Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR. 2003/23 PĖR PENSIONET E PERSONAVE ME AFTĖSI TĖ KUFIZUAR NĖ KOSOVĖ
Shk 26 2008
LIGJI NR. 2003/23 PĖR PENSIONET E PERSONAVE ME AFTĖSI TĖ KUFIZUAR NĖ KOSOVĖ
e martė . 26 shkurt 2008

 

 LIGJI NR. 2003/23

PËR PENSIONET E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUAR NË KOSOVË

Kuvendi i Kosovës,

Në përputhje me autorizimin që i është dhënë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë me Rregulloren e (UNMIK-ut) Nr. 2001/9 të datës 15 maj 2001 "Korniza Kushtetuese për Vetëqeverisjen e Përkohshme'.

Duke marrë parasysh Shtojcën VII pjesën (xi) të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë - Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2001/19 të datës 13 shtator 2001 për Vetëqeverisjen e Përkohshme të Institucioneve.

Me qëllim që të sigurohet rrjeti i sigurisë sociale në kuadrin e gjerë të mbrojtjes sociale në Kosovë dhe të lehtësohet varfëria, duke siguruar pensione për ata që nuk janë të aftë për punë dhe përkujdesje për vetveten.

Miraton ligjin që vijon:

Neni 1

Përkufizimet

1.1      "Parashtrues i kërkesës" nënkupton një person që paraqet kërkesën për pension të aftësisë së kufizuar në Kosovë.

1.2      "Autoriteti përkatës" nënkupton Administratën Pensionale të Kosovës ose një organ të tjetër të cilin Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale mund ta autorizojë për administrimin e pensioneve të aftësisë së kufizuar.

1.3      "Pension i aftësisë së kufizuar" nënkupton një beneficion që administrohet nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale (në tekstin e mëtejmë "Ministria") për t'u ofruar mbështetje financiare personave të rritur të cilët janë me banim të përhershëm në Kosovë dhe të cilët janë plotësisht dhe përherë me aftësi të kufizuara dhe të paaftë për çfarëdo lloji të punës.

1.4      "Komisioni mjekësor" nënkupton një komision të përbërë prej ekspertëve mjekësorë, i formuar në Kosovë nga Ministria, me qëllim të këshillimit të autoritetit përkatës në përcaktimin e gjendjes shëndetësore, duke përfshirë seriozitetin dhe kohëzgjatjen e saj, për secilin person që paraqet kërkesë për pension të aftësisë së kufizuar sipas këtij ligji.

1.5      Një person do të konsiderohet se është me aftësi përherë dhe plotësisht të kufizuara nëse ai/ajo i ka më shumë se 18 vite apo më pak se 65 dhe ka diagnozën mjekësore të gjendjes fizike, ndijore, ose mendore, ka sëmundje ose aftësi të kufizuar që e bëjnë atë të paaftë për çfarëdo pune shpërblyese dhe kur Ministria e vlerëson personin dhe vendos se ata/ato I përmbushin kriteret e parapara në këtë ligj. Gjendja shëndetësore, sëmundja apo aftësia e kufizuar duhet të tregojë se personi është plotësisht i paaftë për çfarëdo pune të shpërblyeshme në kohën kur paraqitet kërkesa dhe në të ardhmen. Fillimi i përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, sëmundjes apo aftësisë së kufizuar nuk duhet të jetë më e shkurtër se një vit para datës së dorëzimit të kërkesës së kompletuar në Ministri.

1.6      "Profesionist mjekësor i regjistruar dhe i kualifikuar" nënkupton profesionistin i cili me sukses e ka mbaruar Fakultetin e mjekësisë, i njihet kualifikimi nga autoritetet përkatëse statutare mjekësore në Kosovë dhe nuk është diskualifikuar apo suspenduar nga ushtrimi i kësaj detyre. Personat që janë të kualifikuar dhe të regjistruar në jurisdikcion tjetër për ushtrimin e kësaj detyreje dhe që nuk janë diskualifikuar apo suspenduar dhe të cilëve u njihet e drejta e ushtrimit të kësaj detyre në autoritetet përkatëse ligjore në Kosovë, mund të pranohen si profesionist të kualifikuar dhe të regjistruar sipas këtij ligji.

