Home arrow Ligjet e Botuara arrow LIGJI NR.03/L-043 PĖR PARANDALIMIN DHE KONTROLLIN E INTEGRUAR TĖ NDOTJES
Maj 08 2009
LIGJI NR.03/L-043 PĖR PARANDALIMIN DHE KONTROLLIN E INTEGRUAR TĖ NDOTJES
e premte . 08 maj 2009

LIGJI  NR. 03/L-043

PËR PARANDALIMIN DHE KONTROLLIN E INTEGRUAR TË NDOTJES

 

 

 

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

 

Në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

 

Me qëllim të krijimit të standardeve mjedisore në Kosovë për parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes, në harmoni me ato të Bashkimit Evropian,

 

Miraton :

LIGJIN PËR PARANDALIMIN DHE KONTROLLIN E INTEGRUAR TË NDOTJES

 

 

KREU I

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

 

Neni 1

Qëllimi

 

Qëllimi i këtij ligji është parandalimi dhe kontrolli i integruar i ndotjes i cili vjen si pasojë e veprimtarive të paraqitura në Aneksin 1. të këtij ligji, në veçanti duke parandaluar dhe reduktuar mbeturinat, emisionet në ajër, ujë dhe tokë.

 

Neni 2

Përkufizimet

 

Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këto kuptime:

 

 "Impianti" nënkupton njësinë statike teknike ku kryhen një ose më shumë aktivitete të cekura në Aneksin 1 të këtij ligji, ose çfarëdo aktivitetesh tjera ndërlidhëse të drejtpërdrejta të cilat kanë lidhje teknike me aktivitetet e kryera në atë vend dhe të cilat mund të kenë ndikim në emision dhe ndotje.

 

"Impianti ekzistues" është një impiant që operon nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji apo një impiant të cilit i është dhënë leja e punës sipas dispozitave ligjore në fuqi me kusht që impianti të lëshohet në operim më së largu një vit nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

 

"Impianti i ri" është çfarëdo impianti tjetër përveç impiantit ekzistues.

 

"Emision" nënkupton shkarkimin direkt ose indirekt të substancave, vibracioneve, nxehtësisë ose zhurmës nga burimet individuale ose ato shpërndarëse të një impianti në ajër, ujë ose tokë.

 

"Vlera kufitare e emisionit" (VKE) nënkupton sasinë e shprehur në kushtet e parametrave të caktuar, përqendrimet dhe/ose niveli i emisioneve të veçanta, i cili nuk mund të tejkalohet gjatë një ose më shumë afatesh kohore.

 

"Standardi i cilësisë së mjedisit" nënkupton tërësinë e kushteve dhe kërkesave të cilat mjedisi ose një pjesë e caktuar e tij duhet t'i plotësoj në kohën e caktuar sipas dispozitave ligjore në fuqi.

 

"Autoriteti Republikan" është organ qeveritar i autorizuar për zbatimin e dispozitave të këtij ligji.

 

"Ministria" është Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

 

 "Autoriteti Komunal" nënkupton organin kompetent në nivel të Komunës.

 

"Substanca" nënkupton çdo element kimik dhe bashkë dyzimet e tij, me përjashtim të substancave radioaktive dhe organizmat e modifikuar gjenetikisht.

 

 "Ndotja" është paraqitja e drejtpërdrejt ose e tërthortë e substancave, rrezatimit, vibracioneve, nxehtësisë, dritës, kundërmimeve apo zhurmës në mjedis, si rezultat i aktivitetit të njeriut, i cili mund të jetë i rrezikshëm për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

 

 "Leja" është dokument me shkrim i autoriteteve Republikane që lejon funksionimin e tërë ose një pjese të impiantit i cili përmban kushtet e nevojshme për të garantuar se impianti është në përputhje me kërkesat e këtij ligji dhe arrin një standard të lartë të mbrojtjes së mjedisit dhe shëndetit të njeriut.

 

 "Ndryshimi ne operim" nënkupton një ndryshim në natyrën e funksionimit të një impianti, ose një zgjerim të impiantit i cili në vete mund të ketë pasoja për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

 

 "Ndryshimi qenësor" nënkupton një ndryshim të operimit i cili, sipas mendimit të Autoritetit Republikan, mund të ketë ndikime të dukshme negative në mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

 

 "Operatori" nënkupton personin juridik ose fizik i cili operon ose kontrollon impiantin.

 

 "Publiku" nënkupton një ose më shumë persona juridik ose fizik, grupet, shoqatat ose organizatat.

 

 "Publiku i interesuar" nënkupton publikun e ndikuar që mund të ndikohet, që ka interes në marrjen e vendimit rreth lëshimit ose përshpejtimit te lejes, kushteve të lejes, përfshirë organizatat joqeveritare të cilat promovojnë mbrojtjen mjedisit siç parashihet me ligj.

 

 "Teknikat më të mira të mundshme" (TMM) do të thotë proceset me efektive dhe të zhvilluara mirë si dhe metodat e tyre te operimit, qe tregojnë përshtatshmërinë praktike te teknikave te posaçme për të siguruar bazat për vlerat kufitare te shkarkimeve te caktuara për të parandaluar dhe/ose reduktuar shkarkimet dhe ndikimet në mjedis.

 

 "Teknikat" përfshijnë teknologjinë e përdorur dhe mënyrën në të cilën është projektuar, ndërtuar, mirëmbajtur, operuar dhe montuar procesi.

 

 "Teknikat e mundshme" janë ato teknika, te cilat janë zhvilluar në një shkallë të tillë që lejohen të zbatohen ne sektorët përkatës te industrisë, ne kushtet te tilla ekonomike dhe teknike praktike, duke marrë parasysh koston dhe avantazhet, se në mënyrë te arsyeshme janë te pranueshme për operatorin. 

 

 

 

KREU II

LEJA MJEDISORE E INTEGRUAR


Neni 3

Parimet e përgjithshme për operatorin

 

1.   Personi mund të operoi me impiant vetëm me autorizim nga Ministria.

 

2.  Leja mund të autorizojë operimin e më tepër se një impianti vetëm nëse ata janë të vendosur në të njëjtën hapësirë dhe operohen nga i njëjti operator.

 

3. Aplikimin për leje mund ta parashtron personi i cili do të ketë kontrollin për operimin e impiantit pas autorizimit të lejes.

