nuk mirëmban në gjendje të rregullt stabilimentet, pajisjet për fikje të zjarrit dhe nëse mirëmbajtja nuk posedon dokumentacion (neni 18 paragrafi 18.1) ;

vii. në qoftë se nuk kontrollohen instalimet së paku një herë në vit nga personi juridik i autorizuar ose për kontrollet e bëra nuk mbahet evidencë. (neni 20 paragrafi 20.2) ;

viii. në qoftë se i vë në qarkullim pajisjet, stabilimentet që përdoren për fikje, lajmërim dhe pengim të përhapjes së zjarrit, për të cilin nuk është siguruar certifikata e personit juridik të autorizuar për gjendjen e tyre të rregullt (neni 21 paragrafi 21.3);

ix. në qoftë se pa leje vihen në qarkullim stabilimentet, pajisjet dhe mjetet, të cilat nevojiten për fikje të zjarrit dhe lajmërim për të cilat nevojitet leja (neni 21 paragrafi 21.4);

x. në qoftë se nuk posedon stabilimentet, pajisjet dhe mjetet për fikje të zjarrit në bazë të nenit 22;

xi. në qoftë se nuk sigurohet kujdestaria e zjarrfikjes në formën e motorizuar të shërbimit me mjetet dhe pajisjet përgjegjëse për shuarje të zjarrit (neni 23);

xii. në qoftë se nuk e lajmëron stacionin më të afërt të zjarrfikjes dhe shpëtimit, stacionin më të afërt të SHPK-së apo Qendrën për vështrim, alarmim dhe informim (neni 36);

xiii. nëse nuk i mundëson inspektorit për mbrojtje nga zjarri kryerjen e punës së tij apo nëse refuzon të japë në shikim dokumentacionin me shkrim apo t'u ndihmojë në të dhënat e tjera të nevojshme informuese (neni 41 paragrafi 41.3);

xiv. në qoftë se nuk zbaton masat e dhëna nga inspektorët për parandalim nga zjarri. (neni 43);

xv. në qoftë se nuk zbatohet vendimi i nxjerrë nga Ministria (neni 47)

54.2. Për shkelje nga paragrafi 1 i këtij neni do të dënohen me gjobë në të holla në shumën prej 100 deri në 300 € edhe personat përgjegjës të personave juridikë.

Neni 55

Me gjobë në të holla në shumë prej 100 deri në 300 € do të dënohen për shkelje personat:

i. nëse nuk merr pjesë në fikje të zjarrit, shpëtim të njerëzve dhe të pasurisë së rrezikuar nga zjarri (neni 4 paragrafi 4.2);

ii. në qoftë se si pronar, apo shfrytëzues i objekteve, pjesëve të objekteve apo hapësirave nuk mban në gjendje të rregullt pajisjet, stabilimentet elektrike, gazrat, ventilimet dhe instalimet tjera, oxhaqet dhe pajisje të tjera, të cilat mund të shkaktojnë zjarr dhe nëse për mirëmbajtje nuk posedon dokumentacion (neni 18 paragrafi 18.1);

iii. nëse nuk ndërmerr veprim për fikje të zjarrit ose nuk lajmëron për shpërthim të zjarrit (neni 36);

iv. nëse nuk u mundëson inspektorëve për parandalim nga zjarri kryerjen e punëve të tyre dhe dhënien e shënimeve të domosdoshme (neni 41 paragrafi 41.3);

v. nëse nuk zbaton vendimet e inspektorit të Departamentit dhe inspektorit komunal, (neni 43);

vi. nëse nuk zbaton vendimin e Ministrisë (neni 47).

Neni 56

56.1. Për shkelje ekonomike nga neni 54 pika iii dhe iv e këtij Ligji, e kryer për të dytën herë, përveç gjobës në të holla shqiptohet edhe masa e ndalimit të ushtrimit të veprimtarisë në afat prej 6 muajsh.

56.2. Për shkelje ekonomike nga neni 54 pika iii dhe iv e këtij ligji, e kryer për të tretën herë, përveç gjobës në të holla shqiptohet masa e ndalimit të përhershëm të aktivitetit.

KAPITULLI XI

DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE DHE KALIMTARE

Neni 57

57.1. Ministria nxjerrë Udhëzimet administrative përkatëse pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

57.2. Ministria në bashkëpunim me ministritë tjera përgjegjëse në kuadër të kompetencave të përcaktuara me Ligj nxjerr udhëzime administrative lidhur me kushtet e sigurisë dhe mbrojtjes nga zjarri për objektet me destinacion publik, banesat, pyjet, të lashtat dhe objekte të tjera, të cilat paraqesin rrezik për shpërthim të zjarrit.

Neni 58

58.1. Komunat janë të obliguara ta harmonizojnë planin e mbrojtjes nga zjarri, neni 5 paragrafi 5.2 në bazë të dispozitave të këtij Ligji në afatin prej 6 muajsh nga dita e hyrjes në fuqi.

58.2. Personat juridikë dhe shërbimet profesionale janë të obliguara të harmonizojnë rregulloret pёr mbrojtje nga zjarri (neni 9) me dispozitat e këtij Ligji në afatin kohor 6 muaj nga dita e hyrjes në fuqi në zbatueshmëri me dispozitat nga neni 9 paragrafi 9.2 të këtij Ligji.

58.3. Organizatat e autorizuara nga neni 20 paragrafi 20.1 dhe 20.2, neni 21 paragrafi 21.3 dhe neni 22 paragrafi 22.5 të këtij Ligji janë të obliguar që në afat prej 6 muajve, nga dita e nxjerrjes të udhëzimeve administrative, të cilat rregullojnë kushtet për kryerjen e punëve të inspektimit, të harmonizojnë veprimtarinë e tyre me dispozitat e atyre udhëzimeve.

Neni 59

Inspektori i parandalimit nga zjarri, i gjendur në vend të punës, ditën e hyrjes në fuqi të Ligjit, i cili nuk ka përgatitjen shkollore në bazë të nenit 40 të këtij Ligji, mund të jetë në këtë vend të punës me kusht që të arrijë këtë përgatitje profesionale pas tri vjetësh, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Neni 60

Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Ligji pushon së zbatuari Ligji mbi mbrojtjen nga zjarri (Gazeta Zyrtare e Kosovës nr. 50/78 datë 9 dhjetor 1978).

Neni 61

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pas miratimit nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm.

UNMIK/REG/2006/57

20.12.2006

 
< Mbrapa   Para >