1.7      "Shuma mujore" nënkupton shumën mujore që duhet t'i paguhet shfrytëzuesit i cili fiton të drejtën në pension të aftësisë së kufizuar. 

Neni 2

Pensionet e aftësisë së kufizuar

2.1     Pensionet e aftësisë së kufizuar do t'u ofrojnë mbështetje financiare personave të përzgjedhshëm në përputhje me kriteret e parashtruara në këtë ligj dhe sipas mjeteve të ndara për këtë qëllim nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.

2.2     Ministria formon Komisionin Mjekësor për të përcaktuar përzgjedhshmërinë mjekësore për pensionet e aftësisë së kufizuar. Ministria cakton Administratën Pensionale të Kosovës për ta administruar këtë skemë të pensioneve të aftësisë së kufizuar. Komisionet mjekësore do ta kryejnë punën nën menaxhimin dhe kontrollin e autoritetit përkatës. Ministria mund të caktojë organe të tjera për të përcaktuar përzgjedhshmërinë dhe për t'i administruar pagesat e kësaj skeme dhe të parashohë me dispozitë, që Ministria drejtpërdrejt t'i administrojë komisionet mjekësore.

Neni 3

Kriteret për përcaktimin e aftësisë së kufizuar

3.1        Për të fituar të drejtën në pension të aftësisë së kufizuar, parashtruesi i kërkesës duhet të ketë banim të përhershëm në Kosovë dhe t'i përmbushë kërkesat, sipas këtij ligji, që duhet përmbushur për pension të aftësisë së kufizuar.

3.2        Komisionet mjekësore do të vlerësojnë gjendjen shëndetësore të parashtruesve të kërkesave për pensionet e aftësisë së kufizuar. Vlerësimet e aftësisë së kufizuar nga ana e komisioneve mjekësore duhet të jenë me shkrim dhe duhet të përfshijnë me sa vijon: 

(a)    Deklaratën e posaçme të diagnozës për gjendjen fizike, ndijore apo mendore, sëmundjen apo aftësinë e kufizuar prej së cilës parashtruesi i kërkesës vuan dhe datën e paraqitjes së gjendjes, sëmundjes apo aftësisë së kufizuar; diagnoza duhet të përshkruajë gjendjen shëndetësore, sëmundjen ose aftësinë e kufizuar si dhe ndikimin e posaçëm të gjendjes shëndetësore, sëmundjes apo aftësisë së kufizuar në punësim, duke përfshirë përshkrimin e thukët të funksionimit të dobësuar të parashtruesit të kërkesës.

(b)   Vlerësimin e funksionimit të parashtruesit të kërkesës për sa i përket detyrave të përditshme dhe atyre lidhur me punësim; ky duhet të përfshijë referencën e punësimit të mëparshëm të parashtruesit të kërkesës, nëse ka qenë i punësuar.

(c)    Përcaktimi se a mund apo nuk mund të punësohet parashtruesi i kërkesës, në çfarëdo cilësie, duke i pasur parasysh rrethanat e përgjithshme të sëmundjes ose aftësisë së kufizuar.

(d)   Përcaktimi i aftësisë së plotë të kufizuar për një periudhë prej një viti apo më gjatë, gjatë së cilës kohë parashtruesi i kërkesës ka qenë i paaftë për punësim të shpërblyeshëm.

(e)    Prognozimi i aftësisë së kufizuar të përhershme.