 

4.  Operatori do të sigurojë që impianti të operoj në pajtim me kushtet e lejes.

Neni 4

Aplikimi për leje

 

1. Aplikacioni për leje duhet të jete në formë të shkruar dhe përmban:

 

1.1.  emrin, adresën dhe numrin e telefonit të parashtruesit të aplikacionit dhe nëse dallon, ndonjë adresë në të cilën do të duhej të dërgoheshin letër dërgesat lidhur me aplikacionin;

 

1.2.  adresën e vendit të impiantit;

 

1.3.  një hartë ose plan që tregon vendin dhe lokacionin e impiantit; 

 

1.4.  emrin e komunës në të territorin e së cilës ndodhet impianti;

 

1.5.  përshkrimin e impiantit dhe aktiviteteve të cekura në Aneksin 1 të këtij ligji që do të kryhen në impiant, si dhe aktivitetet e tjera ndërlidhëse të drejtpërdrejta që do të kryhen në të njëjtin vend ku ndodhet edhe impianti që ka lidhje teknike me aktivitetet të cekura dhe të cilat do të mund të kishin ndikim në emisionet dhe ndotjen;

 

1.6.  një raport për kushtet e vendndodhjes së impiantit. Ky raport, në veçanti, do të identifikonte çfarëdo substance mbi, në ose nën tokë që do të paraqiste rrezik për mjedisin dhe shëndetin e njeriut;

 

1.7.  skemat e rrjedhës së proceseve të prodhimit të cilat planifikohen të përdoren; 

 

1.8.  materialet, përfshirë ujin dhe energjinë që do të përdoret ose që do të gjenerohet nga impianti;

 

1.9.  natyra, sasitë dhe burimet e emetimit dhe mbeturinave nga impianti në mjedis, si edhe identifikimi dhe përshkrimi i ndonjë efekti të mundshëm të rëndësishëm për mjedisin dhe shëndetin e njeriut;

 

1.10.  teknologjinë e propozuar dhe teknikat e tjera për parandalimin ose, atëherë kur kjo nuk është e mundur, reduktimin e emisioneve dhe mbeturinave nga impianti;

 

1.11.  masat e propozuara dhe metodat që do të ndërmerren për monitorimin e emisioneve dhe mbeturinave nga impianti;

 

1.12.  një përshkrim të masave që do të ndërmerren për parandalimin, ripërdorimin, rivendosjen dhe magazinimin e sigurt të mbeturinave të krijuara nga operimi i impiantit;

 

1.13.  një përshkrim të masave të tjera shtesë të propozuara për t'u ndërmarrë për të qenë në pajtim me kërkesat e përgjithshme të cekura në nenin 6 te këtij ligji.

 

1.14.  një përshkrim të shkurtër të metodave kryesore alternative dhe teknikave të prodhimit, në rast se ndonjëra, është studiuar nga parashtruesi i aplikacionit;

1.15.  ndonjë informatë shtesë të cilën aplikuesi dëshiron që Ministria ta marrë parasysh gjatë shqyrtimit të aplikacionit;

 

1.16.  atëherë kur impianti i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis sipas ligjit, duhet të përfshihen informatat e siguruara dhe konkluzionet e vlerësimit të ndikimit në mjedis;

 

1.17.  lejen ose licencën e lëshuar për impiantin nga ana e autoriteteve republikane.

 

1.18.  një përmbledhje jo teknike të informatave në aplikacion.

 

2.  Aplikacionit duhet t`i bashkëngjitet pagesa e cila bëhet në bazë të aktit nënligjor të cilin e nxjerr Ministria.

 

3. Aplikuesi do t'i dërgojë Ministrisë, aplikacionin origjinal të nënshkruar për leje dhe nëntë kopje të aplikacionit.

 

 

Neni 5

Procedura e aplikimit

 

1. Pas pranimit të aplikacionit për lëshimin e lejes, Ministria menjëherë do të informojë aplikuesin me shkrim për pranimin e aplikacionit.

 

2. Në afat prej katërmbëdhjetë (14) ditësh nga dita e pranimit të aplikacionit për lëshimin e lejes, Ministria ju dërgon nga një kopje të aplikacionit autoriteteve nga nën-paragrafët 2.1-2.4 të këtij paragrafi të cilat dëshirojnë të marrin pjesë në vendim marrje për dhënien e lejes:

 

2.1.  autoritetit komunal në territorin e së cilës ndodhet impianti;

 

2.2.  Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit i Kosovës AMMK;

 

2.3.  Autoritetit për Parandalimin e Aksidenteve Mjedisore;

 

2.4.  autoriteteve tjera të cilat janë kompetente për lëshimin e licencave ose lejeve për impiante.

 

3. Gjatë shqyrtimit të ndonjë aplikacioni për leje lidhur me nxjerrjen ose shkarkimin direkt ose indirekt të ndotësve në ujë, duhet të merret për bazë Ligji për Ujërat e Kosovës (Rregullorja 2004/41)."

 

4. Ministria do të caktoj  një mbledhje të autoriteteve të cilat janë përgjegjës për pjesëmarrje në vendimin mbi lejen. Në këtë mbledhje, pjesëmarrësit duhet të pajtohen për një skemë rreth vendimit mbi aplikacionin, dhe ndarjen e përgjegjësive për përgatitjen e lejes.

 

5. Në afat prej katërmbëdhjetë ditëve pas pranimit të aplikacionit për leje, Ministria duhet të shpallë aplikimin për leje në një ose më tepër gazeta ditore në gjuhët zyrtare, si dhe në veçanti të informojë publikun e interesuar përmes formave të tjera të përshtatshme të komunikimit.

 

6. Ministria mund të kërkojë në formë të shkruar, informata të tjera nga aplikuesi, të cilat i vlerëson si të nevojshme për të vlerësuar aplikacionin. Kërkesa duhet të specifikojë arsyen ose arsyet për kërkesën dhe do të caktojë një afat për parashtrimin e informatave të tjera.

 

7.  Aplikuesi duhet të dërgojë informatat e tjera para afatit të caktuar. Me kërkesë të aplikuesit, Ministria mund, në formë të shkruar, të zgjasë periudhën për dërgimin e informatave.

 

8.  Nëse aplikuesi nuk i dërgon informatat tjera me kohë , Ministria  konsideron se aplikuesi e ka tërheqë aplikacionin dhe për këtë me shkrimë e informon aplikuesin.

 

9.  Pas pranimit të informatave të tjera, Ministria menjëherë do t'i dërgojë ato autoriteteve të  referuara nga paragrafit 2 të këtij neni.

 

10. Ministria dhe autoritetet nga paragrafi 2 i këtij neni mund të vizitojnë vendin ku ndodhet impianti për të verifikuar ndonjërën nga informatat e cekura në aplikacion.

 

11.  Pasi të jetë arritur marrëveshja midis autoriteteve pjesëmarrëse në marrjen e vendimit për lejen, Ministria do të dërgojë draftin e lejes tek aplikuesi, që në afat të caktuar në formë të shkruar të jap  komentet për lejen.