3.3        Personat që banojnë ose janë të mbyllur në institucione të tipit të mbyllur ose që marrin ndihmë të rregullt dhe të vazhdueshme financiare nga institucionet që përkujdesen për personat me aftësi të kufizuar, duke i përfshirë institucionet psikiatrike, institucionet religjioze që përkujdesen për të sëmurit ose njerëzit me aftësi të kufizuar, shkollat rezidenciale, burgjet dhe institucionet e tjera që mbështeten nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës për t'u përkujdesur për njerëzit me aftësi të kufizuar, nuk do të jenë të përzgjedhshëm për pensionin e aftësisë së kufizuar, sipas këtij ligji.

3.4        Personat të aftë për punësim apo që aktualisht janë të punësuar në çfarëdo mënyre duke përfshirë çfarëdo lloji vetëpunësimi, siç përkufizohet në ligjet tatimore të Kosovës, nuk do të jenë të përzgjedhshëm për pensionin e aftësisë së kufizuar. Punësimi aktual, duke përfshirë edhe vetëpunësimin, nënkupton dëshminë e supozuar të aftësisë për punë. Përzgjedhshmëria për pensionin e aftësisë së kufizuar do të pushojë që në ditën e parë të punësimit ose vetëpunësimit.

3.5        Personat që marrin pensione themelore ose ndonjë beneficion me skemën e "Beneficionet për invalidët e luftës dhe të afërmit e atyre që kanë vdekur si pasojë e konfliktit të armatosur në Kosovë" nuk do të jenë të përzgjedhshëm për pensionin e aftësisë së kufizuar.

3.6        Personat që janë të përfshirë si anëtarë të familjes me qëllim të përcaktimit të shumës së pagesave të ndihmës sociale nuk do të jenë të përzgjedhshëm për pensionet e aftësisë së kufizuar.

Neni 4

Kërkesat për pensionin e aftësisë së kufizuar

4.1      Autoriteti përkatës i pranon kërkesat prej personave që mendojnë se janë të përzgjedhshëm për pensionin e aftësisë së kufizuar. Parashtruesi i kërkesës duhet ta paraqesë kërkesën në zyrën më të afërt të banimit. Parashtruesi i kërkesës nuk mund të paraqesë kërkesën për Pension të aftësisë së kufizuar në më shumë zyra të autoritetit përkatës në të njëjtën kohë.

4.2      Komisioni mjekësor duhet ta shqyrtojë gjendjen shëndetësore të parashtruesit të kërkesës. Çdo komision mjekësor do të përbëhet prej, së paku një anëtari që është i kualifikuar në mjekësi. Një anëtar do të jetë një nëpunës i rregullt i Ministrisë, i cili do të jetë kryesues, dhe do të jetë përgjegjës për mbajtjen e shënimeve në përputhje me udhëzimet e autoritetit përkatës. Autoriteti përkatës do t'ia dërgojë kërkesat komisionit mjekësor, pas ekzaminimit të përzgjedhshmërisë paraprake për kërkesa jo-mjekësore, siç është banimi i përhershëm dhe mosha.

4.3      Ministria do të hartojë një procedurë për formimin e komisioneve mjekësore që do të përbëhet prej profesionistëve mjekësorë të kualifikuar për ta ekzaminuar aftësinë e kufizuar të parashtruesit të kërkesës të pensionit të aftësisë së kufizuar. Procedurat e tilla do të qartësojnë përbërjen e komisioneve mjekësore, pagesën e anëtarëve të komisionit mjekësor, parandalimin e mashtrimeve dhe abuzimeve, mbajtjen e e shënimeve adekuate dhe transparencën e duhur, si dhe buxhetin për kryerjen e këtyre punëve, duke përfshirë buxhetin për ndonjë staf ndihmës, lokale ose pajime teknike. Ministria do të sigurojë procedura të drejta dhe transparente për zgjedhjen e anëtarëve të komisionit mjekësor, duke i shpallur vendet e tilla dhe duke i marrë parasysh rekomandimet dhe sygjerimet e Ministrisë së Shëndetësisë. Këto procedura si dhe ato të punës së komisionit mjekësor, kriteret dhe metodologjia për vlerësimet dhe shqyrtimet e shkallës së aftësisë së kufizuar do të parashtrohen në një Udhëzim administrativ, të cilin e lëshon Ministria. Kur bëhet vlerësimi, parashtruesit të kërkesës duhet t'i jipet rasti që personalisht ose përmes përfaqësuesit që e shoqëron atë të prezentohet.