 

 

Neni 6

Kushtet për dhënien e  lejes

 

1. Gjatë përcaktimit të kushteve për marrjen e lejes, Ministria do të kërkojë që impiantet të operojnë në atë mënyrë që:

 

1.1.  janë ndërmarrë të gjitha masat e përshtatshme për të parandaluar ndotjen: 

 

1.2. impiantet e cekura në Aneksin 1. të këtij ligji aplikojnë teknikat më të mira të mundshme në dispozicion;

 

1.3. mbeturinat janë shmangur, përpunuar, ricikluar, ose në rastet kur kjo është e realizueshme në aspektin teknik ose ekonomik, ato janë deponuar në mënyrë që të shmangen ose reduktohen  ndikimet në  mjedisin dhe shëndetin e njeriut;

 

1.4.  energjia dhe uji të përdoret në mënyrë të efektshme;

 

1.5.  janë ndërmarrë masat e nevojshme për parandalimin e aksidenteve si dhe për të kufizuar pasojat për mjedisin dhe shëndetin e njeriut .

 

1.6.  në rast të ndërprerjes definitive të aktivitetit, janë ndërmarrë masat e nevojshme për të shmangur ndonjë rrezik të ndotjes dhe për të kthyer vendndodhjen e impiantit në kushte të sigurta, të pastra dhe në kushte natyrore.

 

2.  Leja duhet të përmbajë kushtet të cilat në tërësi:

 

2.1.  garantojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së  mjedisit dhe shëndetit të njeriut ;

 

2.2.  minimizojnë ndotjen ndërkufitare dhe atë në distanca të gjata;

 

2.3.  sigurojnë mbrojtjen e larmisë biologjike dhe peizazhore, ajrit, ujit, ujërave nëntokësore dhe dheut;

 

2.4.  minimizojnë mbeturinat dhe garantojnë menaxhimin e duhur të mbeturinave;

 

2.5.  janë në përputhje me parimet e proporcionalitetit.

 

2.6.  vlerat e kufirit të emisionit për ndotësit ose grupet e ndotësve, në veçanti ato të cekura në Aneksin 2 të këtij ligji që me gjasë mund të shkarkohen nga impianti në sasi të dukshme;

 

2.7.  vlerat e kufirit të emisionit duke marrë parasysh natyrën e ndotësve ose grupeve të ndotësve si dhe mundësinë e transferimit të tyre nga njëri mjedis në tjetrin;

 

2.8.  kushtet për monitorim dhe specifikimi i metodologjisë matëse, shpeshtësisë dhe procedurës vlerësuese;

 

2.9.  kushtet që kërkohen nga operatori që rregullisht t'i paraqet Ministrisë të dhënat e nevojshme për monitorimin e emisioneve dhe të kontrollojë përputhshmërinë me lejen;

 

2.10.  kushtet që lidhen me afatet kur impianti nuk është duke operuar në mënyrë normale dhe kur mjedisi dhe shëndeti i njeriut mund të ndikohen, në veçanti, kushtet për operimet fillestare, rrjedhjet, keqfunksionimet dhe ndalesat e çastit;

 

2.11.  hapat që duhet të merren para operimit të impiantit;

 

2.12.  hapat që duhet të merren pas mbylljes definitive të operimeve në impiant;

 

2.13.  kërkesat lidhur me obligimet e operatorit që të nxjerr planet e reagimit emergjent dhe menjëherë të informojë Ministrinë si dhe Departamentin për Menaxhimin me Rastet Emergjente për ndonjë aksident i cili në mënyrë të dukshme mund të ndikoj ne mjedisin dhe shëndetin e njeriut;

 

2.14.  kohëzgjatja e lejes;

 

2.15.  ndonjë kusht tjetër specifik i cili, sipas mendimit të Autoritetit Republikan, është i nevojshëm për arritjen e qëllimeve të përcaktuara me ligj.


 

 

Neni 7

Vlerat kufitare të emisioneve

 

1. Vlerat kufitare të emisioneve sipas ligjeve  tjera do të konsiderohen si vlerat maksimale të emisioneve për qëllim të nën-paragrafit 2.1., paragrafi 2. të nenit 6  të këtij ligji.

 

2. Vlerat kufitare e emisioneve zakonisht do të aplikohen në pikën ku emisionet dalin nga impianti dhe nuk duhet  marrë parasysh tretjen e tyre në mjedis.

 

3. Vlerat kufitare e emisioneve duhet të bazohen në teknikat më të mira të mundshme dhe do të duhej të merrnin parasysh karakteristikat teknike të impiantit, lokacionin e tij gjeografik si dhe kushtet lokale mjedisore.

 

4. Atëherë kur një standard i cilësisë së mjedisit mund të plotësohet duke kërkuar vlera më të rrepta të kufirit të emetimit prej atyre që do të imponohen sipas nën-paragrafit 2.1., paragrafi 2. të nenit 6 të këtij ligji, do të kërkohen vlera më të rrepta të kufirit të emetimit.

 

5. Kur të jetë e përshtatshme, vlerat kufitare të emisioneve mund të plotësohen ose zëvendësohen me parametra ekuivalent ose masa teknike.

 

 

Neni 8

Efektet ndërkufitare

 

1.  Në rast se ndonjë impiant i cili është planifikuar të operoi në Kosovë, ka potencial që të ketë efekte negative për mjedisin dhe shëndetin e njeriut në ndonjë shtet tjetër, Ministria duhet të dërgojë tek autoriteti përkatës i shtetit tjetër informatat në vijim:

 

1.1.  një kopje të aplikacionit të lejes;

 

1.2.  përmbledhjet e komenteve të marra dhe një përmbledhje të vlerësimit të ndikimit në mjedis;

 

1.3.  ftesën për të komentuar aplikacionin dhe për të propozuar kushtet për përfshirje në leje;

 

1.4.  një kopje të draftit të vendimit për aplikacionin dhe draftin e lejes, me ftesë për të bërë komente;

 

1.5.  informatat të  tjera relevante të kërkuara nga qeveria e shtetit tjetër;

 

1.6.  një kopje të lejes përfundimtare.

 

 

2.  Informatat e ofruara shtetit tjetër duhet të dërgohen me kohë pas pranimit të aplikacionit, ose pas marrjes së përgjigjes nga shteti tjetër.

 

3.  Informatat e dhëna duhet të paraqesin bazën për ndonjë konsultim në kuadër të marrëdhënieve bilaterale midis Kosovës dhe shtetit tjetër në baza reciproke ose ekuivalente.

 

4.  Atëherë kur aplikacioni i është dërguar ndonjë shteti sipas paragrafit 1 të këtij neni, Ministria do të informojë aplikuesin në afat prej pesë ditëve.

 

 

Neni 9

Vendimi për aplikacionin

 

1.  Gjatë procedurës së lëshimit të lejes për një impiant, Ministria duhet të ketë parasysh:

 

1.1.  parimet e Ligjit për  Mbrojtjen  e  Mjedisit;

 

1.2.  kërkesat specifike të ligjeve të tjera për mjedisin, menaxhimin e burimeve, planifikimin e përdorimit të tokës, reagimin emergjent dhe shëndetin publik;

 

1.3.  komentet e marra nga autoritetet e referuara në paragrafin 2 të nenit 5 të këtij ligji;

 

1.4.  komentet e marra nga ndonjë shtet sipas nenit 8 të këtij ligji.