4.4      Me rastin e dorëzimit të kërkesës, parashtruesi i kërkesës duhet të paraqesë dëshmi mjekësore të dhënë nga profesionist i regjistruar mjekësor që, më parë e ka trajtuar ose e ka vlerësuar atë. Dëshmia mjekësore duhet të tregojë saktësisht, me sa vijon:

(a)   Diagnozën e gjendjes fizike, mendore, sëmundjen apo aftësinë e kufizuar prej të cilës vuan parashtruesi i kërkesës;

(b)   Ndikimin e gjendjes shëndetësore, sëmundjes apo aftësisë së kufizuar në punësim, duke përfshirë përshkrimin e saktë të aftësisë së kufizuar të parashtruesit të kërkesës;

(c)   Datën e paraqitjes së gjendjes, sëmundjes ose aftësisë së kufizuar;

(d)   Vlerësimi i aftësisë për punë, për sa i përket punëve ditore dhe obligimeve që kanë të bëjnë me punësim; kjo duhet të përfshijë referencë të punësimit të mëparshëm të parashtruesit të kërkesës, nëse ka qenë i punësuar;

(e)   Prognozën e aftësisë së përhershme të kufizuar

4.5      Autoriteti përkatës duhet të kërkojë që dëshmia mjekësore të dorëzohet në përputhje me nën-nenin 4.4 në formularë që i lëshon Ministria për këtë qëllim.

4.6      Komisioni mjekësor mund ta mbështesë vendimin e vet në bazë të dëshmive të parashtruesit të kërkesës për gjendjen e përgjithshme shëndetësore aftësisë së kufizuar të përhershme dhe /ose në bazë të ekzaminimeve dhe të gjeturave të tyre mjekësore. Të gjithë parashtruesit e kërkesave duhet t'u nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore që bëhen nga komisioni mjekësor. Komisioni mjekësor nuk është i obliguar që ta pranojë dëshminë mjekësore të cilën e paraqet parashtruesi i kërkesës por mund ta marrë atë parasysh në përcaktimin e tij.

4.7      Autoriteti përkatës dhe komisioni mjekësor mund të kërkojnë që parashtruesi i kërkesës të jetë i pranishëm në ekzaminimin mjekësor në kohën dhe vendin të cilin autoriteti përkatës dhe komisioni mjekësor e përcaktojnë. Kjo mundësi vlen edhe për personat të cilët janë duke marrë pensionin e aftësisë së kufizuar dhe vazhdimi i aftësisë së kufizuar i të cilëve është duke u shqyrtuar, sipas këtij ligji. Mosprania në ekzaminimin e tillë do ta diskualifikojë parashtruesin e kërkesës nga marrja e pensionit të aftësisë së kufizuar pos në rastet e arsyeshme kur mungon dhe që i vërteton.

4.8      Procedurat për paraqitjen e kërkesave për pension të aftësisë së kufizuar do të parashtrohen në një Udhëzim Administrativ që e lëshon Ministria.

Neni 5

Regjistri i ekspertëve për vlerësim shtesë të kërkesave të Pensionit të Aftësisë së kufizuar

 Ministria do të mbajë regjistrin e ekspertëve specialistë në fusha të ndryshme mjekësore të cilët do të jenë në dispozicion për konsultime me Komisionin mjekësor kur të jetë e nevojshme. Ministria do të miratojë procedura për komisionin mjekësor për sigurimin e ekspertizës së tillë. Këto procedura do të parashtrohen në një Udhëzim administrativ të cilin e e lëshon Ministria.