 

1.5.  komentet e marra nga publiku i interesuar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e  Mjedisit;

 

1.6.  ndonjë udhëzues të lëshuar nga Ministria që është relevant për aktivitetet e impiantit ose teknikat më të mira të mundshme;

 

1.7.  vlerësimin e ndikimit në mjedis të impiantit, nëse është relevant.

 

2.   Ministria lëshon leje nëse:

 

2.1.  janë zbatuar të gjitha pagesat dhe është i kënaqur me faktin se operatori është person fizik i aftë për të siguruar përputhshmëri me kushtet e lejes;

 

2.2.  kushtet e përcaktuara në leje janë të mjaftueshme për të siguruar që impianti do të operoi në përputhje me të gjitha ligjet dhe kërkesat relevante.

 

3.  Vendimin për lëshimin ose refuzimin e lejes Ministria palës ia dërgon me shkrim.

 

4.   Në të njëjtën kohë, Ministria duhet të dërgojë nga një kopje të lejes autoriteteve ndërlidhëse sipas paragrafit 2 të nenit 5 të këtij ligji.

 

5.  Ministria duhet të ruaj një kopje të vendimit në Regjistrin sipas nenit 17 të këtij ligji.                          

 

 

Neni 10

Vlefshmëria e lejes

 

Leja është e vlefshme në afat prej dhjetë (10) vitesh.


 

 

Neni 11

Impiantet ekzistuese

 

1.  Të gjitha impiantet ekzistuese duhet harmonizohen me dispozitat e këtij ligji jo më larg se 31 dhjetor 2017.

 

2.  Të gjitha impiantet ekzistuese të përfshira në Aneksin 1.  të këtij ligji duhet të dërgojnë në Ministri aplikacionin, sipas nenit 4 të këtij ligji dhe Planin për Orarin e Përputhshmërisë deri më 1 janar 2010.

 

3.  Leja e lëshuar nga Ministria tek operatori i një impianti ku zbatohet paragrafi 1. të nenit 12 të këtij ligji duhet të marrë parasysh Planin e propozuar të Orarit të Përputhshmërisë për atë impiant.


 

 

Neni 12

Ndryshimi i operimit

 

1.  Në rastin kur operatori i një impianti planifikon ndryshime në operimin e tij, ai është i detyruar të njoftojë Ministrinë.

 

2. Njoftimi bëhet në formë të shkruar dhe përmban një përshkrim të ndryshimit të propozuar të operimit të impiantit si dhe ndonjë ndryshim të mundshëm në ndikimet e operimeve për mjedisin dhe shëndetin e njeriut.

 

3. Ministria në bazë të planit të propozuar nga operatori bënë vlerësimin e ndryshimeve të propozuara në operim dhe ndikimit në mjedisin dhe shëndetin e njeriut.


 

Neni 13

Modifikimi i lejes

 

1.  Kur ndryshimi i propozuar i operimit të ndonjë impianti që është paralajmëruar nga ana e operatorit sipas paragrafit 1 të nenit 12 të këtij ligji mund të shkaktojë rrezik më të madh për mjedisin dhe shëndetin e njeriut, operatori duhet të aplikojë për leje ose ndryshim të kushteve të lejes para prezantimit të ndryshimit të operimit.

 

2.  Operatori duhet të parashtrojë një aplikacion për të modifikuar lejen sipas kërkesave të përcaktuara në nenin 4 të këtij ligji.

 

3. Aplikimi për modifikim të lejes duhet të mbulojë ato pjesë të impiantit të cilat mund të afaktohen nga ndryshimet e propozuara.

 

4.  Ministria duhet ta njoftojë operatorin me shkrimë për ndonjë ndryshim të kushteve të lejes si dhe datën ose datat në të cilat ndryshimet do të hyjnë në fuqi.

 

 

Neni 14

Rishikimi dhe azhurnimi

 

1.  Ministria do të rishikojë kushtet e lejes pas çdo pesë vitesh, dhe gjithashtu atëherë kur:

 

1.1.  ndotja e shkaktuar nga ana e impiantit është e një rreziku potencial për mjedisin dhe shëndetin e njeriut, ashtu që kërkohen kritere më strikte në leje për të përmbushur kërkesat sipas dispozitave të  këtij ligji;

 

1.2.  për aktivitetet e cekura në Aneksin 1 të këtij ligji ndryshimet e teknikave më të mira të mundshme e bëjnë të mundur reduktimin e dukshëm të emetimeve nga impianti pa imponuar shpenzime të tepërta;

 

1.3.  informatat e reja të pranuara nga Ministria tregojnë se siguria operuese e aktiviteteve të kryera në impiant kërkon përdorimin e teknikave tjera;

 

1.4.  ndryshimet e ligjit aplikohen edhe në kushtet e lejes.

 

2.  Nëse, si rezultat i rishikimit, Ministria vendos se kushtet e lejes duhet të azhurnohen, atëherë Ministria duhet të njoftojë operatorin për vendimin.

                                             

 

Neni 15

Transferimi i lejes

 

1.  Në rast se operatori i një impianti planifikon të transferojë lejen te ndonjë person tjetër, operatori dhe personi tjetër duhet të paraqesin një aplikacion të përbashkët në Ministri lidhur me atë transferim.

 

2.  Aplikacionit i bashkëngjitet leja origjinale dhe përmban:

 

2.1.  emrin, adresën dhe numrin e telefonit të operatorit;

 

2.2.  emrin, adresën dhe numrin e telefonit të personit tek i cili transferohet leja;

 

2.3. informatat për kompetencat, mundësinë dhe burimet ekonomike të personit tek i cili transferohet leja.

 

3.  Ministria e miraton aplikacionin për transferimin e lejes, nëse personit të cilit duhet ti bëhet transferi i lejes i plotëson kushtet sipas paragrafit 2. të nenit 9 të këtij ligji.

 

4.  Kur Ministria refuzon transferimin e lejes, njofton aplikuesin në formë të shkruar, duke cekur arsyet për refuzim.

 

5.  Ministria informon aplikuesit me shkrim lidhur me miratimin e transferimit duke specifikuar datën e hyrjes në fuqi të transferimit.

 

6. Ministria kërkon me shkrim nga aplikuesi informata të tjera të cilat i sheh si të nevojshme me qëllim të marrjes së vendimit për aplikacionin e transferimit sipas këtij neni. Kërkesa duhet të specifikojë arsyen për kërkesën dhe duhet të specifikojë afatin deri kur duhet të ofrohen informatat të tjera tek Autoriteti Republikan.

 

7.  Nëse informatat e tjera nuk janë pranuar nga ana e Ministrisë brenda kohës së specifikuar, Ministria  e konsideron aplikacionin për transferim si të tërhequr dhe e njofton aplikuesin lidhur me këtë vendim.

 

 

Neni 16

Tarifat

 

1.   Ministria me akt nënligjor përcakton tarifat që duhet të paguhen për:

 

1.1.  aplikim për leje;

 

1.2.  aplikim për ndryshim operimi;

 

1.3.  modifikim të lejes.

 


Neni 17

Regjistri

 

1.  Ministria mbanë Regjistrin e informatave për lejet e lëshuara sipas këtij ligji, si dhe informatat e përcaktuara në Aneksin 3 të këtij ligji.

 

2. Kur informata nuk përfshihet në Regjistër, atëherë në Regjistër duhet të futen një përmbledhje e informatave.

 

3. Ministria siguron qasje të lirë të publikut në të gjitha kohërat e arsyeshme dhe pa asnjë pagesë.

 

4.  Ministria ofron lehtësira për sigurimin e kopjeve të të hyrave, me një pagesë të arsyeshme.

 

5. Ministria përjashton të drejtën e publikut në informatat e Regjistrit vetëm në rastet kur është përcaktuar  me ligj.

 

6. Formën dhe përmbajtjen e Regjistrit nga paragrafi 1 i këtij neni Ministri e përcakton me akt nënligjor.

 

 

Neni 18

Zbatimi i ligjit për procedurën administrative

 

Në procedurën e vendosjes sipas këtij ligji aplikohen dispozitat e Ligjit për procedurën administrative për ato çështje që posaçërisht nuk janë rregulluar me këtë ligj.

 


 

 

KREU III

TEKNIKAT MË TË MIRA TE MUNDSHME

 

 

Neni 19

Teknikat më të mira të mundshme

 

1.  Të dhënat e paraqitura në këtë nen do të merren parasysh gjatë përcaktimit të Teknikave më të Mira të Mundshme për kategoritë e aktivitetit industrial të cekur në Aneksin 1 të këtij ligji:

 

1.1.  përdorimi i teknologjisë, me sa më pak mbeturina;

 

1.2.  përdorimi i substancave më pak të rrezikshme;

 

1.3.  kur të jetë e përshtatshme, përpunimi dhe riciklimi i substancave të përdorura dhe/ose gjeneruar gjatë procesit të operimit;

 

1.4.  kur të jetë e përshtatshme, përpunimi dhe riciklimi i mbeturinave;

 

1.5.  proceset e krahasueshme, objektet ose metodat e operimit të cilat janë provuar në mënyrë të suksesshme në shkallë industriale;

 

1.6.  përparësitë teknologjike dhe ndryshimet në diturinë dhe të kuptuarit shkencor;

 

1.7.  lloji, natyra dhe vëllimi i emisioneve;

 

1.8.  data e futjes në operim të impianteve të reja dhe ekzistuese;

 

1.9.  afati kohore e nevojshme për prezantimin e TMM-[s;

1.10.  lloji, natyra dhe konsumimi i lëndës së parë, përfshirë ujin, të përdorura në proces, si dhe efiçienca e energjisë se tyre;

 

1.11.  domosdoshmëria e parandalimit ose, kur kjo nuk është e zbatueshme, e reduktimit deri në minimum të ndikimit të përgjithshëm të emisioneve në mjedis dhe të rrezikimit të mjedisit dhe shëndetit të njeriut ;

 

1.12.  domosdoshmëria për të parandaluar aksidentet ose, në rast se ndodhë ndonjë aksident, për të minimizuar pasojat në mjedis dhe shëndetin e njeriut;

 

1.13.  çfarëdo informate e botuar nga Komisioni Evropian dhe nga organizatat ndërkombëtare për TMM-s, vëzhgimi i ndërlidhur dhe ndonjë zhvillim në këto.

 

2.  Gjatë përcaktimit të TMM-[s, duhet të merren parasysh:

 

2.1.  shpenzimet dhe përfitimet e mundshme të ndonjë mase të caktuar;

 

2.2.  objektivat dhe parimet e mbrojtjes së mjedisit të parapara ne Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

 

 

Neni 20

Dokumentet e referimit për TMM

 

1.  Gjatë përcaktimit të TMM-së në pajtim me paragrafin 2. nenin 19 të këtij ligji, duhet pasur parasysh:

 

1.1.  dokumentet e referimit të TMM-së të nxjerra nga Ministria;

 

1.2.  dokumentet e referimit të TMM-së it të përgatitura nga Komisioni Evropian EU-BREF;

 

1.3.  praktikat më të mira ndërkombëtare;

 

1.4.  dokumentet e referencës së TMM-së të shteteve të tjera.

 

2.  Ministria krijon dhe mirëmban një sistem informativ për TMM-në. Sistemi informativ do të ofrohet në dispozicion dhe do të jetë i qasshëm për publikun në mënyrë elektronike.

   

 

KREU IV

DISPOZITAT NDËSHKUESE

 

Neni 21

Kundërvajtjet

 

1.  Me gjobë në të holla prej pesëmbëdhjetëmijë (15.000) deri në pesëdhjetëmijë (50.000) Euro për kundërvajtje dënohet personi juridik nëse:

 

1.1.  operon me impiant pa autorizimin e Ministrisë (sipas  paragrafi 1. të nenit 3 të këtij ligji);

 

1.2.  nuk i sjell impiantet ekzistuese në përputhje me dispozitat e këtij ligji (sipas paragrafi 1. të nenit 11 të këtij ligji);

 

1.3.  nuk e njofton Ministrinë për planifikimin e ndryshimit në operim (sipas paragrafi 1. të nenit 12 të këtij ligji);

 

1.4.  nuk aplikon për leje ose ndryshim të kushteve të lejes para prezantimit të ndryshimit të operimit (sipas paragrafi 1. të nenit 13 të këtij ligji);

 

2.  Me gjobë në të holla në lartësi prej njëmijë (1000) deri në pesëmijë (5000) euro do të dënohet për kundërvajtje nga paragrafi 1. i këtij neni personi përgjegjës i personit juridik.

 

 

KREU V

DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE

 

Neni  22

Vendimet

                                                  

1.  Ministria në afat prej tetëmbëdhjetë muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji duhet t`i nxjerr dispozitat ligjore për:

 

1.1.  format që përdoren për një aplikacion për leje rreth një vendimi administrativ;

 

1.2.  format për lejet dhe vendimet e Ministrisë;

 

1.3.  format e lejeve që përmbajnë kushtet për llojet specifike të operimeve dhe impianteve;

 

1.4.  afatet kohore dhe kufijtë kohor për procedurën e lejes;

 

1.5.  procedura për konsultim dhe koordinim ndërmjet autoriteteve republikane në caktimin e kushteve të lejes;

 

1.6.  skemat dhe kriteret për inspektim dhe kontroll të përputhshmërisë;

 

1.7.  procedurat për zhvillim dhe miratim të dokumenteve të referimit për TMM- së;

 

1.8.  forma dhe përmbajtja e Regjistrit të lejeve sipas paragrafit 6 të nenit 17 të këtij ligji;

 

1.9.  ndonjë vendim tjetër i nevojshëm për të siguruar zbatimin e dispozitave  të këtij ligji.