Neni 6

Pagesat e pensionit të aftësisë së kufizuar

6.1     Në përputhje me dispozitat në nën-nenin 11.3 të këtij ligji, shuma mujore e Pensionit të aftësisë së kufizuar do të jetë e njëjtë me shumën mujore të pensionit themelor. Pagesat mujore nuk do të ndryshohen gjatë vitit.

6.2     Personat e përzgjedhshëm për pensionin e aftësisë së kufizuar, sipas këtij ligji, do të marrin pagesa retroaktive prej muajit kur e dorëzojnë kërkesën e kompletuar në autoritetin përkatës, ose prej ditës kur ky ligj hyn në fuqi, varësisht se cila datë është më e vonshme. Ministria mund të miratojë një dispozitë për një periudhë kaluese pasi që Ligji të hyjë në fuqi gjatë së cilës kohë parashtruesit e kërkesave do të konsiderohen se i kanë paraqitur kërkesat në datën kur ky ligj hyn në fuqi.

6.3     Autoriteti përkatës mund të kërkojë që pagesat e pensionit të aftësisë së kufizuar të bëhen përmes llogarive bankare të parashtruesve të kërkesave.

6.4     Kurdoherë që autoriteti përkatës gjen se personi ka marrë më shumë ose më pak para nga shuma e duhur, sipas këtij nën-neni, gabimi duhet të përmirësohet sipas Udhëzimit Administrativ të cilin e lëshon Ministria.

(a)    Sipas dizpozitave të Nenit 9, për sa u përket rasteve kur personi është paguar më shumë se sa është dashur, autoriteti përkatës do ta zvoglojë pagesën vijuese në shumën ekuivalente. Në rastet kur personi e humb të drejtën në pension të aftësisë së kufizuar, atëherë autoriteti përkatës duhet të kërkojë që personi i paguar më shumë ta kthejë shumën e paguar pa të drejtë.

(b)   Për sa u përket rasteve kur personi është paguar më pak se sa është dashur, autoriteti përkatës duhet të bëjë pagesën në shumën e duhur për aqë sa është paguar më pak, ose nëse personi i tillë vdes para se pagesa të bëhet, shuma që duhet paguar rregullohet sipas pikës (c) të këtij neni.

           

(c)    Nëse personi vdes para se t'i bëhet pagesa që i takon, pagesa e shumës që i takon do t'i bëhet;

(1)   Personit, i cili përcaktohet nga autoriteti përkatës si bashkëshort që është gjallë;

(2)   Nëse nuk ka person që i përmbush kërkesat e paragrafit (1) ose personi që i përmbush kërkesat e tilla vdes para se pagesa t'i bëhet, fëmijës ose fëmijëve, nëse kanë pasur, të personit të vdekur dhe në rastet kur janë më shumë se një, në pjesë të barabarta për secilin djalë;

(3)   Nëse nuk ka person që i përmbush kërkesat e paragrafit (1) ose (2), ose nëse personat që i përmbushin këto kërkesa vdesin para se pagesa të bëhet, atëherë prindit ose prindërve, nëse ka, të personit që ka vdekur dhe, në rast se i ka dy prindër, në pjesë të barabarta për secilin prindër).

6.5      Kërkesat në nën-nenin 6.4 janë subjekt i kërkesave të parashtruara në nenin 9 më poshtë.

Neni 7

Detyra për të informuar

7.1.    Autoritetet përkatëse do ta informojnë secilin parashtrues të kërkesës me shkrim për rezultatin e kërkesës së tij/saj brenda afatit tre muajsh, duke filluar prej ditës së dorëzimit apo kompletimit të kërkesës.

7.2.    Personi i cili merr pension të aftësisë së kufizuar do t'i informojë autoritetet përkatëse menjëherë për ndonjë ndryshim eventual në rrethanat të cilat mund të kenë efekt në të drejten e tij/saj për pension të aftësisë së kufizuar.

7.3.    Ministria dhe/apo autoritetet përkatëse mund t'i autorizojnë nënpunësit për inspektime të rastësishme ose sistematike të personave të cilët marrin pensionin e aftësisë së kufizuar me qëllim të verifikimit të fakteve të dhëna në kërkesë dhe vazhdimësisë së përzgjedhshmërisë në pension të aftësisë së kufizuar. Lajmërimet për këto inspektime nuk duhet të jepen, po që se ato zhvillohen në kohë të duhur.

7.4.    Nëpunësit e autorizuar dhe të emëruar në përputhje me nën-nenin 7.3 do të jenë të detyruar ta kenë autorizimin paraprak për t'i kryer këto verifikime të kërkesave dhe, nëse kështu kërkohet, do të kenë argument për identitetin e tyre si dhe do të veprojnë në çdo kohë përbrenda kufijve dhe autorizimeve që i kanë.

7.5   Ministria dhe/apo autoritetet përkatëse do t'i implementojnë procedurat për monitorimin e rregullt të personave të cilët marrin pension të aftësisë së kufizuar për ta konfirmuar aftësinë e vazhdueshme të kufizuar të tyre dhe për të shikuar ndonjë mundësi të punësimit apo vetë-punësimit, punësimi aktual apo ndonjë lloji të punësimit. Personat të cilët marrin pensionin e aftësisë së kufizuar duhet t'u nënshtrohen testimeve mjekësore në kohën dhe vendin e caktuar nga Ministria apo autoritetet përkatëse.

Neni 8

Kujdestaria Legale

Komisioni mjekësor mund ta përcaktojë se a është apo jo parashtruesi i kërkesës i aftë për t'u përkujdesur për çështjet e tij financiare. Nëse kujdestari ligjor është emëruar nga gjykata, atëherë pensioni i aftësisë së kufizuar i paguhet kujdestarit ligjor në emër të parashtruesit të kërkesës. Nëse nuk është emëruar kujdestari ligjor nga gjykata, autoritetet përkatëse mund ta emërojnë ndonjë të afërm të tij (si p.sh.        bashkëshortin/ten, prindin, motrën apo vëllaun, fëmijët madhorë ose ndonjë të afërm tjetër) i cili përkujdeset për parashtruesin e  kërkesës si dhe mund të jetë kujdestar ligjor për një qëllim të veçantë, të marrjes dhe dorëzimit të pensionit të aftësisë së kufizuar, subjekt i shqyrtimit të këtij vendimi nga gjykata e cila i ka kompetencat juridike do të jetë vetëm atëherë kur parashtruesi i kërkesës apo pala tjetër ankohet për këtë emërim .

Neni 9

Ndëshkimet për Pengesat dhe Prezentimet e Gabuara

9.1      Çdo person i cili me qëllim pengon përpjekjet ligjore nga ana e autoriteteve përkatëse në verifikimin e fakteve të prezentuara në kërkesë, atëherë kërkesa e tij/saj refuzohet.

9.2      Personi i cili merr pensionin e aftësisë së kufizuar është i detyruar t'i kthejë të gjitha pagesat e pensionit të aftësisë së kufizuar, të marra prej ditës së punësimit apo vetë-punësimit. Procedurat e kthimit të pagesave do të përcaktohen në Udhëzimin Administrativ i cili do të lëshohet nga Ministria.

9.3      Çdo person i cili me vetëdije të plotë jep deklarata të rreme apo prezenton dokumente të falsifikuara me qëllim të marrjes së pagesës së pensionit të aftësisë së kufizuar, sipas këtij ligji, apo i cili nuk i informon autoritetet përkatëse për ndonjë ndryshim eventual të rrethanave të cilat mund të ndikojnë në përzgjedhshmërinë e pensionit të aftësisë së kufizuar, atëherë ai do të jetë i detyruar t'i kthejë të gjitha pagesat të cilat i ka marrë. Procedurat e kthimit të pagesave do të përcaktohen në Udhëzimin Administrativë i cili do të lëshohet nga Ministria.