 

  2.  Gjatë hartimit të akteve nënligjor nga paragrafi 1. i këtij neni, Ministria informon institucionet qeveritare dhe publikun e interesuar dhe komentet e tyre duhet të merren parasysh.

 

 

Neni 23

Anekset

 

Aneksi 1, 2 dhe 3 të bashkangjitura këtij ligji janë pjesë përbërëse e tij.

 

 

Neni  24

Hyrja në fuqi

 

Ky ligji hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

 

 

 

 

Ligji  Nr. 03/ L-043            

26 mars 2009   

                                                    

                                                           

Shpallur me dekretin Nr. DL-010-2009, datë 23.04.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,   Dr. Fatmir Sejdiu.

 

 

 

 

 

 

 

Ligji  Nr. 03/L-043

 

 

PËR PARANDALIMIN DHE KONTROLLIN E INTEGRUAR TË NDOTJES

 

 

ANEKSI  I

 

 

Kategoritë e aktiviteteve industriale

 

Impiantet ose pjesët e impianteve të përdorura për hulumtim, zhvillim dhe testim të prodhimeve dhe proceseve të reja, nuk mbulohen me këtë ligj.

 

Kur jepen pragjet e vlerave si më poshtë, ato u referohen kapaciteteve të dizajnimit të impiantit.

 

Kur një operator kryen më tepër se një aktivitet që bie brenda të njëjtit nën seksion në të njëjtin impiant ose në të njëjtën vendndodhje, kapacitetet e aktiviteteve të tilla do të shtohen së bashku.

 

 

Industritë energjetike

 

1. Impiantet djegëse me të hyra termike të klasifikuara që tejkalojnë pesëdhjetë (50) MW.

 

2. Rafineritë e vajgurit dhe mineraleve.

 

3. Furrat e koksit.

 

4. Impiantet e gazifikimit dhe lëngëzimit të qymyrit.

 

 

Prodhimi dhe përpunimi i metaleve

 

1. Impiantet për shkrirjen ose skorien e xehes së metalit (përfshirë edhe xehen e sulfurit).

 

2. Impiantet për prodhimin e hekurit dhe çelikut të papërpunuar (shkrirja e parë ose e dytë), përfshirë derdhjen e vazhdueshme, me një kapacitet që tejkalon 2.5 ton në orë.

 

3. Impiantet për përpunimin e metaleve ferrore:

   

3.1.  presat e çelikut të nxehtë me një kapacitet që tejkalon njëzet (20) ton të çelikut të shkrirë në orë;

 

3.2.  farkëtaritë me çekanë, energjia e të cilëve tejkalon pesëdhjetë (50) KJ për një çekan, ku fuqia nxehëse e përdorur tejkalon njëzet (20) MW;

 

3.3.  aplikimi i shtresave mbrojtëse nga metali i shkrirë me të hyra që tejkalojnë dy (2) ton të çelikut të shkrirë në orë.

 

4. Shkritoret e metaleve ferrore me një kapacitet prodhimi që tejkalon njëzet (20)  ton në ditë.

 

5. Impiantet:

 

5.1.  për prodhimin e metaleve të shkrira jo-ferrore nga xehja, koncentratet apo lënda e parë dytësore nëpërmjet proceseve metalurgjike, kimike ose elektrolitike;

 

5.2.  për shkrirje të metaleve, përfshirë vendosjen në kallëpe, të metaleve jo-ferrore, përfshirë prodhimet e ripërpunuara, (rafinimin, derdhjen e metaleve të shkrira, etj.) me një kapacitet shkrirës që tejkalon katër (4) ton në ditë për plumbin dhe kadmiumin, ose njëzet (20)  ton në ditë për të gjitha metalet e tjera.

 

6. Impiantet për trajtim sipërfaqësor të metaleve dhe materialeve plastike duke përdorur një proces elektrolitik ose kimik, ku vëllimi i vaskave përpunuese tejkalon tridhjetë (30) m3.           

 

 

Industria e mineraleve

 

1. Impiantet për prodhimin e klinkerit të çimentos në furrat rrotulluese me një kapacitet prodhues që tejkalon pesëqind (500) ton në ditë ose të gëlqeres në furra rrotulluese me një kapacitet prodhues që tejkalon pesëdhjetë (50) ton në ditë apo në furrat tjera me një kapacitet prodhues që tejkalon pesëdhjetë (50) ton në ditë.

 

2. Impiantet për prodhimin e asbestit dhe për prodhimin e prodhimeve nga baza e asbestit.

 

3. Impiantet për prodhimin e xhamit, përfshirë fibrat e xhamit me një kapacitet shkrirës që tejkalon njëzet (20) ton  në ditë.

 

4. Impiantet për shkrirjen e substancave minerale, përfshirë prodhimin e fibrave minerale me një kapacitet shkrirës që tejkalon njëzet (20) ton në ditë.

 

5. Impiantet për prodhimin e prodhimeve të qeramikës përmes ndezjes, veçanërisht të tjegullave të çatisë, tullave, tullave zjarrduruese, tjegullave ose porcelanit  me një kapacitet që tejkalon shtatëdhjetepesë (75) ton në dite, dhe| ose me furrë me kapacitet qe kalon katër (4) m3 dhe me një dendësi palosëse për furrë që tejkalon treqind (300) kg/m3 .  

 

 

Industria kimike

 

Prodhimi brenda kuptimit të kategorive të përfshira në këtë seksion nënkupton prodhimin në një shkallë industriale përmes procesit kimik të substancave ose grupeve të substancave të cekura në nënseksionet 4.1 deri në 4.6.

 

1. Impiantet kimike për prodhimin e kimikateve themelore organike, siç janë:

 

1.1.  hidrokarburet e thjeshta (lineare ose ciklike, të ngopura ose të  pangopura, alifatike ose aromatike);

 

1.2.  hidrokarburet me përmbajtje oksigjeni, siç janë alkoolet, aldehidet, ketonet, acidet karboksilike, eteret, acetatet, peroksidet, epoksi rrëshirat;

 

1.3.  hidrokarburet squfurore;      

   

1.4.  hidrokarburet azotike siç janë: aminet, amidet bashkë dyzimet azotike ose përbërësit nitrik, nitrilet, cianatet, izocianatet;

 

1.5.  hidrokarburet me përbërje fosforike;

 

1.6.  hidrokarburet halogjenike;

 

1.7.  bashkë dyzimet organo-metalike;

  

1.8.  materialet themelore plastike (polimerët, fibrat sintetike dhe fibrat me bazë celuloze);

 

1.9.  gomat sintetike;

 

1.10.  ngjyrat dhe pigmentet;

 

1.11.  faktorët sipërfaqësorë aktiv dhe kristalet në gjendje të lëngët.