Neni 10

Ankesat dhe Shqyrtimet

10.1     Parashtruesit e kërkesave të cilët mendojnë se vendimi i marrë nga autoritetet përkatëse nuk është korrekt, kanë të drejtë ankese me shkrim në këshillin e ankesave autoritetet përkatëse sipas nenit 1.2. Këto ankesa do të dorëzohen jo më vonë se katërmbëdhjetë (14) ditë pasi që parashtruesi i kërkesës të njoftohet për vendimin e marrë. Në rastet kur ankesa është e lidhur me gjendjen shëndetësore të parashtruesit të kërkesës, apo në rastin kur këshilli i ankesave konkludon se kjo është e nevojshme, këshilli i ankesave mund të kërkojë nga parashtruesi i kërkesës që të shkojë në vlerësimet e mëtutjeme mjekësore. Këshilli i ankesave mund të kërkojë nga autoritetet përkatëse (duke e përfshirë edhe komisionin mjekësor) ta shqyrtojë rastin me qëllim të konfirmimit apo rishqyrtimit të vlerësimit dhe vendimit të parë. Këshilli i ankesave duhet t'i shqyrtojë ankesat dhe ta informojë parashtruesin e kërkesës me shkrim për vendimin e marrë dhe bazat e këtij vendimi, jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas marrjes së ankesës. Parashtruesi i kërkesës apo përfaqësuesi i tij/saj lejohet të jetë i pranishëm në çdo seancë shqyrtimi.

10.2     Parashtruesit e kërkesave të cilët mbeten të pakënaqur me vendimin e Këshillit të Ankesave mund të kërkojnë që ankesa e tyre të shqyrtohet në gjykatën kompetente.

10.3     Parashtruesit e kërkesave të dëmtuar nga vendimi i parë i shqyrtimit të kryer nga autoritetet përkatëse dhe të pa ndryshuar nga Këshilli i Ankesave, do të kenë të drejtë që këtë vendim ta rishikojnë në gjykatën përkatëse.

10.4     Parashtruesit e kërkesave duhet të informohen me shkrim për të drejtën e tyre në parashtrim të ankesës me rastin e marrjes së vendimit. Njoftimi i tillë duhet të përmbajë adresën për parashtrimin e ankesës.

10.5     Parashtruesit e kërkesave të cilët, për shkak të aftësisë së tyre të kufizuar, nuk mund të parashtrojnë ankesë personalisht, mund ta përgatisin ankesën e tyre me ndihmën e përfaqësuesit apo kujdestarit ligjor. Sidoqoftë, këta parashtrues të kërkesave duhet që personalisht të jenë të pranishëm gjatë vlerësimeve mjekësore të kërkuara nga këshilli i ankesave.

Neni 11

Financimi dhe Menaxhimi i pensioneve të aftësisë së kufizuar

11.1   Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të jetë përgjegjëse për administrimin dhe menaxhimin e pensionit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar sipas këtij ligji është përpiluar nga ky ligj. Qeveria duhet që, pas pranimit të këshillave prej Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, të aprovojë një apo më shumë Udhëzime Administrative për t'i përpiluar dhe përcaktuar rregullat të cilat do të respektohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë menaxhimit të pensionit të aftësisë së kufizuar. Këto Udhëzime Administrative do të jenë në përputhje me këtë ligj dhe Ligjin e Menaxhimit Publik Financiar dhe Kontabilitetit.

11.2   Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë janë të obliguara që, në përputhje me Ligjin e Menaxhimit Publik financiar dhe Kontabilitetit, ta përpilojë propozimin për buxhetin vjetor të pensioneve të aftësisë së kufizuar.

11.3   Ministria e Ekonomisë dhe e Financave, në konsultim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, do t'I vërtetojë shumat vjetore të pensionit të aftësisë së kufizuar, në bazë të të dhënave në dispozicion të përfituesve dhe mundësive të Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës.

Neni 12

Besushmëria e Informatave Personale

         Ministira e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe autoritetet përkatëse nuk duhet t'ua          tregojnë informatat personale organizatave të tjera, të cilat i kanë mbledhur prej          parashtruesve të kërkesave, përveç gjatë verifikimit të të dhënave të kërkesave, apo për qëllim të zbulimit të mashtrimeve dhe korrupsionit. Në rastet e veçanta informata mund të jepen autoriteteve tjera publike për mundësimin e granteve, ndihmave, pagesave apo benificioneve të dhuruara të cilat u ipen personave përbrenda familjes. Këto kërkesa mund konsiderohen vetëm atëherë kur ekziston bazë e posaçme statutare për një ndihmë financiare të posaçme, ndihmë, pagesë apo benificion në këmbim të mallrave dhe ku ndihma e tillë financiare, ndihma, pagesa          apo benificioni i këmbimit me mallra nuk do të jetë në kundërshtim me skemën e pensionit të aftësisë sqë kufizuar dhe ku nuk do të ndikojë në diskualifikimin e personit në përzgjedhshmëri për pensionin e aftësisë së kufizuar, sipas këtij ligji.

Neni 13.

Benificionet e personave me aftësi përherë dhe plotësisht të kufizuara

13.1.Për personat me aftësi përherë dhe plotësisht të kufizuara udhëtimi në trafikun urban bëhet falas, kurse në trafikun ndërurban udhëtimi bëhet me 50 % të vlerës së biletës.

13.2.Të gjitha mjetet e udhëtimit të qytetarëve urban dhe ndërurban duhet të rezervojnë vende të veçanta për personat me aftësi përherë dhe plotësisht të kufizuara.

13.3. Për personat me aftësi përherë dhe plotësisht të kufizuara, bileta hyrëse për në manifestimet sportive, shfaqjet artistike, muze, etj.  është 50% nga çmimi i biletës.

13.4 Në të gjitha objektet publike (aeroportet, stacionet e trenit, stadiumet, hotelet etj.) duhet të sigurohet qasja për lëvizje, qëndrim dhe shërbime për personat me aftësi përherë dhe plotësisht të kufizuar.

13.5 Të gjitha ndërtimet e reja të objekteve publike që ndërtohen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të sigurojnë qasje dhe të ofrojnë mundësi përdorimi nga personat me aftësi përherë dhe plotësisht të kufizuar.

13.6. Të gjithë personave me paaftësi të përhershme dhe të plotë duhet t'u sigurohet ndihma për mjetet të cilat do t'u ndihmonin në integrimin e tyre në sferat e jetës (pajisje për lëvizje, pajisje ortopedike, pajime për shikim dhe dëgjim etj.), duke përfshirë përshtatjen e automjeteve për nevojat e tyre.

13.7. Të gjithë personat me paaftësi të përhershme dhe të plotë, kanë të drejtë në zbritjen e tarifave përkatëse për shpenzimin e energjisë elektrike.

13.8.Për rastet e përmendura nën paragrafët 13.1 deri 13.7, Ministritë kompetente do të         nxjerrin dispozita përkatëse.

Neni 14

Implementimi

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale mundë të lëshojë Udhëzime Administrative për ta implementuar këtë ligj. Këto Udhëzime Administrative do të jenë në përputhje me këtë ligj dhe me Ligjin e Menaxhimit Publik Financiar dhe Kontabilitetit dhe me të gjitha udhëzimet e tjera administrative që do të lëshohen nga ana e Qeverisë.

Neni 15

Zbatimi i ligjit

Ky ligj do të zëvendësojë cilëndo dispozitë në ligjin e zbatueshëm e cila është në kundërshtim me këtë ligj.

Neni 16

Hyrja në fuqi

Ky Ligj hyn në fuqi nga dita e miratimit në Kuvend, nënshkrimit të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe shpalljes nga PSSP-ja.

17.12.2003

UNMIK/ REG/ 2003/ 40

Herėn e fundit ėshtė azhuruar mė : ( e hėnė . 03 mars 2008 )
 
< Mbrapa