 

2. Impiantet kimike për prodhimin e kemikateve themelore inorganike, siç janë:

 

2.1.  gazrat si amoniaku, klori ose hidrogjeni klorik, fluori ose fluori i hidrogjenit, oksidet e karbonit, bashkë dyzimet squfurore,  oksidet azotike, hidrogjeni, dyoksidi i squfurit, klori karbonik;

 

2.2.  acidet, siç janë acidi i kromit, acidi i fluorit, acidi fosforik, acidi nitrik, acidi klorik, acidi squfuror, oleumi, acidet squfurore;

 

2.3.  bazat, siç janë hidroksidi i amoniakut, hidroksidi i kaliumit,  hidroksidi i natriumit;

 

2.4.  kripërat, siç janë kloruri i amonit , kloruri i kaliumit , karbonati i kaliumit, karbonati i natriumit  perborati, nitrati i argjendit;

 

2.5.  jometalet, oksidet e metalit ose bashkë dyzimet e tjerë inorganik, siç janë karbiti i kalciumit, silici, karbiti i silicit.

 

3. Impiantet kimike për prodhimin e plehrave me bazë fosfori, azoti ose kaliumi (plehrat e thjeshta ose të përbëra).

 

4. Impiantet kimike për prodhimin e prodhimeve shëndetësore, të bimëve themelore dhe të biocideve.

 

5. Impiantet që përdorin procese kimike ose biologjike për prodhimin e prodhimeve themelore farmaceutike.

 

6. Impiantet kimike për prodhimin e eksplozivëve.

 

 

Menaxhimi i mbeturinave

 

1. Impiantet për deponimin ose ripërpunimin e mbeturinave të rrezikshme siç janë përkufizuar në nenin 4 dhe në Aneksin 3, të Ligjit mbi Mbeturinat për operimet R1, R5, R6, R8 dhe R9, siç është përkufizuar në atë Aneks, me kapacitet që tejkalon dhjetë (10) ton në ditë.

 

2. Impiantet për djegien e mbeturinave komunale, në pajtim me Ligjin mbi Mbeturinat, në një fabrikë djegëse me kapacitet që tejkalon tre (3) ton në orë.

 

3. Impiantet për deponimin e mbeturinave jo të rrezikshme, në pajtim me Ligjin mbi Mbeturinat, operimet D8 dhe D9, siç është përkufizuar në Aneksin 3, të Ligjit mbi Mbeturinat, me një kapacitet që tejkalon pesëdhjetë (50) ton në ditë.

 

4. Deponitë që pranojnë më tepër se dhjetë (10) ton në ditë ose me një kapacitet të përgjithshëm që tejkalon njëzetepesëmijë (25.000) ton, por duke përjashtuar deponitë e mbeturinave inerte.

 

 

 

Aktivitetet e minierave

 

1. Nxjerrja nëntokësore e burimeve minerale me një kapacitet nxjerrjeje që tejkalon njëqindmijë (100.000) ton në vit.

 

2. Nxjerrja sipërfaqësore e burimeve minerale në një vendndodhje që tejkalon njëzetepesë (25) hektarë.

 

 

 

Aktivitetet tjera

 

1. Impiantet industriale për prodhim:

 

1.1.  fabrikat industriale për prodhimin e pulpës nga druri ose nga materialet e tjera fijezore; 

 

1.2.  fabrikat industriale për prodhimin e letrës dhe dërrasave me një kapacitet prodhues që tejkalon njëzet (20) ton në ditë.

 

2. Fabrikat për para trajtimin (veprimet siç janë larja, zbardhja, mercerizimi) ose ngjyrosja e fibrave ose tekstilit ku trajtimi tejkalon dhjetë (10) ton në ditë;

 

3. Fabrikat për përpunimin e gëzofit dhe lëkurës ku kapaciteti i trajtimit tejkalon dymbëdhjetë (12)  ton të prodhimeve të përfunduara në ditë.

 

4.  Thertoret me një kapacitet të prodhimit të mishit më të madh se pesëdhjetë (50) ton për ditë;

 

5.  Trajtimi dhe përpunimi i prodhimit të prodhimeve të ushqimit me:

        

5.1.  lëndë të parë nga kafshët (përveç qumështit) me një kapacitet përfundimtar të prodhimit më të madh se shtatëdhjetepesë (75) ton në ditë;

 

5.2.  lëndë të parë nga perimet me një kapacitet përfundimtar të prodhimit më të madh se treqind (300) ton në ditë (vlera mesatare në  bazë  tremujore).

 

6. Trajtimi dhe përpunimi i qumështit, sasia e qumështit e pranuar që tejkalon dyqind (200) ton në ditë (vlera mesatare në baza vjetore);

 

7.  Impiantet për deponimin ose riciklimin e trupave të kafshëve dhe mbeturinave të kafshëve me një kapacitet trajtimi që tejkalon dhjetë (10) ton në ditë.

 

8.  Impiantet për kultivimin intensiv të shpezëve ose derrave me më shumë se:

 

8.1.  katërdhjetëmijë  (40 000) vende për shpezë;

 

8.2.  dymijë (2 000) vende për prodhimin e derrave (mbi 30 kg);

 

8.3.  shtatëqindepesëdhjetë (750) vende për fidanë.

 

8.4.  Impiantet për trajtimin sipërfaqësor të substancave, objekteve ose prodhimeve, duke përdorur tretës organik, në veçanti për veshje, shtypje, stof, heqjen e dhjamit, mbrojtjen nga uji, caktimin e masave, ngjyrosjen, pastrimin ose mbarsjen, me një kapacitet konsumimi prej më tepër se njëqindepesëdhjetë (150) kg në orë ose më tepër se dyqind (200) ton në vit.

 

9. Impiantet për prodhimin e karbonit (qymyrit të djegur fort) të elektrografitit përmes djegies ose grafitizimit.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ANEKSI  II

 

Lista treguese e substancave kryesore të cilat duhet të merren parasysh nëse janë relevante për rregullimin e vlerave të kufirit të emetimit:

 

 

Ajër

 

1.  dyoksidi i squfurit dhe bashkë dyzimet e tjerë sulfurik.

 

2.   oksidet e azotit dhe bashkë dyzimet e tjerë azotik.

 

3.   monoksidi i karbonit.

 

4.   bashkë dyzimet organike të avullueshme.

 

5.   metalet dhe bashkë dyzimet e tyre.

 

6.   pluhuri.

 

7.   asbesti (hollësirat e larguara, fibrat).

 

8.   klori dhe bashkë dyzimet e tij.

 

9.   fluori dhe bashkë dyzimet e tij.

 

10.   arseni dhe bashkë dyzimet e tij.

 

11.  ianidet.

 

12.  substancat dhe përbërjet tjera të cilat janë dëshmuar si posedues të elementeve kancerogjene, mutagjene ose elemente të cilat mund të ndikojnë në riprodhim përmes ajrit.

 

13.  dibenzodioksinet poliklorinike dhe dibenzofuranet poliklorinike.

 

 

Ujë

 

1.   bashkë dyzimet dhe substancat organo-halogjenike të cilat mund të formojnë përbërës të tillë në mjedisin ujor.

 

2.   bashkë dyzimet organofosforik.

 

3.   bashkë dyzimet organike të kallajit.

 

4.   substancat dhe përgatitjet të cilat janë dëshmuar si posedues të elementeve kancerogjene ose mutagjene ose elemente të cilat mund të ndikojnë në riprodhim në ose përmes mjedisit ujor.

 

5.   hidrokarburet e përhershme ose substancat e përhershme toksike bio-akumuluese organike.

 

6.   cianidet.

 

7.   metalet dhe bashkë dyzimet e tyre.

 

8.   arseni dhe bashkë dyzimet e tij.

 

9.   biocidet dhe prodhimet shëndetësore bimore.

 

10.    materialet në ndalim.

 

11.   substancat të cilat kontribuojnë në eutrofikim (në veçanti, nitratet dhe fosfatet).

 

12.   substancat të cilat kanë ndikim të pafavorshëm në baraspeshën e oksigjenit (dhe mund të maten duke përdorur parametrat siç janë BOD, COD, etj).

 

 

 

ANEKSI  III

 

 

Regjistri Publik i Informatave

 

Regjistrin Publik të Informatave të cilin e mbanë  Ministria dhe të gjitha autoritetet lokale  përmbanë:

1.  të gjitha të dhënat e ndonjë aplikacioni drejtuar autoritetit kompetent për një leje.

 

2.  të gjitha të dhënat e ndonjë njoftimi për informata të mëtejme dhe ndonjë informatë tjetër.

 

3.  të gjitha të dhënat e ndonjë leje të lëshuar nga autoriteti kompetent.

 

4.  të gjitha të dhënat e ndonjë ndryshimi të propozuar të operimit të paralajmëruar tek autoritet kompetente.

 

5.  të gjitha të dhënat e ndonjë aplikacioni drejtuar autoritetit kompetent për një transferim të lejes, përfshirë ndonjë njoftim për informata të tjera dhe ndonjë informatë tjetër të tillë si dhe ndonjë vendim të autoriteti kompetent për miratimin ose refuzimin e aplikacionit.

 

6.  të gjitha të dhënat për ndonjë revokim të lejes.

 

7.  të gjitha të dhënat e ndonjë njoftimi detyrues të paraqitur nga ana e autoritetit kompetent.

 

8.  të gjitha të dhënat e ndonjë njoftimi për ndalim të paraqitur nga ana e autoritetit kompetent.

 

9.  të gjitha të dhënat e ndonjë njoftimi të autoritetit kompetent për tërheqjen e ndonjë njoftimi detyrues ose ndonjë njoftimi të ndalimit.

 

10.  të gjitha të dhënat e ndonjë njoftimi të ankesës dhe të gjitha dokumentet lidhur me ankesën.

 

11.  të dhënat e ndonjë vendimi të ministrit ose autoritetit relevant rreth një ankese të tillë.

 

12.  të gjitha detajet e ndonjë shkeljeje dhe dënimi  të pësuar.

 

13.  të gjitha të dhënat e ndonjë informate vëzhguese lidhur me operimin e ndonjë impianti që është siguruar nga autoriteti kompetente ose nga inspektorët si rezultat i vëzhgimit të tij, apo të ofruar për autoritetin kompetent nga vetë operatori si kusht i lejes së integruar.

 

14.  të gjitha të dhënat lidhur me Planin e Orarit të Përputhshmërisë.

 

15.  të gjitha të dhënat për tarifat ose gjobat e paguara tek autoriteti kompetent.

 

 

Në rast se ndonjë informatë nuk është përfshirë në këtë Regjistër, në Regjistër do të futet një deklaratë nga ana e autoritetit kompetent në lidhje me këtë çështje.

Në rast se ndonjë informatë vëzhguese nuk është përfshirë në këtë Regjistër, atëherë në Regjistër do të futet një deklaratë nga ana e autoritetit kompetent, bazuar në informatën e pranuar gjatë monitorimit, duke treguar nëse ka ekzistuar ose jo përputhshmëria me ndonjë kusht relevant të lejes së integruar.

 

 

 

ANEKSI  IV

 

Plani i Orarit të Përputhshmërisë

 

Në rast se operatorit të ndonjë impiantit ekzistues, të cekur në Aneksin A, të këtij Ligji, i kërkohet që t'i ofrojë Ministrisë ndonjë Plan të Orarit të Përputhshmërisë, një plan i tillë do të duhej të përmbante informatat e mëposhtme si të nevojshme.

 

Tabela 1. Aktivitetet për përputhshmërinë me kushtet e lejes në bazë të Ligjit për Parandalimin dhe Kontrollin e Integruar të Ndotjes.

 

 

Nr.

 

 

Aktivitetet

Investimet (EUR)

Fillimi i aktivitetetit (data)

Fundi i aktiviteteit

Rezultatet e aktiviteteteve

Metoda e kontrollit

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Aktivitetet: Përshkrimi i aktivitetit/aktiviteteve të cilat do të kryhen për të arritur përputhshmërinë e impianteve me legjislacionin mjedisor.

 

Investimet: Investimet për këtë aktivitet.

 

Fillimi:   Data (muaji/viti) kur është planifikuar fillimi i aktivitetit.

 

Përfundimi: Data (muaji/viti) kur është planifikuar përfundimi  i aktivitetit ose futja në operim.

 

Rezultatet e aktivitetit: Do të përshkruhet rezultati specifik (shembull: reduktimi i emetimit).

Metoda e kontrollit: Përshkrimi i mënyrës sipas së cilës mund të kontrollohet aktiviteti i performuar.

 

Tabela 2.   Afatet kohore për zbatimin e aktiviteteve në tabelën 1 si dhe investimet vjetore

 

 

Nr

Aktivitetet

Shpenzimet për vit, ____EUR

Viti*

Viti*

Viti*

Viti*

Viti*

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

* Analiza e kostos përfituese nga ana e operatorit që tregon shpenzimet e nevojshme vjetore për zbatimin e secilit nga aktivitetet e përcaktuara në tabelën  2.

 

 

Ligji  Nr. 03/ L-043            

26 mars 2009   

                                                    

Shpallur me dekretin Nr. DL-010-2009, datë 23.04.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës,   Dr. Fatmir Sejdiu.

                                                           

 

 

 

 

 

Herėn e fundit ėshtė azhuruar mė : ( e premte . 08 maj 2009 )
 
Para >